Sa vlerë kanë rrënjët tona, kujtimet e së kaluarës? Shumë, sipas Aldo Renato Terrusit, që pas 44 vjetësh ka vendosur të rikthehet në vendin e shqiponjave në Shqipëri, në vendin mëmë apo në vendin njerkë. Është kthyer mbrapa në kohë ka gërmuar të kaluarën në kërkim të identitetit. Ka gërmuar për të gjetur rrënjët e familjes së tij, në një udhëtim historik. Misioni i tij final nuk ishte aspak letrar, por shumë më shpirtëror: ai kishte ardhur të gjente eshtrat e të atit, për t’i kthyer në vendlindje, në Itali. Romani “Rikthmin në Vendin e Shqiponjave”, një biografi e autorit Aldo Renato Terrusi, mbart fakte nga e kaluara e shumë italianëve që u burgosën dhe vdiqën në burgjet komuniste nën regjimin e diktatorit Enver Hoxha. Libri sapo ka dalë në treg në Itali dhe ka ngjallur interes, kur përmes dramës personale të një familjeje jepen dëshmi historike për fatin e shumë të huajve që u dënuan dhe vdiqën në burgjet komuniste nën regjimin e Enver Hoxhës. Autori premtoi se libri do të dalë në treg edhe për lexuesin shqiptar. Një prej tyre është dhe financieri italian Giusseppe Terrusi, babai i Aldo Terrusit (autorit të librit), që u bë një nga drejtuesit e Bankës Italiane në Shqipërinë e viteve ‘30. Enver Hoxha, i cili do të bëhej pak vite më vonë udhëheqësi komunist i shqiptarëve, kishte rënë në dashuri me italianen e bukur Aurelia, por kjo e fundit ia kishte falur zemrën bashkatdhetarit të saj Giuseppe Terrusit. Pas ca vitesh Giuseppe dhe Aurelia martohen, por djaloshi i ri Hoxha duket se nuk ia kishte falur dot “italiankës” refuzimin në vitet e rinisë. Regjimi komunist që u vendos në Shqipëri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e gjetën çiftin në Shqipëri. Enver Hoxha tashmë ishte zgjedhur udhëheqës dhe situata kaotike që u krijua menjëherë pas çlirimit solli dhe arrestimin e Giuseppe Terrusit, i cili u dërgua në burgun e Burrelit. Një nga financierët më të rëndësishëm të Bankës së Italisë, i cili ishte dhe një ndër anëtarët e Këshillit Administrativ, që themeloi në vitin 1925 Bankën Kombëtare të Shqipërisë, do të vdiste në burgjet komuniste. Pas 44 vjetësh, i biri Aldo, rikthehet në vendin e tij të lindjes (nw vitin ’93), me misionin: kthimin në atdhe të eshtrave të të atit. I shoqërua nga xhaxhai, ai fillimisht vendoset në Tiranë, ku takon përfaqësues të skuadrës kombëtare të futbollit, që fituan Ballkaniadën e vitit 1946, miq dhe kolegë të vjetër të babit. Përmes kujtimeve të tyre, ai jeton me të atin. Udhëtimi ka vazhduar më pas në Durrës dhe Vlorë. “Atje takuam familjarë të të burgosurve që kanë njohur babanë, ku disa ish-të dënuar na dhanë informacione për të. Njëri prej tyre kishte qenë prezent edhe në momentet e fundit të jetës në burgun e Burrelit”- shprehet Aldo Terrusi. Romani i tij “fotografon” një periudhë historike dhe të dhimbshme dhe gati-gati e panjohur, që kanë përjetuar shumë italianë që ishin rezidentë në Shqipërinë e asaj kohe. “Kjo është historia e shumë italianëve, që për një arsye apo për një tjetër janë dënuar dhe kanë vdekur në burgjet komuniste. Kjo është një pjesë krejt e panjohur e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, jo vetëm për ne italianët, por dhe për vetë shqiptarët që e kanë jetuar atë kohë”- shprehet Aldo Terrusi në promovimin e librit të tij, që sapo ka dalë në treg në Itali. Romani “Rikthim në vendin e shqiponjave” kërkon rrënjët e familjes së autorit ku filli nis me dy italianë, Giacomo Covi dhe Salvatore Poselli, që në vitin 1869 emigrojnë në Egjipt, pasi ndihmojnë në ndërtimin e kanalit të Suezit. Dy bashkatdhetarët bëhen miq të ngushtë, por me përfundimin e punimeve ata ndahen nga njëri-tjetri. Ritakohen më vonë në Stamboll. Lufta greko-turke i detyron dy familjet që të zhvendosen në Shqipëri. Kështu i ka gjetur rrënjët e gjyshërve nga babai dhe nëna Aldo Terrusi, në udhëtimin e tij nëpër Shqipëri. Vetë Aldo, autori i librit është lindur në Vlorë më 1945 dhe në vitin 1949, kur familja e tij u kthye në atdhe (Itali), ai ishte akoma fëmijë. Kishin lënë pas babanë, i cili ishte një ndër të burgosurit e shumtë të burgut të Burrelit. Ai vdes në burg pas tre vjetësh, pa patur mundësi as t’u thotë fjalën e fundit familjarëve. Në vitin 1993 Aldo Terrusi rikthehet në Shqipëri së bashku me xhaxhanë. Më në fund, për të kishte ardhur dita që të kthente në atdhe eshtrat e të atit.
No comments:
Post a Comment