SHKRUAN: Leonard Bakillari 13-09-2011 09:58
Tiranë Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi mund të ketë si motiv një
çështje pronësie ende të pazgjidhur, e mbetur jashtë vendimit të
Gjykatës së Lartë. Kjo është pista kryesore ku është fokusur prej të
paktën tri ditësh grupi i hetimit, i cili ka nisur një proces të
detajuar verifikimi mbi pronat e trashëguara nga familja Konomi dhe
pasardhës të tjerë të fisit Shallvari. Fillimisht, hetuesit kanë
siguruar dokumentacionin e nevojshëm për një sipërfaqe mijëra hektarëshe
toke në zonën e Gjirit të Lalzit në Durrës, ku janë të paktën tre
procese gjyqësore, përfshi atë të Gjykatës së Lartë, që i njeh pronën
familjes Konomi. Por situata për hetuesit është komplikuar edhe më
shumë, kur kanë zbuluar se të afërm të familjes së gjyqtarit kanë
depozituar një kallëzim penal ndaj zyrtarëve të Agjencisë së Kthimit dhe
Kompensimit të Pronave, të cilët i akuzojnë për shpërdorim detyre dhe
falsifikim dokumentesh. Ky kallëzim ka ngjallur kureshtjen e hetuesve,
të cilët kanë nisur verifikimet e nevojshme për rastin, duke e fokusuar
hetimin në çështjen e pronësisë, por me dy drejtime të ndryshme. Burime
të rezervuara pohojnë se pjesë e hetimit është çështja e pronësisë, për
të cilën familja dhe të afërmit e gjyqtarit Konomi kishin përfituar nga
Gjykata e Lartë më 14 qershor të këtij viti. Ndërsa çështja e dytë është
ajo e kallëzimit penal që po hetohet në Prokurorinë e Tiranës, me
objekt abuzimin me detyrën dhe falsifikimin e dokumenteve. Në thelb, të
dyja këto çështje lidhen me një sipërfaqe të konsiderueshme toke që nis
në Gjirin e Lalzit dhe përfundon në fshatin Rrushkull të Durrësit. Sipas
burimeve të rezervuara, hetimi i të dy rasteve mund të çojë në të
njëjtin përfundim, edhe pse praktikisht flitet për dy sipërfaqe të
ndryshme toke. Kallëzimi penal i Konomit, një pistë e fortë…
Sipas kallëzimit penal që të afërm të gjyqtarit kanë depozituar fillimisht në Prokurorinë e Durrësit rezulton se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në mënyrë të padrejtë u ka mohuar atyre të drejtën e pronësisë për një sipërfaqe toke prej rreth 200 hektarësh. Në kallëzim pretendohet se kjo tokë u është marrë pa të drejtë trashëgimtarëve të familjes Shallvari dhe u është dhënë personave të tjerë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara. Për këtë proces, trashëgimtarët e kësaj familje bëjnë përgjegjës zyrtarët e AKKP-së. Kjo çështje është tashmë në hetim nga njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës, e cila po heton dokumentacionin e kësaj prone dhe veprimet e zyrtarëve të AKKP-së në lidhje me njohjen e të drejtës së pronësisë për sipërfaqen prej 200 ha tokë në Gjirin e Lalzit. Burime të gazetës “Mapo” konfirmojnë se kjo sipërfaqe toke, procedurat e dhënies së të cilës janë nën hetim penal, nuk përfshihet në çështjen që është zgjidhur në rrugë gjyqësore nga Gjykata e Lartë. Nga ana tjetër, pak kohë pas kallëzimit të dorëzuar në prokurori nga Konomi, pala kundërshtare është kundërpërgjigjur me të njëjtin akt, duke e dorëzuar padinë për falsifikim në Prokurorinë e Durrësit. Tashmë, për 200 hektarët në bregdet janë dy kallëzime të ndryshme, të bëra nga dy fise pretendente për të njëjtën sipërfaqe toke, të cilat do të zgjidhen pas përfundimit të hetimit nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Durrësit. Por është ky konflikt i ri, jashtë vendimit të Gjykatës së Lartë, që po verifikohet me prioritet nga hetuesit që kanë marrë në dorë dosjen e ekzekutimit të Skerdilajd Konomit. Sipas hetuesve të çështjes, vend për hetim ka edhe në procesin tjetër të pronësisë, edhe pse ka marrë zgjidhje të formës së prerë, ku trashëgimtarëve të familjes Shallvari, pjesë e të cilës është dhe familja e gjyqtarit të vrarë, i është njohur e drejta e pronësisë dhe i është kthyer sipërfaqja prej 1127 ha tokë në Gjirin e Lalzit.
Udhëtimet e shpeshta në Durrës
Hetimet bashkohen në të njëjtën pikë: atë të udhëtimeve të shpeshta të gjyqtarit Konomi drejt qytetit të Durrësit. Nga të dhënat e para të hetimit rezulton se këto udhëtime kanë të bëjnë me hipotekimin e tokës së marrë me vendim të Gjykatës së Lartë në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, veprim të cilin nuk ka mundur ta kryejë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme. Një nga arsyet e mos-hipotekimit të pronës me sipërfaqe të konsiderueshme ishte edhe mungesa e vendimit të zbardhur nga ana e Gjykatës së Lartë. Por lidhur me këtë çështje ka edhe informacione të tjera që po verifikohen nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e vrasjes mafioze të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në qendër të qytetit të Vlorës.
No comments:
Post a Comment