Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon intervistën me z. Preng Vorfi, ish-instruktor i Propagandës së Komitetit të Partisë të Rajonit nr. 3 në Tiranë, i cili rrëfen ngjarjet e ndodhura në korrikun e vitit 1990, me ambasadat e huaja në Tiranë dhe mbledhjet e zhvilluara nga partia shtet e asaj kohe. Si zhvilloheshin mbledhjet e Shtabit që u krijua
për ato ngjarje dhe çfarë thuhej aty nga kryeministri Adil Çarçani, Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Xhelil Gjoni, sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës, Pirro Lako, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Dilaver Bengasi, Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Zef Loka, Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino, Kryehetuesi i Republikës, Qemal Lame, etj., kuadro të lartë të atij regjimi. Detyrat që Shtabi i krijuar për ngjarjet e korrikut të vitit 1990, i’u dha funksionarëve dhe vartësve të tyre partiakë e shtetërorë për të parandaluar futjen masive nëpër ambasada, duke bërë shërbim në ambiente të mbyllura pranë selive të përfaqësive diplomatike të akredituara asokohe në Tiranë dhe debatet me disa prej diplomatëve të huaj, që u bënin thirrje qytetarëve që të futeshin nëpër selitë e tyre.Z. Vorfi, çfarë i’u kujton korriku i vitit 1990
Korriku i vitit 1990 më kujton ditët kur Tirana u ballafaqua për herë të parë, me një dukuri të pa zakontë në të gjithë historinë gati 45-vjeçare të regjimit komunist. Ato ditë, me qindra të rinj e të reja, shumica nga klasa punëtore, por edhe mjaft intelektual, thyen heshtjen e gjatë kundër regjimit komunist dhe ju drejtuan ambasadave, duke i parë ato si të vetmen rrugë për të shkuar drejt perëndimit, për një jetë më të mirë. Kjo, pra ngjarja e 2 korrikut 1990, ishte epilogu i asaj, që kishte gati një dekadë që po ziente në vendin tonë. Shqipëria prej dekadash ishte vetë izoluar dhe direktiva e partisë-shtet se: “ndërtojmë socializmin me forcat tona”, kishte dështuar dhe ishte bërë një parullë bajate, që nuk kishte asnjë vlerë. Të gjitha vendet e Europës Lindore kishin ndryshuar kurs, ndërsa qeveria shqiptare e asaj kohe, me arrogance, mbronte idenë se: “ndërtonte socializmin e vetme në botë”. Ndërkohë që në ato vite, as nuk punohej dhe as nuk prodhohej, Ramiz Alia, mbante fjalime patetike, duke i thurur lavde Enver Hoxhës. E bëra këtë parantezë, për të thënë se: ato trauma të rënda që po ndeshej ai regjim në atë kohë, pra ngjarja e 2 korrikut e 1990-ës, ishin rezultat i një politike të gabuar të vetë atij regjimi, i cili e çoi në një dështim të plotë ekonominë e vendit. Pasi që nga viti 1980 e në vazhdim, pothuaj nuk punohej fare dhe prodhimi industrial, bujqësor e blegtoral, ishte asfiksuar deri në paralizë të plotë. Si rezultat, populli jetonte në një varfëri të plotë dhe për të shpëtuar nga ajo situate, qeveria kishte vendosur tollonat e racionimit të disa artikujve ushqimor. Por me gjithë ato masa, gjendja përkeqësohej dita ditës, deri sa popullit i’u sos durimi dhe shpërtheu me ngjarjet e ambasadave.
Në periudhën kur ka ndodhur ngjarja e hapjes së ambasadave në korrikun e vitit 1990, ku keni punuar?
Në atë kohë unë punoja në aparatin e Komitetit të Partisë së Rajonit Nr.3 të Tiranës, me detyrën e instruktorit të Propagandës, detyrë të cilën më pas e ushtrova edhe në Komitetin e Partisë së Rrethit të Tiranës, kur u bashkuan të gjithë rajonet bashkë dhe shërbeva aty deri në fundin e vitit 1991.
Mund të na thoni se: para 2 korrikut, ka pasur dijeni apo sinjale të ndryshme në organet partiake të asaj kohe, lidhur me ngjarjen që ndodhën më pas me ambasadat?
Siç u shpreha dhe pak më lart, ngjarjet e 2 korrikut ishin rezultat i disa ngjarjeve të tjera, që kishin ndodhur më parë. Në Shqipëri, në vitin 1990, kishin filluar të shfaqeshin disa dukuri të panjohura më parë. Të rinj dhe të reja, nuk shkonin më për t’u arratisur nga kufiri shtetëror tokësor me Jugosllavinë, apo Greqinë dhe ai detar me Italinë, por synonin ambasadat e huaja në Tiranë. Kjo gjë, kishte filluar që në 1985 me familjen Popa, e cila pasi qëndroi 5 vite e ngujuar në ambasadën Italiane, duke kërkuar azil politik, në maj të vitit 1990, e fitoi atë të drejtë dhe u lejua të largohej për në Itali. Ndërkohë, me 26 mars 1990, policia e Kavajës kishte ndaluar disa të rinj, gjë e cila u bë shkak që turma njerëzish të protestonin para godinës së policisë, duke hedhur parullat: “Liri- Demokraci”, “Lironi shokët tanë”, “Poshtë dinastia”, etj. Më 3 prill 1990, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, kishin vënë eksploziv te busti i Stalinit. Me 16 prill të po atij viti, në qytetin e Shkodrës u vendos eksploziv te busti i Enver Hoxhës. Të gjitha këto veprime, e të tjera që po ndodhnin në atë kohë në Shqipëri, kishin karakter politik dhe ato tregonin se regjimi i Enver Hoxhës, tashmë nën drejtimin e Ramiz Alisë, i kishte ditët e numëruara.
Cilat ishin informacionet që vinin nga aparatet e Komiteteve të partisë të rajoneve të Tiranës, në të cilin punonit ju në atë kohë?
Më 30 qershor 1990, një djalë i ri gjeti momentin kur ishte e hapur dera e oborrit të selisë së rezidencës të ambasadorit francez në Tiranë dhe hyri brenda. Polici i shërbimit u fut në oborr dhe në prezencën e ambasadorit francez, që e tërhiqte prej krahësh atë djalosh për ta mbrojtur, përdori forcën ndaj tij, duke arritur ta nxjerrë jashtë. Ambasadori francez bëri menjëherë notë proteste në Ministrinë e Jashtme. Po kështu disa të rinj kishin hyrë edhe në disa ambasada të tjera, në ambasadën kineze 6 persona, në ambasadën turke disa të tjerë, të cilët ajo përfaqësi diplomatike, i morri dhe i sistemoi te hotel “Arbëria”. Ndërsa ndodhnin këto ngjarje, me qindra të tjerë nga Tirana, por edhe të ardhur edhe nga rrethe të ndryshme të vendit, e kalonin natën nëpër lulishtet e Tiranës, duke parë situatën dhe duke marrë ndonjë lajm, se çfarë po bëhej me ata të cilët u sistemuan nga ambasada turke në hotel “Arbëria”. Në këto kushte, Tirana ziente dhe shumë të rinj e të reja, lëviznin nëpër rrugët dhe rrugicat, që të çoni drejtë selive të ambasadave të huaja. Në këtë kohë, nën zë qarkullonte parulla: “Do hapen ambasadat”. Në këto kushte, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë e Tiranës, kishin marrë gjithë masat e duhura për ruajtjen dhe sigurinë e ambasadave. Po kështu, dhe Partia në Tiranë me komitetet e partive të rajoneve, në një mbledhje, që u bë në datën 1 korrik, vendosi shërbim 24 orësh, duke dërguar shumë aktivistë e kuadro në ambientet afër ambasadave. Komiteti të Partisë së rajonit tonë (nr.3) i takoi të mbulonte me shërbim 24 orësh, bllokun e ambasadave në rrugën “Skënderbej”, ku ishin selitë e përfaqësive diplomatike të Gjermanisë, Francës, Greqisë, Çekisë, Bullgarisë, Arabisë, Kinës e tjerë. Rrugën e Durrësit, ku ishin ambasadat jugosllave, polake dhe kubane, si dhe Rrugën e Kavajës ku ishte ambasada turke.
Nga i merrnit ju udhëzimet për këto ngjarje që po ndodhnin?
Të gjitha ngjarjet e ndodhura në Tiranë, si dhe ato të rretheve, si: Shkodër, Kavajë etj., ne i merrnim nëpërmjet sekretarëve të parë të komiteteve të partisë të rajoneve dhe ndonjëherë dhe nga sekretarët e partisë të Tiranës, të cilët na mblidhnin dhe na jepnin porisi të drejtpërdrejta. Por ajo që më bënte më shumë përshtypje në atë kohë, ishte fakti se me gjithë ngjarjet që po ndodhnin, ato mbuloheshin dhe mbaheshin të fshehta, që të mos i dinte populli, duke u diskutuar vetëm në rrugë partie. Por me gjithë tentativat për t’i mbuluar ato, populli merrte vesh për gjithçka që po ndodhte, pasi ishte shumë i sensibilizuar për ato ngjarje. Nga fundi i majit të atij viti, siç thashë, ne ishim të informuar për disa të rinj, që kishin hyrë në ambasadat e huaja dhe nisur nga ky fakt, ne na u dhanë udhëzimet dhe porositë përkatëse nga Komiteti Qendror i PPSH-së, ku na u tha, se si duhet të punonim me organizatat e partisë, komunistët dhe me kuadrot në mënyrë, që të demaskoheshin ato veprime dhe të merreshin masa që të parandaloheshin ato. Ne na u bë e ditur, se në shërbimet që do të kryenim pranë ambasadave, të ishim të kujdesshëm me njerëzit dhe të mos binim në sy, por të vëzhgonim me kujdes çdo lëvizje, duke i pyetur njerëzit që afroheshin aty, se përse kishin ardhur dhe çfarë halli kishin. Në mënyrë të veçantë, na u tha: “Ti bëhet me dije popullit, se parulla që është përhapur, se në Tiranë do të hapen ambasadat, nuk është e vërtetë dhe se partia dhe qeveria jonë, nuk do të lejojë një gjë të tillë. Ne do ti mbrojmë fitoret e pushtetit popullor me çdo çmim”. Në atë kohë, ambasadat e huaja në Tiranë nuk bënin pritje populli si kudo në botë dhe kjo ishte e kushtëzuar për vetë faktin, se Shqipëria ishte e izoluar dhe shtetasit shqiptar, nuk mund të kërkonin viza paranë ambasadave. Nga muaji prill – maj i vitit 1990, shteti shqiptar vendosi për të pajisur me pasaporta për jashtë shtetasit e tij, që do të kërkonin një gjë të tillë. Kjo bëri që shumë njerëz të grumbulloheshin rreth ambasadave për të marrë viza. Në atë kohë, duke ndierë grumbullimin e shumë njerëzve nëpër sportelet e ambasadave dhe hyrjen e tyre me forcë në ambientet e brendshme, qeveria shqiptare, me anë të Ministrisë së Punëve të Jashtme i kërkoi trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, që të organizonin pritje populli për hallet dhe problemet që kishin dhe pajisjen e tyre me viza, gjë të cilën deri në atë kohë e kryente Ministria e Punëve të Brendshme. Nga kjo situatë e krijuar, në ambientet e ambasadave, bëri që element të veçantë, të pa kënaqur nga ai regjim, të organizohen deri sa erdhi momenti i shumëpritur i veprimit të hapur dhe masiv që ndodhi në 2 korrik 1990.
Si konsiderohej hyrja e të rinjve nëpër ambasada dhe kush bëhej fajtor?
Në udhëzimet dhe porositë që na jepeshin në atë kohë thuhej: “Kujdes, ju e dini se futja e të rinjve në ambasadat e huaja në Tiranë, është veprimtari armiqësore e nxitur nga agjenturat e huaja nga jashtë, të cilat me përkrahjen e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, po shfrytëzojnë pakënaqësitë e disa elementeve reaksionar e të deklasuar brenda vendit, duke i nxitur ata në ato veprime. Propaganda e Perëndimit kërkon me mjete dhe mënyra të ndryshme që ne të ndryshojmë kursin tonë, siç ka ndodhur në disa vende të Lindjes, por ne nuk do të lejojmë kurrë të ndodhë një gjë e tillë”. Në vijim të kësaj gjendje, u mor vendimi dhe u thirrën sekretarët e organizatave bazë, për t’u njohur me situatën dhe në fund u dhanë edhe detyrat përkatëse.
Çfarë informacioni kishit për ngjarjet e asaj dite?
Nga njoftimet që na vinin në rajonin tone, por edhe nga sa shikonim, pasi siç i’u thashë më lart, ne ishim shpërndarë duke bërë shërbim afër ambienteve të ambasadave të huaja, mësuam se me datën 2 korrik, një automjet i rëndë me 34 persona në karrocerinë e tij, sulmoi nga ana perëndimore ambasadën gjermane, dhe hyri brenda oborrit të saj, duke prishur murin rrethues. Në orën 20.00 po të asaj date, tek ambasada greke, një automjet tjetër prishi murin, nga ana e prapme e saj, dhe disa të rinj hynë brenda. Në ambasadën franceze, 15 të rinj hynë brenda murit rrethues të saj, nga ambasada arabe. Tek ambasada polake, hynë brenda 2 persona, tek çekja 8 veta, e kështu me radhë tek ambasada turke, bullgare, kubane, hynë disa të tjerë. Në këto kushte, shërbimet policore të Tiranës, morën masa për t’i parandaluar këto vërshime të qytetarëve nëpër ambasadat e huaja.
Po organet e larta partiake e shtetërore të asaj kohe, u mblodhën për këtë gjë?
Ngjarjet e 2 korrikut 1990, e tronditën shumë udhëheqjen e lartë të partisë shtet të asaj kohe, duke e detyruar që të ndërmerrte një sërë masash. Menjëherë pas asaj ngjarjeje u krijua një shtab emergjence për kontrollin dhe menaxhimin e situatës. Në të merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të partisë dhe shtetit. Çdo natë në orën 23.00, ne përfaqësuesit të komiteteve të partisë së rajoneve, raportonim pranë Komitetit të Partisë së Tiranës, për shërbimin e kryer dhe të gjitha ngjarjet e ndodhura. Aty vinin dhe përfaqësues të qeverisë, ku më i shpeshti ishte kryeministri Adil Çarçani. Organizimin e informacionit dhe kontrollin e situatës në Tiranë, e bënte sekretari i Propagandës pranë Komitit Qendror të PPSH-së, Pirro Lako. Pirros i raportonim edhe ne instruktorët e rajoneve. Në ato mbledhje të shtabit, vinte dhe Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Zef Loka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Dilaver Bengasi, Drejtori i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino, etj. Në instruktorët e rajoneve, pasi raportonim, na linin të lirë që të shkonim pranë ambasadave ku kryenim shërbim, ndërsa drejtuesit kryesorë të shtetit, vazhdonin analizën e ngjarjeve dhe na thërrisnin përsëri ne instruktorëve, për të na dhënë udhëzimet përkatëse.
Çfarë kujton ndonjë ngjarje nga mbledhjet e atij shtabi, që ju ka lënë shije të hidhur?
Më kujtohet qëndrimi i kryeministrit Adil Çarçani, në një rast, kur ne instruktorët ishim duke raportuar në Komitetin e Partisë së Tiranës për situatën, mu duk sikur ai po dremiste. Në fund kur u përmend, ai tha: “Mirë shkoni dhe ndiqni situatën”! Një rast tjetër më kujtohet, kur unë po shoqëroja Qemal Lamen, që ishte kryehetuesi i Republikës, për në zyrën e tij. Ishte ora 00.01 e natës dhe ai po i raportonte Ministrit të Brendshëm Hekuran Isait, në lidhje me këtë situatë. Gjatë bisedës telefonike, Hekurani nuk tha asnjë fjalë, vetëm thoshte “po, po, e kuptova” dhe e mbylli telefonin pa thënë gjë. I solla këto dy shembuj, për të treguar se kuadrot e lartë të shtetit të asaj kohe, u ishin shterur “bateritë”. Ata qëndronin vetëm formalisht në krye të shtetit dhe ne vartësve, nuk na thonin asgjë.
Si u vlerësua ngjarja e 2 Korrikut nga ana e atij shtabi dhe çfarë masash u morën?
Siç theksova më lart, kjo ngjarje e tronditi mjaft partinë shtet të asaj kohe, duke e detyruar që të bënte një sërë ndryshimesh në qeveri. Kështu në vend të Simon Stefanit, si Ministër i Brendshëm, u vu Hekuran Isai. Më pas u shkarkua dhe Drejtori i Policisë, Dilaver Bengasi, si dhe disa kuadro të tjerë. Por me gjithë këto masa, asgjë nuk e ndryshoi situatën. Çdo ditë nëpër kangjellat e ambasadave hynin njerëz.
Përse pas 2 korrikut njerëzit u lanë të lirë të hynin nëpër ambasadat dhe më pas policia i ndaloi ata që të hynin lirisht aty?
Policia fillimisht nuk mund t’i ndalonte njerëzit që të hynin nëpër ambasada. Ajo u tregua e kujdesshme që të mos kishte konfrontime dhe gjakderdhje me popullin. Por më pas ajo gjë u vu në kontroll dhe policia u detyrua të vepronte sipas kërkesës së vetë ambasadave, për të mos lejuar njerëz brenda. Ndoshta kjo gjë u bë dhe nga mbipopullimi i tyre.
Po për mitingun që u organizua në sheshin “Skëndërbej” nga partia shtet e asaj kohe për demaskimin e atyre që hynë nëpër ambasada, ç’mund të na thoni pas kaq kohësh?
Qeveria dhe partia shtet e asaj kohe, është e vërtetë që organizoi një miting të madh në sheshin “Skëndërbej”, për të cilin u tha se do të vinte vetë Ramiz Alia. Por ai dërgoi disa nga vartësit dhe ithtarët e tij, si: Xhelil Gjonin (sekretar i K.Q. të PPSH) dhe Lisien Bashkurtin (sekretar i parë i K.Q. të Bashkimit të Rinisë) të cilët, mbajtën fjalime patetike dhe hodhën baltë mbi qytetarët shqiptarë që hynë në ambasada. Ky ishte turpi i asaj kohe, pasi qytetarët që hynë nëpër ambasada, ishin trima, kurajozë, dhe hallexhinj, të cilët sakrifikuan shumë për një të ardhme më të mirë. Porosia që na u dha në atë kohe, pra se do të vinte Ramiz Alia, u shoqërua me masa shtrënguese. U porositën sekretarët e organizatave bazë, që të mos vinin në miting njerëz me përmbajtje të keqe biografike. Ata u lanë në punë, që të mos binte në sy mosardhja e tyre. Kjo tregonte frikë dhe pasiguri për situatën që ishte krijuar. Më ka bërë përshtypje ashpërsia e porosive dhe masave që u morën në atë kohë. Pasi nuk po tregohej gjendja reale që po kalonte vendi ynë.
Pas ngjarjes së 2 korrikut, çfarë masash u morën për ata komunistë apo kuadro të ndryshëm, që u kishin hyrë fëmijët nëpër ambasada?
Menjëherë pas atyre ngjarjeve, ne na dhanë porosi që të bëheshin mbledhje në çdo organizatë partie dhe të mbahej qëndrim për të gjithë ata kuadro apo komunistë, që u kishin ikur fëmijët apo dhe të afërmit me ambasadat. Më ka ardhur shumë keq që u gjykua në Parti, minatori i talentuar dhe Heroi i Punës Socialiste, Et’hem Bejko, i cili në atë kohë ishte në pension. Kur u propozua për ta përjashtuar nga partia, për djalin që i kishte ikur me ambasadat, ai me lot në sy tha: “Atë djalë kisha, iku, s’kam asgjë në dorë të ta kthej. Jam dakord me çdo masë që të merret”. Ky veprim që u bë për shumë kuadro komunistë, ishte një turp i madh për partinë shtet të asaj kohe dhe për traumat që u shkaktuan këtyre familjeve. Duke e mbyllur këtë bashkëbisedim me ju për ngjarjet e ambasadave, unë vetëm sa theksova disa pjesë të vogla të asaj ngjarjeje të madhe, që i ndodhi kombit tonë. Edhe pse ka kaluar shumë kohë, mendoj se kjo ngjarje nuk do të harrohet lehtë nga kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Preng Vorfi: Diplomatët gjermanë, jugosllavë, grekë dhe francezë, nxitën turmat
Në intervistën e tij për Memorie.al, ish-instruktori i Komitetit të Partisë së Rajonit Nr. 3 në Tiranë, Preng Vorfi, i cili dëshmon për ngjarjet e ambasadave të ndodhur në korrikun e vitit 1990, ka bindjen dhe tregon edhe për veprimtarinë e trupit diplomatik të akredituar në atë kohë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Lidhur me këtë, ai shprehet: “Ambasadat e huaja duke zbatuar politikën që ndiqnin qeveritë e vendeve të tyre, ishin të interesuara për ndryshimet politike, që mund të bëheshin në Shqipëri, ashtu siç kishte ndodhur edhe në të gjitha vendet e tjera komuniste në Europën Lindore. Negociatat dhe dialogimi i qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, për rastin e familjes Popa, zgjati pesë vjet, nga 1985-sa deri në majin e 1990-ës, kur kësaj familje i’u dha statusi i azilantëve politikë dhe u lejuan që të largoheshin nga Shqipëria për në Itali. Një nga diplomatët e huaj që u tregua mjaft aktiv në ngjarjet e ambasadave në korrikun e vitit 1990-të, ishte dhe ambasadori francez, i cili nuk u mjaftua vetëm me notën e protestës dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, për veprimet e policisë shqiptare, që në kundërshtim me rregulloren, hyri dhe vepronte brenda territorit të ambasadës së tij, por angazhonte hapur një nga vartësit e tij, diplomatin francez me emrin Marsel. I cili në atë kohë binte shumë në sy edhe për shkak të paraqitjes së jashtme të tij, pasi mbante mjekër. Ai hynte në mes së turmës, siç bëri më datën 2 korrik te Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, duke nxitur të rinjtë që të hynin nëpër ambasada. Në këtë rast, edhe kur i’u tërhoq vëmendja nga ana e shokut Pirro Lako, sekretarit të Komitetit të Partisë së Tiranës, jo vetëm që nuk u tërhoq, por përkundrazi, ai vazhdoi avazin e tij në forma dhe mënyra të ndryshme. Veprime të tilla bënte edhe diplomati i ambasadës greke, me emrin Leonidha, i cili edhe ky dilte hapur duke u bërë thirrje të rinjve që të futeshin nëpër ambasada. Në hyrje të bllokut të ambasadave, një diplomat gjerman (me flokë të verdhë), ndaloi auto-veturën e tij, duke krijuar rrëmujë, me qëllim që qytetarët që ishin aty, të futeshin në ambasada. Ai nuk e zbatoi porosinë e Policisë Shqiptare që ta lëvizte mjetin e tij që aty, por u detyrua ta largojë atë vetëm kur një ushtarak i lartë i Ministrisë së Brendshme, e urdhëroi policin që t’ja vinte urdhrin me shkrim në xhamin e makinës së tij. Një rast tjetër i implikimit të diplomatëve të huaj në ngjarjet e 2 korrikut 1990, është dhe ai i ambasadorit jugosllav, që në atë kohë kryesonte si dekan trupin diplomatik që ishte i akredituar në Tiranë. Ai u bënte thirrje qytetarëve të hynin në ambasadën e tij, por thirrjes së tij, s’iu përgjigj njeri”./Memorie.al
No comments:
Post a Comment