Intervistoi: Arion Sulo
Një furtunë në gotë uji, e pasuar nga retorika mjerane. Kështu i ka cilësuar ish-presidenti Meidani sulmet kundër shkrimit të tij për 300 mijë vendet e reja të punës, të artikuluara para dhe gjatë Kongresit të PS-së. Në këtë intervistë për MAPO-n, Meidani tregon se arsyeja e mungesës së tij në Kongres lidhet me mbërritjen vonë të ftesës, të cilën e kishte marrë prej rojes së godinës në orën 21:00 të mbrëmjes së premte. Nga ana tjetër, ish-Presidenti e vlerëson përmbajtjen e Kongresit si tradicionale, ose kthim me këmbë në tokë.
Zoti Meidani, Kongresi i djeshëm i PS-së është komentuar këto dy ditë me vlerësime të ndryshme, ndoshta sipas interesit politik të palëve. Rama e quajti më të bukurin; Blushi, kongresin e vetëkorrigjimit; kritikët e Ramës, si mundësi për hapje reale të PS-së; mbështetës të kryetarit, si kongresi që solli programin dhe shtroi shinat drejt pushtetit... Po sipas jush, si mund të cilësohet ky kongres; i bashkimit, i vazhdimit të përçarjes, i kursit të ri, apo... ?
Ndoshta, duke mbledhur pak nga të gjitha. Megjithatë, vlerësimi im është shumë më i thjeshtë – një kalim meteorik nga një lloj besimi me “ngjyrosje mesianike” në atë me përmbajtje deri diku tradicionale, d.m.th. me këmbë në tokë. Kjo edhe pse mbeten aty këtu “shenja mesianike”, si puna e atij pohimit të habitshëm të llojit binomial: “e treta, e vërteta!”...
Kryetari i PS premtoi se do të hapë e bashkojë partinë dhe se asnjë socialist nuk do të përjashtohet. Por nga ana tjetër, kërkoi etikë përfaqësimi nga të zgjedhurit, sepse kritikat për mungesë lirie në PS, siç tha ai, i shërbejnë kundërshtarit politik. Si mund të zbërthehet kjo taktikë; edhe tërheqje edhe sulmi, që të paktën la në të njëjtat pozita tre anëtarët e mendimit ndryshe: Islami, Malaj e Harasani...
Në pluralizëm, një parti politike përfaqëson atë grup vullnetar njerëzish që grumbullohen, organizohen e aderojnë së bashku në një formacion politik, në bazë të disa parimeve të përgjithshme të përbashkëta, pikërisht për të synuar realizimin ose kontrollin e qeverisjen, për të ndikuar në politika publike konkrete apo për të zbatuar disa programe të veçanta. Si bashkime vullnetare individësh, ato mund t’i realizojnë më mirë këta objektiva nëpërmjet fitimit të zgjedhjeve dhe mbajtjes së zyrave publike. Po ashtu, në botën e sotme, partitë politike gjithnjë e më shumë po i largohen disiplinës së dikurshme. Madje, dhe organizimi i tyre, në përputhje me strukturat zgjedhore, po bëhet mjaft i zbehtë. Sidoqoftë, edhe si parti elektorale, ato ruajnë struktura kombëtare (brenda vendit apo në emigracion), struktura në nivel shtetëror dhe ato në nivel lokal. Mbi të gjitha, po ravijëzohet gjithnjë e më qartë një proces decentralizimi në linja të ngjashme me atë të organizimit të vetë pushtetit (qendror e vendor). Vetëkuptohet që përjashtimi në kushte të tilla është krejt pa kuptim, madje tepër i dëmshëm, sidomos kur bëhet fjalë për përfaqësues partie me përvojë të veçantë apo deputetë. Në fakt, gjithçka varet dhe duhet të varet nga angazhimi e vullneti i individit, por dhe interesi konkret i tij. Ndërkohë, “stërkëmbçat” janë gjë tjetër, ata mund të realizohen në mënyra të ndryshme, në kohë të ndryshme, nga drejtuesi i partisë në qendër e bazë apo dhe “entourage”-et e tyre. Problemi bëhet akoma më i mprehtë kur përzgjedhja në drejtim dhe avancimi në karrierë bëhet jashtë kërkesave të meritokracicë, por thjesht përzgjedhje kryetari, larg përgatitjes e përvojës, jashtë parametrave e kritereve cilësore, kapaciteteve aftësore.
Në Kongres ra në sy mungesa juaj, e zotit Nano dhe Andis Harasanit. Cila ishte arsyeja në rastin tuaj?
Pa më të voglën qejf-mbetje, thjesht mund të pohoj se ftesën-mandat të kongresit ma dha roja e natës e SIGAL-it, kur erdha në shtëpi pas orës 21.00, pra pas veprimtarisë së organizuar për promovimin e librit të tretë të B. Blushit, “Shqipëria”, dhe pirjes së një kafeje me miq në “Sheraton”... Madje, atje, si me shaka e përmenda faktin e mos pasjes së një mandati votimi për të nesërmen. Ndoshta, kjo mjaftoi që dikush të informonte për këtë gjë dhe ta nisnin mandatin menjëherë tek adresa ime. Disi si vonë!...
Ndërkohë, ndaj një analize të bërë prej jush para disa ditësh, ku premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të punës e konsideronit të pamundur, në Kongres pati adresime të forta. Kreu i PS dhe deputetja Kodheli e kanë kundërshtuar argumentin, duke e krahasuar reagimin tuaj me atë të Berishës apo si akuzë (akuza për mashtrim) që nuk mund t’i bëhet familjes politike së cilës i përket. Cili është komenti juaj?
Një ditë para kongresit të PS-së, në shumë kanale televizive u zhvilluan debate politike-ekonomike. Kjo më pëlqeu, madje për këto debate ka nevojë politika e qytetari. Në një mënyrë apo tjetrën, m’u duk se dhe unë kisha dhënë kontributin tim në nxitjen dhe zhvillimin e tyre, nisur dhe nga një shkrim i një dite më parë në gazetën “Panorama”, me titullin tim “A mund të hapen 300 000 vende pune brenda një mandati qeverisës!?...” Pavarësisht “lojës politike-redaktoriale”, apo “zhyerjes” në të zezë të një pjese të materialit në shtypshkronjë (të paktën në kopjet që unë dhe disa miq të mi patën në dorë!), ai mishëronte me germa, me pika e presje të gjithë atë që unë mendoja dhe argumentoja me shifra e llogaritje konkrete për çështjen në fjalë. Pa dyshim, pa pretenduar për një të vërtetë absolute timen. Ama, duke u bazuar në një përllogaritje të përafërt mbi koston e një vendi pune, kosto që në vetvete nuk është çështje retorike politike, por mbi të gjitha një çështje numrash. Çudia e madhe ishte nisja e një furtune në gojë uji kundër këtij artikulli. Për më tepër, deri tani nuk kam ndeshur ndonjë llogaritje konkrete kundërshtuese ndaj asaj llogaritje, por veçse shpalosje politike e retorikë mjerane. Ndoshta, nëse e keni mundësinë ribotoheni këtë artikull, ashtu siç unë e kam dërguar te “Panorama”, përbri intervistës sonë... Sidoqoftë, le të shpresojmë për më shumë kohë e axhustim nga propagandistë-specialistët! Unë arrita në atë përfundim për një kohë të shkurtër, kurse ata, ndoshta, duan më shumë kohë dhe muajt e deri tanishëm nuk u kanë mjaftuar! Veçse po të ishte kaq e thjeshtë, në vende tepër të zhvilluara nuk do të planifikohej një ulje prej 1-2% të shkallës së papunësisë gjatë një mandati, por sa kjo e planifikuara prej PS-së, që lëviz nga afro 30% (lidhur me shifrën zyrtare të forcës së punës prej gati një milion) në atë prej afro 20% (të llogaritur sipas shifrës së dhënë prej PS-së në kongres prej 1.7 milion). Natyrisht, më erdhën në vesh dhe ca “zhurma” të orientuara qartësisht kundër, por kjo nuk përbën për mua një shqetësim. Në fakt, shqetësimi im i vërtetë lidhet (me dashje apo pa dashje) me ngatërrimin partiak të përmbajtjes së konceptit dhe rolit të specialistit me atë të propagandistit, mishërimit në praktikë të tij. Këtu është dhe gabimi, këtu nis paaftësia e inkapaciteti, aty projektohet dështimi! Aq më tepër, që gjatë disa debateve televizive apo përpjekjeje shkrimore, kjo çështje u shfaq në mënyrë të dukshme për përfaqësuesit e partive kryesore, të ftuar si specialistë dhe të shndërruar, si në mjaft raste të tjera, nën urdhrin e njëshit, në thjesht propagandistë. Krejt ndryshe nga analiza aspak partizane e shumicës së përfaqësuesve të shoqërisë civile apo medias neutrale...
Zoti Meidani, në listën e kandidatëve për Asamblenë e PS binte në sy rikthimi i disa ish-deputetëve apo ish-drejtorëve të administratës socialiste, që pas 2005-ës u shmangën dhe u zëvendësuan me njerëz të rinj nga Rama. Si e shihni këtë lëvizje, a sjell kjo më shumë cilësi apo kohezion në opozitën e PS?
Për mua, lidhja shpirtërore dhe përvoja janë domosdoshmëri për realizimin e suksesit të një partie politike. Me të lidhet dhe alternimi i drejtë i brezave dhe balancimi i suksesshëm i tyre. Kjo u deformua tej çdo mase, por tani, qoftë dhe pjesërisht, diçka është kuptuar, ama pas 6-7 vjetëve hallakatjeje dhe orientimi të dezorientuar. Gjithashtu, kërkohet akoma punë për ta kuptuar, se, nga ana tjetër, për një parti politike, në vend të teatrit e skenimit artistik kërkohet bark, shpirt, zemërgjerësi e njerzillëk, mirëkuptim e respekt i ndërsjellë midis anëtarëve, pavarësisht pozicioneve të tyre partiake apo anëtarësisë së thjeshtë....
Problemi i bashkimit të opozitës ka bërë që dy zgjedhjet e fundit të përgjithshme PS-ja me gjithëse partia më e votuar të mbetet në opozitë. Dje përveç ndonjë zëri minor, ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk pati artikulim as për mirë as për keq. Po kështu nuk pati ndonjë platformë të veçantë për aleatët e tjerë. Si e shihni ju këtë sjellje politike?
Ka akoma kohë deri në zgjedhjet e vitit 2013 për të arritur në aleanca, organizime e mirëkuptime konkrete. Veçse, për të arritur aty, PS-ja duhet të riformatojë thellësisht vetveten, jo me artificialitete e teatralitete, por me realizëm, tolerancë e mirëkuptim midis anëtarëve të saj të vjetër apo të rinj. Po aq i rëndësishëm është dhe koncepti i federimit, sidomos kur veçoritë midis palëve janë të dukshme, përfshirë dhe të gjitha forcat politike të konsideruara si të spektrit të majtë apo të qendrës.
Pas prezantimit dhe miratimit të programit politik, lidershipi i PS duket i kënaqur me impaktin që ai ka shkaktuar në opinionin publik. Duket si një film i parë, më 2005 me programin e bujshëm të PD dhe më 8 Maj me premtimet e Bashës. Shumë zëra e vlerësojnë atë si sipërfaqësor, pasi theksojnë problemin e gjetjes së fondeve. Ndërkohë, të tjerët kërkojnë që të mos paragjykohet, por të diskutohet me qëllim pasurimin e përmirësimin. Cili është mendimi juaj për të?
Në gjykimin tim, ai duhet t’i nënshtrohet gjykimit të anëtarësisë së partisë dhe atij popullor, për ta kolauduar dhe përmirësuar. Kjo duhet kuptuar, madje ai sekretar që e quajti të mbyllur këtë punë në kongres, kot mban një detyrë të tillë partiake. Në këtë mënyrë procesi i zhvillimit permanent të programit politik bëhet realist, depërtues dhe kooperues. Aq më tepër që pas pseudo-tezës së gabuar të ndërtimit të programit politik prej bazës, tani duhet të kuptojmë drejt dhe të realizojmë sa më mirë tezën e gjithë pranuar të kolaudimit të programit të hartuar nga specialistët më të mirë prej anëtarësisë së partisë dhe vetë qytetarëve...
Cili do të jetë impakti i këtyre ngjarjeve brenda opozitës nën dritën e zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës?
Shifrat elektorale të deritanishme flasin disi ndryshe, prandaj kërkohet shumë më shumë punë, seriozitet e angazhim, bindje dhe besim. Po ashtu, kërkohet nga PS-ja një kontribut politik i drejtpërdrejtë, një pjesëmarrje institucionale e nxitje qytetare; dhe mbi të gjitha, bashkim, bashkim dhe vetëm bashkim...
No comments:
Post a Comment