Sunday, June 23, 2013

Si u largua Arvizu, 48 orë para zgjedhjeve

Përgjigjja e Berishës për Arvizun: Kur fillojnë të bëjnë gjykatësin, nuk respektojnë veten e tyre”

Diplomati Aleksandër Arvziu, këtë të premte, dy ditë para zgjedhjeve është larguar nga detyra e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Arvizu u zëvendësua nga Donald Lu me një vendim të presidentit Barack Obama.

Por si erdhi lirimi nga detyra i diplomatit Arvizu. Përbën habi ky vendim për shkak se 48 orë para procesit më të rëndësishëm të vendit, largohet ambasadori i vendit më të rëndësishëm në botë.

Largimi i tij nuk është normal dhe për më tepër mësohet se z.Arvizu nuk do të jetë më në shërbimin diplomatik amerikan.

Prej kohësh është diskutuar se qëndrimet e tij kanë qenë personale dhe jo të qeverisë amerikane që ai përfaqësonte.

Herë pas herë nga ana e z.Arvizu ka pasur deklarata kundër qeverisë shqiptare. Ndërkohë që kundër deklaratave të tij, ka pasur dalje publike nga zyrtarë të lartë të Uashingtonit, përfshirë zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit Riker apo homologun e z.Riker, Xhonatan Mur.

Analistët thonë se qëndrimet e tij kundër Berishës dhe angazhimet e tij në disa raste pro së majtës, janë arsyet që Departamenti Amerikan i Shtetit, e ka nxjerrë në pension para kohe, diplomatin Arvizu, i cili e mbyll karrierën e tij diplomatike me më pak se tre vjet që qëndroi si ambasador në Shqipëri.

Përplasja më e fortë mes shtetit shqiptar dhe diplomatit Arvizu, besohet se është ajo e 15 prillit të këtij viti. Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, përmes një deklarate që shpërndau zyra e tij e shtypit, u shpreh se “nuk ka diskutim që kur LSI vendosi të tërhiqej nga koalicioni qeverisës dhe të hynte në koalicion me Partinë Socialiste, kjo solli rrethana të ndryshuara, përfshirë edhe në 89 KZAZ-të. Kurse duke komentuar zëvendësimin e anëtarit të KQZ në Kuvend, pak para se të kryhej votimi, tha: “Nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Pas kësaj deklarate, reagimi i Berishës nuk ishte i shpejtë. Më 26 maj, nga Elbasani në takim me gazetarë lokalë, z.Berisha u pyet mbi marrëdhëniet me SHBA. Ai tha: “Marrëdhëniet e kësaj qeverie me SHBA janë të shkëlqyera. Kjo është absolutisht jashtë çdo lloj diskutimi”, - duke shtuar: “Janë marrëdhënie të bazuara në disa parime, që ndajmë së bashku dhe shumë të garantuara. Mënyra më e shkëlqyer për të ndërtuar marrëdhëniet e mira me SHBA dhe vendet e lira, është të zbatosh ligjet e vendit tënd. Ato janë të qarta, të kristalta”. Përgjigjja kishte këtë vijim: “Ligjet e Shqipërisë janë shumë të mira. Janë ligje demokratike. Kështu që unë dëgjoj me shumë respekt mendimet e miqve, por detyra ime është të zbatoj ligjet e vendit tim. Shqipëria ka institucione demokratike, të cilat janë larg të qenit të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to. Kur fillojnë të bëjnë gjykatësin Kushtetues, apo kur bëjnë gjykatësin e Lartë apo atë të Faktit, unë them se nuk respektojnë veten e tyre. Cilido qoftë. Ky është një shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër. Askush nuk ka mandat të marrë atribute, sepse mënyra sesi funksionojnë qeveritë e vendeve të lira është një mënyrë e mrekullueshme, është një mënyrë transparente. Ndaj dhe nuk mund të bëhet fjalë për asnjë variant tjetër, përveçse atë që përcakton ligji i vendit, atë që thonë institucionet e vendit”. E në përfundim të kësaj deklarate, z.Berisha siguroi: “Në këtë kontekst unë garantoj çdo qytetar shqiptar se kam mbështetjen e plotë të qeverisë së SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, të të gjitha qeverive të vendeve të lira. Çdo lloj interpretimi, ata të cilët duan t’i referohen eksperiencës, dëshmon se është kështu dhe vetëm kështu dhe jo ndryshe.

No comments: