Thursday, December 27, 2012

Çela: Unë, president i Vllaznisë deri më 2015

Biznesmeni shkodran, Agron Çela, është i bindur se do të jetë president i Vllaznisë deri në fund të sezonit 2014-2015. Një ditë para vendimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, nismëtari i kërkesës së 5 donatorëve për marrjen e drejtimit të Vllaznisë ka thënë ndër të tjera për “Panorama Sport” se marrëveshja në parim është arritur dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i vendimit. Çela është optimist se anëtarët e Këshillit Bashkiak në mbledhjen e nesërme
do të miratojnë unanimisht kërkesën e 5 donatorëve, duke ia kaluar klubin në përdorim këtyre të fundit. “Pozicioni im do të jetë ai i presidentit të Vllaznisë. Nuk pres ndonjë surprizë për sa i përket mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Besoj se do të jetë një vendim unanim dhe kjo sigurisht është në të mirë të Vllaznisë. Shpresojmë të nisim punën sa më shpejt për të realizuar objektivat tanë. E kam thënë edhe më parë, ne si grup donatorësh jemi të bindur se Vllazninë e çojmë në Kupat e Europës në fundin e këtij sezoni. Natyrisht, kjo kërkon një punë dhe financim serioz, por ne do t’ia dalim mbanë, duke bërë që skuadra të jetë aty ku i takon. Tifozët shkodranë meritojnë një Vllazni kompetitive”,- ka thënë fillimisht Çela. Ai konfirmoi dje se kontrata e sponsorizimit të klubit shkodran me Bashkinë pritet të jetë për dy vite. “Kontrata jonë është deri në fund të sezonit 2014-2015. Mund t’ju them se me Bashkinë kemi rënë dakord për të gjitha kushtet. Siç e thashë edhe më lart, tashmë pas zyrtarizimit që do të bëhet nga ana e Këshillit Bashkiak, do të nisim punën për ndryshimin e Vllaznisë”,- ka shtuar kandidati për president i klubit kuqeblu. Kujtojmë që Çela e ka udhëhequr Vllazninë edhe në vitet 2003-2006, por më pas drejtimin e klubit e mori Valter Fushaj. Ndërkohë, i pyetur nëse postin e administratorit të klubit do ta mbajë një nga 5 donatorët, Çela la të kuptohej se do të jetë Bashkia e Shkodrës ajo që do të vendosë një emër në këtë pozicion. “Edhe në të kaluarën kemi pasur një sekretar klubi, që sot mund të quhet administrator. Me ndryshimin e strukturës, tashmë ai do të bëjë lidhjen mes donatorëve dhe Bashkisë”,- përfundoi Çela. Aktualisht postin e administratorit të klubit e mban Fatos Gjyrezi. Nuk dihet nëse pas miratimit të kërkesës së 5 donatorëve, Bashkia do të ndryshojë administrator. Për sa i përket anës financiare, mësohet se donatorët kanë pranuar vendimin e Bashkisë për buxhetin që do të jetë në dispozicion të klubit. Kjo e fundit pritet të miratojë një fond prej 200 milionë lekësh të vjetër.
Bushati
Artan Bushati pritet të jetë trajneri i ri i Vllaznisë pas zyrtarizimit të kalimit në përdorim të klubit nga ana e 5 donatorëve. Sipas të gjitha gjasave, presidenti i ri Agron Çela do t’i besojë pankinën teknikut shkodran. Për këtë të fundit do të jetë një rikthim te Vllaznia, pas eksperiencave me Elbasanin dhe për disa vite me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë. Gjithsesi, duhet pritur edhe disa ditë për këtë zyrtarizim. 
Shkodra nderon sportistët më të mirë të vitit 2012
Dje pasdite, në Shkodër klubi shumësportësh dhe klubi i futbollit Vllaznia kanë organizuar dhënien e çmimeve për sportistët më të mirë të vitit 2012. Sipas radhës u nderuan Kristian Shytani, boksier, kampion kombëtar dhe fitues i “Gongu i Artë”. Elvedin Meti, atlet. Dritan Smajli, futbollist i Vllaznisë. Ardit Rashi, kampion absolut në garat e 100 m dhe stafetës 4×100 m. Nelson Hysa, boksier, kampion në peshat e rënda. Mirosllav Vujadinoviç, futbollist. Elvin Beqiri, futbollist dhe kapiten i Vllaznisë. Isa Bala, peshëngritës, kampion në peshat e rënda. Aurora Shkoza (xhudo). Kristian Dema, boksier për shumë vite kampion me ekipin e Vllaznisë. Izmir Smajlaj, kampion në atletikë. Erkand Qerimaj, peshëngritës. Ervin Bërdica, basketbollist. Rolindo Piranaj, boksier. Për sa u përket trajnerëve, u vlerësuan Zef Gjoni (boks), Anton Shkoza (xhudo) dhe Albert Marashi (futboll).


Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/27/cela-une-president-i-vllaznise-deri-me-2015/#ixzz2GIQx2VwZ

No comments: