Torturat çnjerëzore deri në vdekje të Teme Sejkos kanë zënë një pjesë të rëndësishme të procesit të Kadri Hazbiut. I gjendur në buzë të humnerës, Hazbiu pyetej nga hetuesit e tij për vizitat e orëve të vona që i bënte në burg ish-gjeneralit të ekzekutuar si tradhtar apo për bisedat që bënte me të, në mjediset ish-burgut të vjetër të Tiranës. Si dëshmitarë për këto takime mes Kadri Hazbiut dhe Teme Sejkos dilnin përgjegjësi i oficerëve të burgut dhe dy vartës të tij. Edhe pse kishin në fokus Kadri Hazbiun, rrëfimet e tyre në hetuesi rreth orëve të fundit të Teme Sejkos janë dëshmi e brutalitetit të pashoq të Sigurimit. “MAPO” boton sot dëshminë e Qemal Birçes, kryegardian i Teme Sejkos, zbardhur nga libri “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja” i Kastriot Dervishit. Muaji i fundit i jetës së Sejkos, vizitat pas mesnate të Kadri Hazbiut dhe dhuna ekstreme 12-orëshe me shkopinj përmbyllet me mbytjen me litar në makinën e Sigurimit, e më pas groposjen e trupit në Linzë të Tiranës.
Ekzekutimi i Teme Sejkos
I vitlindjes 1920, pensionist, dëshmonte më 11 qershor 1983 për fundin e Teme Sejkos:
“Lidhur me sa pyetem, kam për të thënë këto gjëra: kur u arrestua Teme Sejko, mua më sollën me shërbim në burg, përgjegjës për grupin e oficerëve që siguronin të pandehurit në dhomat e izolimit. Në këtë detyrë kam qëndruar deri në fund, pra, deri në kohën kur u dënua Teme Sejkua dhe grupi i tij. Pas gjykimit të çështjes e dënimit të tyre, shkova përsëri në ministri, në vendin ku kisha qenë më parë shef i komandaturës në ministri. Si qëndrova 5 – 6 ditë në ministri, një ditë rreth orës 18.00 pasdite më thirri në zyrë Mihallaq Ziçishti. Kur shkova atje, vura re që ishte edhe Kadri Hazbiu dhe persona të tjerë, si Rexhep Kolli e Nevzat Haznedari. Mihallaqi më dha urdhër që të heqësh rojet e policisë, që janë tek burgu i vjetër, sepse atje do të dërgojmë Teme Sejkon dhe Tahir Demin, që të mos na i shikojë njeri, kur të shkojnë atje. Në këtë kohë, Temja dhe Tahiri ishin dënuar me vdekje, por dënimi s’kishte marrë formë të prerë. Unë shkova dhe e zbatova porosinë. Pas pak më mori Mihallaq Ziçishti në telefon dhe më pyeti a je gati. Unë i thashë po, jam gati. Pak më vonë, Mihallaqi erdhi me një gaz 7 vendësh. Në gaz, Mihallaqi kishte marrë Teme Sejkon e Tahir Demin. E shoqëronte edhe Nevzat Haznedari. I morëm Temen e Tahirin dhe i futëm në dy dhoma të veçanta në katin e dytë të burgut të vjetër të përgatitur që më parë me krevat me susta, batanije, dyshek e çarçafë. Aty Teme Sejko e Tahir Demi janë mbajtur rreth një muaj. Nevzat Haznedari vazhdimisht u sillte si Temes dhe Tahirit letër për të shkruar dhe u merrte ato që ata shkruanin. Se ku i çonte këto letra Nevzati, nuk e di. Bashkë me mua bënin shërbim edhe tre oficerë të tjerë: Qemal Xhaferri, Luto Beqiri dhe Islam Gjondeda. Të katërt ne rrinim në dy dhoma në katin e parë dhe bënim roje me radhë. Tahiri me Temen aty hanin ushqim, për nevoja personale i binin derës që ne ua mbyllnim nga jashtë me çelës, u jepnim brisk e makinë dhe rruheshin vetë. Më kujtohet se rreth 10 ditë pasi kishim shkuar tek burgu i vjetër, më mori në telefon Kadri Hazbiu rreth orës 1.00 pas mesit të natës dhe më tha: “Jam Kadri Hazbiu, dil e më prit se do të vij aty”. Dola aty te oborri i burgut dhe pa kaluar as pesë minuta, Kadri Hazbiu erdhi vetëm. Pasi më takoi, më pyeti se ku rri Teme Sejko. Unë i thashë, në një dhomë në katin e dytë. “Më shoqëro deri te dhoma”, -tha Kadriu. Të dy u ngjitëm në katin e dytë. I hapa derën e dhomës ku rrinte Teme Sejkua. Temja u ngrit nga krevati dhe qëndroi në këmbë. Kadriu më vështroi, për të më lënë të kuptoja që të largohesha. Dola jashtë duke tërhequr pas vetes edhe derën dhe qëndrova në mes të shkallëve. Kadriu qëndroi brenda me Temen rreth një orë dhe pastaj doli. Unë u ngjita dhe mbylla derën e dhomës së Temes me çelës. Kadriu zbriti e doli jashtë në oborr e pas tij dola edhe unë. Atje më hodhi dorën në sup e më tha: “Ki kujdes se Partia thotë që këta armiq janë në duar të sigurta”. Unë i thashë, mos ki merak shoku ministër. Se çfarë bisedoi me Temen, nuk di gjë. Pas këtyre fjalëve që shkëmbyem bashkë, Kadriu u largua. Pasi i mbajtëm te burgu i vjetër një muaj, një natë, pas mesit të natës, vjen aty Mihallaq Ziçishti së bashku me Nevzat Haznedarin, i cili në atë kohë ishte kryetar i degës së Hetuesisë. U hapa derën, u futëm të tre bashkë brenda në dhomën ku mbanim Teme Sejkon dhe Mihallaqi me Nevzatin i hodhi Temes hekurat në këmbë e duar. Aty qëndruam deri në mëngjes. Në mëngjes herët i zgjidhëm këmbët Temes, e mbështollëm me një batanije dhe e hipëm në një gaz 7 vendësh. Tahir Demin e lamë aty në vend. Me shërbim si roje mbeti Luto Beqiri. Pas kësaj, në gazin 7 vendesh hipëm edhe unë, Nevzati, Islam Gjondeda dhe Qemal Xhaferri. Shofer ishte një kushëri i Mihallaq Ziçishtit, oficer, emrin nuk ia kujtoj, di që ka vdekur. Mihallaq Ziçishti ishte me makinën e tij dhe u nis para nesh. U nisëm edhe ne në drejtim të Vorës. Makinën tonë e drejtonte Nevzati, i cili duhet të kish biseduar me Mihallaqin, se e dinte ku po shkonim, por neve nuk na tha asgjë. Rrugës, Mihallaqin nuk e pamë. Kur shkuam në Maminas, qëndruam në mes të vreshtit ku është një shtëpi e vetme, që quhet pallati i beut. Aty e zbritëm Temen. Sa zbritëm ne, erdhi edhe Mihallaqi me makinën e tij. Me të ishte edhe Rexhep Kolli. E futëm Temen në një dhomë. Pas kësaj, Mihallaqi dërgoi Qemal Xhaferrin për të prerë 20 shkopinj shkoze. Pasi i pruri shkopinjtë, vetë Mihallaqi në prezencë të Rexhepit e Nevzatit filloi ta rrihte Temen me shkop. E godiste Temen me shkop, që ishte sa tre gishtat i trashë në gjithë pjesët e trupit, përfshi edhe kokën, me gjithë forcën sa thyheshin shkopinjtë. Si lodhej Mihallaqi, vazhdonte Rexhepi e pastaj Nevzati. Kjo vazhdoi gjithë ditën deri në mbrëmje, sa hyri dielli. Temja nga të rrahurit gati kishte mbaruar, sa merrte frymë. Nga gjithë pjesët e trupit që i ishin nxirë e çarë, në fytyrë, kokë, brinjë, kofshë, këmbë etj, i dilte gjak. Pra, ishte në një gjendje të tillë, që ai nuk mund të shpëtonte. Kur ai nuk ndjente më asgjë, erdhi Kadri Hazbiu. Unë gjatë gjithë ditës, tërë ngjarjen e pashë me sytë e mi, sepse isha në korridor dhe dera e dhomës ku rrihnin Temen ishte e hapur dhe unë vetëm atë shikoja. Dy shokët e tjerë ishin caktuar larg si roje, që mos të na afrohej njeri. Kur erdhi Kadriu, më dha dorën, më pyeti ç’kemi. Unë i thashë se Temua po vdes nga të rrahurit. Kadriu shkoi dhe u fut në dhomë, ku u takua me Mihallaq Ziçishtin, Rexhep Kollin dhe Nevzat Haznedarin. Ishte vetëm kur erdhi aty, ndërsa shoferi me shoqëruesin qëndruan te makina rreth 15 – 20 metra larg shtëpisë. Dua të shtoj se në atë shtëpi, në atë kohë nuk banonte asnjeri. Kadriu qëndroi rreth 5 minuta dhe u largua. Si u largua Kadriu, e mbështollëm Temen me batanije e duar të lidhura nga mbrapa me hekura siç i kishte kur e rrihnin, e hipëm në gazin 7 vendësh e bashkë me të, edhe unë, Nevzati, Islami e Qemali dhe u nisëm në drejtim të Tiranës. Unë nuk e dija ku do shkonim, detyrën e kishte marrë Nevzati. Pa kaluar Vorën, unë dhe Islam Gjondeda që ishim me makinën mbrapa, i hodhëm në fyt Teme Sejkos që ishte i shtrirë në mes nesh një litar në formë laku dhe duke e tërhequr secili në krahun e vet, e mbytëm. Pra, Temja nuk kishte asnjë shenjë jete. Për mbytjen e Temes me litar, ne na urdhëroi Nevzat Haznedari. Vazhduam rrugën dhe shkuam deri te kodrat karshi Linzës. Ishte natë. Ne qëndruam në një vend ku kishte qëndruar edhe Mihallaqi me makinën e tij, i cili kishte shkuar atje para nesh. Rexhep Kolli nuk ishte me të, se ku qe kthyer, nuk e di. Na urdhëroi, nxorëm kufomën ashtu të mbështjellë me batanije. E mbanim Qemal Xhaferri, Islam Gjondede dhe shoferi që ishte kushëri i Mihallaqit. Unë qëndrova lart me Mihallaq Ziçishtin, ndërsa shokët e tjerë e çuan kufomën rreth 20 m poshtë xhades, kur që gjatë natës ishte bërë gropa gati. Gropën e bëri shoferi që na çoi ne në Maminas, i cili posa na çoi, u largua dhe u kthye në mbrëmje që na mori. Këtë detyrë ai e kishte marrë nga Mihallaq Ziçishti. Si e zbritën kufomën te gropa, shkova dhe unë. Për t’u siguruar për vdekjen e Temes, unë me një kazmë që gjeta aty pranë, i rashë Teme Sejkos në kokë disa herë, derisa iu prish fare koka. Me kazmë e qëlluan edhe shokët e tjerë. Pasi e hodhëm në gropë, e mbuluam me baltë dhe u larguam”.
Hetuesia e Kadri Hazbiut
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Col Sokol Sylaj më datën 9.12.1982. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Col Sokol Sylajt dhe kam për të thënë se siç kam shpjeguar në proceset e mia, nuk kujtoj ta kem takuar këtë ose t’i kem dhënë udhëzime Rakip Hoxhës e Kopi Nikos për këtë çështje. Kujtoj vetëm në një rast që i kam vajtur në hetim Dervish Bajramit të Grisë, të cilit i kam folur të tregojë aktivitetin lidhur me jugosllavët dhe Sheh Danjollën. Sheh Danjolli nuk është vënë me sa di unë në shërbimin tonë dhe për këtë kam dhënë shpjegime
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Qazim Sulaj më datën 15.12.1982. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Qazim Sulajt dhe kam për të thënë se për sa thotë ky, unë nuk di e nuk kujtoj gjë më duket kontradiktor me Colin, përsa i përket udhëtimit në Jugosllavi me makinë të rastit dhe për bazën ku paskan vajtur. Gjithashtu, udhëtimi në atë kohë për në Tropojë bëhej nga Lugu i Zi dhe jo nga Qafa e Luzhes që thotë ky, se më paska përcjellë me kryetarin e degës. Letër prej tij mund të kem marrë e të jem përgjigjur, drejtohu Komitetit Ekzekutiv. Këtë nuk e përjashtoj.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Andon Deçka më datën 5 prill 1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Andon Deçkës dhe nuk kam ndonjë vërejtje për të. Për telefonatën që i kam bërë unë për të dhënë platformën Llambi Peçinit, më duket si e pajustifikuar përderisa Andoni e dinte që në urdhër-shpërndarjen e platformës. Llambi Peçini ishte e detyruar ta merrte e ta mbante në përdorim të përhershëm.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e Petrit Arbanës më datën 4 dhjetor 1982.
Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Petrit Arbanës dhe kam për të thënë se grupet e zbulimit që kam ditur unë kam dhënë shpjegime, asnjë grup nuk kam mbajtur unë drejtpërsëdrejti në lidhje pune.
Nëse njiheshin ose jo të dhënat e planet e punës të këtyre grupeve nga këshilltarët sovjetikë, nuk jam në gjendje të jap shpjegime. Ato që gjykoheshin nga shefat përkatës u shtroheshin për konsultim këshilltarëve. Për grupin e Skënder Kosovës kam dhënë shpjegime. Grupin s’e kam zgjedhur unë, por sektori përkatës dhe ky që paska punuar në këtë drejtim. Nëse u kthye ose jo nga rruga grupi dhe t’i kem shkruar deklaruesit pse vonoheni, nuk e kujtoj. Nuk di kush ka qenë përcjellësi i këtij grupi dhe si përfundoi. Unë nuk merresha me këto detaje. Për telegramin bërë nga Mehmet Shehu siç thotë Petrit Arbana për kryerjen e detyrave, nuk e kujtoj një rast të tillë.Di se Sadri Fasllia është shfrytëzuar nga zbulimi i kundërzbulimit, por hollësira nuk më kujtohen. Për Bislim Hajdarmatën nuk di gjë. Sa di unë Riza Kadria nuk është përdorur nga zbulimi, por kundërzbulimi. Nuk më kujtohet si janë vlerësuar të dhënat e tij në atë kohë, kurse detyrën që i ngarkuam për dorëzimin e Shaip Sadikut e kreu. Nuk është e vërtetë, siç kam shpjeguar, që të kem duartrokitur në Konferencën e Tiranës që ky thotë se e ka dëgjuar.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Sali Hoxha më datën 26.4.1983
Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Sali Hoxhës dhe kam për të thënë se nuk më kujtohen rrethanat, në të cilat është vendosur arrestimi i Ihsan Boriçit dhe Stavri Cylakut. Nuk di që edhe pas kthimit tim nga BS, Sigurimit të Ushtrisë t’i shtrohej për detyrë hapja e dosjeve për gjithë kuadrot në ushtri, si dhe karakteristikat 6 mujore për to. Për kuadrot e vetë sigurimit këto kanë ekzistuar, si dhe për atë kuadër të ushtrisë që kishte interes sigurimi. Karakteristika të kuadrit të Sigurimit, këshilltarët jugosllav mund të kenë parë. Lidhur me gabimet e mia në Sigurimin e Ushtrisë kam folur dhe për to bëra autokritikë në Plenumin e 11-të. Për Neshat Hoxhën kam dhënë shpjegime në proceset e mia. Nuk më kujtohet që Saliu të më ketë dhënë informacion me shkrim, se paska biseduar para “Dajtit” me Svetozar Koçiçin dhe as ta kem takuar këtë para stadiumit, siç thotë Saliu që e ka dëgjuar nga të tjerët. Mundet që oficeri sovjetik Kuzmin që mua s’më kujtohet të ketë ardhur për të mësuar episode nga puna jonë që ato të përdoreshin në shkollë me oficerët tanë. Këtij i janë dhënë episode që gjykoheshin të arsyeshme.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Ismail Qineti më datën 17.2.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Ismail Qinetit dhe kam për të thënë se unë nuk e kam urdhëruar Ismail Qinetin që më 1955 për të dhënë pa asnjë kufizim çdo gjë organeve të kundërzbulimit sovjetik. Nga ky vit Ismaili dhe punëtorët e tjerë operativë ishin legalë dhe duhet të njiheshin me organet e vendit. Se si e kam udhëzuar për bashkëpunimin e shkallëzuar, kam dhënë shpjegime në proceset e mia. Për sa i përket prerjes së marrëdhënieve me organet e kundërzbulimit sovjetik, unë e kam urdhëruar që të sqarojë bashkëpunëtorët e të presë lidhjet. Koha dhe mënyra e urdhërimit nuk më kujtohet. Jo e gjithë agjentura jonë i është dhënë sovjetikëve. Kjo faktohet edhe nga lista në të cilën dilte se një pjesë e saj njihej nga sovjetikët.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Koli Shuke më datën 29.4.1983.
Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Koli Shukes dhe kam për të thënë se për ngritjen e punës agjenturore – operative në radhët e studentëve tanë në BS dhe ish -vendet e demokracisë popullore është siç kam shpjeguar unë. Atyre u janë dhënë informatat në mënyrë të shkallëzuar, pra, organet e kundërzbulimit në këto vende kishin të drejtë të merrnin ato të dhëna, sipas kritereve që kam përmendur në procesin tim. Në qoftë se rezulton siç thotë Koli Shuke, përgjegjësinë për këtë akt të rëndë ta mbajë ky i fundit.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e bërë nga Martiko Gjika më datën 25.5.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Martiko Gjukës dhe kam për të thënë se për rastin e torturave në Sigurimin e Ushtrisë kam shpjeguar në proceset e mia të mëparshme duke vënë në dukje se kjo nuk ishte vijë kudo. Kritika në Plenumin e 11-të më janë bërë, por nuk është e vërtetë të më ketë mbrojtur Mehmet Shehu. Janë pa baza bisedat që thotë Martikua për çështje femrash midis meje, Mihallaq Ziçishtit dhe Halim Xhelos. Më kujtohet se i kam dërguar flori e monedha të çmueshme këtij si shef finance që ishte, por nuk mbaj mend hollësira. Nuk kujtoj sa thotë ky, se paska zbuluar Petro Bullatin; le të shihen dokumentet nëse vërtetojnë dijeninë time në këtë çështje. Unë nuk di të jetë trajtuar keq, por njihej si njeri që merrej me llafe. Nuk është e vërtetë se më atribuon se më ka informuar se flitej që unë bashkë me Mehmet Shehu e Fiqret Shehun ishim armiqtë kryesorë të partisë. Po kështu, nuk është e vërtetë edhe për sa thotë ky, për fjalët që i paskam thënë dajës së tij. Unë nuk e kam luftuar Martio Gjikën, por e kam kritikuar për sjelljet e tij. Nuk është e vërtetë të më ketë thënë: Pse mbahet Shpend Dega në Sigurim, meqenëse e motra qe arrestuar. Taso Ganinë nuk e kam përkrahur sa thotë Martikua dhe as të ketë ardhur ai në shtëpinë time. Martiko Gjika, me sa mbaj mend unë, nuk ka qenë në komisionin për lirimin e të burgosurve. Petro Canin e kam pasur shok që më parë dhe nuk e kam njohur pas operacionit që i bëri Mehmet Shehut. Se si janë marrë në organet e brendshme Hilmi Seiti, Saliko Sulo e Gilo Lame kam dhënë shpjegimet në disa procese. Nuk është e vërtetë t’i kem thanë Halim Xhelos se ta prishi babai, se ti do të ishe Lym Keta në MPB. Konsideracionet e mia për Halim Xhelon gjatë luftës kanë qenë për luftëtar mesatar, por që veten e shiste më shumë. Për Anthim Konomin, Spiro Dhimën, Lutfi Strazimirin dhe Vaskë Kolecin që u grumbulluan me qëllim prej meje në punëtorinë e artizanatit, nuk është e vërtetë. Grumbullimet këtu i bënte Drejtoria e Policisë, kurse lirimet janë bërë me komision.
Pyetje: Po të njohim i pandehur me dëshminë e Vangjo Mitrojorgjit më datën 7.1.1983
Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Vangjo Mitrojorgjit dhe kam për të thënë se nuk është e vërtetë se mbas ardhjes time nga BS u shtua prepotenca në Sigurimin e Ushtrisë, përkundrazi, këtu u vunë më parë në jetë mjaft gjëra që kishim mësuar në BS. Nuk kam qenë në mbledhjen e organizuar në shtëpinë e Koçi Xoxes, ku u shtrua çështja e arrestimit të 70 – 200 vetëve. Kam dhënë shpjegime për këtë. Me Nesti Kerenxhin kam pasur lidhje normale pune e shoqërore. Vetë Nesti nuk e pretendon pasjen e një shoqërie të ngushtë me mua. Për Galib Hatibin unë s’kam ditur gjë veç pas Plenumit 11-të. Mua nuk më është ngarkuar detyrë për verifikimin e çështjes së Galip Hatibit. Nuk është e vërtetë që të kem torturuar Spiro Dhimën, një Faik Tare, apo Sinan Gjonin. Megjithatë, le të shikohen proceset.
No comments:
Post a Comment