Thursday, July 4, 2024

AKTUALITETInvestigimi i BIRN: Si i përlau fondet e BE-së, restoranti në pronësi të kompanisë së themeluar nga bashkëshortja e Ilir Beqajt, nëpërmjet skemave korruptive!

 


Pasi ish-ministri i Shëndetësisë u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, prokurorët dyshojnë se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.

Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë.


I drejtuar nga një shef kuzhine që mori famë prej shfaqjes së tij në emisionin ‘Masterchef’, restoranti premton një evolucion të traditës, me pjata të tilla si byreku me qepë-domate, tru viçi me lulelakër në qymyr si dhe njoki panxhari me djathë mishavinë.


Restoranti frekuentohet nga njerëzit më të pushtetshëm në kryeqytet, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, si dhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian – përfshirë ish-ambasadorin Luigi Soreca dhe shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.


Megjithatë, prokurorët shqiptarë dyshojnë se pas listës së shquar të klientëve dhe artit të kuzhinës, restoranti fsheh një skemë korruptive me fatura fiktive për të keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.


Në qendër të kësaj skeme dyshohet se qëndron Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që drejtonte deri në dhjetor Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i programit ‘USAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.


Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmorri më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani.


Kontrollin në banesë e konfirmoi për gazetarët vetë Beqaj, i cili u paraqit në SPAK në të njëjtën ditë për shkak të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij sa i përket hetimeve për aferën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore – një çështje paralele ku ish-ministri dyshohet për shpërdorim detyre.


“Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty,” tha Beqaj për gazetarët jashtë dyerve të SPAK.


Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj po ashtu konfirmoi kontrollin për mediat dhe shtoi se ishin sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefonat celularë dhe konfirmoi se veprimet hetimore lidheshin me rolin e ish-ministrit si drejtues i SASPAC.


Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për t’i caktuar atij masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat mbi aferën e sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni i tij si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.


Kurtulaj nuk ishte i arritshëm për koment.


Interesa pasurore të fshehura


Restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj.


Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura.  Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.


Megjithëse Adriana Beqaj i dhuroi dhe i shiti aksionet e saj në kompaninë “Albanian Food and Hospitality Lab” në janar 2020, bazuar në përgjimet telefonike të realizuara nga Prokuroria në dhjetor 2023, ngrihen dyshime se ish-ministri Beqaj vazhdon të ketë interesa pasurore në restorantin Gzona. Në këto përgjigjime, Beqaj përdor telefonin e shoferit të tij, Arben Dani për te komunikuar me vartësin e tij, Ermal Kurtulaj në mënyrë që të lidhet me administratorin e restorantit, Gazmend Prenga.


Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me Ilir Beqajn që datojnë në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+, duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e agjencisë SASPAC, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.


Po ashtu, rezulton se shtetasi Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme një automjet luksoz të modelit Audi A8, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, i cili rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Ermal Kurtulaj, duke u ngritur dyshime se mjeti mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit të Shëndetësisë.


Nga këqyrja në sistemin E-Gjoba, prokuroria vëren se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani, nga të cilat e fundit rezulton të jetë marrë me 12 dhjetor në momentin kur mjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj dhe është parkuar përpara SPAK. Ish-ministri paraqitet çdo javë në Prokurori për shak të masës detyrim paraqitje si pjesë e hetimit të sterilizimit.


I pyetur për Ermal Kurtualajn, ish- ministri deklaroi të premten se e njeh prej shumë vitesh dhe prej punës në SASPAC.


“Ermal Kurtulajn e njoh prej 15 vitesh,” tha ai.  “Që nga maji i 2022 ka punuar në një projekt që ndiqej edhe nga SASPAC-u,” shtoi Beqaj.



No comments: