Nga Ahmet Shqarri, Një lloj censure ishte edhe ajo që ndodhi gjatë fushatës së zgjedhjeve për federatën e futbollit shqiptar, kur e zeza u quajt e bardhë. Disa media, të kapura ligsht prej fyti nga bosët apo padronët e tyre, bënë çmos që t’na mbushnin mendjen se ky futbolli ynë s’kishte asnjë të metë a dobësi; se punët në të shkojnë si mos më mirë, prandaj klani që e udhëheq atë prej shumë vitesh, e meriton të jetë përsëri në krye. I pari dhe “i përjetshmi” i futbollit shqiptar, i sajon mjeshtërisht grackat
për t’i penguar kandidatët e tjerë që të mos ia zënë fronin, duke manipuluar ndër të tjera edhe disa media që i ka nën hyqëm, të cilat në këtë rast i nënshtrohen asaj që kemi përmendur që në titull, censurës. Gjithkush e sheh qartë se futbolli ynë aktualisht ka mbërritur në nivelin e tij më të ulët; me lojëra të nivelit shumë të dobët që për këtë arsye kanë larguar me kohë edhe spektatorët prej stadiumeve; dyshime për ndeshje të trukuara; arbitrime skandaloze që nuk i bëjnë as amatorët; futbollistë që nuk marrin rroga prej muajsh; skuadra pa status dhe rregulla ligjore që nuk kanë asnjë siguri për të ardhmen e tyre…, për të shkuar deri tek Kombëtarja, për të cilën, edhe pse harxhohen miliona e miliona, me trajnerë e stafe që paguhen gjithashtu sa askush tjetër në këtë vend të varfër, megjithatë, veçse del e fundit në çfarëdo aktiviteti që zhvillon! Përkundër të gjitha këtyre të zezave, ku mungesa e një stadiumi të licencuar, përbën edhe damkën më të madhe të turpit të kësaj federate që përgjigjet për këtë futboll, disa media kanë vendosur pikërisht censurën për të mbuluar këto të vërteta lakuriqe, duke na e paraqitur gjendjen, sikur ajo të ishte një lloj parajse e vërtetë! Censura shkon deri atje, aq sa edhe ato pak fjalë që tha Platinia tek ne, në një nga ato bujtjet e tij të stërshpeshta, u qëmtuan dhe u zgjodhën për të dalë si kryesore vetëm ato ku na pohohej prej tij se, ishte fat i madh që kishim në krye të futbollit tonë “të përjetshmin”, atë që, sipas tij, qenka shumë i dashuruar pas futbollit!…Për të qenë sa më i saktë dhe konkret me lexuesit e shfletova edhe njëherë Fjalorin Enciklopedik, për t’u bindur më shumë rreth kuptimit të termit “censurë”, që as më pak dhe as më shumë, jepte shpjegimin se, nuk ishte gjë tjetër veçse vënia nën kontroll të rreptë e organeve të medias, artit dhe kulturës nga pushteti në fuqi… Duke qenë një dukuri e sistemeve diktatoriale, ku shtypja, varfëria dhe skamja fshiheshin nga censura e vendosur prej pushteteve mizore e të paprekshme, dhe jeta paraqitej sikur të ishte një festë e pafundme, sot, në demokraci ngjan paksa si artificiale të ndodhë një gjë e tillë, kur mendon se tani, ato që duhet të zotërojnë në media janë mendimi dhe fjala e lirë. Por, për fat të keq, kontrolli i medias nga biznese klienteliste me pushtetin, sot duket një fakt i kryer, gjë që duket nga mungesa e guximit dhe e kurajës civile për të zhbiruar nëpër tunele të pëgëra, sepse ndryshe, shpërfaqja e të vërtetave lakuriqe do të binte ndesh me interesat e botuesve apo pronarëve të TV-ve, të cilat financojnë e ndërkohë shpërblehen prej pushtetit. Mosparaqitja e qartë e projektit për rikonstruksionin e stadiumit të Elbasanit, hija që mbulon tenderat dhe financimet rreth tij, janë një tjetër censurë e bosëve në demokracinë tonë, interesat e të cilëve shkojnë plotësisht ndesh me ato të shoqërisë, që nga ana e saj kërkon të shfaqen në media të vërtetat dhe jo mashtrimi. E ndryshme, por e rafinuar, censura shfaqet në çdo rast, kur shihet se demaskimi i së keqes u bën dëm pikërisht atyre që e kultivojnë atë. Të tilla janë edhe përpjekjet që bëhen nga disa të ashtuquajtur “moderatorë televizivë”, që kur ndonjë i ftuar i tyre guxon të thotë ndonjë të vërtetë të hidhur që e shohin dhe e prekin të gjithë në përditshmërinë e kësaj jete, ata, si t’i ketë pickuar gjarpri, hidhen përpjetë duke ia prerë fjalën, duke e çuar diku tjetër vëmendjen, vetëm si e si që të mos i zbulohen petët lakrorit dhe kështu të mos i prishen punët e të mos i shkelen interesat bosit përkatës! Ose, një formë tjetër censure është edhe kur dikush si rastësisht, në rrugë apo diku tjetër gjatë një bisede në kafe, të thotë se, “ti, mirë bën që kritikon këtë llum që na rrethon, por kush të dëgjon, prandaj, lëre fare se nuk ka mbetur që ta rregullojmë ne këtë vend!”…
Kur nga disa krerë të lartë të FIFA-s bëhej e ditur se, Anglia e pat humbur të drejtën për të organizuar finalet e një Botërori, ngaqë media e saj paskej folur për korrupsion në selinë e institucionit më të lartë të futbollit ndërkombëtar, përgjigjja e ardhur nga ishulli mbretëror ishte se, lirinë e shtypit atje e vlerësojnë më shumë se milionat që mund të përfitohen nga biznese të tilla…
No comments:
Post a Comment