Tuesday, January 16, 2024

Ambasadat në bllok: ‘Nuk po negocjojmë me Alibeajn dhe Gjiknurin për reformën zgjedhore


 Selitë më të rëndësishme diplomatike në Tiranë duket se kanë reaguar në bllok në mënyrë të koordinuar, për të përgënjeshtruar zërat se ato po negociojnë për të arritur një konsensus për reformën zgjedhore. Kjo pëshpërimë filloi të përhapet tw hënën, kur papritmas u publikua një dokument që i ishte mbajtur i fshehtë publikut, me firmat e Damian Gjiknurit dhe Enkeleid Alibeajt, drejtuar OSBE ODHIR, në emër të komisionit të reformës zgjedhore.Dokumenti përpos faktit se Alibeaj dhe Gjiknuri qenkëshin takuar larg syve të publikut, ngërthente në vetvete edhe një problem më të madh. Grupi parlamentar i PD-së, në kuvend, e konteston bashkëkryesimin e Alibeajt në komision e reformës zgjedhore si përfaqësues i opozitës dhe ka kërkuar prej kohësh riformatimin e tij. Por Alibeajt mbahet përdhunshëm në post, falë zvarritjeve dhe insistimit të socialistëve.

Të gjitha parashikimet janë që Rama kërkon ti bëjë në mënyrë të njëanshme (njësoj si me opozitën fallco para zgjedhjeve të 2021) ndryshimet elektorale. Ai këtë e bëri të ditur këtë edhe në një konferencë shtypi, nga Shëngjini, kur pasi i bëri thirrje Bashës të zgjohet nga gjumi, tha se konsensusi nuk është detyrimisht i nevojshëm.


Por partia e vulës e kishte lënë shtratin dhe e kishte filluar bashkëpunimin me PS-në, për të nisur një rrugë që lë jshtë opozitën reale të vendit. Kur u pyet nga gazetarët të hënën për dokumentin Gjiknuri-Alibeaj, Basha u detyrua të gënjente se kjo përçapje kishte pasur shtyrjen dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Në 16 janar, në një prononcim për mediat, Basha tha se PD “në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, ia ka dalë të bindë palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore”.

“Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar ia kemi dalë të marrim një hap të parë modest për largimin e papërgjegjshmërisë politike përmes reformës zgjedhore dhe në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, ia kemi dalë të bindim palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore”, deklararoi ai.

Por në fakt faktet tregojnë se nuk janë diplomatët perendimorë që kanë bindur Ramën, por ky i fundit që ka urdhëruar Lulin ti shërbejë si alibi, për të bërë një ligj që i siguron atij fitoren. Pikërisht ndaj këtij manipulimi reaguan njëzëri selitë diplomatike në Tiranë. E para e nisi BE-ja: “Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve’, thuhet në reagim.

Pas delegacionit evropian foli edhe rruga e Elbasanit. “Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim” thuhej në reagimin amerikan.

Menjëherë pas tyre u shpreh edhe ambasada britanike: “Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.”

Ndonëse duket se reagimet kanë marë shkas nga gënjeshtra e trashë e bashës, ato janë edhe një kundërpërgjigje e zbehtë ndaj qëllimit të Ramës për të përsëritur fabulën e përcaktimit si do ai, i vetëm, i regullave të lojës. Prandaj në tekstin e BE gjendej fjala ‘gjithëpërfshirëse” dhe në atë amerikan togfjalëshi “të gjitha partive”.

©Lapsi.al


No comments: