Saturday, February 5, 2011

Mubarak, familja 60 miliardë dollarëshe


Pas figurës prej një zonje të mirë, e angazhuar sidomos për luftën ndaj analfabetizmit, shumë mendojnë se fshihet një hipokrite, që ndryshe nga sa dukej, “përlante” fondet e organizatave të huaja që vepronin në vend

Sipas lajmeve që qarkullojnë, familja e Presidenti Mubarak, e cila përbëhet nga gruaja Suzanne dhe dy djemtë Gamal dhe Alaa janë larguar nga Egjipti, për t’u vendosur në Londër, sigurisht për të qëndruar larg kaosit dhe trazirave që prej disa ditësh kanë përfshirë vendin. Sigurisht duhet kuptuar nëse bëhet fjalë për një lëvizje taktike apo për një arratisje të vërtetë. Pavarësisht se ka qenë një grua e angazhuar për shumë vite me radhë në fushën sociale, Suzanne Mubarak konsiderohet sot si njeriu që ka qenë më afër personit më të urryer në Egjipt. Vajza e një pediatri, Suzanne është diplomuar në shkenca politike në Universitetin Amerikan të Kajros dhe zotëron një master për sociologji komunikimi. Por ndërsa kultura liberale përhapej dhe në Egjipt, Suzanne ka qenë gjithmonë pro vazhdimit të dinastive familjare. Por egjiptianët i urrejnë dinastitë që nga koha e mbretit Faruk. Gjithsesi pas figurës prej një zonje të mirë, e angazhuar sidomos në luftën ndaj analfabetizmit, shumë mendojnë se fshihet një hipokrite që ndryshe nga sa dukej, vidhte fondet e organizatave të huaja që vepronin në vend. Një shkrim i botuar në gazetën indiane “New Indian Express” bënte një analizë dhe pasqyrë të hollësishme të milionave të familjes Mubarak. Nuk ka qenë vetëm grushti i hekurt me të cilin ka mbajtur Egjiptin për 30 vjet, ai që i ka dhënë Presidentit egjiptian nofkën faraon. Rëndësi të madhe ka edhe pasuria personale e denjë për sovranët antikë të Egjiptit që Mubarak ka arritur të grumbullojë. Sipas së përditshmes indiane, vlera e pasurisë së tij kap shifrën e 31,8 miliardë dollarëve. Por sipas sajteve të tjera amerikane, siriane apo algjeriane, ajo shkon në 40 miliardë dollarë. Kjo është vetëm pasuria e tij personale, që sigurisht ia ka grabitur shtetit egjiptian dhe qytetarëve. Dhe nga kjo kuptohet inati i njerëzve dhe kërkesa e vazhdueshme për largimin e tij.

Pasuria e Presidentit

Përbëhet nga para të thata, investime dhe pasuri të patundshme në vende të ndryshme, sidomos në SHBA. Vetëm dy jahtet e tij kapin shifrën e 60 miliardë eurove. Aksionet dhe paratë e tij mendohet se janë ndarë mes bankave amerikane, gjermane, britanike, zvicerane, skoceze, spanjolle e madje kanë shkuar edhe në Dubai. Shoqëria e tij imobiliare “Alaa Mubarak”, që mban emrin e djalit të madh, zotëron prona në zonat më të mira të Los Anxhelosit, Uashingtonit dhe Nju Jorkut apo edhe në Londër, ku familja e Presidentit u nis menjëherë pas fillimit të revoltave mbarëpopullore në vend. Pasuria e Mubarakut mendohet se është akumuluar prej fitimeve nga tregtia e armëve, asaj të ndërtimeve në Kajro dhe në zonat turistike të vendit si Hunghada dhe Sharm el-Sheikh. Sipas një gazete algjeriane Mubarak merrte rreth 50 për qind të fitimeve të shumë shoqërive të huaja që operonin në Egjipt. Edhe faqe të ndryshme amerikane flasin për lidhjen e tij me shumë korporata të huaja, jo vetëm amerikane, si “Marlboro”, “Hermès”, “Mc Donald”, “Vodafone”, “Hyundai”, “Chili” etj. Djali i dytë, 47-vjetari Gamal, kreu i “National Democratic Party” në qeveri, trashëgimtari i urryer nga populli që Mubarak kishte zgjedhur si pasuesin e denjë, nuk mund të mos ishte pjesë e vjedhjes mafioze që i ati i ka bërë vendit për më shumë se tridhjetë vjet. Pasi studioi në një nga shkollat më të mira të Londrës, ai u kthye në vend me shpresën se fillimisht do të ishte një bankier e më pas një President i mirë. Pasuria e tij personale mendohet se është 17 miliardë dollarë, që mendohet se i ruan mirë në bankat zvicerane, gjermane, amerikane apo angleze. Gamal, ndryshe nga vëllai, ka qenë shumë i interesuar për politikën, ndaj nuk e ka fshehur asnjëherë qëllimin që të ndiqte gjurmët e babait Hosni. Në fund nuk mund të mos përmendim gruan Suzanne. Gjysmë angleze, gjysmë britanike, origjina e saj shpjegon mirë dashurinë e madhe të Presidentit për perëndimorët. Suzanne mendohet se ka hyrë në klubin e miliarderëve rreth vitit 2000, kur një pasuri në emrin e saj u shpërnda në bankat amerikane dhe qytetet europiane: nga Frankfurti në Paris apo Dubai. Pasuria personale e saj kap shifrën e 5 miliardë dollarëve.

No comments: