Pirateria televizive që haset sot në vendin tonë, nga dita në ditë po zgjerohet dhe më shumë, ndërkohë që kineastët shqiptarë ngrenë zërin duke kërkuar të ketë sanksione më të forta ndaj shkeljes së të drejtës. Regjisori i njohur Kristaq Mitro, pohon se kjo situatë ka ardhur sepse nuk zbatohen ligjet, ndërsa thekson se deri më tani nuk ndihet fuqia e shtetit. Në ditët kur platformat dixhitale, po gllabërojnë milionat e krijuesve dhe artistëve shqiptarë duke piratuar prodhimtarinë artistike, regjisori pohon se do ta quante paradoks zbatimin e ligjit. Sipas tij, sot më shumë se kurrë dëgjohen vetëm fjalë të cilat vetëm janë përsëritje, ndërsa nuk shikohen masa konkrete ndaj piraterisë, e cila nga ditë në ditë po i zgjeron përmasat e saj. Në intervistën dhënë për gazetën “SOT”, regjisori i shumë filmave të njohur shqiptarë, ndërsa flet për problemin e piraterisë televizive, thekson se edhe televizioni shtetëror RTSH nuk paguan të drejtë e autorit. Sipas tij, kur nuk paguan RTSH që është shtetëror, atëherë nuk duhet të presim nga televizionet e tjera që janë privatë. Regjisori tregon se ndihet keq kur shikon që krijimtaria e tij artistike e piratuar ka pushtuar ekranet, ndërsa thekson se mungon vullneti i respektimit të ligjit. Sipas tij, pirateria televizive është e përditshme dhe kështu do të vazhdojë, sepse nuk ka asnjë rregull.
-Pirateria televizive sot mbetet një problem shumë shqetësues për tregun shqiptar, ndërsa shumë prodhime të kinematografisë shqiptare sot në shumë ekrane televizive vijnë si pirate, madje e drejta e autorit nuk respektohet as në ekranin e RTSH. Ju çfarë mendoni?
Kur nuk paguan RTSH që është shtetëror, atëherë çfarë duhet të presim nga televizionet e tjera që janë privatë. Derisa vetë shteti bën pirateri, atëherë ne si kineastë nuk kemi se çfarë të presim nga të tjerët. Shteti në këtë mënyrë i bën më guximtarë televizionet e tjera private në vendin tonë. Kjo pirateri që haset sot, duket si e padukshme, por kur je përballë ekranit të televizioneve të ndryshme, sidomos ne kineastët gjendemi përballë një naiviteti të jashtëzakonshëm. Kjo është e përditshme dhe kështu me sa duket do të vazhdojë, sepse nuk ka asnjë rregull. Mendoj se me këtë problem duhet të merret shtetit, dhe ta komandojë shteti gjithë këtë punë, duhet të ndihet fuqia e tij.
-E ndërkohë që ne i kemi strukturat shtetërore, kemi dhe një ligj për të drejtën e autorit, por sipas jush çfarë po bëhet?
Ligjet duhet të zbatohen dhe shteti duhet ta kontrollojë këtë. Ne jemi katandisur si pronarë, që shteti iu thotë tërë ditën që do ti kompensojë dhe nuk bën asgjë. Edhe filmat shqiptarë para viteve ’90, janë njëlloj si prona që iu është marrë pronarëve dhe nuk ka për t’iu kthyer qoftë dhe me kompensim, por janë vetëm fjalë dhe nuk dihet se sa do të vazhdojnë fjalët, por me sa duket ne do të mbesim tek fjalët.
-Televizionet private thonë se kanë kontrata, por sipas jush sa zbatohen ato që janë shkruar në kontratë?
Disa televizione e respektojnë kontratën, por ka të tjerë që janë futur në gjyqe të pafund. Nuk e shoh shumë të zbatuar atë kontratë që duhet të jetë bërë për shfaqjen e filmave shqiptarë.
-Pirateria sot po gllabëron milionat e krijuesve dhe artistëve shqiptarë. Ju vetë si ndiheni kur shikoni filmat tuaj në ekrane të ndryshme televizive, të cilët janë të piratuar?
Më vjen shumë keq, sepse është një pronë e vjedhur. Tamam si pronat që janë marrë, janë mohuar dhe vjedhur dhe shfrytëzohen, kështu ndodh dhe me filmin. Me sa duket kjo është ngritur në moral dhe më vjen keq që sot ky është morali, vidh të jesh i nderuar. Këta vjedhin dhe shteti nuk iu bën asgjë.
-Një tjetër shqetësim që kanë ngritur kineastët, veç piraterisë është dhe abuzimi me cilësinë artistike të këtyre prodhimeve të kinemasë. Sipas tyre, në momentin që këto filma shumëfishohen, humb dhe cilësia e tyre artistike?
Kjo është e vërtetë, por është dhe brenda ligjeve teknike, sepse nëse ti një material e merr dhe shumëfishon, ai material asnjë herë nuk vjen në cilësinë e duhur. Por me sa duket, atyre që merren me piraterinë nuk iu intereson shumë cilësia e këtyre prodhimeve. Meqë po flasim për cilësinë artistike të filmave, këtu po përmend dhe AQSHF. Ka filma, të cilët duhet të merren dhe të çohen në Itali që të restaurohen, sepse iu ka ikur ngjyra dhe janë bërë monokromë. Një nga këta filma është dhe filmi që unë kam bërë me regjisorin Ibrahim Muçaj, me titull “Liri e vdekje” dhe ky film duhet të shkojë patjetër në Itali. Natyrisht që kjo punë do dhe para, por ama fitohet një negativ, i cili i reziston kohës sepse më vonë nga ajo do prodhosh pozitivin. Tani ata punojnë vetëm me pozitivet që kanë qenë. Prandaj them se arkiva duhet ti marrë dhe ti restaurojë filmat shqiptarë. Negativi i filmit është një pasuri e madhe e AQSHF. Pra, për mua cilësia artistike duhet ruajtur, edhe pse ajo kërkon shumë investime.
-Disa kineastë janë shprehur se QKK, e cila sot administron filmat shqiptarë para viteve ’90, sipas tyre nuk duhet të merret më, por ti administrojë FMAA. Ju si e mendoni këtë?
Nuk shikoj asgjë të keqe që filmat i administron sot QKK, ndërsa sa i takon asaj që ti administrojë FMAA, unë mendoj se ndoshta ajo nuk është në gjendje për ta bërë këtë. QKK është shtet dhe them se mund të funksionojë më mirë ky administrim. Janë shumë mendime për këtë dhe mendoj se ndoshta duhet të thirren këta kineastë, të diskutohet rreth kësaj çështjeje.
-RTSH ka një arkiv për të cilin kineastët pohojnë se ai ka shumë prodhimtari artistike, ndërsa kërkojnë që këta filma të vijnë pranë publikut, sepse sot mungojnë?
RTSH mendoj se duhet të angazhohet që të ketë një program të caktuar për të shfaqur këta filma, apo dhe pjesë të tjera të asaj krijimtarie para viteve ’90. Ne kemi një krijimtari të pasur artistike dhe ajo nuk duhet ti mungojë publikut shqiptar. RTSH duhet ti shfaqë këta filma, por ndërkohë që ajo duhet të paguajë dhe të drejtën e autorit.
-E ndërkohë para kësaj situate, kur pirateria nga dita në ditë po zgjerohet në tregun shqiptar, ju si një nga regjisorët me një prodhimtari të pasur artistike, çfarë mesazhi keni për atë që shikoni sot?
Paradoksi për mua qëndron nëse do të zbatohet ligji në vendin tonë. Nëse shteti do të bëjë një monolog me veten e vet, duke thënë po ta rregulloj këtë punë, sepse po të dojë shteti i vë të gjithë të zbatojnë ligjin, por kjo nuk ndodh dhe prandaj pirateria televizive tek në është me përmasa shumë më të mëdha se sa shtetet që janë fqinjë me ne. Çuditërisht ne jemi gjithmonë të parët atëherë kur duhet të shkelim ligjet.
-Çfarë mendoni sot për ligjin e kinemasë në vendin tonë?
Mendoj se ato ligje që u vunë në fillim, ndoshta ka ardhur koha që të ndryshojnë disa gjëra. Ka kaluar shumë kohë dhe duhet të rinovohen. Unë e shikoj problemin dhe tek buxheti, që jepet për QKK, dhe mendoj se është i vogël, madje ai nuk krahasohet as me shtetet fqinje me ne. Kur nuk ke para nuk ke as se çfarë të kërkosh nga kinemaja. Them se qeveria shqiptare duhet të rrisë buxhetin për kinemanë, sepse për mua është pak ai që jepet sot.
Intervistoi: Julia Vrapi
Friday, August 5, 2011
Kristaq Mitro: Kur vetë RTSH bën pirateri, çfarë mund të presim nga tv private!?
Publikuar te Premten, 05 Gusht 2011 Shkruar nga SOT NEWS
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment