Tronditet koalicioni qeverisës në Kosovë. Një burim ndërkombëtar thotë se ka pasur edhe grushtim tavolinash kur janë kërkuar sqarime pse ka shkuar ministri Besim Beqaj nëpër ambasada me akuza personale për zëvendëskryeministrin , Behgjet Pacolli.
Pushtetarët kosovarë vazhdojnë që problemet apo dhe inatet personale me njëri-tjetrin t’i zgjidhin duke u ankuar nëpër ambasada. I fundit në këtë listë është ministri i Zhvillimit, Beqaj, i cili e ka akuzuar Pacollin se po punon vetëm për interesa personale.
Duke folur në kushte anonimiteti, burime ndërkombëtare i kanë thënë “Zërit” se ministri Beqaj ka qenë shumë i qartë në akuzat e tij, duke thënë se “çdo udhëtim që Behgjet Pacolli po e bën jashtë shtetit, çfarëdo aktiviteti që po ndërmerr ai, po e bën vetëm për përfitime personale”.
Gazeta ka provuar dy ditët e fundit të marrë një prononcim prej ministrit Beqaj, por kjo ka qenë e pamundur.
Jo zyrtarisht mësohet se akuzat e Beqajt, i cili është dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, e kanë nxitur Pacollin që t’ia nisë një letër shefit të qeverisë, ku është kërcënuar me largimin e AKR-së nga koalicioni qeverisës.
Të njëjtat burime thonë se edhe takimet e mëvonshme, ku i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Thaçi, janë zhvilluar me tone të larta dhe jo pak të ashpra. “Ka pasur bile edhe grushtim tavolinash, jo rrallë herë dukej se situata do eskalojë në tërësi”, tha ky burim i “Zërit”.
Sunday, July 24, 2011
Behgjet Pacolli “spiunohet” te ambasadat
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment