- Publikuar te Enjten, 04 Gusht 2011 05:00
- Shkruar nga SOT NEWS
Nga Orhan ZARSHATI Opozita politike shqiptare e kryesuar nga Partia Socialiste me kreun e saj Edi Rama, zgjodhi rrugën e gabuar dhe të fajshme të bojkotit të Parlamentit; kuvendit ligjvënës të Shqipërisë, ku debatohet për çdo ligj, vendim, rezolutë e deklaratë të pikëpamjeve dhe veprimeve të politikës shqiptare, për problemet që i interesojnë vendit, brenda dhe jashtë tij. Por opozita në vend që të vinte në kandar veprimet e pozitës, preferoi mospjesëmarrjen dhe gojëkyçjen e deputetëve opozitarë dhe largimin e tyre nga ballafaqimi në seancat plenare dhe në komisionet e parlamentit. Kështu opozita i shkaktoi një dëm të madh vendit, në të gjithë komponentët e jetës politike, ekonomike, sociale e kulturore të tij.
Analistë e opinionistë politikë e kanë vënë në dukje dhe e kanë analizuar hollësisht qëndrimin difektoz të opozitës, e cila ka përzgjedhur vetëm “protestat” e rrugës, ato në shtyp e konferenca shtypi, në median elektronike dhe nën çadrat e grevës së urisë; por pa dhënë e paraqitur asnjë alternativë se çfarë duhet bërë për të dalë nga gjendja e ngërçit dhe e krizës politike mbi dyvjeçare, e cila ka ngërthyer vendin dhe popullin.Populli shqiptar nuk ka parë deri më sot një opozitë si alternativë qeverisëse. Mund të thuash natë e ditë, sa të duash, siç bën opozita, se qeveria është e korruptuar, por pa dëshmuar e argumentuar korrupsionin me fakte reale, sidomos me analiza të hollësishme. Një sjellje tillë e opozitës nuk ka asnjë vlerë, sidomos po të niset nga synimi i saj për të ardhur nesër në pushtet.Mospjesëmarrja në Parlament dhe bojkoti i tij, ka sjellë për pasojë kalimin e ligjeve, që cënojnë sigurinë kombëtare dhe unitetin kombëtar të vendit. Kështu ishte ligji për regjistrimin e popullsisë, apo për “censusin” e saj mbi bazë etnie (ose siç po na thuhet tani së fundi mbi bazë të përkatësisë etnokulturore!) dhe feje. Po këtu vlen të përmendet dhe ligji për regjistrimin e pronave në zonat perëndimore bregdetare, sipas një projekti të drejtuar nga BE dhe OSBE (me zyra përfaqësimi spanjolle), por me nëntekst grek.Parlamenti është shesh beteje politike ndërmjet pozitës dhe opozitës, nga ku nuk duhet larguar në asnjë mënyrë, mbasi kjo i sjell dëme të pallogaritshme vendit.Kështu shqetësimet mbi projektin e BE-OSBE, për regjistrimin e pronave në bregdet dhe apeli i pronarëve për këtë veprim, nuk mund të gjejnë asnjë mbështetje po të mos i kundërshtojë e t’i debatojë opozita në Parlament. Nuk mund të bëjnë asgjë Rrapo Hajredin Danushi dhe Agim Toro, pa mbështetjen e një zëri të fuqishëm opozitar në kuvend, sidomos kur aktet ligjore kanë përmbajtje dhe synime antikombëtare dhe antiqytetare.Lideri i partisë Socialiste dhe i koalicionit opozitar, Edi Rama, para zgjedhjeve politike të qershorit 2009, deklaronte në media se PS nuk e ka prioritet të sajin, kthimin dhe kompensimin e pronave, pronarëve legjitimë. Por, më vonë e ktheu fletën dhe kur afruan zgjedhjet, doli e foli në favor të pronarëve. Tani ai hesht dhe nuk prononcohet dhe as ka ndërmend të prononcohet për të drejtat e pronarëve; siç bëri në fushatat parazgjedhore, kur fliste në favor të pronarëve. As kundërshtarët e tij brenda partisë, si Kastriot Islami, Andis Harasani, Ben Blushi dhe Arben Malaj, si “disidentë” partiakë, nuk thonë asgjë për të drejtat e pronarëve. Madje pëshpëritjet nën zë duan të thonë se Anastas Angjeli (i afruar përsëri me PS) dhe Arben Malaj, po kurdisin afera në Jug të vendit, për të përvetësuar me të padrejtë pronat e shqiptarëve, për vete dhe për minoritarët.Regjistrimi etniko-fetar, apo etnokulturor-fetar, dëmton rëndë qenien unitare të vendit, i cili në asnjë mënyrë nuk është vend multietnik, siç synojnë t’a paraqesin Shqipërinë qarqet shoviniste greke e serbe. Kështu grekët të udhëhequr nga ideologjia e shtetit të tyre teokratik, për formimin e kombit mbi bazë feje (në rastin konkret “ortodoksia bizantine”), i konsiderojnë shqiptarët ortodoksë grekë; ndërkohë që kombi shqiptar është formuar para së gjithash mbi bazën e gjuhës së përbashkët shqipe. Gjithashtu regjistrimi i pronave të popullsisë në komunat bregdetare, i frymëzuar, parashtruar, mbështetur e sponsorizuar nga Greqia, ka synimin e mbrapshtë t’ia dhurojë minoritarëve grekë dhe shqiptarëve të konvertuar në grekë, tokat e shqiptarëve etnikë dhe të krijojë precedentin e territorit autonom grek (Vorioepirit).
Roli i opozitës për të kundërshtuar këtë konspiracion antishqiptar, është zero dhe patjetër është e dhimbshme të konstatohet dhe të pranohet se regjistrimi i pronave të shqiptarëve në bregdet, bëhet me një konsensus e projekt të BE-OSBE të inspiruar nga Greqia (me të cilën sipas politikanëve tanë kemi marrëdhënie të “shkëlqyera”). Kjo do të shpjerë në përfundimin e hidhur,që pronarët e vërtetë shqiptarë, sidomos në komunat e jugut, ku ka ndërthurje,ose jo, të popullsive shqiptare me ato minoritare, si në komunën e Xarës, në komunat e Delvinës dhe të Sarandës, t’i humbasin pronat dhe ato t’u jepen minoritarëve, praktikë e njohur dhe e realizuar njëherë nga qeveria shqiptare në ato zona.Me këtë rast natyrshëm lind pyetja se ku është dhe çfarë bën Shoqëria Civile, Shoqata Pronësi me Drejtësi, Shoqata e Pronarëve të Bregdetit (ku mund të penetrojë faktori grek) për mbrojtjen e pronarëve shqiptarë nga padrejtësia dhe nga përvetësimi thellësisht abuziv i pronave të tyre.
Po nuk veproi vetë pronari shqiptar, siç është rasti i pronarëve qytetarë gjirokastritë,që kanë prona në bregdetin jugor; nuk i shpëton as Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut dhe as gjyqtarët, juristët dhe avokatët shqiptarë, si pjesë e sistemit të korruptuar të drejtësisë shqiptare! Pronarët shqiptarë i presin ditë e përfundime të zymta, po nuk vepruan integralisht në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime. Dhe këtu opozita me qëndrimin pasiv, aspak në mbrojtje të së drejtës së pronave të shqiptarëve, ka faj të madh. Ajo me sa duket u tremb keq nga reagimi i Jorgo Papandreut, President i Internacionales Socialiste, për hedhjen poshtë nga Gjykata Kushtetuese të vendimit antikombëtar për ndarjen e kufirit në ujrat detare në mes Greqisë e Shqipërisë; krejtësisht në dëm të sigurisë kombëtare të Shqipërisë; vendim i cili u denoncua në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Socialiste. Tani kjo parti e trembur nga reagimi i miqve grekë; as që ndihet për ligjin famëkeq të regjistrimit të popullsisë dhe për regjistrimin e pronave në bregdet. Tani edhe Gjykatës Kushtetuese të riformatuar nuk i besohet më; ka pak gjasa që ajo të kundërshtojë ligjin e regjistrimeve.Për këto zhvillime rishtuese (regjistrimi i popullsisë dhe regjistrimi i pronave), opozita mban përgjegjësi të madhe, sepse nuk ka vepruar e reaguar fare dhe as ka ndërmend t’a thotë fjalën e saj edhe sikur të vijë në pushtet në vitin 2013.Prognozat janë shumë pesimiste, pronarët nuk veprojnë sa e si duhet, politikanët nënshtrohen dhe do t’a ulin edhe më shumë kurrizin para trysnisë dashakeqe greke. Kohët tani nuk janë si më parë, varfëria epokale e popullit shqiptar, si në aspektin pasuror dhe nivelin e ulët të jetesës, ashtu edhe në aspektin shpirtëror; janë faktorë nxitës e bashkëshoqërues për konvertimin amoral të shqiptarëve në grekë (emër, kombësi, fe), dobësi e madhe kjo e shqiptarëve, që nuk aspak nacionalistë, por as patriotë. Mungesa e ndjenjës, të paktën patriotike, do të pasqyrohet medoemos në “Censusin” gencpollian, të regjistrimit, me shtimin artificial të minoritarëve realë dhe të rremë grekë në Shqipërinë e frustuar.
No comments:
Post a Comment