Nga Orhan ZARSHATI
Greqia dhe liderët e saj politikë, prej gati dy shekujsh që nga shpallja e pavarësisë së Greqisë, nuk kanë hequr dorë nga paragjykimet shoviniste të tipit “megaliidhea”; sidomos nga qëndrimi paranojak ndaj Turqisë, pa përjashtuar aspak dhe qëndrimin fort
negativ ndaj Shqipërisë, me pretendimet e aneksimit të territoreve të Jugut të Shqipërisë, që ata e quajnë “Vorio-Epir” dhe me angazhimin e ethshëm helenizues, po në Jugun e Shqipërisë.
Këto ditë, megjithëse Greqia po kalon krizën e rëndë ekonomike, që filloi vitin e kaluar, ajo mundohet të intensifikojë marrëdhëniet ekonomike me Turqinë fqinje dhe pranon deklarimin për “marrëdhënie të shkëlqyera” me Shqipërinë të bërë nga politikanët e përgjunjur shqiptarë; përsëri nga politikanë e veprimtarë nacionalistë grekë; si lobisti greko-amerikan, tellalli panhelenist Nikolas Gejxh (Nikos Gaxhojanis), i cili foli dhe bëri thirrje për një “Vorio-Epir” të fortë! Madje ky “palikaris” i mllefit antishqiptar grek, duke folur për çështjen çame, përsëriti trillimin bajat grek për bashkëpunimin e çamëve me fashizmin dhe e krahasoi dëbimin e tyre nga trojet amtare, me dëbimin e 14 milionë njerëzve nga vendet e lindjes, mbas Luftës së Dytë Botërore, mbasi edhe ata sipas tij kishin bashkëpunuar me pushtuesit nazifashistë. Në fakt këta 14 milionë të dëbuar nga Europa Lindore, janë përgjithësisht gjermanë autoktonë të Prusisë Lindore, Silezisë, Sudetëve dhe popullsi gjermane të ish Bashkimit Sovjetik, Polonisë, Rumanisë, Hungarisë etj; si dhe po këtu përfshihen gjermanët e Vollgës, tatarët e Krimesë, kallmikët etj,. popullsi të BS, që Stalini i deportoi në Azinë Qendrore dhe në Siberi. Por ky krahasim i fëlliqur i Gejxhit, nuk vlen aspak për çamët, të cilët u shpërngulën nga trojet e tyre shekullore në Greqi të shoqëruar me genocid, thjesht për pastrim etnik, urrejtje fetare dhe “homogjenizim” etnik e demografik, të një vendi shumëetnik, si Greqia.
Gjithashtu duhet kujtuar fakti se eurodeputetët grekë, kanë bërë deklarime dhe pretendime antishqiptare në forumet e BE-së e gjetkë, gjithmonë me frymëzim nacionalist dhe fetar helenik; siç bëri dhe ka bërë greko-amerikani i llastuar, panhelenisti i fandaksur Nikolas Gejxh.
Greqia pretencioze, nga njëra anë përpiqet për të shtuar dhe intensifikuar marrëdhëniet ekonomike dhe të biznesit greko-turk me Turqinë fqinje,kurse nga ana tjetër mban qëndrime acaruese ndaj marrëdhënieve politike me Turqinë;pavarësisht prirjes për të shtuar marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve. Kështu në Komotini, të Trakisë Lindore të Greqisë, u mbajt Forumi i dytë i biznesit rajonal greko-turk; i organizuar bashkarisht nga Bordi për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë i Turqisë (DEIK) dhe Unioni i Federatës së Dhomave e Ndërmarrjeve greke. Ministri turk i Industrisë dhe Punës, Nihat Ergun; Kryetari i Unionit të Dhomave dhe të Shkëmbimit të Mallrave të Turqisë (TOBB) Rifat Hisarxhikliogllu; Kryetari i DEIK-ut Selim Egeli; zëdhënësi i Qeverisë Greke, Jorgos Petalotis; si dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë greko-turke, morën pjese në këtë forum.
Pothuajse 400 biznesmenë turq e grekë ishin të pranishëm në forumin e para dhjetë ditëve, që zgjati dy ditë. Forumi i parë rajonal i biznesit greko-turk u mbajt më 9 dhjetor 2010 në Selanik. Nga ana tjetër, më 19 janar 2011, Presidenti i mplakur grek, 81 vjeçari Karolos Papulias, gjatë takimit me kundërpartinë e tij armen, Serzh Sarkisjan, i tha këtij të fundit, se në të kaluarën Greqia dhe Armenia “u masakruan” nga Turqia dhe se Greqia u detyrua të hynte në një garë tepër të kushtueshme armatimesh me Ankaranë; çka e shtyu Greqinë të hynte në borxhe të mëdha.
“Ne na therën të njëjtët barbarë”, i tha Karolos Papulias, Presidentit armen gjatë vizitës treditore, që ai bëri në Greqi.
Papulias tha se “shumë gjëra kanë ndryshuar”, që nga fillimi i shekullit të 20-të, kur ndodhi vrasja e armenëve, si dhe e grekëve të Detit të Zi dhe kritikoi garën e gjatë të armatimit, që ka zgjatur për dekada; e cila i ka kushtuar Athinës miliarda euro.
“Nëqoftëse nuk do të ishim nën barrën e rëndë ekonomike të balancimit të armatimeve, ne nuk do t’ia kishim nevojën Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), u shpreh 81 vjeçari i amnezuar Karolos Papulias. Ai shtoi, se ne kemi derdhur shumë para në NATO për armatime; çka është e padrejtë për një popull paqedashës.
Athina pësoi një faliment (bankrupt) vitin e kaluar dhe qortua nga Bashkimi Europian dhe FMN; të cilët u shqetësuan dhe mbajtën qëndrim lidhur me deficitet masive të buxhetit grek. Greqia u detyrua të planifikojë marrjen e 300 miliardë eurove borxhe të reja për të përballuar krizën,që e pllakosi. Greqia pretendon se mijëra grekë etnikë, që banonin e jetonin në brigjet jugore të Detit të Zi, për shekuj me rradhë u masakruan nga Turqia, gjatë konflikteve që shoqëruan rënien e Perandorisë Osmane dhe krijimin e Shtetit modern Turk. Por, Greqia harron, ose nuk ia ka ëndja të kujtojë masakrat greke në territoret turke të Azisë së Vogël dhe në territoret, që ajo pushtoi, mbas luftrave ballkanike, si në Çamëri, Janinë, në të ashtuquajturën Maqedoni greke dhe në Trakinë Lindore.
Po ky Presidenti Papulias, që shtirej si mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, njihet si antishqiptar i thekur me deklarimet e tij, kur vajti gjoja për të “kremtuar çlirimin e Janinës nga turqit në 1913-tën”, por në fakt pushtimin grek të qytetit shqiptar të Janinës, krahas pushtimit të Voshtinës, Konicës, Grebenesë, Kosturit e zonave të banuara me shqiptarë rreth Follorinës, etj. Por edhe Armenia pretendon se 1.5 milionë armenë ishin viktima të genocidit turk gjatë Luftës së Parë Botërore (LPB); kurse Ankaraja nuk e pranon versionin e të ashtuquajturit “genocid” antiarmen turk dhe deklaron se vetëm 300.000 deri 500.000 armenë dhe po aq turq e muslimanë vdiqën gjatë luftës civile të shkaktuar nga nacionalistët armenë, kur këta ngritën krye kundër osmanëve dhe goditën mbas shpine Ushtrinë Osmane, duke u rreshtuar krahas dhe në ndihmë të forcave pushtuese të Ushtrisë Cariste Ruse në fillim të LPB, në lindje të Azisë së Vogël (Anadollit Lindor).
No comments:
Post a Comment