Kryetari i Patisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela i kërkon Ramës që të rregullojë me çdo çmim marrëdhëniet me SHBA.
“Ne nuk kemi mundësinë që, pa ndihmën e aleatit strategjik, i cili dihet që është i tillë, të mundemi të bëjmë hapa të tillë drejt Perëndimit. Rama nuk po e kupton që ftohja me ta është në dëm të Shqipërisë. Ashtu sikurse nuk po bën asnjë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet e tij personale. Duhet të kuptojmë një gjë, që marrëdhëniet me SHBA nuk janë marrëdhëniet Amerikë-Shqipëri
, por janë marrëdhënie mes politikës amerikane dhe Kryeministrit tonë. Sepse ajo që ndodhi dhe që ne e kemi analizuar në lidhje me armët kimike me PO-në e parë dhe Jo-në përfundimtare, ka çuar në humbjen e besimit. Rama ndoshta nuk e kupton këtë, me sa shoh unë, sepse nuk e konsideron besimin si një gjë themelore, që kushtëzon politikën, por e konsideron si një gjë kalimtare dhe të papërfillshme. Absolutisht ai duhet të kthehet tek politika moderne dhe të heqë çdo defekt që ka vetë”, shprehet Ngjela.
Sipas tij Rama duhet të rregullojë trajektoren, ose duhet të largohet.
“Unë mendoj se trajektorja e tij në lidhje me politikën e brendshme dhe disa problematika nuk është keq. Por, i qëndroj asaj që nuk mund të ecësh dot pa politikën amerikane. Le të na i bëjë të qartë si janë marrdhëniet me SHBA-të.”
Në lidhje me reformën territoriale, Ngjela shprehet se po bëhen gabime, duke bashkuar mekanikisht qarqet në rajone të mëdha.
“Duan të bashkojnë Elbasanin me Korçën dhe të bëjnë Pogradecin qendrën administrative të këtij rajoni.Por nuk shkon, nuk mund të bashkohen kështu.Duan të bashkojnë veriun dhe qendër të kenë Lezhën. Si do të quhet rajoni?Rajoni i Shkodrës?!Po bëhen gabime”, shprehet Ngjela teksa thekson se kjo reformë nuk mund të bëhet e mbyllur madje propozon edhe referendumin.
Ngjela shprehet në gazetën “Panorama” edhe për zgjedhjet në Ps dhe deklaron se, “Fakti që Rama nuk hyn në zgjedhje brenda partisë, tregon se nuk është i fortë, po i bien aksionet në popull, por dhe brenda partisë. Ai e di këtë dhe nxjerr broçkulla juridike. Duhet të kemi parasysh se duhet të respektohet ligji. Statutet e partive janë depozituar në gjykatë dhe jo pa qëllim. Secili mund t’i drejtohet gjykatës, gjykata merr vendimin, dhe ky ngërç merr fund”, shprehet Ngjela.
No comments:
Post a Comment