Saturday, July 30, 2011

Vetëshpallja e elitave dhe valixhja e drurit

Shkruan:
Artur Zheji
30-07-2011 11:06

Për dreq telekomanda bën çudira në këtë mjedisin tonë të dixhitalizuar. Kësaj radhe, falë Top-News-it, u ndesha sërish me verbin urbanistik të Klosit dhe sidomos kësaj radhe me atë të Lames së palodhur. Na shpjeguan ne popullit shikues, falë transmetimit live, përmbajtjen e librit më të ri kundër shembjes apo mbi Piramidën. Si dhe gjithashtu, na u shpjegua me durim shembullor neve, popullit, që elita kryeqytetase, term ky i autoreferencuar disa herë, u vetëmblodh dhe shpërndau titujt e exellencës dhe gradat në betejën për një Tiranë të vërtetë dhe për një Tiranë pa tirani.

Në përmbledhje të librit, - të cilin e gjeta me shpejtësi para se të mbyllja shkrimin, - na shpjegoi ne popullit, zoti Lame, ishte zgjedhur dhe zgjidhur me kujdes, kriteri i rreptë i përzgjedhjes së cilësisë, ishte pra, ndarë si të thuash mirë e bukur shapi nga sheqeri. Dhe qëlloi që për një çudi jo të madhe, nga ata të shapit, vetëm Fevziu ishte i përzgjedhshëm, të tjerët, shapista gjithsesi, ngeleshin në klasë, sepse kështu i kish dhënë drejtim kandari i të përndershmit zotit Lame dhe ndoshta edhe peshat e zotit Klosi.

Mirëpo mbas kësaj uverture, u hodhën në sallonin elitar edhe disa teza, për mendimin tim të murrme, në lidhje me të ashtuquajturën psikologji të valixhes së drurit, që ka zbarkuar dhe ka zaptuar Tiranën e valixheve prej enkeliti të autoktonëve dhe që ka si rehati të shpirtit, shkatërrimin e vetë Tiranës djep, që i kulturoi dhe i rriti. Ish zbuluar pra hakmarrja e katundarit dhe malokut ardhacak, që së pari i lëpihet dhe i përulet zuskërisht qytetit, pastaj natyralizohet anëtar i familjes qytetare dhe kur kap komandën, hakmerret për frustracionet e dikurshme që qyteti i kish shkaktuar. Hakmerret duke shkatërruar. Hakmerret në këtë rast, duke shkatërruar Piramidën qyqane.

Në krye të kolonës së bartësve të psikologjisë së valixhes së drurit, ishte simbas tyre, sigurisht Saliu dhe ata në krah apo pas tij.

Tani pra, ndonëse nuk kam qenë asnjëherë partizan apo nismëtar për prishjen e Piramidës, duke u ndjerë entuziast për një Parlament të ri dhe madhështor, emblemë dhe borxh i 20 viteve tranzicion, nuk do të isha kundër që Parlamenti t’i zinte vendin Piramidës. Në këtë duel simbolesh e simbolikash, kultura ime modeste më bën të anoj dhe të prirem drejt parlamentarizmit dhe jo ndaj kulteve piramidale, qofshin këto edhe thjesht arkitektonike.

Në përzgjedhjen e kujdesshme, por jo po aq demokratike Lame-Klosi të këtij botimi, ndërmjet shapit apo sheqerit të ideve mbi temën, kjo e imja, artikuluar në disa shkrime, renditej te shapi, bile te shapi i pabotueshëm.

Ani bre burra, mërzi e vogël kjo, me heq robi n’ditë të sodit!

Por nga na tjetër, mendoj se teoria shpjeguese e psikologjisë së valixheve të drurit, e pra të plebës dhe zgjebës që sundon sot Tiranën politike, është tejet raciste për të qenë elitare, tejet e zgjebosur me lokalizëm meskin dhe në fund të fundit, kjo vetë, është një shap i murrmë dhe i turpshëm dhe antihistorik.

Personalisht jam njohur për herë të parë me këtë analizë që në vitet e largëta ’80, kur fillova të kem një koshiencë fillestare politike. Konstatova aso kohe, se literatura më e bollshme gazetareske dhe politike, bile edhe në shkrimet e para të shokut Enver, ishte e shkrueme në gegnisht. Më pas me Kongresin Drejtshkrimor, se ashtu duhej unifikuar gjuha shqipe, tha Partia, toskërishtja u vendos të ishte gjuha bazë e të gjithë shqiptarëve.

Ndoshta ishte mbreti Zog që imponoi gjuhën gege në vitet ’30 e më tej, por mbreti Enver vendosi ndryshe. Kjo ishte për mua të hasurit e parë të ndërhyrjes së politikës në të përditshmen dhe në të përjetshmen e një kombi siç dhe është gjuha.

Ndaj dhe pyeta ca të “shapit” të asaj kohe, të deklasuar me një fjalë, dhe mora një përgjigje tronditëse për kohën: “Zbritën nga malet këta ujqit e jugut, katundaria e këmbë palarëve të nacionalçlirimtares, shkatërruan qytetin, shfarosën pronën, përdhunuan çupat më të bukura të borgjezëve dhe tregtarëve, shfarosën elitën, na sollën togat e pushkatimit, gjyqet revolucionare, varfërinë dhe flamën komuniste!...”

Komenti më tronditi dhe nuk më entuziazmoi. Kishte brenda të vërteta dhe të pavërteta të gërshetuara vrazhdë dhe jo këndshëm. Dihej që Tirana u çlirua ushtarakisht në nëntor të ’44-s, si dhe sakaq u pushtua kulturalisht nga fitimtarët, që vërtet zbrisnin nga malet dhe katundet, porse absolutizimi i këtij realiteti ngërthente një pjesë dhe jo të tërën e dukurisë që kish ndodhur. Dhe dihet se kur pjesa parashtrohet dhe jepet e serviret në vend të së “Tërës”, e tradhton krejtësisht kuptimin dhe thelbin e së “Tërës”.

E njëjta ndjesi m’u zgjua tek dëgjova metaforën e valixheve të drurit në gojë të njërit dhe në buzagazin aprovues të ca të tjerëve në sallonin e elitës që diskutonte live. Vetëshpallja e elitës së valixhe enkelitsave, sot me siguri valixhe lëkursave, në betejë të hapur me ata, valixhedrursat, që duan të prishin Piramidën që kaq shumë i paskësh kompleksuar, m’u duk groteske dhe mjerane dhe aspak elitareske, dreqi e mori!

Si i ndikuar prej kohësh nga Lev Tolstoi, që gjente në izbat e muzhikëve rusë shpirtin e madh rus, edhe unë mendoj që në fshatin tonë të madh shqiptar, - ku përfshihen edhe ato që me sforco të madhe ne i thërrasim qytete, - ruhet dhe ndryhet më shumë qytetërim i hershëm dhe autentik shqiptar dhe ndoshta prehelen, sesa në të folmen apo të shkruemen me vernik parathëniesh që ndeshim kaq shpesh ndër elitat e vetëshpallura.

E sidomos kur përbuzja dhe cinizmi përdoren si armë të dëshpëruara për të sulmuar kundërshtarin e urryer. Sepse dihet që urrejtja dhe përbuzja janë, duam s’duam, kategori nënkulturore dhe aq më pak të elitës.

Por le ta quajmë një lapsus, të një elite të re. Klosi dhe Lame, janë sidoqoftë e në thelb njerëz të mirë dhe të urtë.

Por pavarësisht të gjithave, pavarësisht se kush e ndau sot shapin nga sheqeri, historia ka vërtetuar që një Parlament është shumë më mirë sesa një Piramidë e perënduar.

Por çështja fle gjetkë, ku do t’i gjejë paratë Kryeministri për të ngritur atë Parlament të shtrenjtë?

No comments: