Kur hipa në vapor në Stamboll hodha një sy nga dritarja në kabinën e Mbretit dhe atje pashë të mbledhura njëra mbi tjetrën “valixhet” e famshme. Që atëherë vështrova që këto valixhe ishin objekt i një kujdesi të veçantë.
Valixhet lëviznin vetëm prej oficerëve dhe asnjëherë ndonjë hamall nuk u lejua që t’i prekte me dorë. Bashkë me to shkonte gjithnjë një nga nipërit e Mbretit, Hyseni ose Tati. Në trena dhe në hotele valixhet vendoseshin gjithnjë në dhomat e princeshave. Njerëzit i shikonin me kureshtje dhe disa me armiqësi. Ishin të rënda dhe vetëm oficerët dinin diçka rreth peshës së tyre. Më duket se ishin 11-të dhe njëra prej tyre duhet të kishte shumë më shumë rëndësi, sepse kishte një trajtim të veçantë. Ajo valixhe udhëtonte gjithnjë nën sytë e vetë Mbretit. Ai nuk ia ndante sytë në asnjë moment. S’ka dyshim që ishin shumë të vlefshme. Një ngjarje që do të tregoj kur të flas për kalimin tonë në Angli, nuk lë asnjë dyshim për këtë. Dihej që në këto valixhe kishte një pasuri të madhe. Disa thoshin pasuria e shtetit shqiptar. Mbreti thoshte pasuria e tij. Unë nuk kam fakte për të argumentuar këtë, sepse ato valixhe nuk i pashë kurrë të hapura. Por sido që të jete puna një gjë është e sigurt, këto valixhe gjatë udhëtimit nuk qenë vetëm mërzitja e oficerëve që i mbanin, por edhe elementi më i keq i propagandës që u bë për Shqipërinë me rastin e këtij udhëtimi. Kur do të shpjegoj grindjet midis emigrantëve shqiptarë, do të flas veçanërisht për çështjen financiare. Por mendova se duheshin pak valixhet në këtë kapitull, sepse pa rrëfimin mbi to udhëtimi ynë i gjatë nuk do të ishte i plotë.
...Nuk kishim vendosur akoma ku do të shkonim, në Angli ose në Spanjë. Mbreti sipas zakonit ishte i pavendosur dhe punonte në të dy drejtimet. Unë kujtoja se vajtja jonë në Spanjë do të ishte marrëzi. Isha në favor të vajtjes sonë në Angli. Akoma më shumë sepse nuk e dija mënyrën me të cilën kishte qenë i pritur Mbreti atje me rastin e vizitës së tij të parë. Por fuqia ime për të influencuar Mbretin ishte shumë e vogël. Nuk e di nëse spanjollët na dhanë vizën për të hyre në Spanjë, sepse të gjitha përçapjet në këtë drejtim u bënë me anën e kapitenit Sali Doshishti. Por më së fundi morëm leje për në Angli. Nuk e morëm lehtë. U desh të vinte vetë Mbreti në Bordeaux dhe të bisedonte me ministrin anglez. Mbreti me tregoi pastaj se anglezi insistoi t’i tregojë rrugën e Spanjës. Gjatë vizitës së Mbretit në Bordeaux kaluam një natë në rrugët e qytetit, sepse nuk kishim ku të shkonim. Atë natë qyteti u bombardua keqas prej gjermanëve dhe pata rastin të shikoj se edhe ata që e quajnë veten trim dhe luftëtar nuk janë kaq gjakftohtë në raste të tilla. Kështu u nisëm nga Royani nëpërmes Bordeaux-s për në jug të Francës ku duhej të merrnim vaporin për në Angli ose rrugën për në Spanjë, sepse Mbreti deri në çastin e fundit nuk e kishte vendosur drejtimin e tij. Kjo pjesë e udhëtimit ishte më e keqe se të gjitha të tjerat dhe më e pa organizuar, duke qenë se tani çdo gjë varej nga fuqia organizuese e jona, e cila nuk ka qenë kurrë kaq e madhe. Gjatë këtij udhëtimi Noçka dhe unë u ndamë në një kohë prej Mbretit. Mësova pastaj se në qarqet e Mbretit kjo u shpjegua se gjoja ne të dy u ndamë prej Mbretit pa thënë as lamtumirë.
Incidenti me valixhet në vaporin për në Angli
Kur arritëm në St.Jean de Luz, konfuzioni ishte në kulm. Qyteti ishte i mbushur me njerëz pa strehë, pa ushqim, pa qëllim. Njerëzit flinin në piacën e qytetit, e cila dukej si një pazar i madh dhe i parregullt. Më vonë mësova pa patur mundësi ta kontrolloj se qeveria angleze kishte caktuar vende për Mbretin dhe njerëzit e tij në një vapor të veçantë dhe kishte bërë përgatitje për ta pritur me nderimet e rastit si në vapor ashtu edhe në Angli. Sa për nderimet, nuk më mbushet mendja se ishin parashikuar, por sigurisht vendi ishte i mbajtur. Në të vërtetë hymë në vaporin anglez pothuajse me vështirësi dhe tamam sikur të mos ishte bërë asnjë përgatitje. Faji iu vu z. Kastrati, i cili ishte ngarkuar me veprimet përkatëse. Por ai që di sa liri veprimi ka njeriu që ngarkohet me punë prej Mbretit, kësaj akuze i jep një vlere krejt relative.
Hymë në vapor natën dhe transportimi i princeshës Ruhije ka qenë me të vërtetë i vështirë, dhe vetëm fati i saj e shpëtoi të mos mbytej në det. Plaçkat tona që i kishim sjellë që nga Parisi i lamë në molet e St.Jean de Luz. Në një kohë të tillë kur nga një minutë në tjetrën pritej bombardimi i qytetit dhe fundosja e vaporit, njeriu mendonte kokën dhe asgjë tjetër. Kështu lamë në mole dhe disa prej arkivave të Legatës. Kur u pa që vetëm disa plaçka personale ishin ngarkuar në vapor dhe asnjë nga valixhet e famshme nuk ndodhej aty, u bë një rrëmujë e papërshkrueshme. Me gjithë sigurimet që jepnin autoritetet e vaporit që valixhet e çmontueshme do të vinin shqetësimi në qarqet tona ishte shumë shumë i madh. Atëherë kuptova vlerën që Mbreti i jepte këtyre valixheve. I shqetësuar në kulm dhe krejt jashtë vetes, doli personalisht në një barkë që të gjejë në mes të natës valixhet e tij. Mungoi disa orë dhe më në fund u kthye i lagur deri në kockë dhe pa valixhet. Atëherë i shthurur në shtratin e tij, duke pritur që të thaheshin pantallonat, na deklaroi pa asnjë rezerve se pa valixhet ishte tërësisht i humbur. Nuk bisedonte dot tjetër gjë. Të nesërmen në mëngjes valixhet u gjetën dhe qarqet tona u qetësuan.
Kalimi nga Franca në Angli u bë pa asnjë incident nën rrethana me të vërtetë të tmerrshme. Me gjithë këtë, po të merret parasysh koha që kalonim dhe rreziku që i turrej botës, vuajtjet tona nuk ishin asgjë. Kështu arritëm në Angli, në Plymouth ku autoritetet angleze na ndihmuan me sa ishte e mundur me gjithë mos dashjen tonë t’u konformoheshim urdhrave. Na vunë në dy vagonë të veçantë dhe na nisën për në Londër ku arritëm më 27 qershor 1940 në mëngjes.
No comments:
Post a Comment