Thursday, July 4, 2024

Bardhi: Rama të japër llogari për çfarë e ka paguar Coldean, për t’i zgjedhur kokainën?

 


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe më pas me votim socialistët, kanë rrëzuar interpelancën e kërkuar nga demokratët me kryeministrin Edi Rama, për punësimin si këshilltar të jashtëm të ish-agjentit rumun, Florian Coldea, i cili është nën hetim nga drejtësia në vendin e tij.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi iu drejtua kryeparlamentares Lindita Nikolla se nuk mund të justifikohet se ka qenë çështje private. Sipas tij, Rama ka frikë të japë llogari për lidhje me krimin e organizuar dhe aferat ku vetëpërfshihet.

Bardhi tha ndër të tjera se kryeministri Edi Rama duhet të japër llogari në Kuvend se për çfarë e ka këshilluar Florian Coldea, duke e paguar me 7 mijë euro në muaj nga lekët e taksapaguesve shqiptarë. Sipas tij, ka dyshime dhe për një linjë trafiku droge, Meksikë- Shqipëri – Rumani.

“Nuk di kush ka vendosur të tallet me ty dhe të jep këto koncepte që në shkruan në shkresa zyrtare por interpelanca është mjet llogaridhënie. Kryeministri i detyruar t’i përgjigjet kërkesave për interpelancë. Keni kthyer në rregull përjashtimin nga interpelancat sepse kemi një kryeministër frikacak që ka frikë të japë llogari për lidhje me krimin e organizuar dhe aferat ku vetëpërfshihet nga dita e parë kur është emëruar kryeministër. Kemi kërkuar interpelancë sepse ka dokumente zyrtare dhe prova që Rama ka emëruar si këshilltar të jashtëm një ish-agjent sekret rumun, Florian Coldea. Më ka shkruar se është për veprimtari private.  Ju lutem na e thuaj përse e ka këshilluar Coldea Ramën? Ka marrë 7 mijë euro cdo muaj nga taksat e qytetarëve shqiptarë e ti thua është cështje private. Na thuaj pse i ka marrë lekët që përvec ish agjent i shërbimeve sekrete dyshohet të jetë përfshirë në një linjë të trafikut ndërkombëtar droge Meksikë- Shqipëri – Rumani. Nuk e thirrëm ta pyesim nëse ka qenë në festa me kokainë apo mjete të tjera të kënaqësisë që vetëm ai i njeh, siç raportojnë mediat rumune. E ka marrë për t’i bërë masazh? E ka marrë për t’i zgjedh cilësinë e kokainë? Na thuaj moj zonjë për çfarë kanë paguar 7 mijë euro në muaj shqiptarët, për çfarë e ka këshilluar ai kryeministrin?”, u shpreh Bardhi.

Në përgjigje të akuzave të kryetarit të grupit të opozitës për ish-zyrtarin rumun, Florian Coldea kreu i grupit parlamantar socialist, Bledi Çuçi sqaroi:

“Personi për të cilin kryetari i grupit kërkoi interpelancë është një ish-zyrtar i lartë i shërbimeve inteligjente, me gradën gjeneral që ka udhëhequr procese që lidhen me luftën kundër korrupsionit. Kryeministri shqiptar e ka marrë në këtë pozicion kur nuk ishte më në atë detyrë. Në momentin që kryeministri e ka marrë vesh këtë gjë, e ka larguar. Nëse akuzohet në vendin e tij, kjo është çështje e tij”, tha ai.

No comments: