Tuesday, June 14, 2011

Pesë orë debat në Kolegj, PS: Ja shkeljet e KQZ


Padia e depozituar nga Partia Socialiste për Bashkinë e Tiranës ka shkaktuar plot pesë orë debate në seancën e djeshme të Kolegjit Zgjedhor. Juristët e selisë rozë, përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ata të Partisë Demokratike, kanë paraqitur argumentet dhe kundër argumentet, duke mbrojtur qëndrimet respektive. Thelbi i debatit u përqendrua tek dy shtyllat e padisë. Së pari, kërkesa për konsiderimin si të paligjshëm të të gjitha praktikave që janë kryer nga KQZ, që nga 14 maji, deri në tabelën përfundimtare të rezultateve për Tiranën, që është vendimi Nr.711. Në këtë linjë u kundërshtua edhe rivlerësimi dhe bashkëngjitja e fletëve të gjetura në kutitë e gabuara, në rezultatin final të zgjedhjeve. Pika e dytë e debatit kishte të bënte me mospërputhjet numërore, mes votave të gjetura në kuti, pas rivlerësimit dhe numrit të votuesve. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kundërshtuan këto pretendime, duke u bazuar kryesisht në vendimin e Kolegjit Zgjedhor të marrë një javë më parë, ku u rrëzua një kërkesë padi e PS. Duke konsideruar se Kolegji është shprehur njëherë për këto pretendime, juristët e PD thanë se është e pamundur marrja në shqyrtim edhe një herë e këtyre çështjeve. Pretendimit për mospërputhje numerike, demokratët ju përgjigjën se praktika botërore, por edhe ajo shqiptare, njeh raste mospërputhjesh që vijnë për shkak të gabimeve njerëzore dhe se nuk kemi të bëjmë me asnjë manipulim. Juristët e Partisë Socialiste kërkuan në seancë pavlefshmërinë e vendimeve nr. 710 dhe 711, datë 23.05.2011, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilave u shpall rezultati përfundimtar i Bashkisë së Tiranës, pas numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara. Paralelisht është kërkuar pavlefshmëri edhe për të gjitha vendimet e ndërmjetme që kanë shërbyer për të ndryshuar tabelat në Tiranë. Deputeti dhe juristi Damian Gjiknuri u shpreh se deri më 14 maj, procesi kishte ecur në linja ligjore dhe se ishin miratuar me konsensus të gjitha tabelat e grupeve të numërimit. “KQZ bëri ndryshimin e tyre dhe ky zinxhir veprimesh të mëtejshme solli vendimmarrjen e paligjshme. U përfshinë vota që kodi nuk i lejon të cilësohen si të vlefshme”, theksoi Gjiknuri. Ai argumentoi se gjithashtu Kodi i ka të përcaktuara qartë procedurat dhe se në ligj përdoret termi “kuti përkatëse” ndaj qenia jashtë saj çdo fletë e bën të pavlefshme. PS solli si argument raportet e OSBE/ODIHR-it apo edhe praktikën e mëparshme për të faktuar pretendimin saj se të tilla vota janë cilësuar gjithnjë të pavlefshme, deri më 15 maj, kur u mor vesh fituesi në Tiranë. Një tjetër element i paraqitur kishte të bënte me shkeljen e parimit të barazisë së votës. Juristët e PS pretenduan se nëse një qytetar që ka hedhur votën në kutinë e gabuar para datës 14 maj, vota e tij është klasifikuar si e pavlefshme ndërsa për një qytetar që e ka hedhur pas kësaj date, vota cilësohet e vlefshme. Duke marrë për shembull rastin e hapjes së kutisë, ku u pretendua se kishte hedhur gabimisht votën Presidenti Bamir Topi, juristët e opozitës pretenduan se kishte ndodhur edhe cenimi i parimit të fshehtësisë së votës. Linja e dytë e argumenteve synonte denoncimin e faktit se në 117 qendra votimi, tabelat pas kryerjes së hetimit në KQZ kanë mospërputhje logjike dhe matematike. Duke insistuar se kemi të bëjmë me devijime skandaloze shifrash, PS paraqiti në mënyrë grafike raste tabelash në ZAZ-ve të ndryshme në Tiranë në të cilat numri i votave të gjetura sipas tabelave ishte më i madh se numri i votuesve për atë qendër. Ndërsa zbuluan se numri i fletëve të dala tepër është 357, në 117 kuti të hapura në KQZ, socialistët thanë se çdo justifikim duhet të merrte përgjigje nëse KQZ do bënte hetimin e plotë, por ky institucion kishte konstatuar vota tepër në kutitë e hapura dhe nuk kishte kryer hetimin e plotë për të hetuar mospërputhjet. D.M.

No comments: