Kadri Hazbiu mohonte në hetuesi akuzat për mosarrestimin e Teme Sejkos, edhe pse e dinte që ishte agjent. U jep përgjigje edhe denoncimeve për operacionet në Kosovë dhe ndërprerjen e rrjetit agjenturor ndaj jugosllavëve
Paralelisht me Kadri Hazbiun, hetuesia merrte në pyetje edhe anëtarët e tjerë të “grupit armiqësor”, që do të dënoheshin bashkë me të për goditjen e vijës së Partisë. Ali Çeno, përgjegjësi i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu ishte njëri prej të pyeturve, hetuesia e të cilit kishte filluar në Elbasan, e më pas ishte transferuar në Tiranë. Në dëshminë e tij Çeno jep fakte interesante për mëngjesin e 18 dhjetorit 1981, ditën kur Mehmet Shehu u gjet i vdekur në shtëpinë e tij. Ai tregon tmerrin që po përjetonin familjarët e ish-kryeministrit, por edhe vizitën e Kadri Hazbiut, vetëm 15 minuta më vonë. Dëshmia e Ali Çenos, marrë nga libri i Kastriot Dervishit, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja”, hedh dritë mbi mënyrën sesi u gjet trupi i pajetë i Mehmet Shehut, personat e parë që u njoftuan për këtë ngjarje dhe dialogët mes Kadri Hazbiut, Fiqret Shehut dhe Vladimirit për letrën që kishte lënë pas Mehmet Shehu.
Dëshmia e 2 tetorit 1982
Ali Çeno i vitlindjes 1943, ish-përgjegjësi i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu nga viti 1973 e deri në fund të jetës së tij, dëshmonte më 5 prill 1982. Dëshmitari ndodhej me punë në një repart në Cërrik, akoma i paarrestuar. Sipas tij, në orën 19.00 të datës 16 dhjetor 1981, në shtëpinë e Mehmet Shehut kishte shkuar Feçor Shehu, kishte ndenjur një orë dhe kishte dalë prej andej “i mërzitur”. Hetuesia ndaj përgjegjësit të rojeve të Mehmet Shehut, Ali Çeno, zhvillohet nga hetuesit Flamur Çato dhe Sokol Koleka, më 2 tetor 1982 deri më 13 korrik 1982. Edhe kjo është hetuesi e përgatitur nga akuza, sipas dëshirës së saj. Ali Çeno “i pranon” akuzat se ka kryer “veprimtari armiqësore për të goditur vijën e Partisë së Punës së Shqipërisë e për të përmbysur diktaturën e proletariatit”. Hetuesia ndaj Çenos zhvillohet fillimisht në Elbasan, pasi qendra e tij e banimit ishte në Cërrik. Për mëngjesin e 18 dhjetorit 1981, në shtëpinë e Mehmet Shehut, Çeno dëshmon se e ka thirrur Vladimir Shehu në orën 8.00 të mëngjesit. Në korridor, Bardha, gruaja e Vladimirit po ulërinte: “o bobo, babi”. Ka hyrë brenda dhe ka parë Mehmet Shehun të mbuluar me batanije, deri në grykë. I ka matur pulsin dhe ka vërejtur se nuk punonte. Pistoleta ishte mbi batanije. Vladimiri kishte marrë letrën që kishte lënë Mehmet Shehu, duke e cilësuar personale atë. Vladimiri nuk pranonte ta jepte. Ali Çeno i ka thënë që të mos ta hapte. Aliu ka marrë në telefon drejtorin e Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit, Xhule Çiraku, dhe më pas ka njoftuar sekretarin e KQ të PPSH-së, Ramiz Alinë. Feçor Shehun ishte e pamundur ta kapte në telefon. Pas kësaj kishte marrë në telefon Feçorin dhe ky i ishte përgjigjur: “mirë, o, mirë”. Si duket, Feçorri duhet të ishte informuar nga Xhulja. Kadri Hazbiu ia ka behur në shtëpi pas 10 - 15 minutash. Kishte hyrë në dhomën e Mehmetit, ishte dridhur e pastaj kishte shkuar për të takuar Fiqretin. I ishte drejtuar Fiqretit me fjalët: “Pse o Fiqret e bëri kështu këtë punë? Mehmeti s’duhej të vriste veten, se e shumta Byroja Politike, një vërejtje në kartën e regjistrimit do t’i jepte”. Fiqretja ishte ngrirë, qante, por lot nuk nxirrte. Kadriu kishte pyetur në kishte lënë apo jo ndonjë letër, por Fiqretja nuk përgjigjej. Në këtë moment, Vladimiri ka ndërhyrë duke i thënë se letrën e kishte ai (Vladimiri). Kadriu e ka marrë letrën nga Vladimiri, pa e hapur nga zarfi. “Kadriu mori letrën, e palosi më dysh, e futi në xhep dhe u largua”, - thonte Ali Çeno për hetuesinë. Pas kësaj ia kanë behur dy zëvendësministrat dhe grupi operativ me Elham Gjikën. Hetuesia e Ali Çenos zhvendoset në Tiranë, më 1 dhjetor 1982 dhe çështja pasohet nga hetuesit Sokol Koleka dhe Bashkim Caka. Dëshmitarit i kujtohej një rast në vitin 1975, kur Mehmet Shehu i kishte marrë pistoletën me një plumb. Pas pak, në zyrën 154 të tij kishte ardhur Kiço Ngjela. Pasi Mehmet Shehu i kishte komunikuar shkarkimin, Ngjela kishte dalë i zverdhur nga zyra e Kryeministrit. Dëshmitari vazhdon të thotë se pistoletën “Makarov”, me porosi të Mehmetit e kishte marrë pas prishjes së fejesës së Skënderit te Nazar Berberi. Në fund Ali Çeno, nuk i pranon akuzat që i bëhen.
Procesverbalet e hetuesisë së Kadri Hazbiut
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Kopi Niko datë 13.6.1983.
Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Kopi Nikos dhe kam për të thënë se për çështjen e Col Sokolit dhe Dervish Bajramit nuk kujtoj asgjë më tepër sa kam thënë te dëshmia e Col Sokolit. Për këtë të shihen dokumentet. Nuk është e vërtetë që t’i kem thënë Kopit të mos e arrestoni për bixhoz Zenel Bardhin, në vitet 1961 - 1962. Ka shënime e relacione. Nuk kujtoj si e pse është disponuar arrestimi i Hamdi Haskut dhe vëllait të Liri Belishovës dhe përse u tërhoq për hetim çështja në qendër, siç thotë Kopi në vitet 1962 - 1964. Le të shihen dokumentet. Unë nuk di gjithashtu t’u jenë gjetur atyre 300 faqe material. Nuk është ashtu siç e shpjegon Kopi lidhur me ndërprerjen e punës agjenturore - operative me jugosllavët dhe është si e kam shpjeguar unë. Nuk më kujtohet të më ketë informuar për implikimin në hetim ose përpunim të Sofokli Mëshillit, Kiço Ngjela dhe t’i kem thënë ashtu siç deklaron Kopi. Të shihet procesi e dosja e Sofokli Mëhillit. Për Konferencën e Tiranës në vitin 1956 kam dhënë shpjegimet. Për sa kam ditur është njoftuar Komitetit Qendror i Partisë i rrethit dhe i deleguari Beqir Balluku. Unë nuk di të kem dhënë ndonjë shpjegim pas Konferencës së Tiranës, ashtu si thotë Kopi se nuk na shkoi mendja.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e Gani Keçit bërë më datën 15.6.1983.
Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Gani Keçit dhe kam për të thënë se nuk është e saktë ajo që thotë ai, se nuk kam qenë dakord me kritikat dhe përmbajtjen e raportit mbi familjaritetin, përkundrazi, kam bërë autokritikë në organizatë dhe aktiv dhe kam dhënë mendim që raporti të shtrohej në organizatat e partisë e po ashtu kam qenë dakord që ky raport të dërgohej poshtë. Nuk përjashtohet që të kem patur ndonjë vërejtje për raste të veçanta që përmendeshin në raport, si për Jani Naskën e ndonjë tjetër. Nuk kujtoj siç thotë Ganiu ta kem thirrur e t’i kem thënë me arrogancë, përse i bëre relacion Komitetit Qendror të Partisë. Nuk kam mbajtur në asnjë rast qëndrime të tilla ndaj sekretarëve të partisë. Ka mundësi që t’i kem bërë vërejtje Ganiut për taktin dhe të ishte më i duruar si sekretar partie. Nuk është e vërtetë që të kem mbrojtur Qazim Kondin, ky vetë (Ganiu) ka qenë në shoqëri të ngushtë me këtë, Llambi Peçinin e Feçor Shehun. Për sa i përket Lirim Pëllumbit, nuk kam menduar që mund të bëhej sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, porse, si sekretar i dytë, kam qenë dakord. Për çështjen e Gani Kodrës, Haxhi Shurdhit e të ndonjë tjetri kemi gjykuar bashkërisht me Gani Keçin që, përveç gjykimit në rrugë shtetërore, t’u shtrohet edhe në organizatë. Dhe që kështu është vepruar. Për këtë jemi konsultuar edhe me sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë që vdiq.
Pyetje: Po të njohim, i pandehur, me dëshminë e bërë nga Anastas Bojaxhiu më datën 31.5.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Anastas Bojaxhiut dhe kam për të thënë se unë nuk di nëse i ka thënë ndonjë personi në ministri Zylfi Saliu për vrasjen e Idriz Zeqirit. Unë vetë nuk kam dhënë urdhër të tillë. Mua vetë nuk më kujtohet ky rast. Sipas verifikimit të bërë pas vrasjes, kam mbajtur atë qëndrim për të cilin kam dhënë shpjegime në proceset e mia. Nuk di si është zhvilluar mbledhja nga Mihallaq Ziçishtit për procedimin e Çome Vodicës, por me sa më kujtohet, ky procedim ishte i drejtë dhe u bë me miratim të udhëheqjes së partisë, sepse kishte lejuar që vartësit e tij të shkelnin ligjet sistematikisht duke vrarë peshk me dinamit.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Jake Tefik Jaupaj me datën 24.5.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Jake Tefikut dhe kam për të thënë se nuk është e vërtetë që unë të kem miratuar vrasjen pa gjyq të një rasti në Rrëshen, që thotë ai. Nuk di të më jenë raportuar mua dhe unë t’i kem djegur të dhënat që bënin fjalë se Sali Ormeni dhe Beqir Ndou ishin në shërbim të jugosllavëve. Nuk më kujtohet rasti që thotë ky se kemi shkuar: Mehmet Shehu, unë e Mihallaq Ziçishti për të dëgjuar bashkëpunëtorin që jepte të dhënën për mbledhjen e të arratisurve në Ujëlurth Rrëshen dhe si e kush u ngarkuar për të kryer veprimin ushtarak rezultati dhe kush u dënua për këtë dështim, nuk e di. Zakonisht nuk kishte pse të shkonim të tre në takim me këtë bashkëpunëtor. Për vrasjen e emigrantit kosovar, Idriz Zeqiri kam dhënë shpjegimet në proceset e mia e dëshminë e Anastas Bojaxhiut. Për çështjen e Çome Vodicës, gjithashtu kam dhënë shpjegime në dëshminë e Anastas Bojaxhiut. Iljaz Myrton e kam njohur gjatë luftës në Vlorë, kur ka qenë nënoficer në rekrutim si mik i një kushëririt tim nga Tepelena. Më vonë, gjatë luftës nuk e di ç’qëndrim ka mbajtur. Hyrje- dalje s’kam pasur dhe nuk e kam përkrahur për dhënie burse fëmijëve të tij. Hektor Shehun që më bie kushëri, nuk e kam futur unë në organet e Sigurimit dhe s’e kam ngritur unë në përgjegjësi. Le të shihen dokumentet e tij si kuadër. Për qëndrimin politik të sajove të tij nuk kam patur dijeni. Kur gaboi, unë e nxorra në lirim. Ilmi Gurin e kam kushëri të largët nga nëna. Mund ta kem takuar 2 – 3 herë, kur isha në Berat. Në shtëpi as i kam vajtur dhe as më ka ardhur. Nuk di të ketë qenë në ndjekje të organeve të Sigurimit. Unë nuk di që Seri Qerimi të ketë kryer akte të kundërligjshme ose të karakterit moral. Nuk është e vërtetë të kem dërguar Feçor Shehun për të mbyllur çështjen në Byronë e Partisë së rrethit. Si për çdo çështje tjetër, pa e përsëritur kërkoi që nga ana e hetuesisë të shihen dokumentet.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Mitat Zaçe më datën 2.6.1983
Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Mitat Zaçes dhe kam për të thënë se Galip Sojli dhe togeri për të cilin bën fjalë Mitat Zaçe në dëshminë e tij, nuk janë përdorur nga zbulimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por nga i ushtrisë. Për veprimtarinë time në Sigurimin e ushtrisë kam dhënë shpjegime, por nuk është e vërtetë të hapeshin dosje për çdo kuadër nën pretekstin e ruajtjes së tyre nga armiku. Unë nuk di të jem kritikuar ndonjëherë për kundërvënie të rolit udhëheqës të partisë. Rrethanat e lirimit të Mitatit nuk më kujtohen. Lirimi nga burgu i monsinjor Çobës është bërë me miratim të udhëheqjes. Për qëndrimin e tij të mëvonshëm nuk më kujtohet përfundimi. Për procesin e Bregut të Bunës ka patur implikime për disa kuadro. Me këtë çështje jemi marrë mjaft për të saktësuar të vërtetën. Mund të kem shkuar në Shkodër, por lista e materiale nuk di të kem marrë. Këto duhet të jenë në arkiv, si dhe në Komitetin Qendror të partisë, të cilit i janë referuar implikimet. Për ndërprerjen e punës ndaj jugosllavëve në vitin 1954 – 1956 kam dhënë shpjegimet. Nëse në këtë kohë kanë ikur 70 veta nga Kukësi, mua nuk më kujtohet. Ka të dhëna për këtë problem. Për sa nuk u likuidua banda që vepronte në zonën e Hasit nuk e di, por përgjegjësinë e ka Dega e Punëve të Brendshme Kukës dhe Mitat Zaçe. Nuk kujtoj rastin e një kombinacioni që thotë Mitati në drejtim të ambasadës jugosllave në vitet 1964-65. Për këtë duhet të ketë dokumente. Nuk kujtoj gjithashtu rrethanat e arrestimit të Hamdi Haskut dhe Ahmet Thaçit, sepse nuk u zbuluan lidhjet e tyre këtu mbajnë përgjegjësi sektori e drejtoria përkatëse.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Zylfi Saliu më datën 27.5.1983.
Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Zylfi Saliut dhe kam për të thënë se për qëndrimin tim gjatë kohës së luftës në zonën e Kukësit kam dhënë shpjegimet në proceset e mia dhe qëndrojnë ato dhe jo si thotë Zylfi Saliu. Në atë kohë, ky nuk ka qenë komisar batalioni dhe me batalionin e Lumës ka qenë Abaz Shehu dhe jo Abedin Shehu. Nuk janë djegur shtëpi dhe ekzekutimi i mercenarëve në Buzmash është bërë nga komandat e batalionit të dytë e të tretë e unë bashkë me komandantin e komisarin e Brigadës V kemi qenë dakord. Nuk është e vërtetë që të kem ndërhyrë për pranimin në Parti të Niazi Hoxhës dhe nuk kam përkrahur më vonë Abedin Shehu dhe Niazi Hoxhën. Të parin s’e kam njohur nga afër, për të dytin po, kam dhënë shpjegime. Kur e si është pranuar në Parti Abedin Shehu unë nuk e di. Për sa i përket çështjes së Teme Sejkos, qëndron ashtu sikurse e kam shpjeguar unë dhe jo si thotë Zylfi Saliu, se në vitin 1956 është arritur në konkluzionin se ishte Teme Sejkua, personi që kërkohej. Unë nuk kam bërë ndonjë bisedë me gazetarë ose shkrimtarë, ku të kem thënë se Teme Sejko dihej nga ne që ishte agjent, por qe lenë me qëllim kombinacioni. Kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk jam dakord edhe me problemet e tjera që ngre Zylfi Saliu rreth Teme Sejkos, sepse nuk janë të vërteta. Unë nuk kam përcjellë Skënder Kosovën e grupin e tij deri në Qafë Prush. Sa di për të kam dhënë shpjegime në proceset e mia. Nuk është e vërtetë që të kem patur dijeni më parë dhe as të kem miratuar vrasjen e emigrantit kosovar Idriz Zeqiri, siç thotë Zylfiu. Çështja qëndron ashtu sikurse e kam shpjeguar unë në proces dhe në dëshminë e Anastas Bojaxhiut. Nuk është e vërtetë gjithashtu të kem pasur dijeni për vrasjen e një ish bashkëpunëtori në Kukës në arrati, për të cilin është gjykuar Zylfiu me të tjerë. Kam dhënë shpjegime për këtë çështje. Këto akuza ndaj meje për vrasjet përse Zylfiu Saliu nuk i tha në gjyq në rrugë partie e shtetërore, por i ngre tani?
No comments:
Post a Comment