Artur Zheji
Duke ndjekur pamjet e procesionit përkujtimor të Opozitës, duke parë bodyguardët e shumtë dhe trupgjatë të Ramës, duke dëgjuar heshtjen dhe duke deshifruar heshtjen e komanduar, ndien gjithashtu edhe një zbrazëtirë logjike dhe një ngërç moral, në lidhje me atë që ndodhi fare pak ditë më parë.
Përse duhej të ndodhte? Po sikur të mos ndodhte? Përse të mos shmangej? Janë këto disa pyetje që derdhen vetiu, siç derdhet vetiu lëngu nga një gotë e rrëzuar. Pavarësisht asaj që ndodhi apo nuk ndodhi më 28 janar, mund të bëhet një analizë e shpejtë sesi ndodhi, që më 21 janar t’i jepej jetë një ballafaqimi të zymtë, me të plagosur dhe të vdekur. T’i jepej jetë një sfide të egër dhe luftarake, me bindjen se “Ora erdhi! Pushteti është mbas dere! Mjaft të zgjatësh dorën dhe mund ta kapësh! Një sulm, dy sulme dhe kështjella prej letre e pushtetit të Berishës, do të shkërmoqet?!”
Shumëkush mendoi se ultimatumet ndaj Berishës, pak ditë përpara demonstratës së 21 janarit, kishin një mbështetje, apo buronin nga një nxitje, që shkonte përtej kabinetit të kryebashkiakut apo kryeopozitarit, një mbështetje nxitëse dhe përkrahëse sa e brendshme po aq edhe e jashtme. Mendohej, gjithashtu, se ishte studiuar mirë e qartë klima e përgjithshme nën kornizën e të cilës do të ndërmerrej “revolucioni” që po ndizej. Mendohej se reaksioni zinxhir emocional dhe fryma pasonjëse do të bënte punën e mbetur, që duhej vetëm të fillonte te sheshi “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë. Mendohej se shqiptarët do të kapeshin nga virusi i vetëshkatërrimit, si në vitin ‘97 dhe në vitin ‘98. Mendime ogurzeza, por gjithsesi mendime dhe supozime legjitime.
Fatmirësisht ky virus vetëshkatërrimi u konstatua se paskësh rënë në gjumë të thellë ose paskësh vdekur te shqiptarët e shekullit të ri ku kemi hyrë. Ky virus u nxor nga epruveta e kujtesës së 14 viteve më parë, me qëllim ri-përhapjen e epidemisë së vjetër. Shqiptarët duket se e shmangën këtë virus dhe, më mirë akoma, duket se kishin fituar imunitet prej tij. Lajm i mirë ky për shqiptarët. Qartësia e ambasadorit Arvizu në deklarimet e veta, deklaratat e Departamentit të Shtetit me zërin e Tomas Kantrimen, hodhën dritë dhe shpërndanë mjegullën e keqkuptimeve, mbi të cilat u stisën dhe u futën në qarkullim shumë pandehma. Njëra prej tyre ishte pandehma që “fliste” për një klimë jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare që favorizonin rënien e Berishës. Mbi këtë pandehmë, që rezulton e rreme, u krijua me shumë art dhe konspiracion një frymëzim i rremë, nxitës dhe motivues… Se pushteti i ri është afër. Se Berisha i ka ditët të numëruara. Se Berisha është i izoluar. Se imazhi i Kryeministrit i ka kuotat e kredibilitetit në pikën më të ulët. Por tanimë mund të themi se qëndrimi amerikan është i kristaltë dhe pa ekuivok: “Shqipëria është një vend që deri në vitin 2013 ka një axhendë të paracaktuar politike, zgjedhje lokale në maj 2011, zgjedhje politike më 2013.”
Pra, u artikulua më qartë se kurrë ndërkombëtarisht që lëvizja më e ashpër politike e PS-së, me qëllim provokimin e rënies së Qeverisë dhe “dorëzimin” e Berishës, nuk ka asnjë mbështetje ndërkombëtare. Duket qartë se skenari i sulmit politik për përmbysje ka një “kleçkë” të pakapërcyeshme, moskonsultim me aleatët e huaj, një kuturisje emocionale, pra, jashtë kontekstit europian dhe sidomos jashtë kontekstit gjeopolitik aktual. Mendja të shkon menjëherë te ekzistenca e një skenari më të vogël, fshehur nën pelerinën e një skenari më të madh. Me sa duket, në skutën e mendimeve të veta më të fshehta, Edi Rama, krejt në mënyrë gjeniale, nën tymnajën e një sulmi masiv dhe të zhurmshëm politik antiqeveritar, ka përpunuar skenarin e vet të zgjedhjeve lokale, të cilat do të jenë të helmuara nga tri vrasjet, nga urrejtja e skajshme e palëve, e pra politike në mënyrë të skajshme dhe jo qytetare.
Jo, pra, një betejë e pritme për kryeqytetin që është në agoni dhe për qytetet e tjera në lëngatë të thellë, por një betejë vetëm politike, me akuza të ndërsjella me termat agresivë, si “Vrasës” apo “Puçistë”. Rama në këtë rast përdori me mjeshtëri ambiciet e të shumtëve përreth tij, duke fshehur skenarin e vogël real të zgjedhjeve të majit, nën mjegullën e skenarit të madh, të pamundur, të marrjes së Pushtetit politik, me forcën e “popullit”. Humbësit e mëdhenj do të jenë qytetarët, të cilët nuk do të kenë hapësirë dhe rol në Zgjedhjet e pritshme, të cilat do të jenë, mjerisht, jo Zgjedhje për Qytetet, por Zgjedhje e polarizuar Politike.
Ky është “suksesi” i vërtetë që mbërriti Rama me demonstratën e 21 janarit, sigurimin e një beteje të drejtpërdrejtë me Berishën, duke sfumuar dhe zvogëluar rolin e çdo figure tjetër. Me sa duket, Rama mendonte se kjo ishte e domosdoshme: “një betejë e madhe politike kombëtare, për të futur kësisoj edhe një herë lehtësisht në xhep Bashkinë e Tiranës.” Aleatët dhe këshilltarët e tij do të kenë kohë të kuptojnë këtë strategji të Kryetarit, por ata janë tepër inatçorë për ta kuptuar këtë strategji mendjehollë. Por kur ta kuptojnë, do të jenë vonë. Rama do t’i ketë zëvendësuar pa dhimbje me të tjerë. Kjo është politika
No comments:
Post a Comment