Monday, November 7, 2011

Rama: Të larguarit për çdo arsye nga PS, të ftohen për të diskutuar mbi programin


Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e cilësoi një sukses Kongresin e kësaj force politike duke thënë se ka entuziazëm. “Programi i shpalosur në Kongres nuk është fjala jonë e fundit por hapi i parë në rrugën që ju ofrojmë shqiptarëve. Nga nesër libri i programit do ti shpërndahet organizatave nga Bajram Curri në Konispol. Do nisim kontaktet intensive për të diskutuar mbi programin. Mbledhja e organizatave për diskutimin e programit do të bëhen të hapura”, theksoi Rama. Sipas tij, hapja e diskutimit për programit do të shkojë paralelisht me hapjen e partisë dhe do nisë puna për objektivin e rritjes me 30% të anëtarësisë së PS deri në vitin 2013. “Vet Partia Socialiste duhet të bëhet shtëpia e më shumë shqiptarëve. Të gjithë të larguarit për çdo arsye të ftohen për të marrë pjesë në diskutimet e programit në organizata. Në këto diskutime duhet të ftohen gjithë ata mbështetës, simpatizantë, të reja e të rinj të interesuar për tu bërë pjesë e kësaj familje politike”, u shpreh Rama.“Dua ti propozoj komisionit të ligjeve një hap të ri për nxitjen e procesit legjislativ për projektet që kërkojnë 3/5 e votave. Të dorëzojmë një axhendë të specifikuar pune me rend çështjesh e afatesh siç e kemi propozuar në parim por këtë herë në detaje. Për të mos i lënë më asnjë mundësi palës tjetër që ti ikë përgjegjësive të veta  e ti bishtnojë paktit që kemi ofruar ne e jo një Pazar me ta. Të gjitha komisionet të përshpejtojnë punën për debatin mbi projektbuxhetin 2012”, theksoi Rama.

No comments: