Saturday, August 13, 2011

Aleksandër Meksi: Notoj, po s’thyej rekorde si Mao Ce Duni në lumin Jangce



SHKRUAN: Ilda Lumani

Në këto ditë të nxehta vere, ku të gjithë vrapojnë drejt detit, ish-kryeministrin e vendit, Aleksandër Meksi, e gjejmë në Tiranë… Shkruan një punim, që do ta botojë së shpejti, në studion e tij. Deti, sikundër të tjerët, për të nuk është tundim. Nuk ka qenë as kur ka qenë i ri. Edhe pse prej asaj kohe ka mjaft kujtime. Ndonjë prej tyre përzgjedh për të rrëfyer edhe në këtë bisedë për gazetën “Mapo”. Siç është “ndëshkimi” që iu dha gjithë pushuesve tiranas në një Plenum të qytetit të Durrësit… më tej diskutimi që bënin për rekordin e Mao Ce Dunit në lumin Jangce … Edhe pse, sipas Meksit, rekordet e këtij lloji janë për sportistët. Ndërsa udhëtojmë në kujtimet e tij, nuk mund të mos përmendet Berati. Vendin, të cilin politikani karizmatik, e njeh po aq mirë sa Tiranën. E pastaj, biseda kthehet sërish te Durrësi, shqetësimi i tij për atë katrahurë urbanistike që është bërë përgjatë gjithë plazhit në Golem, dhe zgjidhja e menjëhershme që duhet t’i jepet. Politika në këtë stinë? “As behar e as verë për t’u pirë”, komenton Meksi!

Zoti Meksi, si e kujtoni sot takimin e parë me detin. Në çfarë moshe keni qenë?

Kam idenë se duhet të kem shkuar në plazh rreth vitit ’43, kam qenë rreth 4 vjeç. Pak gjëra turbull mbaj mend. Por di që me t’u kthyer në Tiranë u sëmura me tifo. Kështu që tre muajt e beharit, kohë kur pati bombardime nga aleatët në Aeroportin e Tiranës, unë kam qenë i shtrirë, i sëmurë nga tifo e zorrëve. Ky është kujtimi i parë. Pastaj do të duhen të kalojnë mbi 10 vjet, diku nga viti ’57 kam shkuar për herë të parë në kampin e punëtorëve. Unë isha student dhe me ndonjë ndërhyrje andej-këndej shkova dhe kjo ka qenë hera e parë që ikja për pushime. Pastaj në ’58-ën shkova në Vlorë, kur kisha tezen dhe dajën.

Por që pushimet kanë qenë të rralla dhe për natyrën time. Pasi nuk kisha qejf të shkoja me vështirësitë e kabinave, çadrave, etj. U jam shmangur, për këto arsye, në maksimum pushimeve. Pra kanë qenë shumë të rralla. Tani nuk para kemi moshën për t’u marrë me pushime, në kuptimin e plazheve e detit, por shkoj për pushim në sensin për t’u qetësuar, për të ecur buzë detit, për të lexuar në atë qetësi të madhe, siç është plazhi i Durrësit.

Po deri në vitet ’57, kur nisët pushimet në det, si e kalonit verën?

Që nga viti ’46 deri ’60, që kam qenë në shkollë e student, kam shkuar për çdo vit nga 1 deri 2 muaj në Berat, nga është edhe mamaja ime. Kisha dajallarët dhe rrija tek ta atje, kisha shokë që i kam edhe sot e kësaj dite, të asaj periudhe. E njoh mirë Beratin. Më vonë kam punuar për restaurimin e monumenteve, xhamive e kishave të Beratit, pra e njoh qytetin sikurse njoh dhe rrugët e Tiranës. Sigurisht që kam kujtime të shumta nga pushimet e Beratit, nga shoqërimi me njerëzit, lloj-lloj kujtimesh që mbase ndonjëherë do t’i shkruajmë… Histori nga më të ndryshmet. Ne laheshim në lumë atje dhe ishin dy-tre pika që laheshin njerëzit. Aty njiheshim edhe më shumë me djemtë e tjerë, pasi vajzat nuk vinin për t’u larë.

Po kur nisët të frekuentonit detin, si e kujtoni?

Ajo që kujtojnë të gjithë nga vitet ’60 janë vështirësitë e hipjes në tren, zbritjes, pritjet e ndalimit të trenave në Vorë, stacionet me dërrasa të Shkozetit, ecja pastaj në këmbë për të shkuar te plazhi i Hekurudhës, që në atë kohë ishte kryesori. Sigurisht sot kushtet janë krejt të ndryshme, kanë kaluar dhjetëra e dhjetëra vite. Ne shkonim atëherë me bukë me vete, që sot nuk imagjinohet. Madje mund t’u tregoj, që ishte bërë zakon që para 16 qershorit, që ishte sezoni i plazhit, mund të shkoje për një natë vetëm për të fjetur në hotelet e kohës si, “Durrësi”, “Kruja”, “Butrinti”, që ishin në plazh, dhe pagoje vetëm fjetjen, ushqimin e merrje nga shtëpia. Ne shkonim grupe shokësh nga Tirana, që shkonim në mënyrë të rregullt dy të dielat e para nisjes së sezonit. Mjaft grupe ishin miq me njëri-tjetrin që shkonin atje. Mbaj mend Isuf Vrionin, që shiheshim gjithnjë dhe bisedonim në plazh, pasi me të kisha edhe miqësi familjare. Por pastaj na bllokuan. Pasi në një plenum të partisë në Durrës, drejtori i Turizmit të Durrësit nuk e kishte quajtur të rregullt që “të hamë në Tiranë” e ‘të ………. në Durrës’! Dhe që atëherë nuk shkuam më, se duhet të paguanim për dy ditë dhe i thoshin shumë para. Kështu që nisëm të mos shkonim, edhe sepse kabinat nuk gjendeshin kollaj… por asgjë sot nuk është e ngjashme me atë kohë.

Me notin, çfarë marrëdhëniesh keni?

Di të notoj. Nuk merrem me vendosje rekordesh, ato i vendosin sportistët. Mbaj mend, kur iknim në Durrës, shkonim me njerëz të rrethit tonë familjar dhe shokë tanë të ngushtë, që edhe diskutohej politikë. Madje preferohej në det, tek fuçitë siç quhej. Aty bisedohej më për qejf për politikë se ishe më i lirë. Zakonisht në Durrës ditët e para të gushtit kishte rryma të ftohta dhe u futëm të laheshim, por ishte jashtëzakonisht ftohtë dhe u grumbulluam të tërë tek fuçia. Takuam aty edhe një veteran të plazhit, Veli Dedi, një ish-drejtor i përgjithshëm i Arkivave, veteran i luftës së Spanjës, martuar me një të huaj. Ishte shumë i sjellshëm sepse rastisëm disa herë të bisedonim kur shkonim aty. Ai lahej, madje edhe më shumë se ne, notonte për një kohë të gjatë në det. Nga ai i ftohtë sesi u hap muhabeti aty, kur ai erdhi dhe po tregonte për rekordin që kishte thyer Mao Ce Duni në lumin Jangce. Dhe ne filluam të flisnim, sepse aty në det nuk na mbante mend se kush ishim, për të na gjetur, dhe nisëm të bënim ndonjë shaka që a kishte komardare Mao, mirëpo Veli Dedi na kritikoi ne që s’besonim, se shoku Mao kishte ndenjur për një kohë të gjatë në ujë.

Sot vazhdoni të shkoni në Durrës, çfarë ju bën përshtypje ose shqetëson gjatë kohës që jeni atje?

Unë Durrësin e njoh, se kam nxjerrë edhe vendime sesi duhet të trajtohet plazhi i Durrësit; për 300 metra nuk duhet të ndërtoheshin dhe ndërtimet duhet të ishin pas pishave, dhe të shohësh sot atje është një katastrofë totale urbanistike. Është një qytet që unë do ta quaja “Neë Dyrrachium”, Durrësi i Ri, por që nuk trajtohet si qytet nga ata që merren me këto punë. Nuk mund t’i lihej Plazhi i Durrësit dhe ai Golemit komunave në dorë. Plazhi i Durrësit duhet të ishte një komunë më vete turistike, Komuna e Gjirit të Durrësit, me njerëz të emëruar, sepse atje nuk ka banorë të përhershëm që të zgjedhin hë për hë. Duhet të ishte me rrugë, me elektricitet, me kanalizime, me ujë, njëlloj si çdo qytet tjetër i Shqipërisë. Dhe vetëm atëherë, një pjesë e mirë e atyre qindra, për të mos thënë mijëra apartamenteve, që rrinë bosh, mund të popullohen. Ky vend duhet të ketë dy funksione; plazhin dhe pushimin, e ku si gjithë qytetet e tjera duhet të kishte farmaci, spitale, shkolla, qendra puna, nëse nuk duam që të braktiset e të rrënohet.

Po në këtë gjendje në të cilën ndodhet, cila është zgjidhja që do të propozonit ju?

Ideja ime nuk është e largët, është aktuale. Duhet bërë diçka, para se të ndërtohen në det kulla të mëdha, që sigurisht një ditë do shemben nga natyra, është një domosdoshmëri për ta shfrytëzuar këtë investim. Duhet ta kuptojmë që investime që nuk prodhojnë, nuk kanë më vlerë. Ti mund të bësh një shtëpi katër katëshe në fshat, por ajo nuk kushton sa katër kate, ajo kushton një ose dy kate, sepse aq përdoren, aq janë funksionale. Edhe në plazh, tërë ato qindra miliona dollarë të hedhura, duhet të futen në punë dhe jo të mburren se kanë rritur GDP-në herë pas here. Plus që njerëzit që kanë blerë shtëpi atje kanë të drejtën si çdo shqiptar tjetër për rrugë të asfaltuara, për kanalizime, ujësjellës, etj. Sigurisht nëse paguajnë taksat e pronës, që nuk duhet të jenë simbolike, sikur të jemi në kohën e komunizmi, i cili kishte 52% akumulimin socialist, siç i thonin taksës së fshehur.. Nuk ka pse bëhen gjëra që i takojnë së ardhmes, pa u bërë ato që janë nevoja të sotme.

Përmendëm Durrësin, por ama nuk mund të mos përmendim Jugun dhe të paktën rrugët që janë bërë mjaft të mira. Kështu që diku është investuar…

Patjetër! Paratë janë të shqiptarëve dhe punët i kanë bërë shqiptarët dhe qeveritë i kanë zbatuar. Mos të përsëris diçka që kam thënë, që dikur një kryeministër mburrej se kishte bërë rrugët, i shkruajta që rrugët i bëjnë shqiptarët, me paratë e shqiptarëve. Edhe në kohën e Enverit, nuk thoshte që e bëra unë Kombinatin, por e bëri Partia.

Nëse më parë ishte e vështirë dhe duhej edhe miqësi për të gjetur një kabinë, sot kushdo ka mundësinë të pushojë. Gjithmonë ka ankesa dhe pakënaqësira për plazhet, ndërtimet, plehrat, muzikën e lartë, por sipas jush, cili është gabimi që e ka rënduar më tepër situatën?

Të viheshin në jetë ligjet e qeverisë. Vit për vit bëhet nga një Masterplan, marrin ca para ata që e bëjnë, zakonisht të huaj, dhe po të ishin zbatuar ato shumë nga këto gjëra që janë bërë nuk do të ishin bërë keq. Por fatkeqësisht në Shqipëri thuajse të gjitha gjërat janë bërë të këqija e vetëm shahet, por duhet thënë që ndërtimet e para në Golem bëheshin pas pishave, ishin dy kate brezi i parë dhe tre kate brezi i dytë. Sot janë buzë detit nga 20 kate.

Zoti Meksi, këtë verë politike në Shqipëri si do ta komentonit?

As behar e as verë për t’u pirë!

Përsa i përket politikës, do të vazhdoni rolin e vëzhguesit apo pjesëmarrësit?

Politika është pasion i gjithë shqiptarëve. Merren të gjithë kudo që të jenë. Është si puna e duhanit, nuk e lë dot megjithëse qeveria shkruan përsipër mos e pi se vdes. Kështu është edhe politika. Pastaj përderisa gjithçka, mirëqënia jonë, pushimet, që ishte edhe tema e kësaj bisede, varet nga zgjidhjet politike që do jepen, nga qetësia, nga harmonia e njerëzve, nga rendi, furnizimi me ujë, etj… kuptohet që nuk ke si të mos merresh me të. Pavarësisht se është monopolizuar në Shqipëri, njerëzit duhet të përpiqen sot që të arrijnë të mos merren nesër, kur të mos jetë monopol i dy-tre personave sepse një gjë është mirë t’u kujtojmë shqiptarëve, që askush nga ata që kanë qenë autoritarë në botën europiane nuk ka mundur të lërë trashëgimtarë në politikë.

Çfarë letërsie lexoni aktualisht?

Lexoj pak. Dikur kam lexuar mjaft letërsi artistike. Sot lexoj libra që kanë të bëjnë me qytetërimet, libra të ndryshëm që japin këndvështrime të të menduarit dhe rrallë herë letërsi artistike, por kam ndërmend që kur të mos merrem me këto punët e tjera, të lexoj më shumë letërsi.

Jeni optimist me gjithçka shihni në Shqipëri?

Unë optimizmin e kam prej natyre, sigurisht nuk jam siç thoshte mjeku i Kenedit për Hrushovin, optimist paranojak, që mburrej se do t’ia kalonte Amerikës, etj, etj. Por di që vetëm puna, mundësia për punë sjellin ndryshimet, liria e individit, iniciativa e lirë, demokracia, rendi publik, kur këto të jenë maksimale ose të mira, atëherë përparimi do të jetë i dukshëm.

No comments: