Thursday, February 20, 2014

Protesta, politika, të qenit qytetar

Dr. Grida Duma
Pse do duhej sot që qytetari shqiptar të dalë në një protestë? A mos do ishtemë mirë t’i largohej zhurmës së politikës, që i buçet nga çdo media apo mbizotëron në çdo tavolinë kafeneje dhe në të kundërt të jetonte në një indiferentizëm politik si reagim i pakënaqësisë nga politika?
Problemi nuk është aspak teorik: në Shqipëri politizimi përfundoi të perceptohet si një e keqe që “përmbyt” shoqërinë, edhe pse teoria sociale e sheh politikën si një bashkësi të nënrenditur ndaj saj. Kur flasim për “politizim”
në kontekstin shqiptar, përgjithësisht nënkuptojmë problemin, dhe kur përmendim “depolitizimin”, mendojmë se po flasim për zgjidhjen. Kjo sepse politizimi u identifikua në thelb vetëm më militantizmin apo partizanizmin, dhe thuajse fare me politikën si alternativë zhvillimi.
Në fakt, nuk është kështu. Politika qëndron në zanafillë, në qendër, po aq sa në periferi të çdo shoqërie. Politizimi në thelb duhet të jetë shtysa për pjesëmarrjen e qytetarëve në “polis”, për ushtrimin e ndikimit të tyre në bërjen e politikës. Institucionet tona thellësisht të politizuara s’janë gjë tjetër veçse simptoma e depolitizimit ekstrem të qytetarit, e de-ideologjizimit të tij, e vdekjes së demokracisë brenda shpirtit të tij.
Një përkufizim praktik i demokracisë është ky: “demokracia është mundësia për të jetuar politikisht”. Nëse shqiptarët nuk jetojnë politikisht, demokracia nuk ekziston. Mund të kemi zgjedhje demokratike, institucione, ligje demokratike, një parlament demokratik, kontroll demokratik mbi forcat e armatosura dhe fare mirë mund të mos kemi demokraci. Thelbi qëndron tek qytetarët. A jetojnë ata politikisht? Nëse jo, nuk kemi demokraci. Nëse shqiptarëve nuk u lejohet të jetojnë politikisht, duhet të pyesim pse. Nëse atyre nuk u intereson të jetojnë politikisht, kemi më shumë se një problem. Në këtë rast, fenomeni përballë nesh është fundi i demokracisë. Ajo çka ka ndodhur fatkeqësisht është që më së shumti, shqiptarët kanë marrë pjesë në politikë, kanë marrë pjesë në mitingje, janë përdorur elektoralisht, por thuajse nuk kanë jetuar politikisht. Të jetosh politikisht do të thotë të kesh qartësi jo për ngjyrën e forcës politike, por për përmbajtjen e politikave që ajo ofron për të të rregulluar jetën. Dhe evitoj fort këtu të besoj që tashmë sigurimi i një vendi punë të pasigurt, kuptohet si rregullim i jetës.
Në veprën “Kritika e filozofisë së ligjit hegelian”, Karl Marksi përshkroi rënien e regjimit gjerman, përsëritjen e butë të përmbysjes katastrofike të anien regime të Francës, me fjalët: “Tragjedia përsëritet si farsë.” Përsëritja e kësaj fraze kohët e fundit në Kuvendin e Shqipërisë më bëri përshtypje. Për mua, një mënyrë për të perifrazuar Marksin është kjo: “Rrëzimi i një fasade të lyer, i një butaforie prej kartoni të presuar, nuk mund të krahasohet kurrë me shembjen e një ndërtese reale prej tullash dhe guri”. Referenca ndaj Marksit u bë nga Kryeministri i Shqipërisë, njeriu i cili ka shumëçka të bëjë me Marksin, shembjet, farsën, lyerjet dhe fasadat. Sipas së njëjtës logjikë, rënia e një qeverisjeje fasadë, të bazuar mbi imazhin, seminaret qeveritare dhe spektaklin institucional, ku shqiptarët duhet të vrapojnë që të bien në peshë, ku policët duhet të vihen në dietë, ndërsa doganierët duhet të lahen dhe të krihen, s’ka sesi të jetë tragjike.

Por, edhe pse rënia e aparencave -rënia në veçanti e kësaj aparence, s’ka pse të shihet si fundi i botës, shumëçka na bën të mendojmë se situata ku jetojmë nuk është farsë. Ndryshimi i këtij realiteti s’është diçka për t’u marrë me të qeshur. Në thelb të tij, në thelb të aparencave qesharake, fanfaronadave qeveritare, operacioneve pafundësisht të marrëzishme, në thelb të mjerimit social, politik, ekonomik dhe njerëzor, qëndrojnë fenomene dhe çështje shoqërore të rangut të lartë, drejt të cilave duhet të lëvizim me vullnetin dhe këmbënguljen për t’i zgjidhur.

Vëllai binjak i institucioneve tona të superpolitizuara është qytetari i defaktorizuar si individ, i shkëputur nga partishmëria ideologjike, i larguar nga vetë-organizimi në grupe funksionale interesi, i mënjanuar nga protesta dhe i shndërruar në spiun të atyre që protestojnë, i transformuar nga qytetar në një “investitor” të madh, të vogël, apo të mesëm, i makinerive elektorale të sotme, në pritje të “dividendëve” prej pushtetit të nesërm. Kësisoj, në sfondin e magjisë boshe të spektaklit politik të politikës si spektakël  zhvillohet një operacion i paskrupullt antinjerëzor, në fund të të cilit gjithçka u është marrë atyre që tashmë s’kanë asgjë për të dhënë.

Asgjë nuk mund të pritet nga një qytetar që dhunohet në këtë mënyrë; sepse kjo lloj politike nuk është më as politikë, as qeverisje, as biznes -por një farsë e politikës së shndërruar në biznes, një spektakël i biznesit politik, ku biznesi trajtohet si një lopë për t’u mjelë, ku qytetari shndërrohet në një spektator i baticës mediatike, në një publik të papunë që paguhet me orë për të duartrokitur në televizion, në një student që “rimbursohet” 2,000 lekë të për të votuar, në një të ri që punon në call-center për 150 dollarë në muaj dhe të cilit i bëjnë punë 20 dollarë më shumë në xhep.
Nesër ashtu si sot, ky biznesmen, ky i papunë, ky mësues, nuk do të interesohet për asgjë më tepër sesa ajo që i duhet për biznesin, punësimin, apo mbajtjen e vendit të tij të punës. Natyrisht, nesër ashtu si sot, ai do të interesohet për familjen, të afërmit si dhe për kohën e tij të lirë. Nuk është pak, por është vetëm kaq. Njeriu që kemi krijuar është jo-qytetari, shqiptari tipik i post-tranzicionit, një njeri i vetëkënaqur po aq sa i frustruar, i kompleksuar po aq sa i deziluzionuar, i painteresuar po aq sa agresiv; ndoshta i angazhuar politikisht, ndoshta jo, ndoshta tërësisht apolitik, tashmë nuk ka asnjë rëndësi: kemi krijuar individin, i cili tashmë ka pushuar së qeni një qenie e mirëfilltë politike – një qytetar.

Goditja e protestës, përpjekja për delegjitimimin e çdolloj proteste, me çfarëdo mjeti dhe me çfarëdo mënyre, është pikërisht ajo që duket: autoritarizëm. Survejimi, sa diletantesk, aq edhe grotesk që u bëhet liderëve të protestave, është pikërisht ajo që duket: simptomë e pseudoshtetit policor.

Protesta është një mënyrë për të mos e lënë demokracinë të shuhet. Kohët e fundit, shqiptarët kanë protestuar: kundër armëve kimike, kundër devijimit të lumit Radika, madje edhe pro ruajtjes së korsive të biçikletave në Tiranë. Një rini surprizuese, kreative, pa komplekse, e lindur pas ndryshimeve demokratike, ka rilidhur vektorët e këputur të protestës, duke injektuar gjak të ri në damarët e demokracisë.

Në Shqipëri kemi një rini që proteston, kemi shoferët e furgonëve që protestojnë, kemi opozitën që ka shprehur qëllimin të protestojë: protestat, si ato jopartiake, ashtu edhe ato partiake, janë thelbësisht politike. Vërej, jo pa shqetësim, që të dy këta vektorë protestash përballen me një batare argumentesh zymtake: protestuesit jopartiakë akuzohen se duke protestuar, “çojnë ujë në mullirin e opozitës”, ndërsa opozita akuzohet se “pasi ka ngrënë 1 milion shuplaka, nuk është e denjë të protestojë”.

Në fakt, bataretë kundër protestës, kundër të drejtës për të protestuar, nga çdokush, për çfarëdolloj arsyeje, me çfarëdolloj argumenti, s’janë gjë tjetër veçse predha kundër demokracisë, kësaj shënjestre kaq të lehtë. Të qëllosh ‘mediatikisht’ protestën do të thotë të vrasësh ‘politikisht’ demokracinë. Se protesta s’është gjë tjetër, veçse ajo çka i mundëson qytetarit të jetojë qytetarinë e tij, brenda, apo jashtë radhëve të një partie.

Sot protesta, apo këmbëngulja për të jetuar politikisht, përballet me korin e zërave që kërkojnë “depolitizimin”e shoqërisë. Në fakt, ajo që në të vërtetë kërkohet janë institucione të depolitizuara, mbi të gjitha administratë e depolitizuar, polici e depolitizuar, mësues të depolitizuar, deri edhe…të dhëna tatimore të depolitizuara. Kur flasim për administratën, policinë, madje edhe për mësuesit që arsimojnë fëmijët tanë, ajo që na shqetëson, krahas cilësisë së dobët të administratës, problemeve me rendin, me arsimin, është çështja e politizimit ekstrem të vendit.

Trajtat dhe përmasat që shpërfaq depolitizimi i shqiptarëve janë shqetësuese. Në optikën time, depolitizimi është kufizim. Jemi realisht tejet të kufizuar në ndërveprimin social: ndërveprojmë thjesht dhe vetëm si hallexhinj, si të papunë, si punëkërkues, si emigrantë… Në Shqipëri dritarja sociale, hapësira përmes së cilës individi ndërfaqet me shoqërinë, zvogëlohet përherë e më shumë. Hapësira e dritës ngushtohet, jeta politike përthahet, dritaret mbyllen, protesta shuhet, sepse thjesht nuk ke më arsye të protestosh. Jo sepse Shqipëria nuk ka probleme; por sepse kjo s’është më problemi yt. Nëse më thoni se nuk është aspak e jashtëzakonshme të jesh thjesht një i papunë, përsa kohë nuk ke gjetur asnjë punë, apo thjesht një biznesmen i suksesshëm përsa kohë punët të ecin mbroth, do të përgjigjesha: “Nuk është aspak e jashtëzakonshme, por është jashtëzakonisht keq! E keqja është se gjithçka mbaron këtu”.

Të qenit qytetar është para së gjithash një konstrukt shoqëror, përditshmëria e të cilit, të paktën në teori, do të duhet të informohej nga paradigmat ideologjike të vlerave liberale, social-liberale dhe humaniste: të paktën teorikisht, qytetaria do të duhej të mbështetej mbi vlerat dhe vetitë “qytetare” të cilat u flasin sa lirive personale, sa të drejtave dhe lirive ekonomike, ashtu edhe interesit “publik”, “politikës”, “polisit”.
Një qytetar i vërtetë është një qenie thelbësisht “politike”, jo një qenie fatmirësisht e “depolitizuar”. Depolitizimi i qytetarit shqiptar në thelb është de-qytetarizimi dhe defaktorizimi përfundimtar i tij.
Është një mënyrë elegante për t’i thënë atij “të mbajë vendin”. Të rrijë aty ku është.
Jashtë!!!

No comments: