Saturday, July 30, 2011

Edhe njëherë, për votën e Topit

Shkruan:
Andi Bushati
30-07-2011 11:09

Një furi e re akuzash midis Kryeministrit dhe kreut të shtetit, ka rikthyer sërish në qendër të vëmendjes debatin lidhur me votimin e gabuar të Bamir Topit. Edhe njëherë, Kryeministri, me fjalorin e tij të zakonshëm, e ka quajtur Presidentin një lojtar në xhepin e Ramës. Por përtej kësaj, ajo çka bëri Bamir Topi më 8 Maj, mbetet një çështje që ia vlen të diskutohet.

A votoi ai në kutinë e gabuar? Ky tashmë është një fakt i ditur nga të gjithë. A votoi ai për Edi Ramën? Unë besoj se po, pavarësisht se kjo hipotezë mbetet e pavërtetueshme krejtësisht. Një kronikë profesionale e lajmeve të Top Channel hodhi dyshime të mjaftueshme që një gjë e tillë të mos merret si një akti i mirëqenë.

Megjithatë, rikthimi në skenë i votimit të gabuar të Presidentit të Republikës është një ngjarje e cila i kalon përmasat e një votimi individual, apo e shfrytëzimit politik që mund t’i bëhet atij. Ajo është së pari një çështje e funksionimit të institucioneve dhe e drejtësisë që ato kanë në ushtrimin e pavarësisë së tyre.

Le të kthehemi pak prapa. Le të rishikojmë se si lindi kazusi i votës së gabuar të Bamir Topit. Lajmi u dha në TV Klan. Menjëherë pas kësaj, KQZ-ja e komanduar nga PD-ja u vu në lëvizje. Krejt jashtë radhe, dhe e pa ankimuar më parë, u mor për t’u hapur kutia ku pretendohej se gjendej vota e Bamir Topit? U shkelën rregulla, u votua sërish, madje pamë edhe gjeste qesharake të katër militantëve të KQZ-së, që e kalonin votën dorë më dorë. Gjithçka i ngjante një shfaqjeje të parapërgatitur, ku secili nga klounët kishte marrë rolin e tij. Pas kësaj parodie u shpall se vota e gjetur ishte për Edi Ramën, pra që Bamir Topi kish votuar për të.

Ndaj sot kur dëgjon Kryeministrin të flasë e të përdorë këtë produkt të nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme nga Komisioni i Zgjedhjeve, kupton se në ç’gjendje ishte katandisur ky Komision: ai nuk shërbente vetëm për t’i rrëmbyer fitoren minimale Ramës, por për shumë më keq se kaq, për të prodhuar fabula politike që do të shërbenin në të ardhmen për të goditur kundërshtarët e Kryeministrit.

Historia e “votës së gabuar të Topit” ka edhe një kënd tjetër vështrimi. Le ta marrim të mirëqenë se ai votoi gabim. Le ta marrim të mirëqenë se ai votoi, madje, për Edi Ramën. Le ta pranojmë edhe se ky “grusht shteti” kundër qeverisë u zbulua. Kjo është një çështje e mirëfilltë politike. Por, ajo ngërthen edhe një problem parimor. I gjithë ky proces (po ta marrim si të vërtetë e pa manipulim) hap një problem të madh. Atë të fshehtësisë së votës. Në një proces ku arrihet të dekriptohet vota e kreut të shtetit, ç’mund të bëhet me votën e qytetarëve të tjerë? Të gjithë ata, mbi njëmijë njerëz, që votuan gabim, teorikisht mund të jenë kapur nga një nga kamerat e shumta në qendrat e tyre të votimit, teorikisht vota e tyre mund të lexohet e ata të kuptohen si kanë votuar. Pra, vota e të gjithë atyre që kanë votuar në kutitë e gabuara e që më pas u rihapën, teorikisht mund të kenë pasur fatin e Presidentit të tyre. Prandaj vota e tyre nuk mund të quhet më e fshehtë. Vetëm ky kazus teorik mund të shërbejë për ta quajtur nul çdo votë të hedhur në kutinë e gabuar. Vërtet pas 14 majit, pra pas përfundimit të lojës, demokratët bërtisnin për parimin e shenjtë: “çdo votë duhet të numërohet”, por ata bënin sikur harronin një tjetër parim, në emër të të cilit partia e tyre u themelua 20 vite më parë: “çdo votë është shenjtërisht e fshehtë”.

Këtë standard që tani e harroi enkas, PD-ja e ngriti me të madhe kur ishte puna për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore të 2009-ës. Atëherë argumenti ishte pikërisht ky, mbrojtja e fshehtësisë për zgjedhësit. Po ky standard, në këtë rast që nuk shërbente, ishte i pavlerë.

E këtu vijmë përsëri te problemi i dy standardeve që në këtë vend përdoren gjithnjë në favor të pushtetit. Kjo është tashmë një histori e njohur dhe e stërthënë, që u zbatua edhe në rastin e “votës së gabuar të Bamir Topit”. Pavarësisht se ai nuk votoi në kutinë e duhur. Pavarësisht se ai votoi pro kreut të opozitës. Historia e votës së tij, më 8 maj, nuk ka rëndësi për të treguar se ai është në xhepin e Edi Ramës, ajo vlen, madje shumë më shumë, për të na treguar se Berisha ka në xhep të gjitha pushtetet dhe bën me to si të dojë.

No comments: