Sunday, September 11, 2011

Më trego 11 shtatorin tënd dhe të them kush je

Shkruan:
Roger Cohen
11-09-2011 11:00
Ime bijë mbushi katër vjeç atë ditë. E kisha në krahë teksa unë dhe ime shoqe vrapuam nga Remsen Street drejt Brooklyn Promenade. Tymi nga Kullat po trashej e po kthehej në një shtjellë resh. Copa letrash nga zyra imobilare të shkrumbuara fluturonin nëpër East River, nën një qiell, të cilin, tani e quaj blu 9/11. 
Gazetarët e kanë në gjak për të vëzhguar se në ç’drejtim po lëvizin njerëzit dhe ata shkojnë në krah të kundërt. I hipa trenit në Clark Street. Gruaja pranë meje po mundohej të përmbante lotët. Mendonte se të vëllanë e kishte në Kullën veriore. U mundova ta ngushëlloja. Treni i metrosë, një prej të fundmëve që do të lëvizte atë ditë, kaloi poshtë ferrit të Times Square.
Ishte dita ime e parë në një punë të re si editor. Nuk kisha më shumë se 10 minuta në tavolinën e punës kur, në orën 9.59 të mëngjesit, Kulla Jugore ra. Më pushtoi adrenalina: alkimia e gazetarisë. Keqardhja e ndrydhur u çlirua pak ditë më vonë. Një grua, që po kërkonte për burrin e saj të humbur, kishte ngjitur në mur një eko, ku shfaqej një fëmijë i palindur, që tani do të rritej pa baba. Kjo pamje e bëri punën për mua.
Zjarret u dogjën, të ushqyera nga hekuri i shkrirë i nën rrënojave. U dogjën për javë të tëra. Nganjëherë, në varësi të erës, era e djegësirës nga poshtë Canal Street, mbërrinte në Brooklyn, një kujtesë vjellandjellëse e asaj që kishin djegur zjarret. 
Kjo më kujtohet. Një prej gjërave që na mëson 11 shtatori, edhe pas një dekade, është se kujtesa është tradhëtare. Është përherë në lëvizje dhe joshkencore, më afër imagjinatës, e largët nga historia, sa edhe emocioni nga forma.
Sa herë, që nga ajo ditë, kam dëgjuar njerëz nga e gjithë bota, që shpjegojnë sipas tyre teorinë e asaj që kishte ndodhur, bazuar në atë, që ata besojnë se panë. Asnjë teori konspirative nuk ka qenë aq jashtëtokësore apo e marrë, sa për të mos u pëshpëritur. Më është dashur ta përmbaj veten. 
Më trego rreth 11 shtatorit tënd, dhe të them se kush je.
Joseph Brodsky pat shkruar njëherë: nëse ka diçka që e zëvendëson dashurinë, është kujtesa. Të mbash mend, atëherë, është të rikthesh intimitetin”. Ky nuk është një përkufizmi i keq i asaj që bën gazetaria e mirë: rikthimi i intimitetit. Portretet e Trishtimit që u shfaqën në “New York Times” për muaj pas sulmit, prekën në plagë sepse dobësuan, përmes detajeve të jetëve të veçanta, formulën e Stalinit: vrit në masë dhe humbja bëhet veç një numër.   
Më pas erdhi humbja e kombit-humbja e drejtimit. Fillimi i shekullit 20 ishte një periudhë e zgjerimit të ethshëm amerikan. Fillimi i shekullit 21 ka qenë një periudhë e grumbullimit të dyshimit amerikan. Shekulli Amerikan është pas nesh; ky i tashmi ende po e kërkon epitetin e tij ndërmjet fuqive të reja. Se çfarë roli luajtën sulmet në këtë riformatim të globit dhe ç’pjesë e tij mund t’i atribuohet rrymave të pandalshme të historisë- është një pyetje e hapur. 
Do të thosha se ndryshimi i vendeve ndërmjet fuqive ishte i pashmangshëm, por u përshpejtua nga 11 shtatori dhe nga shansi. Gjërat e lëna varur ndihmuan gjithashtu. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetën veten me një president aksidental. Ai e futi kombin në dy luftëra, pa e përgatitur atë për sakrifica. Virtutshmëria e tij nuk toleronte të vihej në pyetje. Papërgjegjshmëria ishte në aleancë me sigurinë, një martesë e tmerrshme. Gënjimi i vetes është mëma e mallkimit. Luftërat vranë. Wall Street gjithashtu. “Whatever” (një fjalë që ka hyrë në zhargon për të demonstruar shkujdesje dhe moskokëçarje-shën. i red.) u bë motoja e amerikanëve të mbytur në borxhe; dhe me kalimin e kohës, erdhi rrënimi.
Kur u vjen koha, ideologjitë ekstreme lulëzojnë. Duhet të ketë një armik të brendshëm. Duhen gjetur koka turku, kompromisi duhet shtypur. Efekti më shkatërrimtar i 11 shtatorit ka qenë polarizimi i Amerikës dhe inkubacioni i urrejtjes.   
Interesi kombëtar ka humbur duke i lënë vendin hakmarrjeve dhe mamuzeve të fanatizmit. Është manipulimi i kujtesës-përkujtimi i papërshtatshëm-që e ka kthyer një sulm nga një bandë muslimanësh fanatikë në bazë të një përpjekjeje groteske për ta nxjerrë jashtë ligjit Sharian islamike në disa shtete amerikane dhe te mendimet skandaloze për presidentin Obama dhe islamizmin. 
Ka një postskript për këtë dekadë: Shpresa. Arabët janë ngritur në këmbë në qindra miliona për të marrë dinjitetin dhe lirinë e mohuar prej kohësh. Tiranitë kleptokratike, nën të cilat jetuan, ishin linja prodhimi për fanatizmin pas 11 shtatorit. Siç Amerika ka mësuar së voni ndryshimi është i vështirë. Do të jetë i vështirë edhe në botën arabe. Por, në këtë shndërrim po konturohet më në fund, gjurma e një përgjigjeje konstruktive për 11 shtatorin. 
Në një prej atyre copëletrave që fluturan përmbi East River gjeta këto fjalë të shkruara për time bije: “po e lë këtë botë në datëlindjen  tënde. Mbaj mend çka sheh; Shkruaje; Kjo është vepra e urrejtjes; Ec përpara; Zgjidh dashurinë; Kërko mirëkuptimin; Mund të ndodhë çdo gjë. Nuk e di nëse Zoti ekziston. Po të mos ekzsitojë, do të jetë më mirë për reputacionin e Tij”.  
Vajza ime e vogël tani është një adoleshente pushtuar nga shtjella e mes fëmijërisë dhe maturitetit. Dikur thoshte se datëlindja e saj është e famshme, por jo ajo. Dikur thoshte se datëlindja e saj është në ditën që u rrëzuan Kullat. Tani ajo nuk thotë asgjë. Zgjedhje e mençur. Ka sa të duash zhurmë. Heshtja është përkujtim.
Kurrë nuk ia dhashë atë shënimin nga ai shpirti në ikje, sepse në fakt, ishte e gjitha e imagjinuar.

No comments: