Sunday, June 23, 2013

Policia jep detaje të veprave penale të ndodhura gjatë ditës së votimit

POLICIA E SHTETIT: JA VEPRAT PENALE TE EVIDENTUARA GJATE DITES SE SOTMENË QARKUN E LEZHËS Rreth orës 08.45’, të ditës së sotme, në ambientet e jashtme të Shkollës së Mesme “AT Shtjefën Gjeçovi”, të qytetit të Laçit, ka patur një shkëmbim zjarri, ku për pasojë:
- ka gjetur vdekjen shtetasi Gjon Gjoni, vjeç 49, banues në Laç,
- po ashtu janë plagosur, shtetasi Mhill Fufi, rreth 49 vjeç, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike, për Qarkun e Lezhës, i cili është dërguar për mjekim
në Spitalin e Rajonal Lezhë, jashtë rrezikut për jetën, si dhe shtetasi Kastriot Fufi, vjeç 39, banues në Mamurras, i cili është dërguar për ndihmë më të specializuar në Spitalin Ushtarak Tiranë.
Strukturat e Policisë po punojnë intensivisht për zbardhjen e dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë.
Për hetimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili kryesohet nga Prokurori i rrethit Gjyqësor Kurbin. Në përbërje të këtij grupi të posaçëm hetimor bëjnë pjesë dhe specialistët më të mirë të kësaj fushe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

NË QARKUN E ELBASANIT Rreth orës 11.00’ është marrë informacioni se në një qendër Votimi në qytetin e Peqinit është goditur me mjete të forta nga tre shtetas anëtari i Komisionit i kësaj qendre votimit, si dhe i kanë marrë kartën e identitetit bashkëshortes së tij. Menjëherë nga ana e policisë u shkua në vendin e ngjarjes, ku u bë i mundur identifikimi i personave, si dhe sekuestrimi në cilësinë provës materiale i mjetit me targa TR 5515 K, me të cilin këta shtetas qarkullonin në qytetin e Peqinit. Tre personat e identifikuar janë:
- Gazmend Sinani, drejtuesi i mjetit tip Mitsubishi
- Astrit Kashi
- Aleksander Bajo, që të tre banues në Elbasan.
Këto shtetas janë shoqëruar dhe aktualisht për rastin në fjalë po kryhen veprimet procedurale. Ndërkohë nga kontrolli i ushtruar mjetit u gjeten dhe u sekuestruan ne cilësinë e provës materiale 2 arme zjarri tip automatike, 1 shotgan, si dhe një sasi municionesh.

NË QARKUN KORÇË 1. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Pajtim Selman Myrtollari, vjeç 51 nga Korça. Ky shtetas ditën e djeshme, rreth orës 23.10’ në vendin e quajtur Ura e Fajancës është kapur në flagrancë me automjetin tip benz KO 8013, me 11 zarfa me nga 5000 lekë të reja, të cilat dyshohet se do u ndaheshin personave të ndryshëm për të votur për Subjektin Politik LSI , ku ky i fundit ishte dhe Koordinator i këtij subjekti. Po lidhur me këtë rast filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal për 2 shtetas të tjerë. Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve” të parashikuar nga neni 328 i K.Penal.
2. Ndërkohë po në Korçë filloi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasve Shkëlqim Belul Topa, punonjës i Komunës Libonik dhe Naveljan Shkëlqim Topa, përkatësisht 45 dhe 20 vjeç, pasi akuzohen se rreth orës 22.00’ të ditës së djeshme, në Libonik, për shkak të bindjeve partiake kanë goditur me sende të forta shtetasit Armando Pëllumb Cenolli e Maksi Njazi Cenolli, edhe këto banues në fshatin Libonik. Ndaj tyre u kryen veprimet procedurale e materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje të kryer në bashkëpunim.
3. Rreth orës 10.30’, në qytetin e Korçës, në lagjen nr.4, përballë shkollës 9- vjecare “Nuci Naci”, ka patur një grindje mes shtetasve Edmond Poreci dhe shtetasit Leonard Mitre për motive ende të pasqaruara. Për ndërprerjen e këtij konflikti ka ndërhyrë për ti ndarë kandidati për deputet i partisë socialiste shtetasi Ilirjan Pendavinji, i cili në momentin që po ulte konfliktin është goditur në fytyrë me grushta nga shtetasi Edmond Poreci. Nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe hetimore dhe po punohet për kapjen e autorit. Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçe për veprime të mëtejshme për veprën penale dëmtime të tjera me dashje të parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal.

NË QARKUN TIRANË 1. Mbrëmë rreth orës 23.30’ në ambientet e një lokali në në rrugën “Pandi Dardha”, është plagosur me armë zjarri shtetasi Ardi Rrahman Kacnija, 38 vjec, me banim në Tiranë, si dhe janë goditur me mjete të forta 2 shtetas. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para hetimore dhe procedurale, ndërkohë që po punohet intensivisht për identifikimin, kapjen e autorëve të këtij konflikti, si dhe dokumentimin ligjor të saj.
2. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Tafil Hysen Daci, vjeç 35, banues në Kamzë, pasi rreth orës 01.45’, në Zall Mner nga kontrolli në mjetin tip “Benz” me targë AA 738 BH, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip TT, të cilën e mbante pa leje.
3. Ndërkohë nga Komisariati i Policisë Kavajë filloi procedimi penal e punohet për kapjen e shtetasit Emiljano Vullnet Leka, vjeç 29, banues në Kavajë, pasi rreth orës 22.00’, në qytet, gjatë kontrollit të mjetit tip “Skoda” me targë AA 312 GM, të cilin ky shtetas e braktisi për t’i shpëtuar kapjes nga forcat e policisë, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik si dhe një sasi prej rreth 300 fishekësh, të cilat i mbante pa leje, po ashtu iu gjet dhe sekuestrua një tabelë e Policisë Bashkiake.

NË QARKUN VLORË 1. Rreth orës 01.00’ të datës 23.06.2013 në lagjen “Pavarësia”, në qytetin e Vlorës në automjetin tip Ëolksvagen Golf 4 në pronësi të shtetasit Dorian Tafili, me detyrë Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në pjesën e përparme të këtij automjeti (kofano) ka ndodhur një shpërthim. Automjeti është dëmtuar lehtë në pjesën e tij të përparme dhe në momentin e shpërthimit ka qenë i parkuar në vendparkimin përpara pallatit ku banon shtetasi Dorian Tafili. Menjëherë nga Policia është ngritur një grup hetimor me specialistët më të mirë të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Vijojnë hetime intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
2. Po në qytetin e Vlorës, në lagjen Uji i ftohtë, rreth orës 05:45’, është shkatërruar pjesërisht automjeti tip BMË X5, me targa AA 768 FN, në pronësi të shtetasit Kreshnik Skënder Tepelena, vjec 31 banues në Vlorë. Mjeti në momentin e shkatërrimit ka qenë i parkuar përpara oborrit të banesës së këtij shtetasi. Menjëherë në lidhje me këtë ngjarje është ngritur grupi hetimor i cili po punon intensivisht nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
3. Aktualisht në këtë qark vijon normalisht procesi i votimit dhe nuk janë evidentuar probleme apo incidente brenda apo në afërsi të qendrave të votimit. Vetëm në një rast, në qendrën e votimit Nr. 4665 në qytetin e Sarandës në shkollës “Adem Shema” Komisioni i Qendrës së Votimit ka kërkuar mbështetjen e policisë, pasi kishte shumë njerëz brenda qendrës së votimit. Pasi është marrë vendimi përkatës, Policia ka ndërhyrë dhe situata është normalizuar. Më pas policia është larguar nga qendra e votimit sërisht me vendim dhe procesi i votimit ka vijuar normalisht.

NË QARKUN GJIROKASTËR Rreth orës 10.55’ të datës 23.06.2013, në Qendrën e Votimit nr. 4165 në qytetin e Këlcyrës, komisionerët kanë thirur policinë për rivendosje të rendit dhe qetësise publike, me vendim nr. 4 datë 23.06.2013, pasi shtetasi Fatjon Merkaj, ka debatuar me komisionerët e kësaj qendre votimi dhe ka goditur me grushta dy komisionerët Agim Allamani, komisioner i subjektit L.S.I. dhe Dhimtër Qyra, komisioner i subjektit P.D. Më pas është larguar nga Qendra e Votimit.

Pas marrjes së vendimit punonjësit e policisë kanë hyrë në qendrën e votimit për rivendosjen e rendit. Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit nr.5, datë 23.06.2013, punonjësit e policisë janë larguar nga Qendra e Votimit drejt vend qëndrimit të tyre. Aktualisht kjo qendër votimi funksionon normalisht pa asnjë problem.

No comments: