Wednesday, February 2, 2011

Dritëroi: Të ndalen protestat, Berisha po na kthen diktaturën


Nga Anila Basha

Në më pak se një javë, shkrimtari i madh Dritëro Agolli, komunikon sërish me Gazetën Shqiptare nëpërmjet telefonit. Që poeti të flasë kaq shpesh, do të thotë se është shumë i shqetësuar dhe i keqardhur për gjendjen në Shqipëri. Këtë radhë po e revoltojnë të gjitha: jo vetëm vrasja e tre qytetarëve në demonstratën e 21 janarit, por tani edhe akuzat e Berishës për “puç institucional” edhe kërkesa e Ramës për të vazhduar demostratat e protestat, kur siç thotë ai “ende nuk ka mbaruar zija, për të filluar reflektimi”; por edhe Bashkimi Evropian, i paqartë deri më tani sipas shkrimtarit, për të drejtuar gishtin aty ku është fajtori.
I keqardhur për këtë situatë, Dritëroi sërish kujton vitin 1991, kur në kongresin e 10-të të PPSH, fjalimi i tij u fërshëllye, e shanë, nuk e kuptuan. Në atë kohë, nga podiumi, shkrimtari, 20 vjet më i ri në moshë, u tha delegatëve: “Ju po qani një kufomë, tani u binda më shumë nga të bërtiturat tuaja. Unë nuk do rri këtu me ju ta qaj”. Por e kujton edhe tani, edhe pse situata 20 vite më parë, ishte më e rëndë sesa sot, se ndryshohej sistemi, nuk pati asnjë qytetar të vrarë. Madje, edhe disa policë që kishin shkuar asokohe poshtë shtëpisë së Dritëroit, i kishte çuar ministria e Brendshme për shkak të letrave të shumta kërcënuese që kishin ardhur në adresën e tij. Dhe ndan me ne, komentin e tij për këtë situatë, jo si socialist, por si një shkrimtar. “Unë socialist jam, por këtë radhë do të flas si poet” thotë Dritëroi, duke mos hequr dorë nga forca e tij politike, por duke e kritikuar PS për të ruajtur 20 ditët e zisë.
Dritëro, si po ju duket gjendja? Protesta të reja, akuza për puç institucional nga kryeministri, mungesë reagimi...
Të mos bëhemi gënjeshtarë. Gjendja sot në Shqipëri, është shumë e acaruar. Njerëzit janë tepër të dëshpëruar. Flasin me vete duke ecur rrugës, sepse kanë rënë dy pesha të mëdha mbi supet e tyre. Pesha e gjendjes ekonomike, shumë e vështirë, ngritja e të gjithë llojeve të çmimeve, jo vetëm të çmimeve për të ngrënë, por edhe deri te ilaçet tani së fundmi. Të gjitha këto e bëjnë popullin shumë të dëshpëruar. E bëjnë me një depresion të madh. Unë e shoh këtë edhe në familjen time, që nuk jetojmë aq keq, si bashkëqytetarët tanë në qytete e në fshat. Se ata, janë akoma më keq. Madje edhe fëmijët e vegjël, janë preokupuar për këtë gjë. Edhe kur shkojnë në shkollë sot, nuk më puthin si çdo ditë që e bënin këtë mbesat e mia. Duket sikur janë zëmëruar nga të rriturit që po bëjnë këto gjëra të prapta. Dhe unë vetë, jam tejet i dëshpëruar. Edhe gruaja ime, Sadija, që është më e ndjeshme nga këto gjëra, nuk qan në sytë e mi. Por kur fle në krevat, mbulon kokën e zë qan. Po si është e mundur që një shtet kaq i organizuar sa i yni, që është tani anëtar i NATO-s, por ka përfituar edhe liberalizimin e vizave që mund të shkosh ku të duash në Evropë, ka kaq shumë dëshpërim dhe qytetarët e vet nuk janë të gëzuar? Evropa me ato mundësi që ka pasur, ia ka dhënë Shqipërisë....
Por edhe zgjidhjen Dritëro, sot, shqiptarët po i kërkojnë tek Evropa, për të ulur gjakrat dhe për të mos ndezur më situatën...
Evropa, BE, por edhe institucione të tjera evropiane, nuk e thonë qartë fjalën e tyre për Shqipërinë. Disa thonë që ta zgjidhë vetë Shqipëria. Neve nga ana jonë themi që të na i zgjidhë Evropa. Tani për të parën, që BE nuk thotë qartë se kush i ka fajet që Shqipëria po kalon në këtë fazë. Ja, ju si gazetarë keni dëgjuar gjë për këtë?
Po të isha unë kryetar i OSBE-së, fjala vjen, (e them si imagjinatë) do të thosha se “kryetari i qeverisë duhet të flasë troç për këtë gjë”. Sepse popullin e ka të varfër fare. Se këto gjëra të rritjes ekonomike, gjoja 3 përqind apo shifra të tjera, nga dalin këto, kur populli është duke lypur. Atëherë, unë nëse do isha kryetar i OSBE-së do të thosha: “ti Sali Berisha, ke këtë faj”. Dhe pastaj, do t’i thosha Edi Ramës: “Ti Edi Rama ke këtë faj”. Pra, do t’u flisja të dyve. Mirëpo, përfaqësuesit e Evropës, bëjnë poezi, siç kam bërë unë, që jam poet. Thonë “ligji, ligji, ligji”, dhe mbi të gjitha. Këto janë thënë që në mesjetë. Ti thuaj: “ti i ke fajet dhe mbaj përgjegjësinë” dhe jo të thuash se “Shqipëria ka hyrë në NATO, ka vizat e lira, ju duhet të zbatoni ligjet” dhe të tjera si këto. Domethënë, edhe vetë Evropa, është një ngjalë që s’ke ku ta zësh. Prandaj, këta të Evropës, të mos vijnë si gjithnjë, por të sqarojnë gjendjen tonë kombëtare dhe të thonë: “I dashur Sali Berisha, ti këtë gjë që ke bërë, lëre”. “I dashur Edi Rama: ti ke këto faje”. Por, faje konkrete, jo kështu. “Atëherë lërini këto, ju,- ti thotë Evropa,- nëse nuk bëni këtë, juve do t’ju marrim edhe vizat edhe do t’i propozojmë Amerikës të mos jeni në NATO”. Leqë edhe NATO-n këtu nuk e kemi marrë vesh ç’është, e dimë vetëm si emër. E keni dëgjuar të ndërhyjë gjëkundi?! Unë e di NATO-n si një gjë që nuk është fare. Nuk e di. Mund të jetë edhe nga Turqia.
Por ndërkohë, vendet mike Dritëro, duke qenë Shqipëria anëtare e NATO-s thotë se nuk duhet të na mësojë gjithmonë, shqiptarët duhet të zgjidhin punët e tyre...
Po ne jemi mësuar me pushtime të të huajve. Dhe i kërkojmë përsëri vetë këtë, që të na ndihmojnë të tjerët, se nuk jemi vetë të zotë. Dhe në përgjithësi, ne jemi nën pushtim të të huajve. Sepse presim që ata të na i zgjidhin këto gjëra. Dhe meqë ne nuk jemi të zotët për të organizuar një shtet, i shtrijmë krahët nga Evropa që të na rrregullojë punët në shtëpinë tonë. Ai që është shtet, vë vulën dhe thotë se “unë jam shtet” dhe “unë bëj këtë”.
Por ka një akuzë nga kryeministri për “Puç institucional”...
Shteti ynë, është një shtet që trillon puçe, trillon në përgjithësi, domethënë, është një shtet si telenovela. Pjesa e parë e telenovelës është konsumuar, janë demonstratat e përgjithshme, që janë bërë në vendin tonë. Kulmi i telenovelës ishte ai që u bë më 21 janar, ku u vranë 3 qytetarë. Zgjidhja e telenovelës nuk e dimë si do jetë, por tani po përgatitet që të mbarojë telenovela, sepse duhet zgjidhja, siç mbarojnë këto telenovelat me zgjidhje. Kështu që në këtë mënyrë, populli i ka këmbët në tokë, por mendjen e ka lart dhe është bërë si i çmendur dhe të gjithë fluturojnë nëpër qiell me mendjen e tyre. Do të thotë se është një popull i hutuar krejtësisht deri më sot.
Por duket se nuk jemi te zgjidhja, opozita ka paralajmëruar këtë të premte protesta, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera...
Në këtë gjendje që është dhe që unë e rrëfeva edhe për vrasjen e atyre tre qytetarëve dhe të plagosurve të demostratës, tani duan të fillojnë pjesën e dytë të këtij filmi. Dhe siç kam dëgjuar në televizor, do të fillojnë demonstratat ditën e premte.
Tani mendoj, se këto janë veprime jo të matura, sepse nuk duhet filluar një manifestim tjetër pa mbajtur zinë. Në përgjithësi shqiptarët, e kanë të paktën 20 e ca ditë zinë për këto ngjarje që ndodhën. Pse është zija? Zija nuk është fetare. Është reflektim. Njerëzit duhet të reflektojnë: “More ç’u bë para një jave? U vranë tre vetë, u plagosën kaq të tjerë dhe u bë një gjullurdi e madhe”. Tani, demonstratat që pretendojnë socialistët t’i bëjnë të premten, nuk janë të arsyeshme dhe nuk janë edhe morale, se duhet ta lënë popullin të reflektojë. Unë jam individ edhe dua të reflektoj. Jam një njeri që di të shkruaj ca gjëra, dhe unë akoma nuk kam menduar, sesi ishte kjo punë dhe jo pastaj të ngresh në këmbë një popull që akoma nuk ka menduar për këtë gjë. Prandaj këto paralajmërime të opozitës nuk janë të drejta, sipas meje. Unë e çmoj atë demonstratën e parë, sepse ajo dha një shenjë që nuk do ishin fjalime me letra e hartime, por ajo përfundoi siç e pamë. Tani duhet ta lëmë atë dhe socialistët nuk duhet ta lënë protestën këtë javë të paktën. Ta lënë të qetë këtë javë, që të mendohet, pastaj të bëjnë të tjerat. Demostratat e tjera, janë edhe jashtë rregullit të natyrës. Një bajame fjala vjen, kur vjen marsi, apo prilli çel; nuk mund të çelë në shkurt; Keni parë në shkurt ndonjë bajame të çelë në Shqipëri? Prit njëherë të çelë ajo dhe pastaj reago, aq më tepër që ato pemë që kemi ngrënë tani në dimër, kanë qenë tepër të hidhura. Ta lemë popullin të meditojë dhe gjykojë.
Por ndërkohë, Kuvendi ka kërkuar tabulatet e telefonave të disa krerëve të lartë të shtetit, duke përfshirë edhe gazetarë...
Eshtë antidemokratike të surverjosh gazetarët, siç po bëhet tani ky veprim dhe t’ia regjistrosh celularët atyre gazetarëve, se ç’ka thënë ky gazetar për këtë gjë dhe me kë ka mbajtur lidhje dhe informacione. Gazetari edhe me Mbretin mund të mbajë lidhje dhe t’i telefonojë dhe mbretërit sot nuk janë si mbretërit e dikurshëm si Ahmet Zogu, apo Ivani i Rusisë, apo Car Nikolla. Tani edhe Mbretit mund t’i telefonosh me celular, madje edhe një krimineli për të gjetur ku është ky; edhe një ministri, kryeministri edhe një hamalli mund t’i telefonosh. Dhe tani përpiqen që të gjejnë këta, me cilin ka telefonuar ky gazetar, apo edhe nëse nuk është gazetar, një që merret me gazetari edhe si unë fjala vjen. Prandaj kjo është krejtësisht antidemokratike. Kjo e shpie vendin drejt diktaturës; e shpie si në kohën e Hitlerit, Musolinit. Prandaj kjo fushatë e tillë, është krejtësisht kundër rregullave dhe kushtetutës dhe idealit demokratik.
Edhe kjo, domethënë, një Puç që akuzon Presidentin që nuk foli kundër demonstratës. Presidenti e kishte mirë mesazhin e tij dy ditë më parë. Por që të akuzosh Presidentin për të tilla gjëra antishtet dhe anti të gjithëve, edhe SHISH-it, edhe Prokuroren e Përgjithshme nuk më duket e drejtë. Grushti i shtetit bëhet nga gjeneralët. Dhe këto janë kërcënime për shtetin.
Dhe unë do të them, se mbaj mend në 1991, kur unë fola në kongresin e 10 të PPSH-së. Atëherë, m’u sulën shumë njerëz dhe kishte edhe nga ata që më kërcënonin në atë kohë, qoftë edhe komunistë të vjetër dhe kisha bile, edhe disa miq që më kërcënonin me letra, por unë nuk i vura ndonjë rëndësi këtyre gjërave. Sepse në kthesa historike të mëdha, ndodhin të tilla gjëra. Që atëherë më vunë disa policë, që të më më mbronin. Kështu edhe kjo, nuk është ndonjë frikë e madhe që tremben njerëzit, se, “do na vrasin” dhe shohim institucionet me tela me gjemba. Kjo është një gjë jonormale për Republikën e Shqipërisë. Më duket situata si këto dramat e famshme “Në pritje të Godosë” apo të tjera, “Kështjella” e Kafkës etj...Domethënë të gjitha këto, janë gjëra absurde, aq sa kryeministri thotë se “do më vrisnin mua”, “kishin bërë komplot se do më vriste Topi dhe Rama”. Mirë Edi Rama, por Bamiri të vriste? Bamiri është aq human dhe aq njeri i butë, sa nuk vret dot një mi po ti hyjë në shtëpi dhe jo të vrasë një mi kaq të madh si Saliu.

No comments: