Tuesday, March 4, 2014

Gati dokumentari për Margarita Xhepën

Dokumentari do të sjellë për publikun jetën dhe aktivitetet artistike të aktores së njohur, ikonës së filmit dhe teatrit, Margarita Xhepa.
Dokumentari “Margarita” është gati për publikun. Ai vjen në 80 vjetorin e lindjes së aktores së mirënjohur shqiptare, Margarita Xhepa.
“Margarita” është dokumentari i parë që i kushtohet aktores së madhe shqiptare Margarita Xhepa, i realizuar nga regjisori Kujtim Gjonaj.
Dokumentari do të sjellë për publikun jetën dhe aktivitetet artistike të aktores së njohur, ikonës së filmit dhe teatrit.

Regjisori Gjonaj thotë se puna më e madhe është kryer dhe se tash është i përqëndruar në montazhë.
Dokumentari do të prezantohet me 2 prill, në ditën kur aktorja do të festojë 80 vjetorin e saj.
Aktorja Margarita Xhepa, e cila për dekada me radhë i ka dhuruar publikut emocione të panumërta në film dhe në teatër, tregon se ndihet shumë e lumtur që ky dokumentar po realizohet nga “Mjeshtri i madh”, regjisori Kujtim Gjonaj, i cili duket se ka menduar që të jetë dhe si një dhuratë për aktoren në 80-vjetorin e saj.
“Jam shumë e lumtur, e falënderoj shumë regjisorin Kujtim Gjonaj”, ka thënë Margarita Xhepa.
Aktorja ka shtuar se ky dokumentar nuk do të jetë vetëm për të, por edhe puna dhe pasioni i tërë brezit të saj.
Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, “Mjeshtre e Madhe”, është një aktore që ka luajtur mbi 150 role në skenën teatrore, një aktore që ka në bagazhin e vet mbi 33 filma artistikë.
Sipas regjisorit, Margarita është një aktore që kudo që ka pasur evenimente në jetën artistike të Shqipërisë është prezente me recitimet e saj, me aktivitetin e saj artistik.
Nga Tirana në Divjakë, Lushnjë, Pogradec, Libohovë e deri në Akropolis të Greqisë, ky është itinerari që ka përshkruar dokumentari kushtuar Margarita Xhepës.
Në të do të përfshihen meditime, interpretime të improvizuara enkas për dokumentarin, por dhe të nxjerra nga Arkivi i Filmit, të realizuara gjatë gjithë karrierës së saj artistike dhe rreth 30 intervista me njerëz të kulturës shqiptare.
Ky film nuk ka financime nga QKK, për realizimin e tij ka ndihmuar Bashkia e Lushnjes dhe pjesa tjetër financime private.

No comments: