- Publikuar te Shtunen, 02 Korrik 2011 07:00
-
Nga Kastriot MYFTARAJ Blendi Fevziu ka bërë të ditur më se një herë publikisht se ai ka idhull dhe imiton gazetarin italian, Bruno Vespa dhe se emisioni “Opinion” i Fevziut në Tv Klan është ndërtuar sipas shembullit të emisionit “Porta a porta” të Vespës. Por Fevziu ia ka arritur me sukses që të bëhet vetëm karikatura e Bruno Vespës. Pikë së pari Vespa është autor i mbi 30 librave, një pjesë e madhe e të cilëve janë studime shumë serioze mbi historinë e politikës italiane dhe mbi personalitetet që kanë bërë historinë e Italisë. Fevziu është autor i disa pak librave, nga të cilët pjesa më e madhe janë libra me intervistat që u ka marrë ai të ftuarve në emisionin e tij.
Të tjerët janë, një libër i vogël me kujtime, për ngjarjet e dhjetorit 1990, një përmbledhje artikujsh që Fevziu i kishte botuar me pseudonim tek revista “Klan”, si dhe së fundi, një roman, simptomë e brengës së Fevziut si letrar i dështuar.Nëse Fevziu do të kishte qenë vërtet një adhurues i Bruno Vespës, dhe do t’ i kishte ndjekur emisionet e tij, do të kishte mësuar diçka nga puna e drejtuesit të emisionit dhe nuk do të fliste ashtu siç flet. Blendi Fevziu e përdor aq shumë fjalën “nëse” në pyetjet e tij për të ftuarit, saqë Fevziu fare mirë mund të quhet Zotëri “Nëse”. Por “Nëse” (If) e Fevziut, nuk është “If” e Kiplingut. Kuptohet se pyetjet që fillojnë me “nëse” nuk janë pyetje analitike dhe nuk nxisin një përgjigje analitike nga ana e të ftuarit. Pyetjet që fillojnë me “nëse” tregojnë çorientimin logjik të mendjes së Fevziut. Klisheja tjetër e pëlqyer e Fevziut në emision është “Të mos e personalizojmë çështjen”. Këtë Fevziu e thotë në momentet e rralla kur ndonjë nga të ftuarit fillon edhe thotë diçka konkrete, dhe kur emisioni fillon e bëhet interesant. Me këtë Fevziu tregon se ai nuk ka asnjë interes që emisioni i tij të shkojë përtej liturgjisë abstraguese politike. Në fakt, kur Fevziu shfaqet në ekran, fytyra e tij ka një pamje mjaft shprehëse, ku duket se në ballin e Fevziut është shkruar: “Unë po ju gënjej dhe nuk shqetësohem shumë nëse ju ndërroni kanalin”.Fevziu ka një pasion për t’ u dukur si gazetar i fjalës së shkruar. Para disa ditësh, Blendi Fevziu botoi tek gazeta “Panorama” shkrimin me titull “Përse humbi Edi Rama”, ku shfaqet më së miri Fevziu, si Vespa në trajtë karikature. Fevziu thotë në shkrim se Edi Rama në zgjedhjet e fundit vendore është një humbës i katërfishtë dhe pastaj, pasiqë ka rreshtuar katër aspektet e humbjes së Edi Ramës, sipas trurit fevzian, nuk është kënaqur me kaq, me sa duket i është dukur pak që e ka nxjerrë Ramën humbës të katërfishtë dhe ka shpikur rrugës edhe një të pestë, duke e nxjerrë humbës të pesëfishtë. Fevziu, qartësisht e ka humbur radhën e humbjeve që po i atribiuonte Edi Ramës, ashtu si radhën e mbiemrave të vet, prej të cilave familja e tij ka ndërruar katër në shekullin e fundit, por Blendi mban të pestin, mbiemrin e dajës. Me sa duket Blendi ka menduar se Doktorit do t’ i pëlqejë më shumë sikur Edi Rama të dalë humbës i pesëfishtë, prandaj e ka sforcuar fantazinë e vet të mangët.Nëse mund të flitet për ndonjë humbje të katërfishtë të Edi Ramës, madje edhe me një plus të pestë, ky është dështimi i Ramës me Fevziun. Edi Rama dështoi me Fevziun kur ky iu ofrua si shok tryeze në biseda intelektuale, në fillim të viteve nëntëdhjetë. Edi Rama dështoi me Fevziun kur mori mundimin që të lexonte krijimet letrare të Fevziut, të cilat ky i mbante në sirtar. Edi Rama dështoi me Fevziun kur u mundua, pas insistimit të Fevziut, që djaloshin e lindur dhe rritur në fshat ta shndërronte, nga provincial rural, në njeri me mendësi kryeqytetase. Edi Rama dështoi me Fevziun kur u mundua që t’ i mësojë jetën e intelektualit bohem Parisian, të cilën Fevziu kishte ëndërr që ta provonte, sipas librave që kishte lexuar. Edi Rama dështoi me Fevziun kur pranoi idenë e Fevziut që Edi Rama të bëhej kolumnist në revistën “Klan”, nën kujdestarinë e Fevziut, në kohën që Edi Rama ishte Ministër i Kultutës.Dhe e pesta e humbjes së katërfishtë (sipas shembullit të llogarisë së Fevziut), Edi Rama dështoi kur u përpoq dikur që të riciklonte politikanin e dështuar Blendi Fevziu. Se Fevziu kishte provuar një herë që të bëhej politikan me partinë Aleanca Demokratike, në lidershipin e së cilës bënte pjesë në vitet nëntëdhjetë. Kur Edi Rama kandidoi për herë të parë për kryetar bashkie, në Tiranë, në vitin 2000, ai e futi Blendi Fevziun në listën e PS për kandidatë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, me ç’ rast Fevziu u bë anëtar i Këshillit Bashkiak në vitet 2000-2003. Është një “koincidencë” që në këtë periudhë Fevziu mori një leje ndërtimi për pallatin ku banon sot në fillim të Rrugës së Elbasanit. Me këtë mbaron karriera e Fevziut si politikan formal, se karriera e tij si politikan informal, vazhdon edhe sot e kësaj dite.Gjithsesi, Edi Rama pati sukses në një gjë me Fevziun, i ndryshoi modelin e flokëve. Edi Rama kur e futi Fevziun në listën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak i vuri si kusht që të ndryshojë modelin e flokëve, duke i thënë: “Kur ika nga Shqipëria të lashë me këtë model flokësh si traktorist myzeqar i viteve tetëdhjetë, dhe me këtë të gjeta, nuk vazhdohet më kështu”. Dhe Fevziu ndryshoi modelin e flokëve, duke iu dhënë fund përpjekjeve sizifiane për ta mbuluar tullën me bishtat e flokëve.Nëse Fevziu si gazetar është karikaturë e Bruno Vespës, Fevziu si politikan është karikaturë e Vespasianit. Perandori romak Vespasiani, po dihet se tha fjalët e famshme “Paratë nuk bien erë”, kur e qortuan për taksën mbi urinën. Fevziu si karikaturë e Vespasianit është i vetëdijshëm se kalimet e tij politike nga njëri krah në tjetrin bien erë të keqe politike, por paratë që fiton nga kjo, nuk bien erë.Kohët e fundit, Fevziu sikur nuk po flet më për adhurimin e tij ndaj Bruno Vespës, dhe kjo duket se ka të bëjë me faktin që kanë dalë prova shumë serioze se Vespa është djali ilegal i Musolinit. Së fundmi është zbuluar se nëna e Bruno Vespës shërbente në hotelin në Campo Imperatore, ku Musolinin e mbajtën të internuar që prej arrestimit të tij në 25 korrik 1943, deri kur e liruan gjermanët në 12 shtator 1943. Bruno Vespa lindi në 27 maj 1944. Teorikisht, Vespa mund të jetë frut i një dashurie mes nënës së tij dhe Musolinit, në një natë gushti të vitit 1943. Në praktikë, kjo duket e besueshme për shkak të ngjashmërisë fizike evidente mes Bruno Vespës dhe Musolinit. Me sa duket Vespa po i paguan tributin adhurimit të Fevziut, i cili i solli fatkeqësi, se ja ku iu hap edhe Brunos së mjerë drama e mbiemrave të shumëfishtë, tani në pleqëri.Dinte apo nuk dinte gjë Vespa për këtë histori të nënës së tij, ai e respektoi deri në fund nënën e vet, ndryshe nga Fevziu i cili ditën që i vdiq nëna doli në televizion, në emisionin e tij, një gjë e pakuptueshme kjo për një njeri si Fevziu, që i përket një brezi të rritur me këngën për nënën të Sherif Merdanit, të cilën për më tepër Fevziu e ka dëgjuar live, se Sherifin e ka pasur mik shtëpie, si shokun e ngushtë të babait. Nejse, të mos e personalizojmë çështjen, siç pëlqen të thotë Fevziu. Gjithsesi, “nëse”- që të flas me stilin e pëlqyer të Fevziut pranojmë se lista e humbjeve shumëfishe të Edi Ramës, sipas fantazisë së Fevziut, mbetet e hapur, e tillë mbetet qartësisht edhe lista e mbiemrave të Fevziut.
No comments:
Post a Comment