Është faqe botës tashmë se brenda mazhorancës gëlon një pasion politik që varion, pothuajse, mes urrejtjes dhe deliktit, kundër presidentit Bamir Topi. Përpjekja për të gjetur diçka racionale në hemisferat e këtij grupimi, është e pamundur. Janë bërë aq identikë në kromozomet e tyre politike, sa nuk ia vlen të merresh fare. Më kujtohet që, jo më larg se një vit më parë, Ilir Meta u distancua prej sulmeve që kryeministri Sali Berisha i bëri kreut të shtetit me rastin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. “Konflikti me Presidentin është personal”- e preu shkurt ish-zëvendëskryeministri i asaj kohe, njëkohësisht shefi i LSI-së. Që nga ajo kohë shumë ujëra kanë rrjedhur dhe duhet pranuar se është në patogjenezën e çdo pushteti vetia për t’i kompaktësuar pikëpamjet mes aleatëve.
Mirëpo, konflikti me Bamir Topin nuk është kaq i thjeshtë sa mund të imagjinojë Sali Berisha dhe njerëzit e tij. Madje, ka të ngjarë të jetë konflikti final, konflikti që do përcaktojë ciklin e Kryeministrit në politikën aktive. Me siguri Kryeministri e ndien këtë. Fakti që, ndonëse ka deklaruar se Bamir Topit nuk do t’i lejohet një mandat i dytë në presidencë, vazhdon ta sulmojë përditë, dëshmon në favor të kësaj. Me Moisiun nuk bëri kështu. E sulmonte, e denigronte, ia kishte përcaktuar fatin edhe atij në Presidencë, por nuk i trembej. Mosiu ishte një i moshuar në dekadencë, që nuk mund të prodhonte një projekt politik. Me Bamir Topin libreti ka format tjetër, sepse ai prodhon konsensus dhe kjo mjafton për të alertuar gjithë pallatin e pushtetit. Kështu që, konflikti i Sali Berishës me presidentin e Republikës, Bamir Topi, ka mbaruar. Në këtë konflikt ai ka fituar, sepse ka pasur në dorë ta nxjerrë nga zyra e Presidentit. Tani, Sali Berisha është duke konsumuar konfliktin me Bamir Topin e së nesërmes. Dhe po përpiqet që ta përligjë betejën e tij përmes arsyesh që, për një pjesë (jo të papërfillshme) të shoqërisë nuk lexohen si të tilla. Ka dy vjet që e sulmon sistematikisht, duke i përmendur “antikushtetutshmërinë” në veprimtarinë e tij, por në sa raste ka përdorur instrumentet që i ofron sistemi për të verifikuar një akuzë të tillë? Ka dy vjet që e sulmon për dalje nga kornizat ligjore në sjelljen e tij si President i vendit, por përse nuk shpjegohet për dështimin e idesë së ligjit organik për instancën e kreut të shtetit? Ky është vetëm një segment nga aspekti juridik i çështjes. Por le të shkojmë pak te politikja. Përse paranojat e disave në Partinë Demokratike kundër Bamir Topit u shndërruan në direktivë partie kundër tij? Përse duhet të pranojmë si krim vetëm votën e Bamir Topit për Edi Ramën dhe të mos e interpretojmë atë si pasojë e një verdikti pa apel që Sali Berisha bëri kur e cilësoi “puçist”? Cili njeri do të votonte pro atij që e akuzon në këtë mënyrë pa e provuar akuzën e tmerrshme? Përse Bamir Topi duhej të ndihej pjesë e një partie, eksponentët kryesorë të së cilës e kishin fyer pa doganë, jo një herë, formalisht (ose jo), si të padenjë? Për shumë më pak, figura të tjera të Partisë Demokratike kishin marrë armët kundër saj.
Megjithatë, ky është versioni i shkurtuar i historisë së PD-së me presidentin Bamir Topi, histori që, në fakt, deri më sot është lexuar ashtu si e ka shkruar PD-ja. Ndoshta për shkak të pozicionit (apo edhe komplekseve të fajit, askush nuk e di) Presidenti nuk ka bërë kontradiktor. Madje, madje, kurioziteti për të lexuar biografinë e autorizuar të presidencës së Bamir Topit, nuk të intrigon kushedi se çfarë. Ajo që ka interes është çfarë po projekton Bamir Topi. Me siguri që po projekton. Është anagrafikisht shumë i ri, nuk ka probleme me moralitetin publik, indukton qetësi në psikikën e tejlodhur të shoqërisë. Kjo nuk është gjithçka, por është shumë. Të gjitha këto i gëzonte edhe si President. Por, PD-ja, në të drejtën e saj, e gjykoi si “të keq”. Vitin tjetër, me siguri do ta zëvendësojë me një që do të jetë “i mirë” për mazhorancën. Mirëpo, do shikojë se Bamir Topi do jetë më “i keq” duke mos qenë President. Dhe kjo, kjo mund të jetë mirë për shoqërinë.
No comments:
Post a Comment