Sunday, June 12, 2011

Pas Serbisë, edhe Rusia e “shtrëngon” Shqipërinë për borxhet

Tiranë, 10 qershor, NOA – Pas Serbisë, është Rusia ajo që po e “shtrëngon” Shqipërinë që t’i paguajë borxhet e së kaluarës.

Kështu, mediat ruse në një artikull të posaçëm dedikuar kësaj çështje, përmendin marrëveshjen e miratuar së fundmi nga parlamenti shqiptar për kthimin e një pjese të borxhit që vendi ynë i detyrohet Rusisë.

Bëhet fjalë për shumën rreth 1 milionë dollarë që Shqipërisë do t’i duhet të paguajë si këst të parë.

Kjo si pjesë e një borxhi të vjetër, i cili daton në mes të viteve ’60-të, i trashëguara nga epoka sovjetike.

Ky borxh i vjetër i Shqipërisë, i njihet tashmë Rusisë, si një pasues i Bashkimit Sovjetik dhe merret përsipër të paguhet gjatë viteve të ardhshme.

Në rast të mospagesës së shumës nga data 1 korrik, marrëveshja parashikon që norma e interesit të borxhit të jetë në nivelin prej 4%.

Ndërkaq, mediat ruse shtojnë faktin se mungesa e borxheve mes dy shteteve tona, është një nga parakushtet për një marrëveshje të mundshme për furnizime me makineri dhe produkte teknike nga Rusia në Shqipëri.

Njësoj si historia e borxhit serb

Historia e borxhit të trashëguar me Rusinë, duket e ngjashme me atë që Shqipëria citohet të ketë akumuluar ndaj Serbisë, që në kohën e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).

NOA ka publikuar pak javë më parë se konkretisht, qeveria serbe i ka propozuar organit legjislativ që të ratifikojë një marrëveshje të posaçme me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë për zgjidhjen e borxhit ekzistues me Serbinë.

Dokumenti në fjalë, rregullon pagimin e borxhit të bazuar në llogaritjet e hershme, të dekadave të mëparshme, të cilat lidhen me tregtinë e kryer ndërmjet Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë.

Marrëveshja parashikon llogaritjen e një norme të rregullt interesi mbi bazën e borxhit të dikurshëm mes dy vendeve tona, i cili arriti deri diku në më shumë se 8.5 milionë USD më 30 shtator të vitit 2009.

Gjithashtu, përcaktohet edhe fakti që Shqipëria ka pesë vjet kohë për të shlyer borxhin, pa një periudhë faljeje, dhe datat e pagesës janë 31 mars dhe 30 shtator çdo viti kalendarik.

Madje thuhet se çdo vonesë në pagimin e principalit dhe e interesit, do të pësojë ndëshkim dhe do të shoqërohet me sanksione sa u përket interesave.

n.e/NOA

No comments: