Wednesday, December 26, 2012

Ja dokumentat arkivorë mbi pushkatimin e 105 të internuarve nga Tirana në kampin e Prishtinës

Nga Doc. Kadri DINGU* U njoha edhe një herë me listën e të pushkatuarve në Kampin e Prishtinës në tetor 1944. Rezultoi se shumë nga ato i kisha njohur gjatë viteve 1942-1943 në Tiranë, si aktivistë të LANÇ. Mbi 80 prej tyre ishin nga të arrestuarit më 4 shkurt 1944, kur u pushkatuan në rrugët e Tiranës, 84 qytetarë dhe ku u arrestuan mbi 500 të tjerë. Këtë e vërteton edhe shkresa e Komandës së Xhandarmërisë Nr. 210 datë mars 1944 ku njoftonte MB se ishin 310 të arrestuar.
Ndërsa më 4 shkurt janë dërguar në burgun e Tiranës 220 që në mars janë internuar në Kampin e Prishtinës.
Në fondet arkivale të historisë së UNÇSH, të muajit shtator të vitit 1944, del se njësiti i Brigadës III Sulmuese ishte futur natën në qytet për të kryer një aksion, por rastësisht ato takuan një patrullë të ushtrisë gjermane, në rrugën e Dibrës në afërsi të Medresesë dhe gjatë luftimeve vranë tre nazistë. Njëri prej tyre ishte oficer. Për hakmarrje pushtuesit nazistë të ndihmuar nga xhandarmëria dhe nga disa ballistë që banonin në lagjen e “Shebekëve” që përfshin zonën ku u zhvilluan luftimet, u arrestuan mbi 160 banorë. Nga këta 100 do t’i pushkatonin si hakmarrje për tre ushtarakët e vrarë dhe do të digjnin të gjitha shtëpitë e kësaj lagjeje.
Komiteti Mysliman me shkresë Nr. 3 dt. 28 shtator, ndërhynte pranë komandës gjermane “që të lirohen banorët e arrestuar se janë të pafajshëm”. Si rrjedhojë komanda gjermane e anulloi masën e pushkatimit, por pas ca ditësh dogji dhjetra shtëpi të lagjes “Shebekëve”, që ishin në anën veriore të rrugës së Dibrës. Në fakt sipas dokumentit Nr. 00370 të Shtabit të Korparmatës Gjermane në Tiranë, anullimi i pushkatimit ishte imponuar nga një ngjarje që kishte ndodhur ato ditë në rrugën automobilistike Pukë-Tropojë, ku njësitet partizane kishin goditur një autokolonë të Ushtrisë Gjermane dhe kishin zënë rob disa ushtarë si dhe dy femra (agjente të Gestapos). (Njëra nga këto ishte gruaja e një oficeri Gjerman).
Për lirimin e tyre ajo zbatoi skenarin si më poshtë: Nga kampi i Prishtinës ato tërhoqën të internuarit QazimVaqarri dhe Ibrahim Çoku dhe shoqëruar me një përkthyes i dërgojnë në Tiranë që të marrin kontakt me drejtues të LANÇ me kërkesën, që të lironin dy femrat gjermane me kushte shkëmbimi.
Shtabi i Divizionit të Parë të UNÇSH në Labinot kërkesën e komandës gjermane, e pranuan me kusht që të lirohen këta persona:
1. Gjenerali anglez Dejvis, që ishte drejtues i misionit Anglez pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, i cili qe kapur rob (i plagosur) gjatë Operacionit të Dimrit 1944 në zonën e Çermenikës nga forcat e Ballit Kombëtar të komanduara nga Ibrahim Biçaku dhe i qe dorëzuar komandës gjermane.
2. Kozma Nushi ish sekretar politik i Qarkorit të PKSH të Durrësit i arrestuar e internuar në kampe në Gjermani.
3. Tomor Sinani ish sekretar Politik i Qarkorit të PKSH të Elbasanit i arrestuar e internuar në kampet në Gjermani.
Sipas dokumentit të Shtabit të Korparmatës XXII-Gjermane në Tiranë Nr.07010, tetor 1944, kthehet kjo përgjigje:
1. Gjenerali Dejvis nuk pranon lirim me kushte shkëmbimi.
2. Kozma Nushi dhe Tomorr Sinani nuk figuronin në kampet e përqendrimit (që do të thotë se ato ishin të pushkatuar) dhe të tjera kërkesa.
Për çudi, pas tre ditësh, pa marrë përgjigjen e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, forcat gjermane marrin 105 të internuar nga kampi i Prishtinës dhe i pushkatojnë.
Si kundërpërgjigje, Gjyqi Ushtarak pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH vendosi pushkatimin e dy agjentëve të Gestapos të zënë rob për krimet që kishin bërë në Greqi e Shqipëri.
Siç shihet, pushkatimi i105 të internuarve në kampin e Prishtinës ka qenë vazhdim i masakrës së 4 shkurtit 1944 i kryer në mënyrë kriminale nga nazistët. *Historian-Veteran i LANÇ

No comments: