Wednesday, July 27, 2011

“Të pathënat e dosjes “Kadri Hazbiu”

Studiuesi Kastriot Dervishi ndoshta mund të jetë i vetmi që ka mundur të futet edhe në skutën më të fundit të dosjes misterioze të Kadri Hazbiut. Libri më i fundit i tij, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja”, zbulon pjesën më të madhe të mistereve të historisë së ministrit më jetgjatë të Punëve të Brëndëshme. Në
nje intervistë për “Panorama” Dervishi flet për pikat më të forta të dosjes “Hazbiu” që i shtohet historiografisë së epokës së komunizmit….

Zoti Dervishi! Ç’përfaqëson libri “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij” në kolanën e botimeve tuaja me karakter historik?
Libri “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij” është një plotësim i rëndësishëm për një kohë që sa më shumë kalon, aq më shumë rrezikohet nga harresa. Sjellja e sa më shumë të dhënave rreth gjysmëshekullit komunist përbën më shumë një detyrim. Figura e këtij personazhi historik është parë pikësëpari në rolin e një dëshmitari i cili ka dhënë në atë kohë informacion nëpërmjet Hetuesisë. Për mua e rëndësishme te ky libër është përcjellja e sa më shumë fakteve dhe shmangia e sa më shumë burimeve të informacionit të sajuara nga Hetuesia. Ky ka qenë edhe raporti më i vështirë, pasi, nëse mund të flisnim për një libër të thjeshtë, kjo temë mund të shkonte në 10 mijë faqe. D.m.th; ajo që quhet në historiografi “kritikë e burimit”, është një prej pikave më të forta të këtij libri. Në këtë mënyrë lexuesi nuk hyn në skemat keqëdrejtuese të Hetuesisë, por hyn drejt mësimit të së vërtetës. Kadri Hazbiu ishte ministri më jetëgjatë i diktaturës, një prej besnikëve më të afërt të Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, njeriu që njihte fare mirë të gjitha vendimmarrjet në ushtrimin e diktaturës mbi popullin shqiptar. Absolutisht, të gjithë ata që hyjnë të radhët e të goditurve, ishin bashkëpunëtorë e besnikë të Hoxhës deri në fund.
Pra, kjo ka qënë arsyeja që jeni marrë me historinë e Hazbiut…
Ajo që ndodhi në vitet 1982 – 1983 nuk është gjë tjetër veçse luftë
brenda llojit për të siguruar më mirë pozitën e ardhshme të Ramiz Alisë,
i piketuar si pasardhësi i Hoxhës. Hazbiu i pëshpëritur në mjedise të
ngushta prej Alisë si “gjymi i zi”, përfaqësonte një epokë që duhej mbyllur.
Mbyllja e kësaj “epoke” vinte së pari nga një sfond i pasur sovjetik, duke përsëritur të njëjtën histori që kishte ndodhur me ministrat e Brendshëm apo shefat e KGB-së dhe së dyti, sipas një procedure që kalonte nga organet e larta të PPSH-së e mbaronte në Burgun 313 në Tiranë apo në kodrat e Linzës afër Dajtit. Hazbiu është akuzuar brenda një viti për “tradhti të lartë ndaj atdheut”. Pikësëpari, kjo akuzë u ngrit nga Ramiz Alia në mbledhjen e Sekretariatit për disa çështje që lidheshin me B.S, agjenturën shqiptare te studentët në këtë vend, hapësirën që kishin pasur këshilltarët sovjetikë tek ne etj.
Megjithatë, goditjen përfundimtare Hazbiut ia dha Enveri…
E gjithë veprimtaria e drejtuar nga Enver Hoxha iu faturua në vitin 1982 vetëm Kadri Hazbiut. Me këto që ndodhën, Hoxha luante edhe kartën
e përfitimit moral duke dalë se ai nuk kishte pasur dijeni për ato që u jepeshin sovjetikëve, pasi çdo gjë e kishte bërë Kadri Hazbiu. Në fakt, këshilltarët sovjetikë kishin ardhur para se të vinte Kadri Hazbiu ministër.
Ata kishin dorë të lirë në çdo gjë, madje mund të thuhej se Sigurimi
ishte kthyer në një shtojcë të KGB-së. Çështja tjetër, ajo e studentëve
shqiptarë në Bashkimin Sovjetik, ishte në kuadrin e bashkëpunimit midis
dy shërbimeve sekrete, Sigurimit dhe KGB-së, shto këtu naivitetin e
përhershëm që karakterizonte veprimtarinë e Sigurimit nga njëra anë
dhe të Partisë nga ana tjetër. Në procesin e Hazbiut janë dy ish-ministra
të Punëve të Brendshme dhe një zëvendësministër. Këta ishin ndër
më jetëgjatët në detyrat e tyre. Të tjerët u shtuan kot për të përfunduar
idenë e grupazhit. Në ato kohë Hoxha ishte në dëlirin se kishte
zbuluar një komplot që nuk e kishte gjetur Sigurimi. Ai herë e quante
Sigurimin “armë vigjilente e sypatrembur të partisë” dhe herë e kritikonte
si “gjumashe” se nuk kishte zbuluar komplotet e mëdha.

A mund të themi se me krerët e Sigurimit përsëritej historia e KGB-së?
As më pak e as më shumë, drejtuesit e Sigurimit kaluan në të
njëjtën rrugë që ishte shkelur më parë nga kolegët e tyre sovjetikë.
Pavarësisht se kjo rrugë ishte shumë më e shkurtër se ajo e sovjetikëve,
përshkrimi i saj ishte gati i njëllojtë: besnikëri nga vartësi dhe
ndëshkim nga eprori. Disa prej tyre ishin të ngjashëm edhe për imoralitete
tipike apo vrasje të dashurash për motive xhelozie. Një regjim
që mbahej e reklamohej në “vlerat e moralit komunist”, ishte në fakt i
kalbur në imoralitete që fillonin nga shtëpitë e hijshme të “Bllokut” e
mbaronin në zyrat e ministrisë apo të degëve. Njëri prej drejtuesve të
Shërbimit Sekret sovjetik, ishte Henrih Jagoda. Ai përveç të tjerave,
koleksiononte edhe sende që buronin nga krimet e tij. Jagoda shkoi në
plumb se i tillë ishte skenari. Ai shkoi para murit ku kishte çuar sa e
sa të tjerë për t’i ekzekutuar. Kështu i ndodhi edhe K.Hazbiut dhe
F.Shehut. Një tjetër drejtues, Jezhovi, me intensitet të lartë pune, i
zhytur i gjithi në krime, ishte ndër punëtorët më të dalluar të ushtrimit
të krimit. Stalini i vuri pranë, para shuarjes së yllit të tij, një
personazh që nuk do të shqitej kollaj në histori, Berian. Edhe Jezhovi,
si të tjerët, pranoi “tradhtinë” e tij se kishte qenë “agjent i Anglisë,
Japonisë dhe Polonisë”. Më pas, Jezhovi nuk i pranoi fajet e tij. Pas
pushkatimit në vendin ku ai vetë kishte çuar sa e sa të tjerë, Stalini
gjeti rastin t’ia hidhte gjithë fajet e krimeve Jezhovit. Stalini kësisoj
merrte flamurin e mbrojtjes së të drejtës. Pas zhdukjes së Jezhovit, e
zuri Beria. Edhe ai shkoi në plumb. Në këtë mënyrë periudha staliniste
e drejtimit të Shërbimit Sekret e tregonte qartë se raporti midis
drejtuesit të Shërbimit Sekret dhe drejtuesit të partisë zgjidhej
përgjithësisht me vdekjen e të parit. Me vdekjen e tij, drejtuesi i Shërbimit
jo vetëm mbyllte epokën përkatëse të krimeve, por edhe e tregonte
drejtuesin e partisë si njeri që vendoste të drejtën. Hoxha e ka
ditur gjithnjë këtë raport. Ai mbyllte epokat me eliminime bashkëpunëtorësh. Hoxha kopjonte besnikërisht Stalinin në hapat e tij.
Aktualisht, çfarë libri keni në dorë?
Së shpejti del libri “1935/Kryengritja e Fierit, një grusht i dështuar
shteti”, që është analiza më e plotë për një prej ngjarjeve më pak
të studiuara në historinë e shtetit shqiptar. Përveç këtij botimi, një
tjetër do të jetë në një kohë më të largët për diktaturën komuniste në
një shikim dhe ndërtim krejt tjetër nga ç’është parë në këto vite.

No comments: