Friday, November 11, 2011

Vata dhe "Vllaznia"


Nga GJERGJ KOLA
Trajneri I Vllaznisë pranon sugjerimet e të gjithë specialistëve shkodranë, por në lidhje me skuadrën vendos vetëm ai
Klubi “Vllaznia” ka marrë përsipër të afrojë pranë vetes edhe disa figura të njohura të futbollit shkodran e specialistë të njohur të tij. Ata që nga dita e djeshme kanë qenë pranë skuadrës, duke ndjekur miqësoren me Besëlidhjen dhe para e pas saj, kanë biseduar gjerë e gjatë. Shumë prej futbollistëve aktualë të Vllaznisë sot, kanë kaluar nëpër duart e këtyre trajnerëve dhe normalisht ata ua njohin mirë vlerat.
Se ia thonë këtë gjë edhe Vatës, nuk ka asgjë të keqe. Iniciativa ka qenë e drejtorit sportiv të klubit, Armir Grima, për t’i afruar këta njerëz sërish pranë skuadrës dhe pranë klubit për të dhënë mendimet e tyre. Në fakt, tek klubi i futbollit “Vllaznia” po kthehet një organizim ndryshe i punëve.
Emërimi i Armir Grimës në postin e drejtorit sportiv, afrimi i Rudi Vatës dhe Vioresin Sinanit në pankinë, janë elementët e parë të këtij ndryshimi, por duket se ata nuk do ndalen këtu. Pranë skuadrës do afrohet edhe një grup specialistësh dhe ish-futbollistësh të Vllaznisë për të dhënë mendime dhe sugjerimet e tyre për stafin drejtues.
Iniciativa e marrë nga drejtori sportiv Grima është shoqëruar me disa ftesa në adresë të disa prej specialistëve të futbollit shkodran dhe disa prej tyre i janë përgjigjur menjëherë pozitivisht, duke qenë prezentë që në miqësoren e djeshme me Besëlidhjen.
Ramazan Rragami, Paulin Ndoja, Nikoll Gjergji, Ismet Hoxha, Astrit Premçi dhe Suad Lici kanë qenë të pranishëm në këtë ndeshje dhe kanë diskutuar gjatë me trajnerin Vata. Para dhe pas ndeshjes. Për drejtorin Grima, afrimi i këtyre figurave është një gjë shumë pozitive për klubin, që duhet të ndihet i nderuar që ka në gjirin e tij të tilla figura.
Specialistët “Klubi “Vllaznia” duhet të jetë i gëzuar që ka në gjirin e tij figura të tilla. I falënderoj për gatishmërinë e shfaqur për të ardhur e dhënë mendime e tyre, por nuk mjafton vetëm të jenë të pranishëm në stadium, se e kanë vendin e vet. Natyrisht që kjo praktikë pune do vazhdojë, madje mund të themi se jemi të vonuar në këtë drejtim disi,” – ka thënë Grima.
Në lidhje me këtë çështje, ka folur edhe trajneri Vata, që ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar e biseduar me çdo njeri a specialist për të mirën e Vllaznisë. “Të kesh pranë figura të tilla sportive, natyrisht që është diçka pozitive dhe është shumë normale të bisedosh e të diskutosh me ta për skuadrën. Nuk është asnjëherë keq të ndash mendimet me dikë tjetër.
Unë do t’i dëgjoj të gjithë, por në fund ai që do vendosë për skuadrën, do jem unë”. Një atmosferë  e tillë në fakt ka vite që nuk ekziston në Shkodër. Vite më parë, ka ekzistuar edhe një këshill trajnerësh, i cili merrte në raport edhe trajnerin e parë, jepte sugjerime dhe bënte më të mirën në aspektin profesional për të ndihmuar stafin drejtues.
Ndoshta kjo ide po kthehet sërish, teksa mendohet që ndoshta Ramazan Rragami të jetë këshilltari kryesor i trajnerit Vata, ndërkohë që edhe specialistë të tjerë të japin mendimet e tyre për të mirën e Vlllaznisë. Vata nuk ka qenë kundër kësaj ideje, madje e ka përkrahur atë, sepse nuk është keq të dëgjosh mendime profesionistësh.

Shkodranët fitojnë 1-0 edhe ndaj Besëlidhjes
Vllaznia e ka fituar edhe miqësoren e dytë të kësaj jave sërish me të njëjtin rezultat. Ashtu si ndaj Adës, edhe në ndeshjen e luajtur në mesditen e së enjtes, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të ndeshjes kundër lezhjanëve e ka shënuar mesfushori Stivi Shaba në minutën e 60-të të ndeshjes, pas një goditjeje të bukur me kokë pas krosit të ardhur nga Markolaj.
Në këtë ndeshje, trajnerët e të dy ekipeve, Rudi Vata dhe Ritvan Kulli, janë munduar të aktivizojnë të gjithë futbollistët që kanë pasur në dispozicion për ta parë gjendjen e secilit prej tyre. Vllaznia e ka nisur ndeshjen, duke pasur në portë Gjokoviçin e pastaj me radhë, Smajli, Danaj, Muça, Demaj, Tafa, Karakaçi, Gocaj, Hajdari, Hasani dhe Guri, ndërsa Besëlidhja e ka nisur me Xhikën, Dibrën, Peqinin, Kepi, Shyti, Pepa, Jacaj, Malasi, Nikolli, Mehja dhe Arenc Dibra.
Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur 0-0, pavarësisht rasteve të dy ekipeve. Ndërsa në të dytën trajneri Vata ka hedhur në fushë edhe Rexhepin, Markolajn, Balajn, Lekajn, Jubanin, Idrizin, Erkoçeviçin e Gjinin. Për t’u veçuar është fakti se fati i keq vazhdon t’i ndjekë futbollistët e Vllaznisë. Dje në miqësoren ndaj Besëlidhjes është dëmtuar edhe portieri i dytë Gjokoviç, pas një përplasjeje me kundërshtarin.
Me ndeshjen e djeshme, Vllaznia ka mbyllur ritualin e miqësoreve të kësaj jave dhe do fillojë të mendojë të bëhet gati për ndeshjen e ardhshme të kampionatit me Apoloninë. Për trajnerin Vata, ishin dy miqësore që ia vlejtën. “Besoj se ia arritëm qëllimit me këto dy miqësore. Kemi pasur mundësinë të shohim të gjithë futbollistët e rinj që janë në skuadër dhe të tjerë të ardhur nga ekipi i të rinjve i Akademisë “Vllaznia”. Besoj dhe mendoj se ka të rinj me talent, por u duhet shumë punë për të ardhmen.”

Trajneri i portierëve? Vllaznia s’e ka gjetur ende
Prej një jave e gjysmë Vllaznia është e paplotësuar në pankinën e saj. Është gjetur trajneri i parë, ndihmësi i tij, është shtuar edhe përgatitësi atletik, por sërish mungon trajneri i portierëve. Drejtuesit e klubit ende nuk kanë gjetur njeriun e duhur për të zëvendësuar Avenir Danin, që ka mbajtur më parë këtë post. Edhe dje vetë trajneri Vata e ka pranuar se ende nuk është gjetur njeriu i duhur. “Kam kërkuar një njeri energjik, një njeri që të bëjë pjesë në stafin tim dhe të ketë idetë e mia, por ne po punojmë për të gjetur trajnerit e duhur të portierëve dhe ende nuk e kemi gjetur. Shpresojmë që në ditët në vazhdim, edhe kjo hallkë e drejtimit të plotësohet.”

SUKAJ DHE VUJADINOVIÇ JANË MË TË PAGUARIT, NDËRSA SPIKAT VAJUSHI MË PAK, 15 MILIONË TË VJETRA, TË RINJTË ME NGA 2 MILIONË

Klubi “Vllaznia”, ja pagesat e lojtarëve

400 milionë lekë të vjetra shkon në total detyrimi sezonal që ka klubi shkodran në formë kontratash me lojtarët

Klubi i futbollit “Vllaznia” sh.a. është i vetmi klub në Shqipëri që ka publikuar rrogat e futbollistëve dhe stafit drejtues. Kuptohet, gjithçka është bërë në kuadër të transparencës së plotë të çdo leku që Bashkia “Shkodër” hedh te skuadra. Bashkia mbahet me lekët e taksapaguesve shkodranë dhe, rrjedhimisht, drejtuesit e futbollit që kanë varësi direkte nga ky institucion, kohë më parë kanë bërë publik para Këshillit Bashkiak të gjitha pagesat e futbollistëve dhe stafit drejtues. Në këtë periudhë që në skenë kanë dalë disa pretendime të lojtarëve për ndalesa në rroga a kontrata të pazbatuara, me interes besojmë se është botimi i vlerës së kontratave të gjithë futbollistëve të Vllaznisë. E vërteta është se te klubi “Vllaznia” ka shumë korrektesë në pagesë, teksa rrogat jepen në datat e caktuara, por mbetet për t’u zgjidhur problemi i taksave. Kështu, kontratat më të mëdha i kanë sulmuesi Sukaj dhe portieri Vujadinoviç me nga 35 mijë euro në sezon, ndërkohë që më pak të paguarit natyrisht që janë lojtarët e rinj, që kanë rroga modeste.

Ja kontratat sezonale
Xhevahir Sukaj                                 35 mijë euro
Miroslav Vujadinoviç         35 mijë euro
Gavrilo Petroviç                   33 mijë euro
Amarildo Belisha                 21 mijë euro
Braçan Popoviç                    20 mijë euro
Gentian Muça                                   2.8 milionë lekë
Dritan Smajli                         2.6 milionë lekë
Vioresin Sinani                                 2.5 milionë lekë
Olsi Gocaj                             2.5 milionë lekë
Valdano Nimani                   2.0 milionë lekë
Arsen Sykaj                           1.5 milionë lekë
Armando Vajushi                 1.5 milionë lekë
Enis Gjokoviç                                   1.5 milionë lekë
Sadush Danaj                                    600 mijë lekë
Edon Hasani                          600 mijë lekë
Arsen Hajdari                                   380 mijë lekë
Jurgen Gjini                          260 mijë lekë
Amir Tafa                                          200 mijë lekë
Fabjol Rexhepi                                 200 mijë lekë
Ari Djepaxhia                                   200 mijë lekë
Stivi Shaba                            200 mijë lekë
Ndue Mujeci                         200 mijë lekë
Abaz Karakaçi                                  200 mijë lekë
Bekim Erkoçeviç                  200 mijë lekë
Florind Bardulla                   200 mijë lekë
Gojart Rusi                            200 mijë lekë

No comments: