Krijimtari muzikore me vlera sot pothuajse nuk gjendet në tregun shqiptar. Për shumë emra të njohur të muzikës, sot kjo krijimtari ka mbetur me shumë pak emra profesionistë. Këngëtari Arben Duro i njohur për interpretimet e tij muzikore, në një intervistë dhënë për gazetën “SOT” tregon se largimi i emrave të njohur ka bërë që sot të mos gjejmë një nivel artistik tek shumë këngë. Sipas tij, sot tregu muzikor shqiptar është një rrumpallë artistike, ndërsa thekson se faji për këtë nivel të paktë artistik është dhe i brezit të këngëtarëve të njohur, që sipas tij duhet të ishin më aktiv në fushën e muzikës gjatë këtyre 20 viteve.
Duke folur për problemet që has sot krijimtaria muzikore, ai mes të tjerave zbulon dhe disa nga projektet e tij artistike, koncerte live, klipe dhe këngë të bukura do të vijnë në vijim për publikun.
-Jeni një emër i njohur për publikun, i cili ju ka vlerësuar që nga këngët e liqenit, që këndoheshin dikur, por me çfarë po merreni këto kohë?
Unë i larguar nga Shqipëria për shumë vite, kam menduar që rinia përveç disa kompozitorëve të atyre viteve, do ti qëndrojë besnike muzikës, duke bërë vepra artistike me vlera dhe nuk do të bëhej pjesë e përfitimeve të shpejta dhe të çastit, për të nxjerrë vepra artistike që nuk kanë vlerë, gjë të cilën unë e shoh kudo, madje edhe nëpër ekrane televizive. Unë shikoj që gjatë këtyre 20 viteve në vendin tonë janë prodhuar me qindra këngë dhe shumë pak nga këto i gjen në ambiente, ku ne mblidhemi me miq dhe shokë dhe i këndojmë. Kjo është arsyeja që gjatë këtyre 20 viteve, unë kam menduar të bëj diçka në këtë muzikë, sepse ka muzikantë të mirë, por e quaj fatkeqësi që për shkak të interesave të tjera shumë prej tyre kanë devijuar nga karakteri dhe aftësia e tyre.
-Sipas jush, pse nuk dëgjohen më në krijimtarinë muzikore kompozitorët e njohur?
Këngëtarët që kënduan ndryshe nga sistemi, pra brezi i miqve të mi si Sandri, Nori, Bikja, Adhurim Demiri, Leonard Bulku etj, ishin këngëtarë që nuk i bënë fresk muzikës së asaj kohe, dhe jo se nuk kishin kompozime të mira, por për shkak se tekstet ishin me fjalë të cilat ne nuk ishim dakord. Ne ishim këngëtarë që bëmë këngë me shpirt, sepse ne nuk i bëmë për interes. Ato ishin këngë që dilnin nga shpirti ynë dhe për këtë arsye ishin të bukura, por këto këngë ne nuk i gjejmë sot. Pas viteve ’90 shumë nga kompozitorët që ishin pjesë e asaj muzike nuk na pritën mirë, me idenë që ne ishim këngëtarë serenatash, këngësh në rrugica etj. Mirëpo disa nga këta emra të këngëve të liqenit, bënë shumë këngë të bukura pas viteve ’90, si Sandri që ka repertor të bukur dhe këta kompozitorë filluan ta pranonin këtë fakt, që këta nuk ishin njerëz që nuk kishin vlera artistike. Këta njerëz të artit që e gjetën veten në drejtim të televizioneve, ne na penguan dhe krijuan një mur që ishte një pengesë për ne. Në atë kohë unë se kisha menduar kaq të gabuar këtë, por sot pas 20 vitesh unë shikoj që këta njerëz bëjnë sot këngë kaq të shpifura në pjesën më të madhe të tyre dhe këndohen nga këngëtarë pa zë.
-Për ju si këngëtar, interpretimi live dhe playback?
Në ekrane televizive sot shikon këngëtarë pa nivel, por më shumë shikon këngëtare që në pjesën më të madhe nuk kanë fuqi vokale dhe kulturë interpretimi. Në pjesën më të madhe ato kanë vetëm sharm dhe janë për striptizëm, kanë këmbë dhe aspak zë, dhe këtë e them me bindje, sepse ato e kanë mbështetur daljen e tyre si këngëtare vetëm tek paraqitja fizike. Në të gjithë botën këto femra përdoren vetëm në lokale striptizmi, dhe me disa lëvizje të bukura kënaqin njerëzit. Këto nuk mund të këndojnë live, ato nuk këndojnë dot sepse nuk ia dalin dot në këtë interpretim. Sot kemi shumë pak këngëtarë që këndojnë live dhe janë zëra të rrallë.
-Sot në shumë lokale dëgjohet vetëm muzikë e huaj dhe aspak shqiptare. Si ju duket kjo, kur ne jemi në pikun e sezonit turistik?
Më vjen keq ta them, por një biznesmen në një lokal është më i interesuar që ti vijnë femra të bukura dhe të këndojnë lloj-lloj këngësh, sepse tërheqin më shumë klientë dhe ai përfiton shumë, se sa të vejë një këngëtar i mirë. Lokalet në plazhe në pjesën më të madhe që zhvillohen në hapësira të hapura e kanë këtë lloj muzike, por brenda zonave bregdetare duhet të ketë lokale për atë pjesë njerëzish që kërkon muzikë kualitative, sepse ka njerëz që e duan këngën shqiptare, këngëtarin e mirë.
-Ju thatë që tregu muzikor shqiptar është i përzier me lloj-lloj ritmesh dhe rrymash, të cilat në pjesën më të madhe nuk kanë vlera artistike. Sipas jush çfarë duhet bërë që të kemi një orientim shijesh muzikore në këtë treg?
Bota ka mekanizma të fuqishme që këngën e dobët dhe pa kualitet e pengon, sepse ka një mur me një derë që iu hapet vetëm atyre që dinë të sjellin krijimtari të bukur. Në këtë mes duhet të ndihet dhe fuqia e ZSHDA-së, me anë të së cilës të bëhet filtrimi dhe dalja e çdo albumi në tregun muzikor. Duhet të kemi mekanizma që të thonë që kjo këngë nuk bën të dalë në treg, sepse nuk flitet shqip dhe është një këngë e vjedhur, ose shkurt është një rrumpallë. Nëse ka një CD cilësore ajo duhet të pranohet dhe në çdo televizion duhet të vendosen njerëz që janë specialistë muzike, sepse i riu është rritur me këtë muzikë rrumpallë dhe ai këtë rrumpallë do. Pra në televizione duhet të jenë njerëz, që kanë krijuar një pjekje artistike, gjë e cila do të reduktonte dhe këtë mungesë vlerash.
-Ju pohoni që sot nuk ka shumë vlera artistike në tregun muzikor, por brezi juaj çfarë bën që të kemi më shumë kualitet në muzikë?
Faji jonë qëndron në faktin se ne nuk kemi qenë shumë aktivë, dhe ne paralel me këtë muzikë duhet të bënim dhe krijimtarinë tonë muzikore, sepse ne jemi brezi që këndojmë live. Mbi bazën e kësaj përvoje të interpretimit live ne do të sillnim vërtetë gjëra të bukura dhe me vlera për publikun, por për fat të keq shumë nga ne u larguan nga Shqipëria, unë po ashtu, dhe u shkëputëm, por unë mendoj që atë që lashë në mes do ta rinis sërish. Kam dëshirë që të nis një tur në Shqipëri, me 3-4 këngëtarë të muzikës live duke kënduar këngët tona aq të bukura.
-E ndërkohë veç këngës ju njiheni dhe si president i agjencisë AKDIE dhe si themelues i saj, e cila ka në fokus mbrojtjen e së drejtës së autorit. Çfarë mund të na thoni rreth saj?
Në përputhje me ligjet shqiptare dhe atë të drejtës së autorit u krijua agjencia AKDIE. Me iniciativën time personale unë e krijova këtë agjenci, nxjerrjen e lejes së saj dhe fillimin e aktivitetit. Fillimi ishte me shumë probleme, pa mbështetje nga shteti, sepse artisti në Shqipëri është si ai fëmija që lind, por nuk ka kush ta rrisë, sepse shteti shqiptar nuk bën asgjë për artistin, dhe në përputhje me të gjithë legjislacionin filloi dhe funksionimi i saj. Para një viti, për arsye se unë isha dhe anëtar këshilli dhe nuk më lejohej të isha drejtues dola si president i AKDIE, dhe që nga viti i kaluar unë jam në këtë rol. Me keqardhje e them, që më janë prerë marrëdhëniet me administratën dhe kanë krijuar një çarje dhe kjo për interesat e tyre personale, për ta zhvilluar këtë aktivitet, ashtu si zhvillohet dhe sot muzika si një rrumpallë, aty kanë ndodhur disa lëvizje jashtë statutit të agjencisë, që unë do të flas më vonë. Për mua e drejta e autorit në vendin tonë është në nivelin zero, ku injorohet artisti, i cili sot është në pikë të hallit. Shumë artistë të mirë sot nuk kanë financë dhe nuk përfitojnë nga krijimtaria e tyre ndër vite. Sot na ka dalë brezi i kingëve dhe i kingeve të bukura, që na kanë bërë një turli muzikor që nuk merret vesh. Ata nuk kanë as nivel kompozimi dhe as nivel interpretimi, dhe duke i bashkuar të dyja na vjen kjo turli që nuk dëgjohet.
-Mesazhi juaj për kompozitorët e rinj?
Këta kompozitorë të rinj le të bëjnë rrumpallë sa të duan, për sa kohë që nuk do të dali ndonjë krahë tjetër i fortë, që ti pengojë.
-E ndërkohë ju folët për problemet muzikore, por çfarë mund të na thoni sot për projektet tuaja artistike?
Unë i premtoj publikut, se me fillimin e sezonit të ri unë do të filloj me udhëtimin e të gjithë këngëve të mia të vjetra të riorkestruara dhe do ti sjell me të gjitha format tek publiku, me klipe, CD, koncerte, do të shpërndaj dhe CD falas për të dhënë mesazhin që ai brezi i këngëve të liqenit, është pranë publikut. Po ashtu kam dëshirë që të zhvilloj dhe një koncert live, dhe kam për të sjellë gjëra shumë të bukura.
No comments:
Post a Comment