Monday, July 21, 2014

Ëndërr e ligë


Ato të mërzitin dyfish. Kronikat e zeza.
Dhimbjen e parë e ndiejnë njerëzit, për kumtet që marrin. Ka edhe një dhimbje të dytë, të heshtur, për të cilën njerëzit nuk  bëzajnë. Një dhimbje që përshkon ngadalë eshtrat e gjuhës shqipe.
Shtyp butonin e telekomandës, lajm për një aksident rrugor. Janë përplasur dy makina. Një viktimë, të tjerë me plagë të rënda.
Ata që kishin njohur të ndjerin dhe ngushëllojnë shoqi-shoqin, shprehin njerëzisht hidhërimin që ai humbi jetën, vdiq, u vra, ndërroi jetë, iku, u nda prej nesh, mbylli sytë, shkoi, na la…
Pa zënë në gojë drejtpërdrejt vdekjen, flasin shqip për të.
Në ekranin e vogël nuk është kështu. As në të përditshmet e shtypura. Të shumtën e herës për ta viktima thjesht ka gjetur vdekjen.
O Zot, thua me vete, si dhe kujt i pati humbur vdekja, që e gjeti i ndjeri?
Edhe për një humbje jete, që s’ka nevojë e nuk duron kurrfarë zbukurimi, dhe që në gjuhën shqipe kumtohet në dhjetëra mënyra prej mija vjetësh, edhe për atë  u dashka me përdorë kalke nga gjuhët e tjera? Në u vazhdoftë kështu, ka mundësi që një ditë të bukur edhe fjalinë (ai) gjeti vdekjen nuk do ta dëgjojmë më. Në vend të saj do të thuhet thjesht (ai) kaloi jashtë, me një përkthim mekanik fjalë për fjalë të shprehjes përkatëse në anglisht (One) passed away!
Të paktën gjuhësisht, pasi s’kushton gjë, vdekja duhet trajtuar me nderim. Por as kjo nuk po ndodh.
Në ekran vijon zëri i folëses. Krim i rëndë brenda familjes. Një burrë ka vrarë bashkëshorten dhe të bijën. Fill pas me gjasë është kthjelluar për çmendurinë dhe ia ka hequr vetes. Tre të shtrirë pa frymë në një shtëpi. Kot së koti, ditën për diell. Por për bukuroshen e ekranit dhe për ata që kanë përgatitur lajmin, të cilin ajo vetëm e lexon pa iu dridhur zëri, nuk janë tre të vrarë. Për ta është thjesht një vrasje. Për ta ka ndodhur një vrasje e trefishtë!
Se ç’do të thotë në gjuhën shqipe vrasje e dyfishtë a e trefishtë, ec e merre vesh. Në  u përdorshin këto fjalë si metaforë, po. Për një intelektual kundërkomunist të vrarë e të lënë pa varr nga diktatura, për shembull, mund të luhet me fjalët vrasje e dyfishtë ose e trefishtë, duke nënkuptuar pushkatimin, mohimin e varrit dhe shkatërrimin e veprës së tij.  Por për tre trupa të shtrirë në vig prej plumbit, asnjë shqiptar që flet shqip nuk thotë vrasje e trefishtë. Aty janë tri vrasje, tri vdekje të prekshme dhe pikë. As më shumë, as më pak.
Rasti i quajtur Monstra qiti sërish në pah këtë shthurje gjuhësore të shfrenuar. Thelbi i problemit – vrasja e pesë qytetarëve maqedonas dhe nxitimi i shtetit me shpallë fajtorë “terroristët shqiptarë” pa transparencë gjykimi, madje ende pa i gjykuar – është çështje në vete. Çështje në vete është edhe gjuha e mbulimit të ngjarjes nga shtypi dhe ekranet tona. Për shtypin dhe ekranet e vogla në gjuhën shqipe në Maqedoni nuk janë vrarë pesë qytetarë maqedonas. Për to ka ndodhur vetëm një vrasje. Një vrasje e pesëfishtë!
Po sikur…?
Para do ditësh u përkujtua 19-vjetori i masakrës së Srebenicës, ku forcat serbe vranë tetë mijë djem e burra boshnjakë, civilë të pafajshëm, të paarmatosur. Ndërkaq në gjykatën e Hagës vazhdon gjykimi i Radovan Karaxhiçit dhe Radko Mlladiçit, dy prej përgjegjësve kryesorë të krimit të përbindshëm. Po të flitet me gjuhën e parapëlqyer që përdorin do media në Tiranë, avokatët mbrojtës mund të ngrihen e të thonë:
-Zoti prokuror, ku qenkan vrarë këta tetë mijë burra? Në Srebenicë ka ndodhur vetëm një vrasje, vetëm një është vrarë! Ani pse ka qenë një vrasje e tetëmijëfishtë, ç’rëndësi ka kjo? Akuza të bëhet për një vrasje!
Dhe pastaj, ruajna Zot, një ëndërr fort e ligë. Sikur Hitleri u lëshua nga skëterra, duke bërtitur e klithur:
-Ç’thoni ore, jeni në vete, ku paskam bërë holokaust unë? Thirrini mendjes, si mund të quhet holokaust një vrasje e vetme! Vetëm një vrasje është kryer ndër hebrenj, një  vrasje e gjashtëmilionëfishtë, kaq!
A thua si do ta përjetonin një ëndërr kaq të ligë ata që hartojnë lajme me pesë fjalë të marra diku në një treg rruge dhe i mbajnë të gatshme në një këllëf të importuar, siç mbahet një brisk xhepi?

No comments: