Saturday, August 13, 2011

ENVER PETROVCI: Risia ime? Albumi me këngët e mia, ku jam kantautor


SHKRUAN: Ilda Lumani

Enveri Petrovci studioi në Prishtinë degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd. Ka kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën dhe filmin e Kosovës, por edhe të ish-Jugosllavisë, duke u vlerësuar si një nga aktorët më të famshëm të asaj kohe. Petrovci, përveç punës si pedagog në Universitetin e Prishtinës, ka themeluar edhe teatrin e të rinjve, ‘Dodona’; dhe ‘Teatrin e babës’.

Nëse për një moment Enver Petrovci do të mbyllë sytë dhe do të kujtojë fëmijërinë, cilat janë imazhet që shfaqen para jush?

Gjëja e parë që më kujtohet në këtë pyetje është tekerleku. Isha një organizator i mirë i garave, në shumicën e rasteve isha i pari. Pastaj, loja me arra... Ky është imazhi i parë që më kujtohet në fëmijëri. E di që kemi qenë shumë të hareshëm, edhe nuk ngopeshim me lojë.

Meqë e nisëm këtë bisedë nga kujtimet, mund të na thoni ç’tip fëmije keni qenë?

Kam qenë fëmijë me plot gëzim. Nuk ka qenë vetëm fëmijëria ime, por fëmijëria e të gjithë fëmijëve, shokëve, fqinjëve... ka pasur një hare, një gëzim. Të jem i sinqertë, atë gëzim nuk do ta kisha ndryshuar kurrë për fëmijët që sot i shikoj. Fëmijët e sotëm, për dallim prej fëmijërisë sime, kanë kushte shumë më të mira, madje kanë media, televizione, kanë kompjuterë, telefona etj. Mirëpo, e gjitha kjo i bën të vetmuar. Fëmijëria ime ka qenë pa këto gjëra, por me plot gëzim. Ndoshta secilit njeri fëmijëria e tij i duket më e bukur se kjo e tashmja, por, megjithatë, me këtë moshë që e kam, mendoj se fëmijëria ime ka qenë më e mirë se e babës tim, më e mirë se e fëmijëve të mi. Thjesht, kur unë kam qenë fëmijë ka qenë një fazë e bukur, një fazë e zhvillimit, entuziazmit, një fazë pa sherr. Jemi rritur me një sinqeritet dhe unë jam shumë krenar që kam jetuar në atë fazë të historisë së qytetit tim.

Po për adoleshencën tuaj, ç’mund të na tregoni?

Adoleshenca ka qenë pak ndryshe prej fëmijërisë. Në adoleshencë filluan ndryshimet historike... unë nuk i përjetova në shpinën time, porse familja ime. Të mos harrojmë, gjërat filluan të zbulohen, dëgjonim për shumë mundime, burgosje, dëbime. Fillova ta kuptoj së jeta nuk është aq e bukur sa mund ta mendoja.

Ç’urë keni kaluar, ç’karrierë keni pasur dhe ç’ngjarje kanë kaluar në jetën tuaj gjatë kësaj kohe?

Kur më pyesin mua se sa vjeçar jam, u them: kam 2000 vjet. Vërtet e kam pasur një jetë ndryshe dhe plot sfida, një jetë me shumë entuziazëm, ideale, një jetë që, sot, po ta filloja sërish, nuk do të kisha forcë ta përsëris. Mendoj se shumë ndryshime kanë ndodhur në jetën time; ndoshta edhe vetë i kam kërkuar. Unë kam jetuar në një familje, as të varfër, por as të pasur dhe nuk kam qenë aq i sfiduar sa të përjetoj vuajtje, që të jenë inspirim për të përparuar. Jam i sigurt se fatin tim si aktor e ka vulosur një herë e mirë blerja e aparati televiziv në vitin e largët ‘62, atëbotë i kisha 6 apo 7 vjet. Kur e kanë lëshuar atë mrekulli teknike, e kam pa një botë krejt tjetër. Nuk di çfarë çudie mund të ndodhë sot, që një fëmijë të gëzohet si atëherë kur ta ketë parë ekranin televiziv. Shtëpia jonë u bë si kinosallë: vinin plot fëmijë, fqinjë, për ta parë çudinë që quhej televizor. Atëherë kishte program vetëm dy orë, prej 18-20, programi ishte drejtpërdrejt, s’ka pasë atëherë incizime të gatshme. Çuditesha, se si kam mundësi që, ajo, folësja e lajmeve, të zvogëlohej dhe të hynte në atë kuti dhe të komunikojë me ne. Mendoja që njerëzit kanë përparuar aq shumë, saqë ndoshta edhe është e mundur. Por, kur e pashë orkestrën simfonike me mbi 100 anëtarë dhe të gjitha ato instrumente, që bënin muzikë, thashë: ‘O Zot, një person që zvogëlohet mund ta kuptoja, por sesi zvogëlohen 100 vetë, nuk e merrja me mend dot’. Më kujtohet se kisha nevojë të hyja brenda në ekran. Nga pamundësia për të hyrë brenda, i kisha thënë prindërve se unë një ditë do të dukem m’u sikur ai që po fliste para nesh në kutinë magjike, derisa po shikonim me habi. Për koincidencë, më vonë e kuptova që njeriu që po shfaqej në ekran ishte aktor. Kjo dëshirë kurrë nuk është larguar nga unë; prej atëherë iu kam qasë këtij profesioni dhe ja ku jam.

Më pas gjithçka u lidh me formimin profesional. Duket se ju sikur kishit lindur për dërrasat e teatrit dhe ekranin e filmit?

Në shkollën fillore dhe të mesme isha orientuar në ato lëndë që mendoja se më nevojiteshin për aktor. Ka qenë një gabim imi i madh që kam vijuar gjimnazin e jo shkollën e muzikës, sepse me këtë shkollë sot do të isha një aktor shumë më i përgatitur. Pasi e përfundova gjimnazin, dëgjova se ekziston shkolla e lartë pedagogjike, ku aty është dega e artit dramatik, gjegjësisht dega e aktrimit. Fillova ta përcjell teatrin dhe kinon me seriozitet, çdo natë. E di që blija stripa, romane të vizatuara. I lexoja për shkak të gjuhës që duhej të mësoja dhe kuadrove, se si teksti ilustrohej me vizatim. Më vonë, e bëra provën e parë në gjuhën shqipe me këngën e Aga Ymerit, që ishte botuar në gazetën ‘Bat’. Kanë qenë 9 faqe të mëdha, pata marrë një honorar të mirë, sa katër rroga e gjysmë të babait tim. Atëherë kisha 16 vjet.

Kur ju ka djegur për herë të parë ajo “flaka” e dashurisë fëmijërore për një femër dhe si?

Si gjimnazist kam dashuruar për herë të parë, por kurrë s’kam pasur guxim t’i them që e dua dhe e dashuroj. Kur i kam thënë, ka qenë vonë, ose ia kam thënë tërthorazi. Ajo, ndërkohë ka qenë e zënë, bile, bile, krejt vonë e ka kuptuar sa e kam dashtë. Më vonë martohet, bën fëmijë, dhe pas disa vjetësh më lajmërohet, porse unë i thashë se dashuria ime ka vdekë... Dhe, tash nuk ndiej më kurrgjë për të.

Si u njohët me gruan tuaj të ardhshme?

Na ka lidhë pianoja. Unë luaja një rol, në Beograd. Regjisorja gjermane Mira Ercog na dha një pauzë verore. Unë meqë e luaja kompozitorin, e kisha për detyrë ta luaja Ana Marinë. U ktheva në Prishtinë, u njoha me profesoreshën e pianos, Valbonën. Kërkova nga ajo që të më mësonte me piano. Unë ia shikoja gishtat dhe vërtet, nga dita e parë dhe e dytë, unë fillova të mësohem. Në pauza pinim kafe, shoqëroheshim dhe mbetëm shokë shumë gjatë. Një ditë, pas disa muajsh, e kuptuam se kishim nevojë të dilnim vetëm unë dhe ajo. Për sherr u puthëm... dhe e zyrtarizuam atë shoqëri. Kemi mbetur shokë gjithmonë, madje më shumë se dashnorë.

Çfarë ju afroi me Valbonën asokohe? Mendoni ka qenë dashuria, apo ai vlerësimi dhe admirimi reciprok?

Unë mendoj se admirimi ka qenë në pyetje. Kemi qenë shokë shumë të mirë, kemi pasë muhabet ditë e natë, por pa asnjë “sherr”...

Keni dashuruar ashtu siç keni dashur?

Eh, tash kjo është pyetje delikate. Ajo, që kam menduar unë se është dashuri, ta them troç, shqip, e kam ‘dh...në të’! E kam kuptua që kurrë s’kam dashtë. Kur jam bërë prind e kam kuptuar se unë kurrë s’kam dashur, vetëm se ato janë dashuriçka, nevoja fizike, nevoja nga egoizmi, nga krenaria. Nëse do ta kuptosh se a e do dikë apo jo, pyete veten, nëse i gëzohesh gëzimeve të personit që e do, dije që ti atë person e do, por edhe nëse ti hidhërohesh për çdo hidhërim të tij, atëherë, dije që atë person e do. Pra, nuk ke xhelozi, nuk je lakmitar, por, thjeshtë ti e do. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me personin e gjinisë së kundërt, por edhe me prindër, edhe më fëmijë, shokë, shoqe... Por, personi i parë që jam gëzuar kur ajo e ka mirë ose është hidhëruar, është Valbona, gruaja ime. Për këtë arsye jam krenar dhe ajo duhet të jetë krenare që dikush dikë e ka dashtë vërtet dhe sinqerisht.

Keni shijuar ndonjëherë shijen e pabesisë në dashuri?

Jo.

Po në marrëdhëniet shoqërore?

Po. Një shembull tipik: ne duhet ta dallojmë mashtrimin nga tradhtia. Ta bësh një flirt me një femër tjetër, nuk është tradhti, ai është mashtrim. Tradhtia ta shkatërron jetën. P.sh., ti i thua dikujt më prit pesë vjet, unë po shkoj në një vend të caktuar për të punuar. Femra e pret. Mashkulli shkon, martohet me një tjetër dhe pas pesë vjetësh i thotë: unë jam martuar me tjetrën. Kjo është tradhti. Nuk është mashtrim.

Të pëlqen flirti?

Po, më pëlqen. Vetë natyra e njeriut e shtyn njeriun të flirtojë.

Ç’është erotizmi për ty?

E kam harruar. Çfarë ishte kjo?

Sa herë duhet të ndiejë njeriu erotikën; një herë, apo t’i hapë zemrën sa herë që troket?

Unë mendoj se sa herë që ajo troket, duhet ta hapë zemrën.

Në erotikë ndieni xhelozi?

Dikur po, tani jo.

Xhelozia është pasiguri apo tregues i lartë i besnikërisë dhe shprehje e vetë erotizmit?

Xhelozia nuk është as njëra, as tjetra. Xhelozia është sëmundje që kurrë nuk kalon, është e pashërueshme dhe do t’ia preferoja secilit që është xheloz që të mos martohet nëse është i tillë, se aty nuk ka fat, nuk ka familje, ka vetëm skena të tmerrshme. Xhelozia është krijuar për ta shkatërruar partnerin.

Thonë se po nuk ndjeve xhelozi për të dashurën nuk e dashuron…

Po, ashtu kam menduar edhe ashtu mendojnë fëmijët dhe ata që nuk dashurojnë. Ata që nuk e njohin se ç’është dashuria. E thashë, xhelozia është sëmundje, ndërsa dashuria është mirësi.

Përreth nesh a ka erotizëm përtej caqeve?

Ka, por nëse ka cak, nuk është erotizëm, por cak. Një interes.

Përse burrat turpërohen ta shfaqin dhe shprehin romantizmin e tyre?

Unë mendoj se në vendet provinciale e kemi këtë turp, e kam pasë e ndoshta e kam ende edhe unë. Nuk e kemi guximin të shprehim sinqerisht mendimin tonë, sepse edukata jonë na ka mësuar gabimisht që të rrejmë dhe të mbajmë një vijë të rrejshme ndaj partnerit.

E ke kuptuar pse i tërheq dhe je i pëlqyer nga femrat?

Unë mendoj se nuk jam i pëlqyer prej femrave, por jam më i respektuar. Unë, kurrë profesionin tim as anën materiale nuk e kam shfrytëzuar për pëlqim... kurrë.

Enver, le të kthehemi edhe një herë tek aktrimi. Në rrugën që ju keni bërë drejt skenës dhe kinematografisë, a ju kujtohet shfaqja e parë në ekran dhe si e keni përjetuar atë çast?

Mua më kujtohet shfaqja e parë në skenë, të cilën e luajta në shkollën fillore. Shfaqja quhej ‘Gratë e reja’. Regjinë e pat bërë profesori i fizikës, Jonuz Zeqa, i ndjerë. Unë kam luajtur një plak, kostumet, tirqit, plisin, ia pata marrë gjyshit tim. Rolin e djalit e ka luajtur këngëtari Riza Bytyçi, ndërsa gruan, Lumnije Mikullovci. Pas asaj shfaqjeje, të gjithë arsimtarët më kanë thënë se unë duhej të shkoja e të bëhesha aktor. Ndërsa në televizion kam dalë për herë të parë në serialin televiziv për fëmijë, ‘Ka qenë një herë një car’.

Krahas zërit të shkëlqyeshëm, veçoheni nga aktorët e tjerë edhe me pamjen interesante. Si do ta përshkruanit stilin tuaj?

Të jem i sinqertë, kurrë nuk kam menduar dhe as nuk mendoj se kam ndonjë pamje interesante. Bile, bile, aspak nuk jam i kënaqur me pamjen time. Unë them se Zoti të gjitha m’i ka dhënë për aktrim, përveç pamjes. Ndoshta, me aktrimin që bëj, e kam adaptuar pamjen time dhe ajo duket interesante.

Deri tashti keni patur shumë angazhime, jeni angazhuar në shumë role. Sikur jeni ndarë në dy pjesë, në pjesën e dedikuar për skenë dhe atë për film. Ku e gjeni vetën më mirë?

Si i ri, nëse më është dhënë rasti të luaj në teatër, film apo televizion, unë pa dilema, pa mëdyshje e kam përzgjedhë skenën. Filmi ka qenë më i lehtë, më largpamës. Me një energji shumë më të vogël, ke pasë mundësi për të fituar shumë më tepër para, ndërsa teatri kërkonte përditë prova, përditë ushtrime, kondicion. Tani, meqë jam më dembel, kam një moshë, por ndoshta edhe pse jam bërë aktor, më parë do ta përzgjedhja kamerën, filmin, sepse nuk kam më kondicion si përpara për teatër.

Si ndiheni përpara “sikurit” të teatrit dhe “të vërtetës” së filmit?

Teatri është si sikuri, ndërsa filmi e kërkon që të jesh sa më i natyrshëm. Më herët jam ndjerë shumë më bukur në teatër. Me ushtrime të shumta, tani, jam bërë i vërtetë, dhe këtë vërtetësi që e kam, më lehtë mund ta jap në film. Por, me sinqeritet e them, mënyra e aktrimit tim, në teatër dhe në film, gati-gati është e njëjtë, sepse unë më nuk aktroj, as në skenë, as në film, por e jetoj dhe jam më i natyrshëm. Unë, kam më pak frikë në skenë dhe para kamerës, sesa në jetë.

Sot si vazhdon aktiviteti juaj aktorial?

Kam shumë kërkesa, shumë oferta, por jam bërë përzgjedhës i madh, nuk hy lehtë në një rol. Dikur e kam pasë të rëndësishme me qenë roli i mirë, por tashti e kam të rëndësishme kush e ka shkruar atë tekst, kush e bën regjinë, kënd e kam partner, cili është produksioni...

Për çfarë ju vjen më tepër keq?

Më vjen keq që nuk jam shkolluar në një gjuhë botërore. Shumë energji kam harxhuar në një gjuhë lokale, përndryshe karriera ime do të ishte ndryshe.

A pritet ndonjë risi nga Enver Petrovci dhe cilat janë projektet për të ardhmen?

Nëse them se do të aktroj, nuk është risi; nëse them se do të bëj regji, nuk është risi. Risi e re imja do të jetë albumi me këngët e mia, jam kantautor, kam shkruar tekstet dhe këndoj vetë. Orkestrimin do ta bëj dikush tjetër. Kjo është një sfidë për mua dhe befasia për ata që më duan edhe ata që nuk më duan. Këngët janë me tekst që thonë diçka, nuk do të jenë këngë për shkak të këngës. Ta them të vërtetën, idhulli im në këtë botë është Muharrem Qena, i ndjerë. Për mua, kjo Tokë, nëse ka lindë një artist komplet, ai ka qenë Muharremi.

No comments: