Wednesday, July 23, 2014

Vrasja e Artan Santos / Tom Doshi, kritika të forta policisë: Merret me shitësit e qumështit

Vetëm pak orë pasi kryeministri Rama deklaroi në analizën e 300 ditëve të punës së Ministrisë së Brendshme, se tashmë mund të thuhet me plot gojën që Policia e Shtetit është kthyer në krye të detyrës", deputeti socialist Tom Doshi ka shpërthyer në kritika të forta për performancën e policisë. 
Në komisionin parlamentar të ligjeve, ku u diskutua sërish pr/ligji për Policinë e Shtetit, duke iu referuar vrasjes së bankierit Artan Santo
dhe videos së ekzekutimit të tij, të shfaqur nga lapsi.al, deputeti Doshi kërkoi nga Ministria e Brendshme përgjegjësitë për mosreagimin e punonjësit të policisë, të faktit që polici nuk kishte radio dhe që  nuk u ngritën postblloqe. Në pamjet e vrasjes së Artan Santos, (video më poshtë), të regjistruara nga kamerat e sigurisë së bankës, shihet qartë një punonjës i policisë që braktis motorin e tij dhe largohet me vrap në drejtim të kundërt me dy atentatorët. Për këtë rast, deputeti Doshi tha se më i përgatitur ishte punonjësi i policisë private sesa ai policisë së shtetit.
Po jo vetëm kaq. Sipas tij, policia është aq larg detyrës së saj, saqë po merret me shitësit e qumështit. 
Deputeti i Shkodrës e akuzoi një ditë më parë drejtpërdrejtë Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, se e ka politizuar policinë me emërime politike e krahinore. Ndërsa sot (e mërkurë) ai bëri një tjetër akuzë të fortë, teksa tha se në polici janë mbajtur njerëz për 24 orë me radhë vetëm për teka të Ministrit, për të cilin u shpreh se "mburret kot duke thënë kam bërë namin".

Debati në Komisionin e Ligjeve

Tom Doshi: Ne, me e pru ministrin këtu, nuk mun ta biem, se është shumë i zënë, por meqë ka patur 300 ditëshin e suksesit të tij sot, unë do të bëj një pyetje: Përgjegjësia e kujt është që polici, gjithmonë do të përqendrohem tek vrasja e biznesmenit Santo, që s`kishte radio dhe nuk arritën postblloqet deri në Bupq, atje në Fushë Krujë për me u dalë para. Përgjegjësia e kujt është në këtë rast që nuk ka radio, nuk ka makina, nuk ka benzinë… përgjegjësia e kujt është në këtë rast? Kë do me rujt ai nëse nuk ka radio, nuk ka makina, nuk ka motorra. Ku është kjo mburrje e Ministrit të Rendit që del e thotë "kam bërë namin". 
Mema:  Policia ka përgjegjësinë e vet (vrasja e Santos). Cështja është në hetim. 

Doshi-Memës: Thuaj që është përgjegjësi e Drejtorisë së Policisë 

Tom Doshi-Fatmir Xhafajt: Kur flas unë mos ndërhy. 

Doshi: Arrestohen njerëz sipas qejfit të ministrit. Kanë mbajtur në polici për 24 orë, njerëz për teka të Tahirit.Kjo gjë ka ndodhur dhe me ministrin e mëparshëm. Ndalohen njerëz që nuk kanë dokumente me vete. 3 mijë makina te Rezervat e Shtetit, se i teket policit. Shoqërohen në polici shitësit e qumështit.

No comments: