Sunday, July 24, 2011

Shqipëri: Pasaporta shqiptare, 5 mijë euro

Pesë mijë euro në dorë, plus një fotografi në format dixhital dhe për dy javë bëhesh shtetas shqiptar me pasaportë të rregullt biometrike. Kaq para duhej të paguajë një kosovar për marrjen e identitetit dhe gjeneralitetet e një personi me shtetësi shqiptare, tek rrjeti i sekserëve në të gjithë Shqipërinë.

Bëhet fjalë për pasaporta të rregullta me të gjitha të dhënat biometrike dhe tashmë kjo po kryhet edhe nga të huajt. Në këtë rrjet marrin pjesë edhe funksionarë të gjendjes civile në njësi të ndryshme vendore dhe punonjës së firmës franceze që prodhon kartat dhe pasaportat biometrike. Por kjo skemë është përdorur edhe nga persona në kërkim ndërkombëtar, të cilët tashmë disponojnë dokumente të rregullta shqiptare me fotografinë e tyre dhe gjurmët e gishtërinjve të ndonjë “fakiri” që nuk do të dalë kurrë jashtë Shqipërisë.


Gjashtë persona të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari, u arrestuan dje nga policia dhe Prokuroria e Tiranës.


Afërdita Sukniqi, 41 vjeçe, punonjëse e zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë bashkiake nr.7, në Tiranë, akuzohet për shpërdorim detyre. Bashkë me të, policia ka ndaluar edhe pastruesen e kësaj njësie Diana Rexha, 41 vjeçe, e cila akuzohet për të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”. Veç tyre, policia arrestoi edhe Ylvi Shkallën, 29 vjeç banues në Sauk, si dhe Saimir Trotën, 26 vjeç nga Kukësi me banim në Tiranë. Të dy këta të fundit janë punonjës të repartit forcave speciale të Zall- Herrit, një prej të cilëve shofer dhe tjetri ushtar me pagesë. Gjithashtu policia arrestoi edhe Luz Bisakun, 36 vjeç, mësues, Vilson Nikollën 41 vjeç, të dy nga fshatrat e Gjakovës në Kosovë.


Këta persona sipas burimeve të policisë akuzohen për “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, si dhe vënie të tyre në përdorim. Ndërkaq të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti, organet e ndjekjes penale, kanë nën hetim edhe 6 persona të tjerë duke e çuar në total numrin e të dyshuarve për këtë hetim në 12 persona. Në muajin mars të këtij viti, policia e Shkodrës në Hanin e Hotit, ndaloi disa persona të dyshuar se po trafikonin një femër nga Shqipëria në drejtim të vendeve perëndimore.


Personat u ndaluan nga policia kufitare dhe u dërguan për verifikim personat në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës. Gjatë hetimit të kryer, policia zbuloi se femra me të cilën ata po udhëtonin dhe që dyshohej se po e trafikonin, doli se ishte shtetase e huaj, e cila kishte lidhje intime me një nga personat. Ajo ishte moldave dhe jo shqiptare, por kishte në përdorim një pasaportë shqiptare me emrin e një vajze nga fshati Rrashbull i Durrësit. Gjatë verifikimit, policia zbuloi se banorja e Durrësit, nuk kishte dijeni për këtë fakt.


Policia zbuloi identitetin e vërtetë të moldaves, gjatë intervistimit nuk mbante mend emrin e një prej personave të familjes së vajzës së cilës i kishte marrë pasaportën. Policia e arrestoi me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

No comments: