Tuesday, June 14, 2011

Kujtimet e sekretarit të Zogut. Pritja e ftohtë, si mbërriti mbreti në Stamboll


Kur ministri ynë, z. Assaf Xhaxhulli vajti në Parlamentin Turk për ceremoninë e hapjes së sesionit, u rrethua prej kolegëve të tij, të cilët kërkonin informacion mbi lajmet e përhapura atë pasdreke për pushtimin e Shqipërisë. Ambasadori britanik u tregua veçanërisht i interesuar, ndërsa ai i Italisë i siguroi se lajmet ishin “pallavra” të zakonshme. Pavarësisht se kërkuan telegrafisht informacion, nuk kishim asnjë lajm nga Tirana. Vetëm të mërkurën në mbrëmje na erdhi një telegram mbi lindjen e trashëgimtarit. Ky telegram ishte aq i ngatërruar sa nuk jepte as emrin e Princit...

Ndërkaq, na erdhi lajmi se Mbreti do të vinte në Turqi. Politika turke kishte simpati për ne dhe vazhdoi kështu deri në dorëzimin e Italisë. Por ka simpati dhe simpati...

S’ka dyshim që Turqia, më shumë se çdo shtet tjetër, pushtimin e Shqipërisë e priti me hidhërim të madh, po ashtu si edhe Greqia dhe për të njëjtat arsye politike. Ndryshimi ishte se qeveria turke ishte në gjendje ta shprehte haptazi pse regjimentet fashiste ishin më larg. P.sh. kur z. Xhaxhulli vizitoi kryetarin e Republikës, Ismet Inëunu, u prit shumë mirë në prani të z. Saraxhoglu. Ky i fundit, ndërsa e shoqëronte përjashta, i tha se “Një ditë kurorën e mbretit të Italisë do ta vinte në kokë Mbreti shqiptar”!!! Gjithashtu, fakti që qeveria turke, kundër parimeve të saj, lejoi legatën tonë të vendosej në Stamboll dhe jo në Ankara, është një provë tjetër e dëshirës së saj për të na i lehtësuar gjërat në çdo mënyrë. Por nuk duhet harruar se në atë kohë kur mbretëronte politika frikacake e “përkëdheljes”, Turqia nuk qe në gjendje të provokonte haptazi Italinë. Çfarë e provon këtë, është se ministri i Jashtëm i dha të kuptojë z. Xhaxhulli se vizita e Mbretit në Turqi ishte pothuajse e padëshirueshme.

Mënyra e pritjes se Mbretit kur mbërriti në Stamboll vërteton më shumë përshtypjen që pata unë nga sa me tha z. Xhahulli mbi qëndrimin e qeverise turke. Mbreti i shqiptarëve u prit në Turqi vetëm prej kryetarit të Policisë dhe prej ndonjë përfaqësuesi të shtetit. Ardhja e tij u rregullua në mënyrë që treni të arrije në Stamboll nga mesi i natës, që të mos bëhej ndonjë manifestim. Në të vërtetë, pritja e Turqisë qe akoma më private se ajo e Rumanisë dhe e Polonisë. Gazetat e turke të Stambollit, duke shprehur dënimin e tyre mbi veprimin e Italisë, nuk munguan të thoshin disa fjalë të hidhura për shqiptarët dhe të bënin disa shaka të rënda për mbretin Zog. Por një veprim kundër shtetit shqiptar qe në kundërshtim me politikën turke. Kështu që, përsa kohë që përfaqësuesit tanë mbajtën një qëndrim të vendosur dhe të themeluar në të drejtën, qeveria turke veproi sipas ligjit. Nuk mundi që të refuzonte hyrjen e Mbretit në Turqi, as të mbyllte Legatën shqiptare, dhe as të ndërpriste marrëdhëniet me ne sa herë që i jemi drejtuar zyrtarisht. Të gjitha shtetet e pa lidhura me fashizmin mbajtën pothuajse këtë qëndrim, korrekt kundrejt ligjit, por asgjë me shumë.

Mbreti arriti në Stamboll më 1 maj 1939, herët në mëngjes. Ishte i shoqëruar nga shumica e ministrave, disa oficerë dhe familja e tij. Z. Xhaxhuli u nis nga Ankaraja me avion që ta priste. Unë nuk vajta, sepse duhej që dikush të rrinte në legatë.

...Sapo arrita nga Ankaraja në Stamboll, m’u dha urdhri që të përktheja në frëngjisht një Memorandum për Lidhjen e Kombeve.

U ktheva në Ankara dhe pas disa ditëve na vizitoi z. Sotir Martini, për të bërë vizat e pasaportave në legatat e ndryshme. E shoqërova në Legatën e Francës dhe atje gjetëm një pritje të ftohtë dhe pothuajse fyese. Këshilltari i legatës me autoritetin e ndonjë prokurori që flet me të dënuarin, na theksoi se vizat na jepeshin me kusht që të mos bënim asnjë veprimtari politike. Pas ca kohësh e mbyllëm legatën në Ankara dhe së bashku me familjet tona, ministri dhe unë vajtëm në Stamboll, ku u vendos legata me lejen e qeverisë turke. Në këtë kohë mësova se Mbreti kishte kërkuar të vizitonte Presidentin e Republikës Turke në Ankara, por gjenerali Inëonu e lajmëroi se do vinte vetë në Jalove afër Stambollit dhe se do ta takonte atje. Kjo ishte një mënyrë fisnike për t’i dhënë vizitës një karakter tërësisht privat, që të mos zemërohej Duçja.

No comments: