Nga Dr. Sherif MUÇALLA
Në fakt, thjeshtë nga përgjegjësia qytetare unë kam kohë që jam i pranishëm në mediat e ndryshme. Shkruaj e shpreh opinionin, thjeshtë sepse dua që të pasqyroj një pjesë të shpirtin tim përpara miqve dhe popullit tim. Pra unë shkruaj, sepse shpeshherë më krijohet
ndjesia se heshtja ime mundet që të jetë mëkatare ndaj një fëmije, ndaj një burri, apo ndaj një gruaje, e cila vuan diskriminimin, padrejtësinë, abuzimin, vjedhjen, dhunën, apo vuan prej korrupsionit të njerëzve të veshur me pushtet, që tashmë në Shqipëri është bërë i padurueshëm. Natyrisht, ushtrimi i një të drejte të këtij lloji në Shqipëri është jo pa rrezik edhe ka kosto të niveleve të ndryshme. Kjo përgjegjshmëri qytetare dhe kjo ndjesi njerëzore më motivoi, që në orën 13 e 20 minuta të datës 21 /01/2011 të gjendesha në bulevardin e Tiranës, ku opozita e shtetas të tjerë kishin lajmëruar se do të protestonin ndaj zullumeve e skandaleve të qeverisë.
Me ndjesinë, se në të tilla raste është më mirë të jesh në terren se sa të rrish në “laboratorë” e të fantazosh, unë zura një vend tek zyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pra 30 a 40 m larg nga zyra e Kryeministrit Sali. Pashë, se si forcat e sigurisë së vendit tim po merrnin masa për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar edhe gjithçka po më dukej normale. Me vete, kisha penën edhe një pajisje elektronike për të përgatitur në të ardhmen një shkrim, apo vëzhgim. Kisha edhe një çadër sepse ishte kohë për shi. Këto ishin “armët e mia” edhe të qindra e mijëra protestuesve të tjerë. Pra, unë e qindra mijëra të tjerë atë ditë, nuk kishim as guriçka, as dajak dhe as granata, pushkë apo revole. Kishim vetëm armën e fjalës së lirë.
Por ç’ndodhi më tej me ne, të cilët ushtronim të drejtat tona, dikush për të vëzhguar edhe dikush për të protestuar paqësisht?! Ne u dhunuam barbarisht prej instrumenteve të shtetit. Pra, shpërtheu dhuna e cila nuk ishte aspak momentale edhe as e rastësishme. Dhuna ka kohë që është e ulur këmbëkryq në Shqipëri. Ajo është e mbjellur në një konflikt të gjatë ndërmjet popullit tim edhe keqqeverisjeve të atyre politikanëve të pasuruar shpejt e pa punë, që sot mundet që ti quash milionerët e mafies shqiptare e rajonale.
Milionerët e mafies tashmë e kanë kapur shtetin edhe keqqeverisin prej vitesh me padrejtësitë e tyre në kundërshtim me interesat e 80% të shtetasve të Shqipërisë. Ligji vazhdon që të interpretohet edhe të përdoret prej milionerëve të mafies, thjeshtë si instrument hakmarrje, ndëshkimi e represioni ndaj njerëzve të thjeshtë, duke i hequr materialisht atij pjesën themelore, principet e funksionimit të shtetit të së drejtës. Milionerët e mafies i kanë kapur partitë politike në Shqipëri dhe miliona njerëz të thjeshtë tashmë konsiderohen si “skllevërit” edhe jo si shtetas të një vendi dinjitoz. Kësisoj, rrënjët e dhunës janë jo tek gurët e protestuesve, jo tek ata mijëra të pakënaqur, por prej keqqeverisjes 20 vjeçare e cila është e mbushur me nepotizëm, me vjedhje të fondeve publike, me intriga, me tradhtira elektorale, me diskriminime, me represione, me keqtrajtime edhe me dhunë e me skandale qeveritarësh të lloji-lloji.
Tufa e zyrtarëve dallkaukë e niveleve të mesme që bën “të fortin” dhe ushtron dhunë të përditshme mbi mijëra qytetarë nëpër institucionet e shtetit, është njëri prej moçaleve më të ndyra që ka gatuar politika pa principe e Shqipërisë postkomuniste. Biznesmenët e pamoralshëm me lidhje nepotike me politikën,vazhdojnë që t’i imponohen dhunshëm tregut me pafytyrësinë e tyre, duke i diskriminuar e i shkatërruar padrejtësisht bizneset e ndershme dhe duke e rritur varfërinë e njerëzve. Njerëzit e ditur edhe të shkencës e kanë humbur kurajën e lirinë akademike nga represioni e përjashtimi absolut nga puna në administratën shtetërore, që i bëhet atyre nga partitë politike. Tashmë shumë njerëz të botës akademike, janë strukur në atë farë feje, saqë e kanë humbur humanizmin. Ata vazhdojnë që të heshtin dhe në ato raste, kur vdekja ju sillet vërdallë mijërave njerëzve, si atëherë, kur tonelata barut u grumbulluan nga mafia në afërsi të Tiranës, në Gërdec më 15/03/2008 dhe askush nuk veproi. Politikanë, zyrtarë të lartë e gjeneralët kufoma të tipit të Gërdecit, të 1997, 1998 e tashmë 2011 jo vetëm që janë të pandëshkuar, por sot vazhdojnë të japin leksione sigurie dhe së bashku me dallaveraxhinjtë e drejtësisë fajin ja hedhin të vdekurve edhe të gjymtuarve...
Këto pra janë rrënjët e dhunës, të cilat nuk i mbollën protestuesit edhe as ata që u vranë nga vrastarët e pashpirtë e veglat qorre të diktaturës monstër (diktaturë hibride komuniste-naziskine) edhe as policët e gjorë, që u rrahën me dajak si gomari në duhan më 21/1/2011. Një diktaturë shtetërore monstër e tipit hibrid e bazuar në rrënjët e dhunës së sipërcituar ka kohë që vërdalloset, mbillet e kultivohet prej milionerëve të mafies shqiptare dhe asaj rajonale, gjë e cila shkakton viktima pa u ndalur. Sidoqoftë, ndoshta ju keni qenë atje në Bulevard edhe e keni parë vetë çfarë ndodhi në Tiranë më 21/1/2011.
Ndoshta ju e keni dëgjuar, apo ndoshta e keni parë në TV. Protestuesit erdhën nga të gjitha anët me mijra e mbushën sheshin përpara zyrës së kryeministrit Sali. Ata hidhnin parulla, ashtu si të pakënaqurit flasin ndaj padrejtësive edhe ndaj keqqeverisjes.
Mirëpo në befasi të plotë e pa kurrfarë paralajmërimi e kot së koti, një stuhi rrebeshi ujë me gaz të helmatisur më ra mua mbi fytyrë e mbi trupin tim dhe mbi dhjetra gra e burra të moshave të ndryshme që gjendeshin rreth meje 60-70 m larg nga zyra e Kryeministrit Sali.
Sytë na u verbuan edhe kollitjet filluan që të dëgjoheshin pa pushim. Disa të moshuar e gra u shtrinë përtokë nga shqetësimet që solli uji me gaz lotsjellës. Më tej, breshëritë e armëve vinin duke u shtuar dhe pashë disa protestues që po përpiqeshin të ndihmonin përpara kullave binjake një të plagosur, apo ndoshta një të vrarë a të vdekur. Kisha mësuar nga eksperienca ime, se qenit të pabesë edhe kriminelit të pashpirt nuk duhet që ti kthesh shpinën kurrë, sepse atyre ju shtohet më tepër oreksi e ligësia për të të kafshuar edhe për të të vrarë, pra ju shtohet etja për gjak. Kështu ngjau edhe atë ditë, gjë e cila më detyroi që të ndaloj edhe të vrojtoj me fytyrë nga zyra e Kryeministrit Sali, ku befas, mu shfaqën shëmbëlltyrat e disa ish kolegëve të mi punonjës të Gardës, të cilët tashmë janë vrasës.
Kryeministri Sali, këto ditë çfarë thotë në mëngjes, nuk e thotë në mesditë për vrasësit gardistë dhe për protestuesit rrugaçë e trafikantë… Gjithsesi, ai po i quan vrasësit heronj dhe se Shqipëria sipas tij shpëtoi prej tij nga një “grusht shteti”. Mua si shtetas, më vjen turp, se si e konceptojnë “Grushtin e shtetit” qeveritarët e vendit tim. Është një konceptim mjeranësh shumë larg të së vërtetës. Fantazia kryeministrore edhe orkestra e tufës së servilëve për “grushtin e shtetit” po kërkon, që të përgatisë dhe të praktikojë hakmarrjen e klanit shtetkapës ndaj të vrarëve e të gjallëve edhe ndaj mijërave demonstruesve të pakënaqur. Fantazitë kryeministrore po i ngjanë sa fantazisë së naziskinëve, ashtu edhe praktikave të sigurimit të shtetit të diktaturës, kur arrestonin njerëzit për agjitacion e propagandë, pra është një qëndrim monstër, hibrid çka përbën rrezik për të gjithë ne dhe për vetë tufën e servilëve e familjet e tyre. Tufa e servilëve shtetkapës për të mbrojtur vrasësit, po sulmon SHISH, Prokuroren e Përgjithshme Presidentin dhe po përgatitet të sulmojë këdo tjetër, që nuk i shërben fantazisë hibride të “Grushtit të Shtetit” me argumente mjerane për të ardhur turp.
Sidoqoftë, unë i shkruajta këto paragrafë për të paralajmëruar, edhe një herë popullin tim, se janë shfaqur “hijet e monstrave 1996, 1997 e 1998 ”. Vazhdojnë që të jenë aktive “monstrat e Gërdecit 15/03/2008” edhe tashmë janë shfaqur hibridet, monstrat e rrezikshme që organizuan “Lojrat e ndyra të milionerëve të mafies 21 Janar 2011 “ të cilit po kërcënon çdo qytetarë të këtij vendi. Ndaj unë po vazhdojë që t’ju them o njerëz të kudondodhur se heshtja është vrastare.
Është koha që ne 80% e shtetasve, ti themi monstrave hibride që e kanë kapur shtetin: Largohuni e na lini të jetojmë të lirë e me dinjitet në vendin tonë. Shqipëria është sot,në udhëkryq e në kulmin e një konflikti 20 vjeçar. Konflikti ka në themel mohimin e 80% të shtetasve nga jetesa normale prej bllokut nepotik shtetkapës, i cili është pasuruar me shpejtësi e pa punë. Ky konflikt, nuk mundet më që të zgjidhet me pajtimin PS – PD, sepse nuk kanë më energji dhe as vizion për të çliruar institucionet e kapura nga milionerët e mafies. Megjithatë, sot kërkohet një zgjidhje urgjente e cila është: dorëheqja e qeverisë, shpërndarja e parlamentit edhe përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme pa monstrat në krye. Dhe në këtë proces zgjidhje, tepër themelore është; largimi i milionerëve të mafies nga partitë politike, ku asnjë ministër, as një ish ministër, as një deputet i “përjetshëm”, as një klan nepotik e krahinor edhe asnjë zyrtar i lartë e i mesëm i këtyre viteve, i akuzuar publikisht për abuzime me postin, nuk ka pse të vazhdojë të rrijë në administratën qendrore, apo atë lokale i strukur nën guaskën e imunitetit për të mbuluar zullumet e tij. Këtë, ne duhet që ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur të gjithë të bashkuar nga veriu në jug, malësorë, lebër, minoritarë e cilido tjetër që jeton në këtë vend.
No comments:
Post a Comment