Tuesday, December 25, 2012

Familjet Mbretërore Ballkanase, histori për filma

Ben Andoni
Janë pa asnjë pushtet dhe komunistët ballkanas i zhdukën dhunshëm nga fronet e tyre. Që atëherë monarkët ballkanas se kanë marrë veten edhe pse në Shqipëri, Rumani, Serbi e Bullgari kanë një lloj peshe dhe madje edhe janë rikthyer. Sot, shumica e brezit monarkik të Luftës së Dytë Botërore janë të vdekur jashtë vendeve të tyre dhe pothuaj të harruar. Pinjollët e tyre u përpoqën të riktheheshin dhe më ambiciozi prej tyre rezultoi Mbreti Simeon, i cili drejtoi pa sukses Bullgarinë për katër vjet në fillimin e shekullit të ri. Të tjerët, mbetën thjeshtë garniturë e protokolleve mbretërore evropiane, me të cilët kanë shumë fije të afërta


Në dasmën mbretërore britanike, mes ftesave shpërndara kudo kontinentit e më gjerë, gjendeshin dhe zarfet me stemat e fryra, ku qëndronin ftesat drejtuar mbretërve ballkanas. Por, ndryshe nga adresat e largëta të Familjeve Mbretërore evropiane, ato ballkanase, mbanin thjesht adresën britanike, ku kanë gjetur strehim prej vitesh. Në vendet e tyre janë gati inekzistent. E më shumë akoma, shumë syresh, të larguar prej vitesh nga vendet e tyre dhe në përpjekje ta pamundura për t’u rikthyer, me dasmën përrallore të Kurorës Britanike patën mundësinë e fundit të shkëlqimit. Me rastin e martesës së princit William me Kate Middleton, dy familjet më interesante ballkanase, që ishin ftuar si kushërinj të tij direkt, ishin aspak më shumë e as më pak, por Familjet Mbretërore Greke dhe Rumune. Këta të shkretë gati të panjohur për brezin e ri në vendet e tyre, në fakt, atë ditë nxorën nga dollapët veshjet e tyre, mbetur nga kohët më të mira, kur pushteti i tyre dominonte, për të rrëfyer se ekzistonin vërtetë. Në ceremoninë në Westminster Abbey, ish-mbretërit e Rumanisë dhe Greqisë, Mikael dhe Konstantin mbetën vërtetë dy personalitete të mëdha të nderuar, por që gjithsesi kjo s’i ndihmon aspak të afrohen në vendin e tyre. Konstantini është kushëriri i parë i burrit të mbretëreshës, Dukës Filip ndërsa familja rumune me anë të Mikaelit, janë kushërinj të tretë të vetë Mbretëreshës Elisabet në fuqi. Madje, Mikaeli, sot 90 vjeçar, thuhet se e takoi të shoqen e tij të ardhshme pikërisht në dasmën e kushërirës së tij Elisabet, mbretëreshës britanike. Mbreti Mikael ishte një nga të vetmit monark të mbijetuar që nga L2B, shoqëruar nga bija e tij, Princesha Margarita dhe burri i saj Princit Radu, që mbushën kronikat mondane të monarkisë së vjetër. Dhe, shkëlqimi i Familjes Rumune ishte edhe më i madh pasi në listën e miqve nga Rumania gjendeshin edhe Konti Tibor dhe Kontesha Ana Kalnoki, miq të afërt të babait të Princit Williams, Çarls, trashëgimtarit të Fronit Britanik. Që nga viti 1947, kur u detyrua të ikte nga Rumania, e deri më sot, Mbreti Mikael përpiqet më kot të bëjë zhurmë për monarkinë e tij.
Nga ana tjetër, interesante është se njësoj me prestigj trajtohen sot Princi i Kurorës jugosllave Aleksandër dhe princesha e Kurorës Katerina të Jugosllavisë me tre bijtë e tyre, të lindur në Londër. Aleksandri është famulli i Mbretëreshës britanike. Ai është i biri i Mbretit të fundit të Jugosllavisë Petar II, që Tito me forcat e tij e rrëzuan më 1945. Kurse Princesha e Jugosllavisë është kushërirë e të dyve, si Aleksandrit por edhe Princit Çarls. Ndryshe nga monarkitë rumune, bullgare dhe greke që kanë më shumë rrënjë gjermanike, serbët dhe shqiptarët janë monarki të rritura nga vendi i tyre. Babai i dinastisë së Karagjorgjevicëve ishte Xhorxhe i Zi, një mbarështrues derrash, i cili udhëhoqi kryengritjen e parë kundër otomanëve me 1804. Vetëm se serbët pretendojnë shumë lidhje me familjet e tjera mbretërore, ashtu si Zogu në Shqipëri, që u përpoq pa dobi të gjente lidhje me familjet mbretërore ballkanase pa dobi. Nga ana tjetër, në Ballkan, ka edhe mbretëri potente, si p.sh. Familja Mbretërore Bullgare, e cila sot është e gjallë përmes Mbretit Simeon II dhe Mbretëreshës Margarita. Simeon Borisov i Saxe-Coburg dhe Gotha ka qenë mbret dhe princ që në vogëli i Bullgarisë prej 1943 deri më 1946. U detyrua si të gjithë të përfundonte në eksil kur Komunistët erdhën në fuqi, por erdhi dhe u bë kryeministër i Bullgarisë nga 2001 deri më 2005. Më të largëtit, por edhe më të afërtit me pushtetin, duket se ka qenë Familja shqiptare. Në një referendum në vitin 1997, monarkia u tha se fitoi, por rezultati u manipulua nga pushteti i atëhershëm. Megjithatë, Familja mbretërore është e përfaqësuar paradoksalisht në pushtetin republikan shqiptar. Nuk kanë shumë peshë në familjet mbretërore ballkanase dhe tregues i kësaj ishte fakti se në dasmën e Princit anglez nuk ishin të ftuar, ashtu si në vdekjen e Leka Zogu I, nuk u përfaqësuan asnjë nga familjet ballkanase me peshë. Edhe pse Britania ka qenë si strehë e gjithë mbretërve, duket se me shqiptarët është treguar shumë indiferente. Të paktën me qëndrimin e ftohtë që mbajti gjatë kohës që e strehoi mbretin shqiptar në Angli.
Mbase fakti që burri i mbretëreshës aktuale të Mbretërisë së Bashkuar (dhe gjyshi i Princit William) ka lindur në Korfuz, si Princi Filip i Greqisë,  mund të ketë luajtur ndonjë rol. Ky i fundit, që braktisi Ortodoksinë për Anglikanizmin, kur u martua me Princeshën Elizabet, duket se ka luajtur shumë rol në të gjithën. Ndërsa, s’duhet të harrojmë se mbreti Mikael i Rumanisë është stër, stër, stërnipi i Mbretëreshës së famshme Viktoria dhe kushëriri i tretë i mbretëreshës aktuale. Ashtu, si mbreti Simeon, që është një kushëri i largët i mbretëreshës së Anglisë, apo kumbari Konstantin i princit William, që është ish mbreti i Greqisë. Konstandini vetë ishte  njeriu më i rëndësishëm në martesën e vitit 1985 të princeshës së Kurorës Serbe Katerine me origjinë greke dhe princit të kurorës serbe Aleksandër.  Monark, që sot jeton në Serbi nga eksili i tij në Londër, famulli i Mbretëreshës që madje e quan mbretëreshës ‘Lizzie’ privatisht. Të kuptosh rëndësinë e tij, s’duhet të harrojmë se kur lindi më 1945 në hotelin luksoz në Dhomën 212  në ‘Claridge’, u bënë të gjitha përpjekjet që dhoma e këtij hoteli për 24 orë të konsiderohej si tokë sllave, në mënyrë të mos humbte trashëgiminë . Dhe, vërtetë, falë Uinston Çurçillit,kryeministrit të periudhës së luftës britanike, dhoma e hotelit u deklarua territor jugosllav për vetëm një ditë. Patriarku Gavrilo i Serbisë e pagëzoi atë në Westminster Abbey, me praninë e mbretit britanik Xhorxh Vl dhe Princeshës Elizabet. Në të gjithë këtë xhungël lidhjesh më fatkeqët dhe më të pavlerësuarit kanë qenë shqiptarët. Familja mbretërore shqiptare sundoi nga 1928 deri më 1939 dhe Leka Zogu lindi pak ditë para se familja të ikte në eksil. Familja qëndroi në Angli në Hotelin “Ritz” dhe në vende të tjera. Pastaj shkuan te Familja e mbretit Faruk me ftesën e tij, meqë ai e konsideronte si detyrë mikpritje ngaqë rridhte nga themeluesi i Egjiptit Muhamed Ali Pasha, shqiptarit të famshëm lindur në Kavala të Greqisë. Leka shërbeu si oficer britanik, jetoi shumë kohë në Afrikën e Jugut para se të kthehej në Tirana dhe shumë e shumë të tjera. Njësoj si ai, gati pa emër është edhe Princi i Kurorës malazeze Nikolla Petroviç ll Njegosh, i cili e çoi të gjithë jetën e tij në Paris. Ai është stër, stërnipi i mbretit Nikolla që u përzu më 1918, kohë kur Mali i Zi u bë përdhunshëm pjesë e Mbretërisë së Jugosllavisë së Karagjorgjeviçëve. E vetmja histori e madhe është se dy vajzat e Nikollës ishin martuar në dy familje të mëdha mbretërore, respektivisht familjet italiane dhe ruse dhe me të qeshur thuhej se Nikolla ishte kumbari i Evropës.
Në ditët tona, shumë nga mbretërit ballkanas po përpiqen të krijojnë infrastrukturën për restaurimin e monarkive të tyre. Por, pinjollët e tyre, që kanë mbetur jashtë vendit, kanë pak shanse. Ideja që megjithëse debatohet edhe sot e kësaj dite në Rumani, Bullgari, Serbi duket se ka pak shanse. Në Shqipëri në referendumin që u bë më 1997 u tha se Monarkia fitoi, por pa mundur dot të fitojë zyrtarisht. Sot, ekzistenca e mbretërve ballkanas është thjesht një akt, i cili më së shumti i shkakton telashe vetëm diplomatëve të vendeve të tyre. Sa i përket familjeve mbretërore malazeze dhe shqiptarë ato gati as nuk llogariten fare, edhe pse për këta të fundit qeveria republikane e Berishës bëri një protokoll shtetëror për ardhjen e eshtrave të monarkut në Shqipëri. Si për ironi, Berisha ishte njeriu që e luftoi dhe e manipuloi Referendumin...



Familja Mbretërore Serbe
Familja e Karagjorgjeviçëve përbën dinastisë serbe, e cila fillon me Karagjorgje Vozhdën e Madh të Serbisë, i cili bëri emër gjatë kryengritjes së Parë Serbe. Familja ka qenë në gjak me dinastinë e Obrenoviçëve pasi Milosh Obrenoviç vrau Karagjorgjeviçin. Dinastia e humbi fronin më Nëntor 1945, kohë kur komunistët kapën fuqinë e pushtetit në Jugosllavi. Gjithsesi, pinjolli i fundit i Karagjorgjeviçëve Petar II i Jugosllavisë nuk abdikoi kurrë. Sipas historiografisë serbe, të parët e Karagjorgjeviçëve vijnë nga fisi i njohur sllav i Vasojeviçëve. Vetë klani i Vasojeviçëve pretendon se vjen nga Stefan Konstandini i Dinastisë së Nemanjave. Por, një gazetar serb  Milorad Bošnjak ka shkruar një libër që konfirmon legjendën se të parët e Karagjorgjeviçëve ishin nga fisi shqiptar i Kelmendasve dhe madje i pari i tyre quhej Gjin Marash Kelmendi. Dimitrije Tucoviç, politikani dhe veprimtari i shquar sllav, e ka thënë që më parë këtë fakt. Kur Karagjorgje u vra nga Milosh Obrenoviçi, ndërmjet dy familje pati shumë probleme gjakmarrjesh dhe kjo zgjati derisa nga familja e Obrenoviçëve u vra prej vetë familjes mbreti Aleksandër më 1903. Që nga ajo kohë, Karagjorgjeviçët u kthyen sërish në pushtet. Më 1903, Parlamenti serb e konsakroi që Petar, nipi i Xhorxhe Karagjorgjes i takonte froni pas vdekjes së Aleksandër Obrenoviçit dhe gruas së tij Draga Mashin. Petar u ngjit në fron me emrin Petar I. Në ditët tona, Karagjorgjeviçët janë shumë aktivë dhe jetojnë në Pallatin Mbretëror në Dedinjë prej vitit 2001. Ata përfaqësohen nga Aleksandri, pasardhësi i vetëm i Petar II, i cili s’ka abdikuar kurrë dhe që në rast të ardhjes në fuqi të Monarkisë, do bëhet sërish mbret. Aleksandri merret shumë me aktivitete që lidhen me demokracinë dhe të drejtat e njeriut, e së bashku me të shoqen kanë krijuar dhe një Fondacion për Kulturën dhe Edukimin. Aleksandri i II ka lindur në Londër dhe prej ligjit sllav, që ai duhej të lindte në Jugosllavi, që të quhej mbret, anglezët i krijuan një mundësi dhe e shpallën dhomën ku ai lindi në Londër tokë sllave për 24 orë. Me të ka një problem procedural se ai ka lindur si Princ i Jugosllavisë, por tani Jugosllavia është e shpërbërë.
Familja Mbretërore e Rumanisë
Familja Mbretërore ekzistuese Rumune ( më parë ka qenë prej kanalit të Hohenzollern-Sigmaringen), është pjesë integrale e një familje të madhe, e cila konsiston nga familja e ish mbretit aktual Mikael të Rumanisë, i cili gëzon sot ende një titull mbretëror. Por në Rumani, ka edhe një kanal rival, i cili lidhet me gjysmë-vëllain e Mikaelit, Karol Mirçea Hohenzollern (gjithashtu i njohur edhe si “Karol Mirçea Grigor i Rumanisë”). Këta s’njihen në shpurën e familjes mbretërore nga Mikaeli. Ndaj ish mbreti, ish mbretëresha dhe të pesë vajzat e tyre mbajnë thjesht titullin historik të Princit dhe Princeshës të Hohenzollern, përveç titujve të tyre rumunë. Më 30 dhjetor 2007, në një ceremoni private, Mbreti Mikael nënshkroi një statut, konsideruar si antidemokratik por me një rëndësi të madhe simbolike edhe pse në mungesë të aprovimit të tij nga parlamenti. Sipas tij, u kërkua nga vetë Mikael të bëhet një përpjekje për të zëvendësuar Ligjin e vjetër të vitit 1884. Përmes këtij statusi të ri, Familja Mbretërore rumune, sipas dekretit të Mikaelit, ka të dekretuar si trashëgimtarë, ku vetëm nipërit e tij në linjën e tij të trashëgimisë u takonte trashëgimia dhe askujt tjetër princi të huaj. Me të njëjtin rast, ai i kërkoi parlamentit rumun të ndryshonte Ligjin Salik, për të marrë në konsideratë vendosjen e monarkisë ku shënoi se Nikolas de Roumanie Medforth-Mills është anëtari i ardhshëm i familjes mbretërore dhe figura e të ardhmes së “princit të Rumanisë” si “Madhëria e tij Mbretërore”, që do vijë në fuqi kurdo që do ndodhë vdekja e Mikaelit.
Familja Mbretërore e Bullgarisë
Ferdinandi i Bullgarisë  u zgjodh Knjaz i Bulgarisë autonome nga Asambleja e Madhe Kombëtare më 7 korrik 1887 me kalendarin gregorian. Për t’u ruajtur nga pushtimi rus froni u ofrua para se të pranonte Ferdinandi i ri. Fillimisht ky lëkundej shumë. Ky akt i tij s’u pëlqye nga shumë familje mbretërore evropiane. Madje, mbretëresha britanike Viktoria, kushërira e parë e të atit, do i shprehej me mllef kryeministrit të saj: “Ai është krejt i papërshtatshëm, delikat, eksentrik dhe i dobët. Duhet të ndalohet menjëherë”. Por Ferdinandi tregoi se diti të drejtonte shumë mirë. Ai sulmoi Serbinë me ndihmën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë (perandorin gjerman Wilhelm II e kishte kushëri të dytë) dhe luftoi shumë për zgjerimin e Bullgarisë duke pushtuar Maqedoninë. Megjithatë, më vjeshtën e 1918, armata bullgare u mund keq nga forcat aleate në Greqi. Për të shpëtuar fronin, Cari Ferdinand abdikoi në favor të të birit, Borisit III. Pas abdikimit të tij, Ferdinandi u rikthye të jetonte në Coburg të Gjermanisë. Filloi të jetonte në mënyrë shumë filozofike dhe e shijoi periudhën e ekzilit duke u marrë më së shumti me angazhime artistike, kopshte, udhëtime dhe historinë e natyrës. I biri i tij më i madh dhe zëvendësuesi i fronit Boris III, vdiq në rrethana shumë misterioze pasi u kthye nga një takim me Hitlerin në Gjermani më 1943. I biri i Borisit III, Simeon II, e zëvendësoi deri më 1946, kur iu dha fund monarkisë. Mbretëria u zëvendësua me Republikën Popullore të Bullgarisë, kohë kur vranë edhe të birin tjetër të Ferdinandit Kirilin, akt që e shkatërroi fare. Ai vdiq si një njeri i rrëgjuar në Bürglaß-Schlösschen më 10 Shtator1948 në Coburg të Gjermanisë, duke i dhënë fund krejt dinastisë së Saxe-Coburg-Gotha. Dëshira e tij e fundit ishte të rivarrosej në Bullgari dhe për këtë arsye, arkivoli i tij u mbajt në një kriptë në kishën katolike të shën Agustunit në Coburg, pranë të atit dhe të ëmës, ku gjendet dhe sot. Kurse familja e sotme është në linjën e degës Kohary, pjesë e Shtëpisë Mbretërore të Saxe-Coburg dhe Gotha që e sundoi Bullgarinë nga 1887 deri më 1946. Cari i fundit, Simeon II, arriti dhe u bë kryeministër i Bullgarisë më 2001 në një post që e mbajti deri më 2005. Sot, anëtarë të familjes Mbretërore mbajnë titullin e Princit (Princeshës) të Bulgarisë dhe Dukeshës (Dukesha) në Saksoni me formën e “Madhërisë së Tij”.
Familja Mbretërore e Greqisë
Familja Mbretërore Greke është degë e Shtëpisë mbretërore Glücksburg, që e sundoi Greqinë nga 1863 deri më 1924 dhe sërish në periudhën nga 1935 deri më 1973. Monarku i saj i parë ishte Georgios I. Ai dhe trashëgimtarët e tij e stilizonin vetveten si “Mbretër të Helenëve”. Shumë anëtarë të dinastisë (veçmas nga mbreti i fundit Konstandini i II dhe mbretëresha e tij Anne-Marie e Danimarkës) mbajnë titullin Princi dhe Princesha e Greqisë dhe Danimarkës me formën e Madhërisë Mbretërore. Historia e Familjes është një histori tipike ballkanike sepse ata patën shumë probleme, sidomos në shekullin e shkuar. Më 21 prill 1967 qeveria greke u hodh poshtë nga grup oficerësh të rangut të mesëm, drejtuar nga koloneli Georgios Papadopulos. Regjimi, i njohur si regjimi i kolonelëve, e detyroi Mbretin Konstandin II të pranonte legjitimitetin e tij. Dhe, më 13 dhjetor 1967, Familja Mbretërore bëri një kundërgrusht shteti, por dështoi dhe u detyrua të shkonte në eksil në Romë dhe nga andej në Londër. Më 1 qershor 1973 Konstandini II u deklarua i shkarkuar nga junta ushtarake dhe Papadopulos e emëroi vetveten President të Republikës Greke. Më 29 Korrik 1973, një plebishit i diskutueshëm kërkoi të konfirmojë edhe ligjërisht heqjen e monarkisë. Diktatura ra përfundimisht më gusht të vitit 1974 dhe regjimi i ri bëri një plebishit të ri më 8 dhjetor 1974, ku u konfirmua krejtësisht heqja e monarkisë me 69% të votave nga 30%, që votuan pro tij. Mbreti grek nuk e vuri asnjëherë në diskutim vlefshmërinë e referendumit. Të gjithë pjesëtarët e Familjes Mbretërore sot janë jashtë. Konstandini II dhe gruaja e tij Ana-Marie, bashkë me fëmijët e tyre beqarë gjenden sot në Londër. Kurse pasardhësit nga ana mashkullore të Mbretit Kristian IX të Danimarkës, anëtarë të dinastisë mbajnë titullin e Princit dhe Princeshës së Danimarkës dhe kështu atyre u referohen si Princesha dhe Princi i Danimarkës. Anëtarë të kësaj familje janë Mbretëresha e Spanjës Sofi, e cila  është vajza më e madhe e Mbretit Pavllo I, si edhe motra e Mbretit Konstandin II. Princi Filip i Britanisë së Madhe, i shoqi i Mbretëreshës Elisabet, është kushëriri i parë i tij. Duka Filip ka hequr dorë nga trashëgimia e tij greke pas martesës së tij me mbretëreshën në vitin 1947.
Familja Mbretërore Shqiptare
Mbreti Zog u detyrua të largohet nga Shqipëria, mu kur Princi i Kurorës Leka I kishte vetëm pak ditë që kishte lindur. Mbreti u zëvendësua në fron nga Viktor Emanueli III i Italisë. Princi i Kurorës Leka I, do shkonte bashkë me prindërit e tij nëpër Evropë e Azi, fillimisht që nga Hoteli Ritz më 1941 në Parmoor House, Parmoor në Angli. Pas Luftës së Dytë Botërore, shkuan në Egjipt, ku Leka u shkollua dhe pastaj vazhdoi me shkollime të tjera në Zvicër e Angli. Fluent në disa gjuhë, ai studio dhe Ekonomi, përveç se mori edhe formimin e duhur ushtarak. Leka I e mori trashëgiminë e fronit më 5 prill 1957 dhe me vdekjen e Mbretit Zog, u shpall mbret nga një asamble shqiptarësh në eksilin politik. Ai u martua me një qytetare australiane ish-mësuesen Susan Cullen-Ward në Biarritz. Disa kohë qëndroi në Spanjë tek një miku i tij, mbreti Huan Karlos, por në këtë kohë kronika e tij ka shumë anë të errëta, që e lidhin me kontrabandë armësh. Nga këtu, u detyrua të shkonte në Afrikë, ku fillimisht shkoi nga Rodezia në Afrikën e Jugut, ku edhe u lind i biri i tij Princi Leka II, me emrin Anwar Zog Reza Baudouin Msiziwe. Leka II bëri një tentativë më 1993 për herë të parë, që me pasaportën e mbretërisë, të hynte në Shqipëri, por nuk u la nga qeveria Meksi. U rikthye më 1997, ku do bëhej pjesë e një skandali të madh pas referendumit të mbajtur për formën e regjimit, ku pretendoi se fitoi. Ai u largua dhe u dënua me tre vjet burg. U fal më mars 2002, kur 72 anëtarë të parlamentit i kërkuan Familjes Mbretërore të kthehej. Bëri një jetë të veçuar, në një shtëpi, të rikthyer nga regjimi Tiranës. Vdiq më 30 nëntor të vitit 2011 në Tiranë.

No comments: