Tuesday, December 25, 2012

Ali Çeno: Vizitat misterioze të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut në vilë, para vetëvrasjes së Mehmet Shehut

Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut

“Kadriu erdhi fshehtas e qëndroi një orë tek Mehmeti. E përcolli Fiqreti. Kishte një dosje-çantë kur iku. Më tha: Ali, askush mos e marrë vesh ardhjen time sonte!”

Në seancën e radhës së gjyqit ndaj Kadri Hazbiut (data 23 gusht 1983), ka vazhduar deponimi i të pandehurit Ali Çeno,
ish-përgjegjësi i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut. Pasi ka dëshmuar për ‘veprimtarinë agjenturore në  dobi të agjenturave të huaja të Fiqret Shehut e djemve të sajë në Suedi e Paris’, praninë e dijeninë e tij  në disa nga këto takime, ai është ndalur tek dy vizitat misterioze të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut në vilën e Mehmet Shehut, pak orë para se ish-kryeministri i Shqipërisë, të vetëvritej…..
Vazhdojnë deponimet e Ali Çenos.
Ali Çeno:-Harrova të them se për sa i përket letrës së parë, kur u ktheva në Shqipëri pas 2-3 ditëve që qëndrova pushim, armiku Mehmet Shehu më thotë: Ti Ali mos u bëj merak, mos u mërzit e mos u shqetëso për letrën që unë të dhashë për atë mikun tim që kisha në Amerikë, sepse këtë problem e di dhe Kadri Hazbiu e Feçor Shehu. Sepse ky është miku im, miku i Kadriut, është dhe miku i Feçor Shehut…. Duke qenë për gjueti pas ndonjë muaji në Lezhë, në Krujë, Kadri Hazbiu më ka marrë, duke qenë bashkë me gjithë personelin që ishim aty. Pra, Kadri Hazbiu më ka marrë me vete dhe më tha: Ali, si shkove në Paris, si kalove me shërbimin. I thash kalova shumë mirë. Më tha, Skënderi si ishte, Ganiu si ishte. I thash se ishin shumë mirë. Shiko se për letrën që i ke dërguar atij mikut të Mehmet Shehut, jam në dijeni edhe unë, më tha. Atë e kam mik unë, e ka mik edhe Feçori, atë e njohim edhe ne. Këto janë probleme partie, më tha, e shtetërore, dhe goja duhet mbajtur e mbyllur, të mos bëhen llafe pazari.
Për sa i përket letrës që unë do të merrja nga Suedia, se poli agjenti Mehmet Shehu më tha kur shkova në Suedi, se do të merrja dhe përgjigjen e një letre që do të më jepte Skënderi. Pasi ndenja disa ditë, siç tha edhe Gani Kodra, ai ka marrë disa herë në telefon.  Në një rast kam folur edhe vetë. Më tha që të nisesha sa më parë në Shqipëri. Do të nisem me grupin e PÇ, i thash. Skënderi unë e kam pyetur se cili ishte ky person. Skënderi mu përgjigj se ky person është një profesori im që kthehet nga Amerika, kjo në thonjëza, se ky ka qenë person i agjenturës amerikane. Që Skënderi takohej vazhdimisht me këtë person dhe që unë nuk e dija që Skënderi do të takohej me këtë person të agjenturës amerikane, pasi mori letrën, u vendos data, preva biletën për tu nisur me grupin e PÇ në Shqipëri. Kur u nisa  për të ardhur më tha mbaje këtë letër dhe sipër kishte shkruar: Në dorë mamit!. Pasi u ktheva në Shqipëri, pa shkuar në shtëpinë time, kam shkuar në shtëpinë e tradhtarit Mehmet Shehu për të dhënë letrën që më dha Skënderi dhe ti thosha dhe për problemin që më dha Skënderi, nëse ishte i mërzitur apo jo.  Aty, përpara po më priste Fiqret Shehu. E takova, më pyeti si e kalove. I thashë kaluam shumë mirë. I thashë ke dhe këtë letër që më ka dhënë Skënderi. Ajo më tha do shkoj të thërras Mehmetin se është ën zyrë që ta takosh edhe ti. Në këtë kohë doli tradhtari Mehmet Shehu nga zyra, kurse Fiqreti ndenji brenda në zyrë.  Pasi ndenji disa minuta, Fiqreti doli dhe i tha tradhtarit Mehmet Shehu që shko Mehmet se ke harruar dokumentet në tavolinë.  Po, tha ai, e u nis për të shkuar në tavolinë në zyrë.  Unë këtu kuptova se ata shkuan për të lexuar letrën që u dërgonte Skënderi….
Armiqtë e këtij grupi kundër revolucionar, të përbërë nga poli agjenti Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, e me radhë, që kërkonin përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri, siç e thashë, edhe që të vendosnin këtu një rend borgjezo-revizionist. Kohët e fundit, më kujtohet rasti pas prishjes së fejesës, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, armiku i popullit Kadri Hazbiu, Nesti Nase e Llambi Ziçishti, kanë ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut kohë pa kohë. Natën në të ngrysur dhe ngjanin si ata kapuçonjtë e zinj që bredhin poshtë e përpjetë natën për të kryer akte kriminale kundër Partisë e pushtetit popullor.
Këtu do të ndalem në dy probleme kryesore por janë thelbësore, siç është data e 16 dhjetorit e vitit 1981, kur ka ardhur armiku Kadri Hazbiu në shtëpinë e Mehmet Shehut. Ne njoftoheshim zakonisht nga armiqtë Mehmet e Fiqret kur vinin persona të ndryshëm për ti pritur e për ti përcjellë si zakonisht gjithë personat e tjerë.  Ndërsa ardhja e Feçor Shehut atë natë ka qenë misterioze, e pa njoftuar. Asnjë nga ne personeli i shërbimit nuk dinte gjë fare që do vinte Feçor Shehu në shtëpinë e Mehmet Shehut. Ndryshe nga herët e tjera, si armik e si dhelparak, ky nuk kaloi nga rruga kryesore e Komitetit Qendror, por erdhi hajdutçe, si të thuash, duke u futur në lulishten që ishte bri Komitetit Qendror dhe që nxjerrë përballë shtëpisë së tradhtarit Mehmet Shehu.  Në kohën që ky po vinte me të shpejtë, kishte ulur dhe kokën, oficeri i shërbimit i bie ziles. Unë menjëherë kthej kokën nga xhami, se isha në lokalin e shërbimit të sigurimit të oficerëve dhe shoh se po vinte Feçor Shehu me të shpejtë. Dola që ta merrja dhe ta shoqëroja për ta futur në shtëpi. Por nuk arrita dot se ky po ecte me shpejtësi drejt hyrjes kryesore. Tek porta kryesore e ka pritur Fiqret Shehu. Ky shoqërohej nga shoqëruesi i tij, Besnik Kasa.
Më kujtohet se ishte data 16, sepse poli agjenti Mehmet Shehu sapo mori takim me zëvendëskryeministrin rumun dhe e kam të freskët këtë datë. Armiku Feçor Shehu, në shtëpinë e Mehmet Shehut ka ndenjur rreth një orë. Kur ka dal që andej, ai përsëri u përcoll nga Fiqreti tek porta, doli duke pasur në dorë një çantë të vogël me zinxhir.  Përshtypje na bëri të gjithëve ne shokëve, se po bëheshim gati për të ikur nëpër shtëpitë tona, nuk na foli fare. Ashtu siç ishte, me kokë ulur, iku po saj rruge që erdhi, nëpërmjet lulishtes. Pastaj hipi në makinë. Se çfarë makine dhe cili shofer ishte nuk e di…..
Për sa i përket datës 17 dhjetor që armiku Kadri Hazbiu ka ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut, dua të them këto gjëra. Sa mbaroi mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror në darkë, Mehmet Shehu, pasi ishte vënë në zdrukth nga Udhëheqësi i Partisë dhe Byroja Politike, ishte bërë si një pulë e lagur.  Nuk fliste fare, dhe pa na folur fare, ai u drejtua drejt shtëpisë dhe u fut brenda në ‘të.  Në këtë kohë kam shkuar në lokalin e shërbimit të oficerëve për të dhënë porositë e rastit siç i jepja zakonisht, sepse isha përgjegjës i grupit dhe jepja porosi. Pasi kam ndenjur një farë kohe të vogël, u nisa e shkova në shtëpinë time. Pasi kam shkuar në shtëpi, u zhvesha, hëngra dhe bukë, bie zilja e telefonit.  Doktor Llesh Rroku, mjeku i armikut Mehmet Shehu më thotë në telefon se Mehmet Shehu e mori në telefon dhe e pyeti se kush nga oficerët është sonte me shërbim aty. Lleshi i kishte thënë që është Dashamiri, Pëllumbi, por që më kishte parë dhe mua që shkoja në kuzhinën e armikut Mehmet Shehu për të marrë kuzhinierë për të shkuar tek shtëpia Nr 1 e Partisë, sepse ne shkonim zakonisht e luanim bilardo atje. Pasi e thirra në emër kuzhinierin, më thanë që nuk është. Kuzhina e shtëpisë është përballë portës anësore të shtëpisë që është përballë shtëpisë së Partisë, Nr 1. Pasi kam hapur derën, kam parë që anës murit po vinte një person që në fillim nuk e njoha se ishte errët. Pasi kam ecur 2-3 hapa, ai më thirri: Ali, ti je? Ju përgjigja po. Atëherë e njoha se ishte Kadri Hazbiu, si nga zëri, ashtu edhe nga pamja. Kadri Hazbiu më tha, do shkoj se më ka kërkuar Mehmet Shehu në telefon, dhe do futem brenda në shtëpi. Unë i thashë hajde hyjmë nga hyrja kryesore, se këtu nuk ka drita, është errësirë.  Ai më tha jo, do të futemi këtej sepse në korridorin anësor të shtëpisë më pret Fiqreti. Ashtu vendosëm, u futëm brenda. Në të njëjtën kohë i thash Kadri Hazbiut se ajo dera është e mbyllur, se ne e mbyllim kur shkon ora 6 e gjysmë-shtatë me çelës, dhe çelësat rrinin në lokalin e shërbimit të oficerëve. I thashë që do shkoj të marr çelësat në lokalin e  shërbimit. Kam shkuar, kam marrë çelësat  dhe kam hyrë nëpërmjet shkallës që të shpie në korridorin anësor të shtëpisë , kam hapur derën, dhe së bashku me Kadrin, jam futur brenda.  Pasi ecëm 3-4 hapa në korridor,  atë e priste Fiqret Shehu. Fiqreti, në atë kohë më tha, ti Ali, do dalësh jashtë, më tha. Edhe unë ashtu veprova, dola jashtë dhe po prisja ta shoqëroja. Edhe Kadri Hazbiu, dua të theksoj, ka ardhur në mënyrë misterioze pa u njoftuar ne nga familja e tradhtarit Mehmet Shehu. Kur ka dalë Kadri Hazbiu nga shtëpia e Mehmet Shehut, dua të theksoj se ai kishte në dorë një si çantë, si dosje, dhe kur dolëm përjashta, e përcolla tek porta anësore. Ai më tha, për ardhjen time sonte, mos i thuaj njeriu, dhe u largua. Se nga kaloi, a nga lulishtja që të shpie tek shtëpia e Petraq Postolit, apo nga rruga që të çon tek ish-ndërtesa e Ministrisë së Jashtme, unë këtë nuk e kam parë fare.  Ky nuk kishte njeri që ta shoqëronte, ishte fillikat vetëm.
Armiku Mehmet Shehu, armiku Kadri Hazbiu dhe armiku Feçor Shehu, bënin biseda armiqësore që ishin në kundërshtim me vijën e Partisë. Më kujtohet që në vitin 1974, kur Partia e izoloi e përjashtoi Beqir Ballukun, dhe në konvaleshencën e ushtrisë në Durrës bëhej me oficerët kryesorë të ushtrisë për demaskimin e Petrit Dumes e Hioto Çakos, kur janë kthyer për në shtëpi, kanë qenë të dy në një makinë. Në makinën e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu, dhe i tha që ne ti mbajmë në ushtri këta sepse i duhen ushtrisë. Fundja, ti caktojmë komandantë korpusi.
Një fakt tjetër tipik, që Kadri Hazbiu është dhe miku i ngushtë i Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorë i tij i ngushtë, është sepse, pasi dilnin nga shtëpia e Partisë Nr 1, bisedonin….. Një natë, kur kanë dalë nga shtëpia e Partisë Nr 1,  unë isha ulur pranë portës, aty tek lulishtja, këta nuk më shihnin, kam dëgjuar një bisedë armiqësore që bënte Kadri Hazbiu me  Mehmet shehun. Mehmeti i tha se po të ishte vetëm Beqir Balluku, ishte më lehtë.  Por tani që këta u shtuan dhe u shumuan, ti Kadri dhe Feçori kini kujdes që këta, emrin tim të mos e zënë. Kadriu ju përgjigj, për këtë mos u bëj merak, se atje jam unë dhe Feçori. Kur hyri në shtëpi Mehmet Shehu, pasi u ndanë, më tha: Po ti ç’bën këtu. Hiç-i thashë. Çfarë, më tha, dëgjon bisedat që bëjmë ne udhëheqësit!? E di që të ikën koka?
Pas dy-tre ditësh unë i çova Kadri Hazbiut një pliko në zyrë. Kadriu më tha që ti e dëgjove Mehmet Shehun se çfarë të tha, këto janë gjëra me zarar, ai është personalitet i lartë i Partisë dhe shtetit dhe nuk lejojmë ne që ti dalë emri në hetuesi. Prandaj ti, për këtë problem, nuk është nevoja të bisedosh me njeri…
Bisedë tjetër armiqësore që ka bërë Kadri Hazbiu  me poli agjentin Mehmet Shehu është dhe një rast tipik. Kur Kadri Hazbiu ishte ministër i Mbrojtjes Popullore, nuk më kujtohet me saktësi, por nga mezi i vitin 1981 afërsisht, poli agjenti Mehmet Shehu më ka dhënë një pliko për Kadriun. Unë hyra në zyrën e Kadriut në ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe ky kishte përpara një gazetë dhe më tha: Ali, dëgjoni ju se ç’ndodh në Kosovë!?. I dëgjojmë dhe i lexojmë , i thashë, në mënyrë të organizuar me gjithë efektivin e grupit.  Duhet pasur kujdes, tha, se bën vaki, ndodh dhe këtu ndonjë trazirë. Edhe po ndodhi ndonjë trazirë, është ushtria ajo që vendos, është Ministria e Brendshme, jam unë, Veli Llakaj, është Garda.  Në këtë kohë, Mehmet Shehu do të jetë jashtë Tirane, prandaj kemi radio, do të ndërlidhemi me radio edhe do të vijë Mehmet Shehu të stabilizojë gjendjen.  Në të njëjtën kohë, ka hyrë dhe Feçor Shehu në zyrën e Kadri Hazbiut. Pasi më bërë këtë bisedë, e pyeta Kadri Hazbiun: Pse, çfarë trazirash mund të ndodhin këtu? Të dy njëherësh, me një gjuhë të përbashkët që i karakterizonte, më thanë: Jo mor Ali, kushdo që të ngrejë dorë kundër Partisë, ne do ti presim kokën. Po kjo është e qartë, i thash unë, do ti presim kokën se s’bën!.  Ti si përgjegjës grupi, së bashku me grupin, të keni kujdes, ta ruani Mehmet Shehun si sytë e ballit, sepse Mehmet Shehu është figurë kryesore dhe mos i preket as jaka e këmishës. Në atë kohë, unë dola përjashta….
Një bisedë tjetër që ka zhvilluar armiku Kadri Hazbiu me poli agjentin Mehmet Shehu është dhe ky kur shkonte për gjueti. Ky (Kadriu), ishte një nga miqtë më të ngushtë që kishte tradhtari Mehmet Shehu. Këtë e mbante shumë afër. Një javë po të rrinte pa e takuar Kadri Hazbiun, ai do të merrte ta puthte, siç nuk puthte fëmijët e tij. Kadriu e puthte, sepse siç po provohet, është krahu i djathtë i Mehmet Shehut. Duke qenë ën Sarandë në vitin, nuk po  më kujtohet viti, po për çdo vit e ka marrë Kadri Hazbiun me vete. Në një kohë, Mehmet Shehu bëri këtë bisedë, pasi mbaroi një çoje(ngritje të kafshëve të egra) në vendin që quhet mali i Kazanit dhe i Përmetit, dolën sipër për të bërë pushim.  Ne ishim bërë si fener, se ashtu na përdornin këta armiq të tërbuar, xhelatë. Pasi dolëm aty, Mehmet Shehu, ishte dimër, kishte pirë nja dy gllënjka raki dhe i thotë këtij: Shiko, vijën e Beqir Ballukut tani e kemi kthyer në pikë turistike. Ç’ishte fundja Beqir Balluku, një kovaç. E morëm dhe e bëmë udhëheqës Partie! Në të njëjtën kohë që ushtarët e Gardës po transportonin derrat në krahë, nëpër ferra e driza, i thotë Kadri Hazbiut: Kadri, shiko se ç’është ushtria. Prandaj, ti që je ministër i Mbrojtjes, duhet të kesh kujdes, është ushtria ajo që vendos mbi fatet e popullit e të vendit!
Një tjetër bisedë  që ka zhvilluar armiku Mehmet Shehu me Kadri Hazbiun e Feçor Shehun, është kur këta të tre kanë qenë për gjueti.  Nuk më kujtohet me saktësi, në Velipojë apo në Kune, që i tha: Shiko si shkoi puna, e kisha unë Ministrinë e Brendshme, e more ti Kadri. E mora unë Ministrinë e Mbrojtjes, e more ti Kadri, dhe ministrinë e Punëve të Brendshme e mori Feçori. Prandaj, keni kujdes se keni në dorë dy ministri që janë shumë të rëndësishme. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

SOM 1
“Duke qenë pranë tij, unë kam shumë raste të aktivitetit që bënte. Për sa i përket letrës së parë, kur u ktheva në Shqipëri pas 2-3 ditëve që qëndrova pushim, armiku Mehmet Shehu më thotë: Ti Ali mos u bëj merak, mos u mërzit e mos u shqetëso për letrën që unë të dhashë për atë mikun tim që kisha në Amerikë, sepse këtë problem e di dhe Kadri Hazbiu e Feçor Shehu. Sepse ky është miku im, miku i Kadriut, është dhe miku i Feçor Shehut…. Pra, është miku jonë…”

SOM 2
“Një natë, kur kanë dalë nga shtëpia e Partisë Nr 1,  unë isha ulur pranë portës, aty tek lulishtja, këta nuk më shihnin, kam dëgjuar një bisedë armiqësore që bënte Kadri Hazbiu me  Mehmet shehun. Mehmeti i tha se po të ishte vetëm Beqir Balluku, ishte më lehtë. Mehmeti i tha: Ti Kadri dhe Feçori kini kujdes që këta, emrin tim të mos e zënë. Kadriu ju përgjigj: Për këtë mos u bëj merak, se atje jam unë dhe Feçori. Kur hyri në shtëpi Mehmet Shehu, pasi u ndanë, më tha: Po ti ç’bën këtu. Hiç-i thashë. Çfarë, më tha, dëgjon bisedat që bëjmë ne udhëheqësit!? E di që të ikën koka?”

SOM 3
“Kur Kadri Hazbiu ishte ministër i Mbrojtjes, nga mezi i vitin 1981 afërsisht, poliagjenti Mehmet Shehu më ka dhënë një pliko për Kadriun. Unë hyra në zyrën e Kadriut. Ky kishte përpara një gazetë dhe më tha: Ali, dëgjoni ju se ç’ndodh në Kosovë!?. I dëgjojmë dhe i lexojmë , i thashë, në mënyrë të organizuar me gjithë efektivin e grupit. Duhet patur kujdes, tha, se bën vaki, ndodh dhe këtu ndonjë trazirë. Edhe po ndodhi ndonjë trazirë, është ushtria ajo që vendos, është Ministria e Brendshme, jam unë, Veli Llakaj, është Garda”

Ali Çeno: Si u detyrua Mehmet Shehu të sakrifikojë gjeneralët e ushtrisë për interes të grupit agjenturor

Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut

“U përpoq të dënoheshin me ulje në detyrë por ata u pushkatuan. Ja arriti që në hetime e gjyq, të mos dilte emri i tij si kryetar i grupit të vënë në shërbim të agjenturave të huaja”

(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e tetë të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, vazhdojnë deponimet e Ali Çenos, ish-kreut të grupit të sigurimit të Mehmet Shehut. Pasi pranon përfshirjen e tij në ‘grupin armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu, vënë në shërbim të agjensive të huaja’, Çeno rrëfen rolin e Mehmetit, Kadriut, Feçorit, Fiqretit e Llambi Peçinit në këtë aktivitet, deri tek roli i sejcilit në fejesën e djalit të Mehmetit me vajzën e familjes së deklasuar të Turdinjve, që ‘bëhej në zbatim të detyrave të vëna nga agjenturat e huaja’…..
(Vazhdojnë deponimet e Ali Çenos)
Ali Çeno:- Harrova të thosha se në vitin 1975, në mos gabohem, kur u bë një mbledhje në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, kur po shkarkohej kasta ushtarake, unë isha nja 2-3 dit me lejë se kisha qenë i sëmurë.  Më thërret tradhtari Mehmet Shehu dhe më thotë hajde në zyrë tek unë. Edhe shkoj në darkë, se mbledhja u bë në darkë dhe më thotë që: Ali, unë do të bëj shkarkimin e kastës, prandaj ti me grupin merrni masa të brendshme të shoqërimit rreth përbrenda ministrisë. Ndërsa Kadriun, kam ngarkuar Kadriun, që të marrë masa të përgjithshme jashtë territorit të ministrisë dhe këtu ai ka dërguar Feçor Shehun e Çerçiz Xhelon, dhe aty ishte Gani Kodra. Duke ikur për në shtëpi, Mehmet Shehu më thotë: Ali, shiko se ç’janë këta ujqër. Prandaj, kjo t’u vlejë për herë tjetër. Dhe u kthyem. Sejcili shkoi në shtëpi të vet.
Sipas bisedave që kam bërë me njerëz të ndryshëm, si me Peçi Kallucin, Adem Nelën dhe vetë tradhëtarin Mehmet Shehu, me mburrje fliste “për aktet heroike”, “për heroizmat”, për torturat që kishin bërë këta në kohën e Koçi Xoxes. Që këta kishin vrarë e kishin prerë njerëz pa gjyq. Tregonte Peçi Kalluci, që i nxirrnin prapa kazermave dhe me urdhër të Kadri Hazbiut e Llambi Peçinit, i merrnin dhe i pushkatonin.  Bile, merrnin njerëz të pafajshëm, duke u mburrur, për ti torturuar, më falni, ju varnin kazmë tek organet gjenitale derisa atyre u binte të fikët. Tregonte edhe një rast tjetër që duke marrë në hetim një person, ai u hodh nga dritarja dhe ra i vdekur në tokë…
Tradhtari Mehmet Shehu dhe armikja Fiqret Shehu, si bashkëpunëtorë të ngushtë që kanë vepruar vazhdimisht që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare si armiq, atyre Partia u kishte besuar vende të nderuara partie e shtetërore, por me gjithë atë, ata vinin dorë mbi pasurinë socialiste duke vjedhur e duke bërë harxhe të mëdha si brenda vendit, ashtu edhe jashtë shtetit, siç ishte rasti i Skënderit, apo raste të tjera. Ata dhe fëmijët e tyre influenconin dhe villnin vrer duke i ushqyer me ideologjinë borgjezo-revizioniste, për ti nxitur ata që të vishnin modat perëndimore. I nxisnin ata që të kryenin akte vagabondazhi dhe të shkonin me femra të degjeneruara dhe me biografi të keqe, siç ishte rasti i Skënderit dhe të kryenin akte të rrugaçërisë  duke bërë skandale në rrugët e Tiranës, duke thyer pjata e gota në restorante e duke thënë se ne jemi fëmijët e Mehmet Shehut.
Për këtë desha të theksoj se këta persona, siç është armiku Mehmet Shehu e Fiqret Shehu, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, janë njerëzit tipikë të zbutjes së luftës së klasave  dhe të shuarjes së plotë të saj. Unë i kam raportuar disa herë armikut Kadri Hazbiu për këta akte që kryenin këta fëmijët e Mehmet Shehut, për të marrë masa si ministër i Punëve të Brendshme që ishte dhe për të informuar Partinë dhe Komitetin Qendror, por ky nuk e çante kokën fare dhe më thoshte mua: Shko ti Ali, i thuaj më mirë!. Megjithëse unë i kisha raportuar disa herë Mehmet Shehut për këto probleme, dhe ai më konsideronte mua si njeri thashethemexhi, derisa arrinte të më thoshte ti i survejon fëmijët e mi.  Armiku Feçor Shehu përgënjeshtron gjërat dhe kërkon të shfajësohet, dhe t’ua hedhë fajin të tjerëve, duke thënë se për fejesën, për marrëdhëniet që kishte Skënder Shehu me Irena Papën, e cila ishte një femër tepër imorale dhe me biografi të keqe. Ai tha se për këtë fejesë, është interesuar Aliu… Përkundrazi……
Kryetari:- Ai tha, e di Aliu që unë kam kundërshtuar tha….
Aliu:- Është e drejtë, ndodh e kundërta. Unë duke dëgjuar dhe nga populli gjithë ato biseda, i kam thënë një rast Milto Kostaqit, mjeku, që nuk bëjmë mirë të mos e informojmë tradhtarin Mehmet Shehu. Në një rast unë i kam shkuar në zyrë, kur ishte Ministër i Mbrojtjes, dhe i kam thënë për marrëdhëniet intime që kishte Skënderi me këtë femër duke i thënë gjithë karakteristikat negative që kishte kjo femër.  Ai më tha do marr Feçorin ti them të më bëjë biografinë e kësaj vajze.  Edhe pas disa  ditësh, ka ardhur Feçori në Durrës me një pliko në dorë. Unë po prisja pranë, tek vendi i shërbimit ku rrija gjithmonë. Më tha, i kam sjellë biografinë e Irena Papës. Unë i thashë tekstualisht kështu. Ky, edhe në ballafaqim i ka kundërshtuar këto, sepse nuk i interesojnë këtij këto gjëra. I kam thënë që a i ke vënë të gjitha në letër ç’ka kjo femër  dhe në biografi dhe për sa i përket çështjes së imoralitetit. Ai më tha, jo more Ali, ç’ta vendosim këtë, ç’tja vëmë të gjitha këto, pse ta shqetësojmë, ai tha ka 500 halle, 500 probleme qeveria ka në kokë. Unë i kam vënë disa gjëra.!. Do na ngatërrosh, i thashë, sepse unë ja kam thënë të gjitha.  Pasi iku Feçor Shehu, më thirri Mehmet Shehu dhe më tha ti je intrigant, ti je shpifarak, ti kërkon që të prishësh fejesën që kërkon të bëjë Skënderi me Irenën, ti po bëhesh shkaktar që po i prish atij avenirin.  I thashë, nuk jam unë, por janë faktet, dhe është fakt, që ajo është femër imorale.  Për mua, i thashë, le të fejohet. Në atë kohë unë shkova në Drejtorinë e Dytë dhe kërkova që të largohem  fare nga grupi, të iki nga grupi i shoqërimit, sepse nuk duroja dot, sepse më kërcënonte gjithmonë derisa më tha që unë të pushkatoj, të hedh trutë në erë, të çoj aty ku të mos shohësh qiell me sy. Edhe mori letrën e ma hodhi turinjve. Ja ç’më ka sjellë sigurimi mua. Në përgjithësi, unë këto gjëra kisha……..
Kryetari:- Mirë. Lidhur me këtë ti i pandehur Ali Çeno. Pas demaskimit të Beqir Ballukut e pas kësaj, ke folur në hetuesi lidhur me një rast që është takuar Mehmet Shehu në shtëpi, i ka vajtur Hito Çako e Petrit Dume…..
Aliu:- Po!
Kryetari:- Është e vërtetë!?
Aliu:- Po, është e vërtetë. Problemi qëndron kështu. Pasi u godit Beqir Balluku, Hito Çako ishte bërë zëvendësministër së bashku me Petrit Dumen. Unë, duke ndenjur aty, Hito Çako ka ardhur dhe më tha do shkoj të takoj një çikë Mehmetin, se më ka zënë malli. Ne ishim kthyer nga pushimet, se di ku kishim qenë.  I thashë, ke ndonjë punë. Mehmeti po bënte xhiro dhe e kishte bezdi që kur bënte xhiro, ti ndërhynte njeri. U largua dhe u kthye prapë.  Jo, jo, do shkoj ta takoj pastaj, tha, prandaj i thuaj. Hito Çako shkoi e u takua me Mehmet Shehun në oborr.  Unë isha jashtë oborrit të shtëpisë. Ka ndenjur me orë të tëra duke biseduar.  Ndërsa në Durrës, Hito Çako, vinte vazhdimisht, pothuajse për ditë, dhe i raportonte, domethënë, pasi u bë zëvendësministër, për ato detyra që i kishte ngarkuar…
Kryetari:- Po. Po në qytetin ‘Stalin’ ka ndodhur një gjë lidhur me telefonat atje, që ke treguar, të lidhur me Mehmet Shehun?
Aliu:- Po. Për sa i përket në qytetin ‘Stalin’, unë harrova të thosha, sepse armiku Mehmet Shehu, fill pas demaskimit e shpartallimit të kastës ushtarake, atij i hyri një frikë shumë e madhe. Ai na kontrollonte dhe na jepte detyra, për ta siguruar deri sa të arrinte deri aty sa ndërronte dhe makinat, dike marrë nga një anë ‘Volvën’, nga një anë ‘Pezhonë’, duke ndërruar itinerarin e rrugës. Për të shkuar në Elbasan, nuk shkonte nga Krraba, por shkonte nga Ndroqi. Arriti deri aty sa të shtonte dhe rojet, dhe kjo është bërë me dijeninë e Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, si rojet, oficerë dhe ushtarë të Gardës. Arriti deri aty sa në katin e dytë ku flinte Mehmet Shehu, se kishte bërë kurrë ndonjë herë këtë, ai vendosi roje oficer. Tha, që unë këtu dua roje oficer.  Ai e kishte bezdi që në shtëpinë e pritjes të kishte ndonjë udhëheqës tjetër. Ndërsa Kadri Hazbiun ai e pranonte me kënaqësinë më të madhe.  Dhe tipik, është rasti, që kur ndodhej roja në katin e dytë, kur kishte udhëheqës të tjerë, ai jepte urdhër që ta hiqnim rojën.  Ndërsa, kur ishte bashkë me Kadri Hazbinë, roja nuk hiqej. Ndërsa për atë që më thatë juve, në telefon, për sa i përket problemit të telefonave, atij i kishte hyrë mania dhe frika se mua më përgjojnë nëpër telefona. Kjo është bërë problem edhe në Ministrinë e Brendshme. Edhe në qytetin ‘Stalin’, kur kemi shkuar, në nëntor më duket, të vitit 1981, unë kisha dërguar një oficer, si zakonisht, se e kishim problem çështjen e telefonave, sepse gjithnjë do nxirrte pretekst pse telefonat nuk punojnë. Duke ndenjur të dy, Fiqreti dhe Mehmet Shehu në hyrje, telefoni, si duket ka qenë aty afër, rrinte në një komo të vogël, ai e ka lëvizur me krahë, dhe ishte hapur ajo doreza. PÇ e Beratit merr në telefon aty dhe thotë mbylleni telefonin se është i hapur. Në këtë kohë i them asaj punëtores që shko i thuaj Mehmet Shehut sepse receptori është i hapur dhe ta mbyllë. Në atë kohë më ka thirrur mua dhe filloi të më thotë që kush e ka lënë telefonin hapur, ky telefon është i Ministrisë së Brendshme, mua, domethënë, më kanë dëgjuar gjithë bisedat që kam bërë me Fiqretin.  I thashë se ky telefon nuk është i Ministrisë së Brendshme, por është telefon inter urban që bisedohet me rrethet. Siç duket, i thashë, ju e keni lëvizur me krahë… Por ai ishte tepër i shqetësuar për këtë problem. Në Ministrinë e Brendshme nuk ishte vetëm Kadri Hazbiu e Feçor Shehu , por Ministria e Brendshme ka njerëz të shëndoshë të Partisë, nuk ishin të gjithë armiq.  Aty armik ishte Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, po të tjerët nuk ishin armiq.  Prandaj, ai kishte maninë se mos e kishin dëgjuar këtë bisedë. Të nesërmen ky kishte vendosur që të shkonte për të bërë gjueti.  Gjuetinë e anuloj sepse ishte gjoja kohë e keqe, që ai nuk e linte kurrë gjuetinë, jo kohë e keqe të ishte, por…. Ne e merrnim në krahë, Kadri Hazbiu e ka parë vetë. Na ka përdor si skllevër ne oficerët e ushtarët e Gardës kur shkonim për gjueti.  Kur vinte dita e shtunë, për ne, ishte dita më e zezë, sepse Mehmet Shehu na fuste në vend të zagarëve për të çuar derrat, për ti vrarë si Mehmet Shehu, ashtu dhe Kadri Hazbiu. Kadri Hazbiu ka qenë vetë prezent kur Mehmet Shehu qëllonte me pushkë, kur ishte koha e derrit, dhe që unë i trembja derrat për t’ia shpënë Mehmet Shehut që ta vriste, atje me vrap, dhe unë u shtriva në mes të rrugës. Ishte rrugë me kalldrëm, kur ishim nga këneta e Vivarit dhe mora e vura një gur që të shpëtoja kokën.  Kadri Hazbiu, në atë kohë, qeshte e zbardhte dhëmbët. Ja, pra, e lidh këtë fakt me faktin që këta, që gjatë kohës që kanë qenë në Ministrinë e Brendshme, në Sigurimin e Ushtrisë, që kanë bërë krime dhe kanë torturuar njerëz… Ashtu na kanë trajtuar edhe ne personelin e shërbimit…
Për sa i përket çështjes së daljes jashtë shtetit, kam dalë 4-5 herë, kam sjellë sende si veshmbathje, televizor, magnetofon, kam sjellë 2-3 kuverta, dy batanije, nja dy ora dore për burra, duke i futur nëpër arkat e shtëpisë. Kam sjellë sende jashtë rregullave ligjore, rregullave në fuqi. Këto i kishim të miratuara dhe nga familja. Çdo person që shkonte me këto shërbime në këtë mënyrë veprohej. Krijoheshin arka të posaçme. Këtë e kam mësuar fillimisht nga Gani Kodra kur shkova për herë të parë, e kam mësuar nga Fejzo Bijo, nga Milto Kostaqi, Se3rvet Backa, etj. Bile dhe ish-oficeri i Kadri Hazbiut, të njëjtën gjë ka bërë edhe ai, ka sjellë materiale jashtë kontrollit doganor. Ai ka sjellë frigoriferë, lavatriçe, televizorë, etj….
Gjyqtari:- Kam një pyetje unë.
Kryetari:- Urdhëro!
Gjyqtari:- Ju thoni i pandehur Ali, se natën e 17 dhjetorit, i pandehuri Kadri Hazbiu nxori një pako jashtë nga shtëpia e Mehmet Shehut. A ju kujtohet, këtë pako e pruri nga jashtë, apo e nxori vetëm nga brenda jashtë, si e mbani mend ju?
Aliu:- Unë e mbaj mend dhe e theksova që kur hyri, ai nuk kishte gjë nëpër duar, ndërsa kur doli, ai doli me një çantë apo me një si dosje.  Dua të theksoj se Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti e Nesti Nase, kanë pasur korrespodencë private. Çoheshin e vinin dorazi, pa i sekretuar me dosje të mëdha. Më kujtohet se Kadri Hazbiu në shtëpi, por ai në ballafaqim kur unë i thashë këto, ai sikur mundet, sikur ka pasur libra. Më ka dhënë një pako armiku Mehmet Shehu, të ambalazhuar të lidhur dhe më tha do të shkosh t’ia shpiesh Kadri Hazbiut. Mbaje me kujdes para duarve, dhe çoja Kadriut, sepse atë unë e kam marrë në telefon. Unë kështu veprova, mora pakon, dhe sipas porosisë që më dha ai, ja çova Kadri Hazbiut. I ra ziles ushtari, doli e shoqja, thirri Kadriun dhe i thashë Kadriut ke këtë pako nga Mehmet Shehu. Ka libra për ushtrinë dhe dokumente të ndryshme…..
Gjyqtar Muharremi:- Rreth vitit ’80-’81, armiku Mehmet Shehu në Durrës ka mbajtur një kasafortë…..
Aliu:- Po, një kasafortë të vogël. Jo në vitin ’80-’81, por vazhdimisht sa kam qenë unë atje ai ka pasur një si kasafortë të vogël me nja 30 me 40 cm dhe nja 15- 30 cm mund të ishte e lartë, bojë gri, me çelës automatik dhe me dorezë sipër….
Muharremi:- Deri në ç’kohë e ka mbajtur?
Aliu:- Deri në vitin 1981. E mbante me vete, nuk ja dorëzonte njeriu.
Muharremi:- Di gjë, e ke parë?
Aliu:- Nuk di gjë, nuk kam parë, sepse ai këtë nuk ja dorëzonte absolutisht asnjë njeriu…
Kryetari:- Urdhëro shoku prokuror.
Prokurori:- Në vitin 1973 ke ardhur në grupin e shoqërimit si shoqërues. Të foli gjë Mehmet Shehu për njerëzit e tij më të afërt, cilët ishin njerëzit më të afërt të grupit të tij?
Aliu:- Unë e thashë që bashkëpunëtorë të ngushtë….
Kryetari:- Prezantimi?
Aliu:- Po prezantimi. Ka qenë Kadri Hazbiu, Llambi Peçini dhe Gani Kodra. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

NESËR DO TË LEXONI:
-Deponimet e Ali Çenos lidhur me ‘aktivitetin armiqësor, në bashkëpunim të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e Llambi Peçinit.
-Dëshmitë e të akuzuarve lidhur me disa vrasje të mistershme në garnizonin ushtarak të Gjirokastrës.
-Roli i të akuzuarve lidhur me zbatimin e detyrës së zbulimeve të huaja për fejesën e djalit të Mehmet Shehut me Silva Turdiun, vajzë e një familje të deklasuar.

SOM 1
“Peçi Kalluci e Adem Nela më kanë folur për torturat që kishin bërë këta në kohën e Koçi Xoxes. Që kishin vrarë e kishin prerë njerëz pa gjyq. Tregonte Peçi Kalluci, që i nxirrnin prapa kazermave dhe me urdhër të Kadri Hazbiut e Llambi Peçinit, i merrnin dhe i pushkatonin.  Bile, merrnin njerëz të pafajshëm, duke u mburrur, për ti torturuar, më falni, ju varnin kazmë tek organet gjenitale derisa atyre u binte të fikët. Tregonte edhe një rast tjetër që duke marrë në hetim një person, ai u hodh nga dritarja dhe ra i vdekur në tokë…”

SOM 2
“Megjithëse unë i kisha raportuar disa herë Mehmet Shehut për këto probleme, dhe ai më konsideronte mua si njeri thashethemexhi, derisa arrinte të më thoshte ti i survejon fëmijët e mi.  Armiku Feçor Shehu përgënjeshtron gjërat dhe kërkon të shfajësohet, dhe t’ua hedhë fajin të tjerëve, duke thënë se për fejesën, për marrëdhëniet që kishte Skënder Shehu me Irena Papën, e cila ishte një femër tepër imorale dhe me biografi të keqe. Ai tha se për këtë fejesë, është interesuar Aliu… Përkundrazi”

SOM 3
“Ne e merrnim në krahë Mehmetin, Kadri Hazbiu e ka parë vetë. Na ka përdor si skllevër ne oficerët e ushtarët e Gardës kur shkonim për gjueti.  Kur vinte dita e shtunë, për ne, ishte dita më e zezë, sepse Mehmet Shehu na fuste në vend të zagarëve për të çuar derrat, për ti vrarë si ai, ashtu dhe Kadri Hazbiu. Kadri Hazbiu ka qenë vetë prezent kur Mehmet Shehu qëllonte me pushkë, kur ishte koha e derrit, dhe që unë i trembja derrat për t’ia shpënë Mehmet Shehut që ti vriste, atje me vrap, dhe unë u shtriva në mes të rrugës”

Dëshmia e Ali Çenos: Si më shfrytëzoi Mehmet Shehu në aktivitetin agjenturor për llogari të zbulimeve të huaja

Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut

Çeno: Kam kryer detyrën e korrierit dhe personit që siguroja takimet e Mehmetit, Fiqretit, Kadriut, Feçorit etj, me agjentë të zbulimeve të huaja!

Pas kundërshtimeve nga Kadri Hazbiu të akuzave si ‘armik’, bërë nga i pandehuri Gani Kodra, në seancën gjyqësore të datës 23 gushtit 1983, radha e deponimit është për të pandehurin Ali Çeno, ish-kryetar i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut. “Edhe unë jam një nga pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare që e kryesonte krye tradhtari Mehmet Shehu. Kjo organizatë kundër revolucionare e përbërë nga armiqtë e Partisë e të popullit, këta shpirt zinj, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, Fiqret Shehu, etj…, kërkonin që të përmbysnin diktaturën e proletariatit në Shqipëri dhe të vendosnin këtu një rend borgjezo-revizionist… Janë këta armiq të Partisë, si kryeagjenti Mehmet Shehu, armiku Kadri Hazbiu, e Feçor Shehu, që më futën në këtë rrugë të gabuar…”- deponoi mes të tjerave në këtë seancë i akuzuari Çeno….
(Vijon nga numri i kaluar)
Kryetari:- Ulu. I pandehur Kadri Hazbiu, ke pyetje?
Kadriu:- Kam. Për ikjen e Qemal Voglit, nëse mund të mbajë mend ky Gani Kodra, se për vete e di, dhe u shpreh këtu se nuk u mor asnjë masë… Për të tjerët që drejtonin ekipin u mor ndonjë masë?
Ganiu:- Për të tjerët, nuk e di.
Kadriu:- për ty, është marrë? Jo!
Ganiu:- Për mua, asnjë masë.
Kryetari:- për të tjerët nuk e di?
Kadriu:- Nuk e di. Qëndrim për kontrabandë, thotë ky i butë dhe lë të nënkuptohet, ashtu si ju… A lidhesh me diçka që nuk ishte mirë të dilte në gjyq, të bëhej Pazar kjo çështje?
Kryetari:- Si lidhesh, me çfarë lidhesh?
Kadriu:- Domethënë, lidhesh kjo, kjo ishte një masë e vogël kontrabande edhe që nuk e vlente të bëhej, nuk e vlente barra qiranë e të hetoje, të delte ky e ai kuptim… Këtë gjë a mund ta evidentojë në kujtesën e tij Gani Kodra?. Edhe e dyta, se ky shkonte e delte. A nuk ishte kjo në atë kohë një situatë e tillë që shumëkush nga kuadrot dilnin, mbanin dollarë, nuk i dorëzonin kur vinin këtu.. Ishte problem Partie, është fakt ky. Edhe Partia….
Kryetari:- Domethënë, ju nuk e vlerësuat si një çështje që duhej ngritur?
Kadriu:- Si një çështje që zakonisht përdor për sasi të vogla, dënoheshin administrativisht ose në rrugë Partie. A ka ky këtë ide?
Kryetari:- E ke këtë ide ti apo ke idenë se ta bënë për favor, se t’i the që ta bënë për favor. Si e ke konsideruar tim këtë?
Ganiu:- Jo vetëm që për mua nuk u mor masë, por edhe ata që u arrestuan, u liruan.
Kryetari:- U liruan. Kush u arrestua?
Ganiu:- U arrestuan Lutfi Hoxha dhe Xhemal Abazi.
Kryetari:- Po pse u liruan ata. Kishin bërë me vërtetë e u liruan apo… Kishin bërë me vërtetë kontrabandë ata?
Ganiu:- Po. Mua, për shembull, Lutfi Hoxha më kishte dhënë 56 dollarë, plus ai Xhemal Abazi i kishte dhënë Haxhi Shurdhit dollarë.
Kryetari:- Kështu e shpjegon ky, i pandehur Kadri Hazbiu.
Kadriu:- Po nuk i plotësoj, më falni i nderuar kryetar, nuk e plotësoi idenë time se ky tani është kundër, ishte komunist, ishte njeri që dilte jashtë. A nuk ishin këto 50 dollarë, 10 dollarë e 20 dollarë gjëra të rëndomta që Partia dhe drejtësia nuk i çonte njerëzit për dënim. Duhet thënë për këtë, duhet nxjerrë aq sa mund të thotë, Gani Kodra nga pozita e tij që është, kupton. A ishte ky një favor i bërë nga unë për ta shpëtuar këtë si konspirator, apo ishte një qëndrim i zakonshëm? Dhe a isha vetëm unë kur u gjykua kjo, apo ishin dhe të tjerë kuadro atje!?
Ganiu:- Unë mund ti kujtoj dhe një gjë tjetër Kadri Hazbiut…
Kadriu:- Përgjigju, po të jetë e mundur kësaj?
Ganiu:- Ky ishte qëndrim i butë. Thashë se ju, edhe sekretarin e Komitetit të Partisë e porositët para mejë që, unë mendoj, the, që edhe në organizatë bazë të mos e shtroni…
Kadriu:- S’është e vërtetë kjo. Sekretar i komitetit të Partisë  është vetë Gani Keçi dhe mund të pyetet. Edhe bile, në proces dëshminë e tij thotë që ju jeni kritikuar, u është dhënë dhe masë partie.
Ganiu:- Bile, vetëm kur e mori vesh sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, atëherë….
Kadriu:- Jo, jo, nuk është kështu.
Kryetari:-  Këtë përgjigje ka ky. Pyetje tjetër?
Kadriu:- Në ballafaqi, thotë, me mua kur është bërë ballafaqimi, ka thënë dhe në prezencë të prokurorit të Përgjithshëm, ka thënë në përgjigje kur ju drejtua hetuesisë, kur ka ardhur në dijeni që Kadri Hazbiu është komplotist në këtë veprimtari armiqësore. Gani Kodra i është përgjigjur në vitin 1965. Unë nuk e ndjeva se nuk dija. Kur jam ballafaquar me Llambi Peçinin, ashtu siç u tha, atë për të dytën herë, se në fillim ka thënë ndryshe, tha që kam ardhur në dijeni për Kadri Hazbiun që është në këtë veprimtari armiqësore në 1979, domethënë, pas 14 vjet diferencë. Si e shpjegon Gani Kodra këtë?
Ganiu:- Unë në ballafaqim e kam thënë dhe këtë e kam nxjerrë nga një bisedë që mua Llambi Peçini më ka bërë në atë kohë. Edhe bile, i thashë Llambit, more, pse të do kaq shumë ty Mehmet Shehu? Më do, tha, se unë e kam mbrojtur Kadri Hazbiun në Plenumin e 11-të, në aktivin e Partisë të Ushtrisë, ku u punua rezoluta e Plenumit të 11-të. Se u ngritën shumë pyetje e probleme që kërkonin  shpjegime, që Kadri Hazbiu të jepte shpjegime për bashkëpunimin me këshilltarët jugosllavë.  Unë, tha, u ngrita dhe thashë që në këtë kohë ka qenë në shkollë dhe e mora unë përsipër, tha, prandaj tha, më do Mehmet Shehu mua. Nga kjo bisedë dilte që Kadri Hazbiu është njeri i Mehmet Shehut.
Kryetari:- Po, kështu e shpjegon ti….
Kadriu:- Po është ardhje në dijeni kjo apo është një supozim i tij?
Kryetari:- Kështu e kuptoj unë, thotë ai, ta tha Kadriu. Pyetja është ekzakt, kur ke ardhur në dijeni, jo kur ke menduar ti…. Nejse, mirë xhanëm, ai ta dha këtë përgjigje…
Kadriu:- A di ky që meqë ka qenë në shërbimin e Sigurimit të Udhëheqjes, për atë kohë që kam qenë unë ministër. Kam thirrur dhe të tjerë kuadro që janë ngarkuar me sigurimin e familjeve të udhëheqjes kur kanë dalë jashtë shtetit. Të flasë sinqerisht para gjykatës.
Kryetari:- Çfarë do, ç’të thotë?
Kadriu:- Se ky më thirri Kadri Hazbiu, më dha porosi që ato që ka thënë Mehmet Shehu, zbatoi vetëm, do kesh kujdes këtë e këtë. A din ky se unë e kam pasur metodën time të punës edhe për herë të tjera?
Kryetari:- Di për herë të tjera tu ketë thënë Kadri Hazbiu?
Ganiu:- Mua nuk më ka thirrur, të tjerët i ka thirrur.
Kadriu:- Këto kisha.
Kryetari:- Shkoni.
(30 minuta pushim)
Feçori:- Më duket se tha dhe për mua, që kishte marrë porosi për lëvizjet që do të bënte Skënder Shehu, mos kishte të bënte me njeri…..
Kryetari:- Me drejtorinë e tij, jo, vetëm me Feçor Shehun.
Feçori:- Unë pyetjen e kam kështu.  Gjatë 3-4 vjetëve a dy, sa ka ndenjur në Suedi, në sa ka bërë vaki që një herë të më ketë bërë ndonjë telegram për të kërkuar miratim për lëvizjet ose më ka marrë në telefon, mua apo ndonjë të ngarkuarin tim.  Ka bërë ndonjë herë vaki?
Kryetari:- I pandehur Gani! Ka bërë vaki kështu thotë Feçor Shehu, që të kem korresponduar unë me ‘të thotë..?
Ganiu:- Bile, edhe porosia e Feçor Shehut ishte e tillë që për çdo nevojë që të kesh të më dërgosh mua….
Kryetari:- Ti me drejtorinë je lidhur për punën e Skënder Shehut?
Ganiu:- Asnjëherë.
Feçori:- Po me mua?
Ganiu:- Sa herë që kam ardhur.
Kryetari:- Mirë, uluni. I pandehur Ali Çeno, jep shpjegime.
Aliu:- Edhe unë jam një nga pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare që e kryesonte krye tradhtari Mehmet Shehu. Kjo organizatë kundër revolucionare e përbërë nga armiqtë e Partisë e të popullit, këta shpirt zinj si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, Fiqret Shehu, etj…, kërkonin që të përmbysnin diktaturën e proletariatit në Shqipëri dhe të vendosnin këtu një rend borgjezo-revizionist. Unë për vete rrjedh nga një familje punëtore e varfër që jam rritur nën kujdesin e Partisë.  Por janë këta armiq të Partisë si krye agjenti Mehmet Shehu, armiku Kadri Hazbiu, e Feçor Shehu, që më futën në këtë rrugë të gabuar që unë sot po jap llogari para gjyqit të popullit, për fajet e mia që kam bërë….
Unë direkt, nuk kam marrë takim me ndonjë person të agjenturave të huaja ose të jem rekrutuar direkt nga këto agjentura, por si të thuash, porositë që më ka dhënë Mehmeti, poli agjenti Mehmet Shehu indirekt, u kam shërbyer këtyre agjenturave të huaja. Unë në vitin 1973, me propozim të Petrit Dumes, armikut Petrit Dume dhe me miratim të armikut Kadri Hazbiu e Llambi Peçinit, jam emëruar përgjegjës i grupit të sigurimit të Mehmet Shehut.  Armiku dhe tradhtari, xhelati Mehmet Shehu, gjithmonë më porosiste që për çdo gjë që të kem ose të shikoj e dëgjoj, duhet që gojën ta mbaj të kyçur.  Njëkohësisht, këtë porosi më ka dhënë dhe armiku Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, për çdo gjë që do të dëgjoni e të shikoni, goja duhet mbajtur e mbyllur.  Njëkohësisht, edhe për sa i përket kohës që ka qenë Llambi Peçini në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe Gani Kodra zakonisht mi ka dhënë këto porosi. Ndërsa nga ana tjetër këta më mburrnin figurën e Mehmet Shehut si strateg i madh ushtarak dhe luftëtar i vjetër për çështjen e Partisë e të popullit, në thonjëza kjo. Unë kam dëgjuar bisedat armiqësore që ka zhvilluar krye tradhtari dhe katili Mehmet Shehu me armikun Kadri Hazbiu, e njëkohësisht dhe me Feçor Shehun.  Unë po shoh këtu në gjyq se qëndrimi që po mbanë armiku Kadri Hazbiu dhe armiku Feçor Shehu, ata duan ti qëndrojnë deri në vdekje asaj veprimtarie armiqësore që ka zhvilluar krye agjenti Mehmet Shehu. Dhe në të njëjtën kohë dua të theksoj se po këtë qëndrim ka mbajtur Kadri Hazbiu edhe në ballafaqimin që unë kam pasur me ‘të., duke më sharë e duke më ofenduar, ashtu siç po provokon edhe këtu trupin gjykues. Pikërisht, desha të theksoj për qëndrimin armiqësor që mbajti Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, duke më quajtur mua sikur unë isha njeri që shpifja dhe njeri që isha i shtyrë nga ana e hetuesisë , duke qenë prezent edhe përfaqësuesi i partisë, Prokurori, duke thënë që ty të paskan kurdisur. Unë ju përgjigja, se kush më ka kurdisur mua, Partia!. Është Partia ajo që po na heton dhe po na gjykon, për këtë veprimtari armiqësore, kriminale kundër Partisë e pushtetit popullor.
Unë kam parë, dhe kam dëgjuar që ky grup armiqësor, i përbërë nga poli agjenti Mehmet Shehu, Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, etj, lidhjet e ngushta që kanë patur këta edhe me grupet e tjera armiqësore, siç është grupi puçist i Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito çakos në ushtri dhe me ata të ekonomisë me Abdyl Këllezin, Kiço Ngjelën e Koço Theodhosin. Në këtë drejtim, mua, armiku Mehmet Shehu,  duke më mbajtur më afër, duke më porositur për çdo gjë që do të shikoja e dëgjoja, të mbyllja gojën. Duke më përpunuar vazhdimisht, më ngarkoi dhe me detyra agjenturore që unë do ti shpjegoj më poshtë. Si, për shembull, letra që unë i dërgova  në prill të vitit 1981 Skënder Shehut, kur u kthye nga Suedia me S. Hoxhën, dhe njëkohësisht letra që unë mora nga Skënder Shehu për t’ia sjellë poli agjentit Mehmet Shehu, kur ai më dërgoi për të shoqëruar Skënderin se gjoja ky ishte i mërzitur nga fejesa. Këto dy probleme do ti shtjelloj….
E para, për sa i përket letrës që unë i dërgova në prill  të vitit 1981 Skënder Shehut kur u kthye nga Suedia me Gani Kodrën. Shoqërova djalin e tradhtarit Mehmet Shehu, Bashkimin, me Marjeta Shehun. Mehmet Shehu më thirri dhe më tha që Ali, të kesh kujdes, më dha porositë e rastit për fëmijët, njëkohësisht më porositi, do të jap edhe një letër që ta mbash e të përgjigjesh me kokë për këtë letër, se është me rëndësi të madhe, dhe do t’ia japësh vetëm Skënderit dhe asnjë njeriu tjetër.  Unë e mora letrën, e futa në çantën e valutës që mbaja me vete, që ta siguroja mos më humbte kjo letër. Dhe kur shkuam në Paris, pasi ndenjëm 10-12 dit aty, erdhi Skënder Kodra së bashku me armikun Mehmet Shehu.  Harrova të thosha në fillim se Mehmet Shehu më porositi që këtë letër e kam për dikë, për një mikun tim që kam në Amerikë dhe që shkon e i takon vazhdimisht edhe Skënderin edhe Ganiun  kur këta janë ën Suedi.  Pasi Skënderi mori letrën, në aeroport ja kam dhënë letrën, e futi në një portofol të vogël dhe shkuam në shtëpinë e pritjes ku ja kisha bërë të gjitha përgatitjet që të flinte me gjithë Ganiun në këtë shtëpi pritje. Ashtu siç tha dhe Gani Kodra, Skënder Shehu, pasi lexoi letrën, ai vendosi të shkonte në hotel. Dhe më duket se shkuan në hotel ‘Niko’. Një hotel luksoz japonez që kushtonte 500 franga nata. Se çfarë përmbajtje kishte, se me kë do takohej, dhe se kush ishte ky mik që adresohej letra e Mehmet Shehut, unë për këtë nuk di. Për sa i përket letrës së dytë duhet të shpjegoj këto gjëra.  Në prag të prishjes së fejesës së Skënder Shehut me Silva Turdiun, armiku Mehmet Shehu më tha në prezencë të Fiqret Shehut dhe Skënder Shehut se: Ne, Ali, kemi vendosur që të shkosh dhe ti në Suedi, sepse Skënderi është i shqetësuar, i mërzitur, ti ke shoqëri me Skënderin. Këtë porosi ma ka dhënë dhe armiku Feçor Shehu, një ditë më vonë kur më tha se ne kemi vendosur që ti të shkosh në Suedi…

SOM 1
“Që në fillim, Çeno deponoi: Edhe unë jam një nga pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare që e kryesonte krye tradhtari Mehmet Shehu. Kjo organizatë kundër revolucionare e përbërë nga armiqtë e Partisë e të popullit, këta shpirt zinj si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, Fiqret Shehu, etj, kërkonin që të përmbysnin diktaturën e proletariatit në Shqipëri dhe të vendosnin këtu një rend borgjezo-revizionist”

SOM 2
“Unë, si përgjegjës për jetën e Mehmetit, kam parë dhe kam dëgjuar që ky grup armiqësor, i përbërë nga poli agjenti Mehmet Shehu, Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, etj, lidhjet e ngushta që kanë patur këta edhe me grupet e tjera armiqësore, siç është grupi puçist i Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito çakos në ushtri dhe Abdyl Këllezin, Kiço Ngjelën e Koço Theodhosin. Në këtë drejtim, mua, armiku Mehmet Shehu, duke më mbajtur më afër, duke më porositur për çdo gjë që do të shikoja e dëgjoja, të mbyllja gojën”

SOM 3
“Për sa i përket letrës së dytë, duhet të shpjegoj këto gjëra.  Në prag të prishjes së fejesës së Skënder Shehut me Silva Turdiun, armiku Mehmet Shehu më tha në prezencë të Fiqret Shehut dhe Skënder Shehut se: Ne, Ali, kemi vendosur që të shkosh dhe ti në Suedi sepse Skënderi është i shqetësuar, i mërzitur, ti ke shoqëri me Skënderin. Këtë porosi ma ka dhënë dhe armiku Feçor Shehu një ditë më vonë kur më tha se ne kemi vendosur që ti të shkosh në Suedi…”

 


 

No comments: