Sunday, March 2, 2014

Zgjedhjet e futbollit, koha e këtij komiteti ka marrë fund/ Duka kudo dhe kurdo!


Zgjedhjet e futbollit, koha e këtij komiteti ka marrë fund!Nga Gerti Çarçani,  Futbolli shqiptar është thërritur sot të zgjedhë. Një çangë zgjedhore, ndryshe nga ajo e katër, tetë, apo 12 viteve më parë, me një president në garë që kërkon të regjistrojë 16 vjet në drejtim të futbollit shqiptar. Kandidon Duka, i vetëm në një kohë që do të jenë 16 kandidatë të tjerë në garë për një vend në KE. Mungesa e sfidës elektorale për presidentin ka bërë që fokusi sot të jetë tek anëtarët e komitetit. Një organ që së fundmi ka mbajtur një “pit-stop” fantastik, në heshtje duke lënë në front vetëm kreun e drejtimit të futbollit, deri në konsum të institucionit që ai drejton. Familja e futbollit sot ka të gjitha mundësitë, domosdoshmërinë,
por edhe shansin që të zhveshë komitetin aktual nga përgjegjësitë, duke sjellë në krye të tavolinës së vendimmarrjes emra të rinj. Është domosdoshmëri, është nevojë, por mbi të gjitha është edhe detyrim që asambleja të ndryshojë tërësisht brumin e prurjes në komitetin ekzekutiv. Duke lënë në një anë, atë që ata në komitet kanë “prodhuar” këto vite, tashmë është momenti më shumë sesa i përshtatshëm që ata të ikin. Dhe duhet të ikin. Në një farë mënyre një shenjë e kanë marrë, por anëtarët aktualë të komitetit duhet të ikin, në mënyrë që uji të lëvizë, duke qenë se kreu mbetet po ai, konstanti që nuk njeh rivalë gare. E trishtueshme, reale, aktuale, apo çfarë, kjo është një tjetër melodi. Por, zgjedhje sot ka për një detyrim të futbollit: Të sjellë në organet vendimmarrëse emra të tjerë. Mjaft me kastën e vjetër. Nuk kanë aspak pse të akumulojnë duf, apo urrejtje, pasi futbolli i respektoi ata për 4, apo 8 vjet. Tashmë, ata duhet të respektojnë futbollin duke u larguar. Edhe kjo mundësi u jepet sot. Komiteti duhet të ketë tjetër qasje, tjetër konfigurim, tjetër formatim, ndoshta me shansin për të rritur sadopak kuotën e oponencës aty në mbledhjet e tij. A “prodhon” Duka mandate komiteti? Realisht, me një vijë logjike, i bie kështu, por këtë radhë duket se vetë presidenti ka lëshuar sinjalin: Mos kërkoni mbështetjen time! Sado, sado, brenda vetes, edhe në këtë grup që po ikën, pak preferenca mund ti ketë. Por, tashmë, vetë Armando futbollit nuk duhet t’ia privojë edhe mundësinë që të përfaqësohet ndryshe në komitet. Me një organ krejtësisht me komponentë të rinj. Në një farë mënyre, Duka e ka dhënë këtë sinjal, pavarësisht faktit se sa, dhe si është gëlltitur mirë, apo keq kjo gjë, në ata anëtarë aktualë që kurrsesi nuk mendojnë t’ia heqin vetes komoditetin e deritanishëm. Një komoditet real, financiar, komoditet kreditesh që të jep futbolli, por kurrë dhe në asnjë rast, një dalje në terren, në shesh, apo në front “llogoreje”, kur Duka dhe sekretariati është gjendur përpara situatave që ka prodhuar gara, ndeshjet, dhe gjithçka lidhet me interesa nga më të ndryshmet, në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar, deri në nivel ndërkombëtar e femëror. Pa paragjykuar aspak edhe atë lloj kontributi të dhënë deri tani, sërish në pikat më nevralgjike, komiteti ka qenë thjesht procedurial, aspak partner, dhe me nivelin zero të një oponence, që në një farë mënyre, në heshtje, apo edhe publikisht, të argumentuar, edhe vetë presidenti aktual nuk do ta refuzonte. Por, jo. Komiteti aktual i futbollit ka sigluar një dozë të madhe vegjetimi dhe konsumi, edhe për ata që vendosin. Në fund të fundit, është momenti që familja e futbollit të kërkojë një tjetër grup partnerësh për futbollin. Duhet. Lipset. Shumë. Por, ata nuk lanë as edhe një sekondë kohë dhe vrapuan të sigurojnë të gjithë një kërkesë kandidimi. Është e drejtë e tyre, ashtu sikundër sot, është e drejtë tërësisht e asamblesë që të japë për këtë komitet një përgjigje direkte: Koha juaj mbaroi! Aspak për fyerje! Aspak për akuza, aspak për egoizëm, por thjesht për orë kohe të konsumuara, për vite të kaluara dhe për domosdoshmërinë e afrimit në komitet, pranë presidentit të një tjetër grupi. A e do Duka një oponencë? Logjika do të thoshte jo, por salla mund ta rrëzojë sërish. Sot, anëtarët e futbollit lipset që pjesën dërrmuese të futbollit ta lënë pushim. Pasi, është kohë “pensioni” edhe për ta. Këta të fundit do të thonin: Pse e kemi mbushur kohën ne dhe jo presidenti? Po realisht, a guxojnë këta t’ia përcjellin këtë fakt Dukës? Natyrisht që jo. Sepse, për çdo gjë, për çdo rast, për çdo moment kritik, kanë zënë qoshen e tyre dhe kanë parë nga TV, atë që TV atakonte atë futboll që ata i kishte çuar atje. Kaq mjafton! Natyrisht që, disa përjashtime të vogla edhe janë për emra të veçantë që kanë lënë bizneset e tyre dhe kanë vënë imazhin në “tavë”, por shumica e këtij komiteti duhet të largohet. Natyrisht, nga komiteti, jo nga futbolli. Natyrisht nga vendimmarrja, jo nga raportet miqësore me presidentin. Natyrisht, nga ky organ dhe jo nga stadiumet. Është çasti më konciz që futbolli të shpërndajë “ujin” të paktën në nivel komiteti. Asambleja zgjedhore sot ka detyrimin të lërë pushim, ata që ka besuar për kaq vite, nën suportin e Dukës. Ky i fundit e dha një sinjal për ta, por ata nuk e dëgjuan. Sot, përgjigjen e jep salla. Dhe duhet ta japë. Është koha që edhe anëtarët e asamblesë të ndërgjegjësohen për peshën e votës që kanë. Shumë. Komiteti duhet me një tjetër konfigurim. Është emergjente.

No comments: