Sunday, July 20, 2008

Havzi Nela, liria e varur në litar

Paradoksi i demokracisë. Gjyqtari i diktaturës sot në Gjykatën Kushtetuese
20 vjet më parë, Fehmi Abdiu urdhëroi varjen në litar të poetit Havzi Nela
Fehmi Abdiu, gjyqtari që me firmën e tij çoi në litar poetin Havzi Nela, sot e kësaj dite është në Gjykatën Kushtetuese. Siç duket edhe nga faksimilja që po botojmë, vendimi për varjen në litar të poetit Havzi Nela, është dhënë nga kryetari i trupit gjykues Fehmi Abdiu më 24 qershor 1988, ndërsa ekzekutimi i tij u krye me varje në litar më 10 gusht të atij viti. Ky xhelat, që ka marrë jetë njerëzish të pafajshëm në kohën e diktaturës dhe për këtë është mburrur se varjen e poetit e ka kryer me krenari, vazhdon të japë leksione për drejtësinë në institucionin më të lartë të drejtësisë. Sa herë përmendet emri i Fehmi Abdiut të gjithë shqiptarëve dhe sidomos ish-të përndjekurve politikë, u shkon mendja tek Havzi Nela, poeti desident antikomunist, martiri i demokracisë.
Fehmi Abdiu, gjykatësi që çoi në litar poetin Havzi Nela, jo vetëm që nuk është penduar për këtë krim makabër, por më 24 Gusht 1997 deklaroi publikisht se, "poetin e kishte dënuar me ndërgjegje të plotë". Ekzekutimi i poetit, në gusht të vitit 1988, është rasti më kriminal në të gjithë vendet komuniste. Vendimi i Fehmi Abdiut për të varur në litar një poet, është vendimi i fundit kundër një disidenti të marrë në të gjithë Evropën Lindore. Havzi Nela u var në litar në pragun e lirisë, kur diktatura me Ramiz Alinë, po kërkonin gjak për të mbajtur përsëri në këmbë regjimin e kalbur komunist. Dhe varja ndodhte jo më larg se në vitin 1988, atje në qendër të "qytetit verior" të Kukësit, vetëm dy vjet para se të binte regjimi i egër komunist. Në një kohë kur po frynte era e ndryshimit, Fehmi Abdiu urdhëronte varjen në litar të një poeti që nuk kishte bërë asnjë krim. Ishte një akturdhër për varje, për të trembur të vërtetën që kishte marrë udhën e daljes në dritë pas gjithë asaj errësire të tmerrshme që kishte gllabëruar vendin për pesëdhjetë vite me radhë. Atje, në qendër të qytetit verior të Kukësit, po varej poeti, simboli i fjalës së lirë dhe i dashurisë së pashuar, luftëtar për një liri të ëndërruar.
Hapja e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit dhe pastrimi i drejtësisë nga xhelatët e diktaturës do të qetësojë sa do pak shpirtrat e vrarë nga diktatura komuniste dhe gjithë shoqërinë shqiptare, që ka vujtur nga pasojat e regjimit më të egër në botë. Shoqëria shqiptare e sheh si një domosdoshmëri hapjen e të gjitha dosjeve të njerëzve që bëjnë drejtësi, të atyre që merren me politikë dhe që janë në institucionet kryesore të shtetit. Rasti më flagrant është ai i Fehmi Abdiut, por ka edhe të tjerë njerëz të tillë, që ndodhen në instancat më të larta të politikës dhe drejtësisë, të cilët duhet të largohen një herë e përgjithmonë nga politika dhe radhët e drejtësisë. Vetëm kështu drejtësia do të veprojë si e tillë, duke rritur besimin e qytetarëve.
Poeti Havzi Nela (1934-1988), ishte njëri nga ata njerëz që s'u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij 50-vjeçar. Këtë të keqe ai e kishte vërejtur që herët. I lindur në Kollovoz të Kukësit, në këtë fshat të varfër të Shqipërisë së "Veriut", atje afër "qytetit verior" të Kukësit, Havzi Nela, poeti i ardhshëm, që herët u ballafaqua me vuajtjet dhe padrejtësitë, të cilat u mundua t'i sfidonte në forma të ndryshme. Qysh në shkollë të mesme u shfaqën kundërshtitë e tij të para ndaj padrejtësive të sistemit të kohës, nisi të formësohet dhe të marrë frymë ndjenja e rebelizmit ndaj padrejtësive të sistemit që po i ngrinte në sistem.
Pasi kishte kryer shkollën pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të "papëlqyera" për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Këtu nis edhe kalvari i vuajtjeve, torturave, internimeve dhe burgimeve, derisa firma e gjyqtarit Fehmi Abdiu e çoi në litar.
Rexhep POLISI


Havzi Nela, liria e varur në litar
Nga Rexhep SHAHU
Më 24 qershor 1988, në një sallë gjyqi në Kukës, u zbatua urdhëri dhe vendimi i partisë-shtet të asaj kohe. U lexua ajo që kishte urdhëruar Komiteti Qëndror i Partisë së Punës të Shqipërisë, që kishte urdhëruar Sekretariati i këtij komiteti.
Për tradhëti e terror, poeti Havzi Nela dënohet me vdekje, në bazë të Kodit Penal të kohës (lexo në bazë të urdhërit të ardhur nga Sekretariati i KQPPSH). Havzi Nela në gjyq tha: "Ju vetëm sa përshpejtuat vdekjen time. Kërkoj drejtësi e jo mëshirë nga ju".
Pas gjyqit njëorësh (sa për të lexuar urdhërat e partisë-shtet), atë e fusin në makinën e burgut. Njerëzit kujtojnë se, ai zgjati kokën për të parë për herë të fundit diellin dhe njerëzit e shumtë që ishin në atë vend. Por, një polic ia goditi kokën dhe ia futi në xhipin e burgut...
10 gusht 1988. Liria u var në litar, bashkë me të edhe fjala e poetit antikomunist.
Në sheshin para agjensisë së udhëtarëve në Kukës, lëkundej trupi i pajetë në agun e mëngjesit. Qindra sy e panë. Në trekëmbëshin e ndërtuar për varjen e tij, njerëzit lexuan tabelën e kartonit me mbishkrimin "Havzi Nela, armiku i Partisë dhe i Popullit". Fjalët "Partisë" dhe "Popullit" ishin shkruar me bojë të kuqe. U tronditën. Skenë të tillë s'kish parë kurrë askush në Kukës. 54-vjeçari Havzi Nela, i varur, i shihte të gjithë me sy të dalë. Një palë pantallona doku të hollë kinez, një këmishë të hollë, të zbërthyer krejt, kërthiza e barku përjashtë, opingat e llastikut veshur. Kjo ishte pamja që fiksuan të tronditur qindra njerëz që e panë, për të mos e harruar kurrë disidentin e poetin, të varurin e fundit nga diktaturat në gjithë Evropën Juglindore.
Partia urdhëroi shumëkënd të shkonte ta shihte të varurin. Që të zinte mend populli dhe të mos guxonte të shante diktaturën e sistemin komunist.
Një grua shtatzanë, sapo e pa kufomën që lëkundej në litar, dështoi foshnjën që mbante në bark. Edhe kjo një vrasje tjetër e diktaturës komuniste…
Vetëm familjarët e tij nga fshati i tij i lindjes Kollovoz, nuk u lanë të vinin për ta parë trupin e varur të Havziut.
Havziu qëndroi gjatë në litar. Në orën 0.2 të natës së 10 gushtit ia vunë litarin në qafë dhe qëndroi ashtu i varur në shesh, që të tronditej e frikësohej populli deri në orën 13.00 të mesditës.
Në këtë orë, trupin e pajetë të disidentit dhe poetit e përplasin në karrocerinë e një makine tip "Zis", ashtu të zbuluar, dhe e shëtisin nëpër qytet që ta shihnin sa më shumë njerëz. E dërgojnë për ta varrosur disa kilometra larg qytetit, afër liqenit të Kukësit.
Kështu ia morën jetën Havziut që mendonte ndryshe e që fliste ndryshe. Ai shkrunte vjersha, këndonte mrekullisht këngë e rapsodi, ishte lirik i lindur, por nuk ishte dhe nuk synoi kurrë të shpallej mbret i poetëve, siç e shpallin ata, që e kafshojnë duke e lëpirë dhe puthur…
Vjershat e tij, që i thurrte në burg dhe ia dërgonte shpesh gruas së tij Lavdijes, ishin vjersha kushtuar dashurisë dhe lirisë që ia vranë.
* * *
Havzi Nela u lind më 24 shkurt 1934 në Kollovoz të Kukësit. Shkollën e mesme për mësues e kreu në Shkodër. Filloi shkollën e lartë pa shkëputje nga puna. Por shkollimi, si jeta, iu ndërpre në mes.
Më 26 prill 1967 ai bashkë me gruan e tij Lavdije Nelën, arratisen për në Jugosllavi, për një jetë pa përndjekje e persekutime.
Më 6 maj 1967 Jugosllavia e kthen në doganën e Morinit, në këmbim të kosovarëve që Shqipëria duhet t'ia dorëzonte UDB-së.
Për këtë arratisje, që iu konsiderua tradhëti ndaj atdheut, edhe pse ia kishin sjellë rrethanat që të arratisej, ai dënohet 15 vjet burg, me 22 maj 1967. Iu konfiskua edhe pasuria. Bashkë me të u dënua me 10 vjet burg edhe gruaja e tij, Lavdije Nela. Por, më 8 gusht të vitit 1975, ai ridënohet edhe me 8 vjet burg, sepse sërish po arratisej, i përzënë nga atdheu që nuk e donte birin e tij, mësuesin e fëmijëve, këngëtorin e vjershëtorin Havzi. Dënohet me 8 vjet, pasi plagosi një polic në kufi.
Më 19 dhjetor 1986, lirohet nga burgu. Një vit më vonë, më 12 tetor 1987, internohet në fshatin Arrën.
Më 24 qershor 1988, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, firmos vendimin me vdekje për Havzi Nelën. Më 10 gusht 1998 ekzekutohet vendimi: Disidenti e poeti varen në litar. Në një shesh të shumëpopulluar të Kukësit, ku do ta shihnin qindra e qindra njerëz, varet natën dhe mëngjesi e gjen duke u lëkundur në litar.
* * *
Konflikti i Havzi Nelës me shtetin komunist nis në kohën kur në Shqipëri po kolektivizohej gjithshka. Të mos kishte më "është e imja", por të kishte veç "është e jona". Në një mbledhje në Shishtavec, në prill 1967, ai shprehet se "nuk duhet zhdukur prona private". (Kjo binte ndesh me urdhërat e Partisë, kundërshtarët shpallen armiq…Kolektivizimi synonte të degjeneronte familjen, synonte që gratë dhe burrat, djemtë dhe vajzat të ishin të Partisë, të komunistëve, synonte që pushtet mbi gruan apo vajzën të kishte jo më burri apo vëllai, por komunisti, brigadieri, sekretari i Partisë…). Havziu shprehet se, "nuk duhen prishur kishat dhe xhamitë". (Kishte nisur në Shqipëri shkatërrimi i objekteve të kultit, shndërrimi i tyre në magazina e furra buke, dënimi e përndjekja e priftërinjve dhe hoxhallarëve, pasi diktatori Hoxha synonte të shndërronte në fe komunizmin dhe në Zot veten e tij… S'lejohej më të bëhej be për Zotin apo "pasha Zotin", por duhej të bëjë be e të betoheshe "për ideal të Partisë". Ndryshe ishte herezi, armiqësi…). Havzi Nela gjithashtu shprehet se, "nuk duhen mohuar traditat, nuk duhet ndërruar veshja tradicionle e grave". (Synimi i diktaturës ishte krijimi i njeriut të ri të tipit Lejfen, me veshje të njëjta, me sjellje të njëjta, me tru të shpërlarë… që të zhdukej identiteti i individit, tradita që dallon shqiptarin…).
Kjo ka qenë gjithë herezia dhe disidenca e Havzi Nelës, derisa ndaj tij të fillonte kalvari i burgjeve dhe internimeve. Burgje që ia poqën plotësisht disidencën, ia bënë të qartë dhe të vetëdijshme luftën dhe qëndresën për idetë e tij...
Duke parë reagimet e Partisë, pëshpëshet e shumta, përgjimet e përndjekjet që i bëheshin, Havzi Nela, bashkë me gruan e tij, Lavdien, më 26 prill 1967, ua lexon dhe reciton nxënësve të tij poezinë "Dallëndyshet" të Filip Shirokës, në orën e mësimit dhe niset për në Jugosllavi.
Në kufi shkruan këto fjalë në një letër "Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, po, zemërplasun…". Dhe letrën e vendos në një degë lajthie që ta gjenin kollaj ushtarët e kufirit. Ushtarë që ruanin kufirin që të mos ikte kush në Jugosllavi e të mos vinte kush nga Jugosllavia.
Pak ditë i mbajnë në Prizren në burg dhe i kthejnë në Morin, pasi po këmbeheshin me disa kosovarë.
Lavdije Nela tregon se, në Prizren na thonin "jeni agjentë të Shqipërisë".
Në vitet e fundit të burgut, kur po ndiheshin erërat e ndryshimit të sistemit dhe të burgosurit politikë e ndjenin si sizmografë ndryshimin e motit, Havzi Nela i thotë bashkëvuajtësit Ismail Didës: "Ma ka nie zemra se kena me dalë prej këtij ferri. Por kena me mbyll shumë gjana dhe kena me veprue si u ka hije njerëzve me mend. Përndryshe, nuk e merr vetin kurrë Shqipëria. Gjaku me gjak nuk lahet, se bahet një pellg tjetër gjaku, që s'e lan e s'mundet me e la kurrë të parin"...
Asnjëherë Havzi Nela nuk bëri kompromis me diktaturën e kasnecët e saj.
Ismail Dida, bashkëvuajtës që nga dita e kthimit nga Prizreni në të njëjtin autoburg, si dhe Mahmut Peposhi, rrefenin se Havzi Nela ishte në hall edhe në burg, edhe jashtë burgut. Kur ishte në burg, nga fjalët e guximshme që thoshte, nga akuzat e drejtpërdrejta kundër regjimit, shumë të burgosur dyshonin tek Havziu. Edhe ndokush thoshte për të se, mos është i sigurimit ky që nuk ka hiç frikë. Mos e ka futë sigurimi që të provokojë të burgosurit e tjerë.
Kur ishte jashtë burgut, të gjithë e shihnin si armik të popullit e të Partisë dhe nuk e kishte vendin askund.
Havzi Nela nuk pati të drejtë për një varr. Nuk pati të drejtë të varrosej si gjithë njerëzit e vdekshëm në varr i shtrirë. Atë, policët, varrëmihësit e diktaturës, nuk e shtrinë në varr horizontalisht. Nuk çelën varr për të. Por, e ngulën në gropën e një shtylle vertikalisht. Në gropën e një shtylle që nuk dihej se pse e kishin shkulur. Pasi e shëtitën gjithë ditën e lume nëpër qytet për me tremb njerëzit, në mesnatë, rreth 24 orë pasi ia vunë litarin në qafë dhe pasi e shëtitën, e ngulin në gropën e një shtylle vërtikalisht…
5 vite qëndroi në këmbë në varr. Nuk e lejuan të shtrihej e prehej si gjithë të vdekurit...
Pasi iu gjet varri, afër fshatit Kolsh, 3 kilometër larg Kukësit, më 20 gusht 1993, Havzi Nelës iu dha titulli i lartë "Martir i Demokracisë", nga Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha. Prej asaj kohe, ai prehet në fshatin e tij të lindjes Kollovoz. Por, prehet edhe në kujtimet dhe shpirtin e të dashurës së tij të zemrës, të gruas që e ndoqi kudo e kurdo, të gruas që diktatura synoi ta deformonte nëpër burgje e kampe përqendrimi, prehet në shpirtin e kujtimet e Lavdie Nelës, e cila nuk reshti së treguari e së foluri asnjë çast për burrin e saj, Havzi Nela, për burrin i cili i shkroi dhjetra e dhjetra letra dashurie nga qelitë e burgjeve të diktaturës, për burrin që i dha jetë ëndrrave të saj, për burrin që ia varën, që ia morën nga gjiri dhe nuk i lejuan të lindnin as edhe fëmijë...
Vetëm letra nga burgu, që ia ka dërguar gruas së tij Lavdijes, Havzi Nela ka shkruar 100 copë. Pa llogaritur vjershat e shumta. Të gjitha janë, thotë Lavdija, por i ka marrë dikush për t'i përdorur për publikim.
Letrat dhe vjershat e Havziut i kanë ruajtur me shumë zor nëna e tij, gruaja Lavdija, vëllai, Shukriu, edhe pse sigurimi i shtetit i ka kërkuar e gjurmuar shumë ato letra.
Vëllezërit e Havziut, duke zbatuar amanetin e besën, ia ruajtën gjithë letrat e vjershat në bahçen e shtëpisë në Kollovoz, poshtë një peme dhe shumë të mbështjella e të siguruara për mos me u prishë. Kur ra diktatura ata i nxorën në dritë. I pari që është marrë me sistemimin e dokumenteve të Havzi Nelës është Nazif Dokle, studiues.
Havzi Nela është vlerësuar shumë edhe nga autoritetet letrare të vendit. Poeti Xhevahir Spahiu është shprehur "jam gati të dal në mes të natës e të bërtas: Nuk vriten poetët o të marrë…". Halit Shamata thotë se, Havzi Nela është i pari që i kushtoi poezi Helsinkut që në vitet shtatëdhjetë. Teodor Laço e cilëson si "vrasje të përjetshme të ndërgjegjes që vrau Havzi Nelën". Visar Zhiti shton: "Spanja shpreh pendim për vrasjen e Lorkës, kurse tek ne vrasësit janë krenarë".
Më 20 gusht 1993, Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, i jep titullin e lartë "Martir i Demokracisë". Këtë titull e dërgoi në familje, në Kollovoz të Kukësit, shoku i qelive të burgut, shoku i idealeve, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë në atë kohë, Pjetër Arbnori. Ishte akti i parë i vlerësimit të figurës së Havzi Nelës në epokën e lirisë.

No comments: