Mbretin Zog e pashë aq cingun sa u çudita. Edhe në bukën që hante bënte ekonomi pa pasur nevojë. Vetëm për cigaret i harxhonte pa kursim, por jo shkrepëset vjen fjala. Eksperienca ime thotë se në këtë pikë mbreti Zog ishte si gjithë bejlerët shqiptare, neqez. Gjithashtu kurnacllëku nganjëherë karakterizon pasanikun e madh. Por zakonisht kjo i ngjet pasanikut që do të fitojë vetë paret me shumë mundime dhe jo pasanikun që u lind i pasur. Sidoqoftë nga mënyra me të cilën jetonte mbreti Zog duke shtrënguar veten, duke bërë gjëra kundër vetë dëshirës së tij që e ka shumë të zhvilluar, nxjerr përfundime se pasuria e tij dukej shumë e vogël dhe kishte frikë se do të mbaronte shpejt. Ç’kuptim i jepte ai fjalës “shpejt” s’e di. Gjithashtu mënyra me të cilën admironte njerëz të pasur sipas tij, të cilit me të vërtetë ishin njerëz me “katandi” “nikoqir” sipas idesë angleze del po në atë përfundim. Përveç në rast nëse mbreti Zog luante komedi dhe në këtë pikë.
Në rast se pasuria e tij është aq e vogël sa e tregonte dhe vetë, harxhimet që bëri nuk justifikohen. Siç më thoshte qëllimi i tij ishte që në mbarim të luftës të kishte 25.000 franga që t’i përdortë për kthimin e tij në atdhe. Njeriu që shikon kaq ngushtë s’mund të jetë shumë i pasur. Sidoqoftë mbreti Zog energjinë e tij të madhe e harxhoi duke menduar të shpëtoje lekët, por s’kishte as më të voglin haber nga përdorimi i pareve. Kuptimi i tij mbi paret ishte ai i bujkut, i cili vendos napolonat në një qyp dhe i mbulon nën dhe. Mbreti Zog s’beson në bankat, si ai që s’beson në përdorimin e kapitalit për të sjellë fryte që t’i premtojnë të mos harxhohen. Me kapitalin që kishte mund të bënte punëra më të mëdha pa harxhuar përveç të ardhurave të tij. Ai harxhoi kapitalin që kishte dhe çdo herë që shikonte prapa në kohë, dilte jashtë vetes. Mënyra si i harxhoi paratë te njerëzit ishte e tillë që në vend që të fitonte një faleminderit fitonte sharje dhe poshtërim. Kjo ishte pasuria e një pasaniku i cili duhej të fitonte emigratën shqiptare.
No comments:
Post a Comment