Nga Enver BYTYÇI
Pardje Ina Rama shkoi në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngjarjeve të 21 janarit dhe iku. Iku pa thënë asgjë. Vetëm përsëriti refrenin se “ky është qëndrimi ynë”. Nuk dha asnjë argument pse nuk duhej t’u përgjigjej pyetjeve të deputetëve.
Nuk pranoi as t’i dëgjonte ata. Kryeprokurorja e Shqipërisë u shfaq në atë komision si një adoleshente, së cilës ia kishin parapërgatitur skenarin, regjinë dhe nuk mund të dilte nga regjia e regjisorit. Regjisori i kishte përcaktuar fjalët dhe rrokjet që do të shqiptonte, e kishte paralajmëruar se nuk kishte të drejtë të thoshte as më shumë e as më pak, se ato që ishin shkruar në skenar dhe kaq. Nëse dikush do të tentonte ta nxirrte nga partitura e regjisë, atëherë ajo duhej ta lëshonte menjëherë karrigen e të dilte nga salla. Këtë shfaqje për të të ardhur keq e panë të gjithë shqiptarët. Dhe kjo shfaqje e mjeruar për një personalitet të vetëquajtur “i pavarur” i dha skenës së ekranit të vogël gjithashtu mjerimin e institucioneve të shtetit shqiptar. Po përse duhej të sillej në atë mënyrë Ina Rama? Përse nuk duhej të dëgjonte pyetjet e deputetëve në respekt të organit kushtetues legjislativ dhe nëse do të ndeshte në pyetje që kishin karakter hetimor të çështjes atëherë të refuzonte çdo pyetje që ishte e tillë? Në fund të fundit përse nuk priti pyetjet e nën pretekstin e karakterit të çështjes edhe të spekulonte për të mos u përgjigjur?
Të gjitha këto përgjigje mund t’i japë vetë kryeprokurorja. Ndërkaq ne na lejohet të analizojmë shkaqet pse ndodh kështu në një vend demokratik, anëtar të NATO-s. Dhuna e opozitës e 21 janarit, reagimi “me përtesë” dhe pro dhunës i presidentit të Republikës, njëanshmëria e Ina Ramës në hetime, heshtja e SHISH e së fundi refuzimi i kryeprokurores për të dëshmuar në një komision parlamentar, produkt i të cilit është ajo, po interpretohen si shprehje e “faktit” se këto institucione janë “të pavarura”. Por nëse bëjmë një ato janë plotësisht të pavarura vetëm nga mazhoranca, e cila ka kompetencën që t’i emërojë dhe t’i shkarkojë titullarët e këtyre institucioneve. Por duket se ato nuk janë të pavarura nga politika e së majtës shqiptare e kryesuar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Unë nuk mund të fantazoj sesi këto segmente të pushtetit janë korruptuar dhe kompromentuar nga grupimi politik i kreut të opozitës. Por çdokush ka patur mundësinë që në këto dy javë të shkojë në përfundimin e pahamendësuar se kryeprokurorja, shefi i SHISH dhe Presidenti i Republikës janë të njëanshëm në ushtrimin e kompetencave të tyre, madje në favor të dhunës së opozitës e të kreut të kësaj opozite, Edi Ramës. Edhe gjesti i fundit i Ina Ramës dëshmoi faktin se ajo është e vendosur të mbetet rob i skemave dhe regjisurës së Edi Ramës dhe këshilltarëve të tij më të këqinj sa i përket interesave të Shqipërisë.
Shumë analistë çështjen e trajtojnë me njëanshmëri, kur “shqetësohen” se “Berisha përpiqet të shtijë në dorë institucionet e tjera të shtetit”. Më së shumti këtë e kemi dëgjuar nga eksperti spiun dhe “bandit”, Fatos Klosi. Lexuesi do të më falë pse përdora fjalën “bandit”, sepse nuk është në artin tim të të shkruarit një etiketim i tillë. Por ju siguroj të dashur lexues se e kam provuar në kurriz banditizmin e tij për jo më pak se katër vite radhazi, derisa më detyroi të lë Shqipërinë e të arratisem në moshë pa moshë, për të shpëtuar prej kërcënimeve të tij permanente, kur ai drejtonte SHISH-in. Për mua nuk është shqetësim dhe kërcënim për demokracinë kritika e Berishës ndaj këtyre tri institucioneve, veçmas kur ai ka dhënë prova për njëanshmërinë e tyre. Ikja e Ina Ramës prej foltores së Komisionit Hetimor Parlamentar të mërkurën e kaluar më ka shokuar, sepse ishte ikje prej përgjegjësisë së veprimit të saj të njëanshëm në hetimin e ngjarjeve e të dhunës së 21 janarit 2011. Dhe një organ akuze, i cili i ikën përgjegjësisë për të hetuar në themel të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, me përparësi vrasjet, më bën të shqetësohem më shumë se për çdo gjë tjetër. Kur ish-kryeministrit të famshëm të Britanisë së Madhe, Willson Çurçill, i kishin thënë para 70 vitesh se administrata e shtetit ishte e korruptuar, ai kishte pyetur: - Po drejtësia a është e korruptuar? Përgjigja kishte qenë se drejtësia nuk ishte e tillë. Atëherë Çurçilli kishte thënë: - Kjo do të thotë se demokracia funksionon. Duke iu referuar kësaj sentence, mund të shkohet te abstraksioni legjitim se videoja e Edi Ramës për korrupsionin e Ilir Metës nuk mund të përdorej si mjet dhunimi i institucioneve të shtetit, derisa ai kishte dhe ka në dorë mekanizmin e përdorimit të drejtësisë (prokurorisë) për të shkuar te e vërteta. Po pse nuk e bëri këtë gjest kreu i opozitës? Pse nuk e përdori partneren e tij me të njëjtin mbiemër për t’i dhënë rrugë drejtësisë, ndërkohë që në vend të kësaj metode demokratike ushtroi metodën trockiste të dhunës mbi shtetin? Ka dy arsyetime: Ose videoja është një shpifje e radhës, një manipulim i paskrupullt, të cilin vetëm Edi Rama di ta bëjë në mënyrën e tillë... Ose atij i ngutet shumë për ta marrë pushtetin me dhunë, pasi rruga ligjore “i jep kohë mazhorancës”. Prandaj dhe ai e përdor kryeprokuroren në ato pjesë të aktit dramatik e komik, siç përdorin shitësit e butiqeve manekinët për reklamën e kostumeve. Pardje Ina Rama u shfaq thjesht si manekine. As foli, as dha përgjigje, as pranoi të dëgjojë. Recitoi pesë fjalë të shkruara nga dikush dhe kaq. Nëse do të dilte nga foleja e fjalëve të shkruara, ajo do të mund ta harronte skenarin e më pas do t’i duhej të përgjigjej para regjisorit të saj. Frika e saj ishte hija e regjisorit në atë sallë ku ishte vendosur Komisioni Hetimor dhe nuk ishin ata deputetë, të cilët kanë mandat nga shqiptarët për të zbardhur të vërtetat e fshehura nga ata që kryejnë revolucione “në emër të transparencës”. Ina Rama dëshmoi më së paku paaftësi profesionale. Por edhe u përpoq që të luajë rolin e ngarkuar për ta sfiduar parlamentin e Shqipërisë. Me këtë veprim ajo ngazëlloi jo pak manekinë të tjerë mediatikë e politikë në Shqipëri, të cilët janë të implikuar direkt ose indirekt në veprimtarinë kriminale kundër institucioneve të shtetit shqiptar.
Por kryeprokurorja pardje pati edhe aleatë e partnerë të tjerë në atë skenë të shëmtuar të shfaqjes së dhunshme kundër tempullit të demokracisë shqiptare, parlamentit. Edhe kësaj radhe si aleat kryesor i saj u shfaq presidenti i Republikës, i cili gjithashtu u përpoq ta sfidojë sovranin. Edhe pse në deklaratën e këshilltarit të tij juridik u citua një nen kushtetues e ligjor, me anën e të cilit presidenti kufizohet në hapësirë për të raportuar për veprimtarinë e tij, u duk qartë se ajo deklaratë ishte aranxhuar me refuzimin e Ina Ramës për të dëshmuar në komisionin parlamentar. Ky aranxhim na bën me dije se midis kreut të opozitës, kryeprokurores dhe presidentit të Republikës ka një axhendë konspirative. Ndërkohë dikush përpiqet që t’i trembë shqiptarët me deklarimet e kryeministrit, prej të cilave nuk vjen asnjë e keqe, qoftë dhe thjesht për faktin se ato deklarime janë publike dhe nuk mund ta kërcënojnë demokracinë në vendin tonë. Kërcënimi më i madh demokracive të njëmendta u vjen nga konspiracioni i tillë çfarë duket sheshit në mes katër segmenteve të pushtetit në Shqipëri – kreut të Bashkisë së Tiranës, kreut të shtetit, kreut të prokurorisë dhe kreut të SHISH-. Në vend që bota e medies, bota intelektuale, bota politike dhe të tjerët të shqetësohen pse këto katër segmente të pushtetit bashkëpunojnë në dhunën kundër shtetit, ky shqetësim me mjeshtërinë e mashtrimit është transferuar te kritikat e kryeministrit. Ata që e respektojnë kryeministrin e Shqipërisë për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në dobi të vendit, do të donin më shumë se kushdo që ai të ishte i përmbajtur dhe durues dhe kundërshtarët e tij t’i sfidonte në stilin e Ibrahim Rugovës. Megjithatë të jesh vetvetja nuk është mëkat. Por ky qëndrim përmban shumë herë më pak rrezikshmëri për vendin krahasuar me konspiracionin që vijon edhe më tej në segmentet e atij shteti, prej të cilëve sovrani kërkon transparencë në qëndrime e veprime.
Ndryshimi thelbësor midis kryeministrit të vendit e qeverisë së tij nga njëra anë dhe katër segmenteve konspirative të shtetit të sipërpërmendura, nga ana tjetër, qëndron në faktin se të parët janë të hapur me publikun, të dytët janë dhe mbeten konspirativë. Të parët janë konkretë dhe kanë argumente në kritikat që bëjnë, të dytët operojnë me slogane, etiketime, dhunë akuzash e nxitje sistematike të urrejtjes nacionale, duke e maskuar këtë me parimet e demokracisë. Kjo logjikë e bojkotit të institucionit të qeverisë, si dhe të institucionit të parlamentit nga katër institucionet e tjera, përkatësisht, presidenti, kryeprokurorja, shefi i SHISH dhe kreu i Bashkisë së Tiranës është rast unikal në historinë e demokracive në botë. Nëse dikush do ta studionte këtë fenomen, do të sillte në vëmendje faktin se pala bojkotuese është shumë konspirative, vepron në mënyrë konspirative, bën veprime obstruksioniste dhe mbrohet në mënyrë konsipirative e në emër të parimeve të demokracisë. Nëse e vëzhgojmë në thelb përmbajtjen e qëndrimeve të këtyre institucioneve, atëherë nuk e kemi të vështirë të zbulojmë njëherësh aranxhimin e veprimeve dhe qëndrimeve politike sipas një regjisure të parapërgatitur, të mirëmenduar e të mirëmenaxhuar në reklamën mediatike. Për mua kjo përbën shqetësimin kryesor të asaj që ndodh në Shqipëri, pasi veprime të tilla, edhe nëse në një moment të veçantë zbuten, mbeten potenciali kryesor i destabilitetit, rrënimit të paqes dhe mbi të gjitha të ndërprerjes së zhvillimit të vendit. Nëse vërejmë gjithashtu deklarimet e ekstremistëve europianë për anulimin e liberalizimit të vizave dhe ndërprerjen e procesit të integrimit europian, atëherë duket qartë njëkohësisht bashkëpunimi midis katër institucioneve të shtetit shqiptar në kundërvënie me legjislativin e ekzekutivin shqiptar dhe ekstremistëve antishqiptarë që përfaqësohen në Bruksel dhe në Strasburg. Presidenti Topi e ka për detyrë që ta kapërcejë këtë situatë absurde, të cilën vetë e ka bekuar. Më mirë vonë se kurrë.
No comments:
Post a Comment