Monday, November 7, 2011

Agjende e ngjeshur e ekipeve kombëtare

Kombëtarja shqiptare do të luajë më 11 nëntor një ndeshje miqësore kundër Azerbajxhanit. Sfida do të luhet në “Qemal Stafa” në orën 18:00. Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin në datën 6 nëntor dhe do të akomodohen në hotel “Durrah” të Durrësit. Katër ditë më pas, më 15 nëntor do të luajmë ndaj Maqedonisë në Prilep. Lista e lojtarëve, në mungesë të trajnerit është hartuar nga FSHF-ja.

* * *

Kombëtarja e Azerbajxhanit do të mbërrijë në Shqipëri, katër ditë përpara takimit të “Qemal Stafës”, pra në datën 7 nëntor dhe do të akomodohet në hotel “Adriatik”, në Durrës. Programi i tyre parashikon stërvitje në Durrës dhe Kavajë, si dhe një seancë njohëse në impiantin ndërkombëtar të kryeqytetit, më 10 nëntor, ku një ditë më pas do të luhet edhe miqësorja. Në tri ndeshje kundër Azerbajxhanit, Shqipëria ka fituar dy të tilla: 1-0 (Kupa “Rothmans”, 8 shkurt 2000, në Maltë) dhe 2-1 (miqësore, më 17 gusht 2005, në Teheran), si dhe ka barazuar 1-1 (miqësore, 19 nëntor 2008, në Baku).





* * *

Ekipi i Shpresave, tashmë nën drejtimin e Skënder Gegës do të luajë më 10 dhe 14 nëntor kundër Rusisë dhe Portugalisë, dy ndeshje këto të vlefshme për eliminatoret e Euro 2013. Ndeshja kundër Rusisë do të luhet në “Niko Dovana” (16:00). Ekipi rus do të mbërrijë me çarter në Shqipëri më 9 nëntor dhe do të largohet menjëherë pas ndeshjes. Edhe takimi me Portugalinë do të luhet në Durrës, por në orën 19:00.


Portugalia mbërrin në orën 23.55 të datës 12 nëntor dhe do të kryejë stërvitje njohëse në orën 19:00 një ditë më pas. Ekipi ynë do të akomodohet në hotel “White Dreams”, në dalje të kryeqytetit.

Më datë 8 nëntor është parashikuar dhe një ndeshje testuese me Kamzën (15:00) në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Në tri ndeshjet e para nën drejtimin e ish-trajnerit Artan Bushati, Shqipëria U-21 ka arritur një fitore me Moldavinë (4-3, në Korçë) dhe dy humbje me Poloninë (3-0 në Korçë dhe 4-3 në Grudziadz).


Shqipëria U-21 renditet në vendi e parafundit në grupin 6 me tri pikë pas tri ndeshjesh. Grupi ynë kryesohet nga Polonia (7 pikë, 4 ndeshje), Rusia (6 pikë, 2 ndeshje), Portugalia (4 pikë, 2 ndeshje).

* * *

Miqësore U-17, Shqipëri-Kosovë


Shqipëria U-17, e drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç, do të zhvillojë një ndeshje miqësore me homologen e saj nga Kosova. Ndeshja do të luhet, më 17 nëntor në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 14:00. Përfaqësuesja jonë do të grumbullohet në datë 14 nëntor dhe do të akomodohet në hotel “Tropikal”. Seancat stërvitore do t’i zhvillojë në kompleksin e Kamzës.

No comments: